visi baner 5

Pse është i rëndësishëm zbulimi i grimcës Higgs

Të mërkurën, datë 4 korrik 2012, eksperimentet e qendrës CERN në Zvicër shpallën observimin e një grimce të re. Ky mendohet se përbën një nga zbulimet më të rëndësishme të dhjetëvjeçarëve të fundit në fizikë. Më poshtë do përpiqem të shpjegoj shkurtimisht pse ky zbulim eksperimental është një ngjarje kaq e rëndësishme.

Studimet për strukturën e materies kanë marrë hov me zhvillimin e metodave shkencore. Këto studime janë zhvilluar në mënyrë sistematike duke kulmuar me të ashtuquajturin Model Standard, i cili unifikon dhe sistematizon dijet teorike mbi grimcat që janë vrojtuar eksperimentalisht dhe bashkëveprimet mes tyre. Modeli Standard i është nënshtruar testeve shumë rigoroze eksperimentale, të cilat kanë konfirmuar me precizion të madh për disa dekada parashikimet e tij.

Me gjithë suksesin e jashtëzakonshëm teorik dhe eksperimental, një nga pyetjet më të rëndësishme në fizikë nuk ka marrë akoma përgjigje: cila është origjina e masës së grimcave elementare? Kjo pyetje mund të duket e çuditshme në vështrim të parë sepse bota ku jetojmë nuk mund të konceptohet pa masën. Megjithatë, simetritë e Modelit Standard nuk parashikojnë apriori masë për grimcat elementare dhe një mekanizëm shtesë është i nevojshëm që t’i japë masë atyre. Ky mekanizëm mendohet se është ai që mban emrin e fizikanit anglez Higgs dhe teoritë rreth tij janë formuluar që në vitin 1964.

Sipas mekanizmit Higgs, ekziston një fushë fizike dhe grimcat e fitojnë masën duke bashkëvepruar me të. Meqenëse ky mekanizëm prish simetritë e lartpërmendura, ai njihet edhe si thyerje e simetrisë së bashkëveprimeve elektromagnetike dhe të dobëta. Bashkë me fushën, mekanizmi parashikon edhe një grimcë shtesë, grimcën Higgs, e cila mendohet të jetë pikërisht grimca e zbuluar nga eksperimentet në CERN.

Instituti CERN në Zvicër është qendra më e madhe në botë për fizikën e grimcave elementare. Që prej themelimit në 1954, në CERN janë ndërtuar disa nga përshpejtuesit më të mëdhenj në botë, përfshirë Përshpejtuesin e Madh Hadronik (Large Hadron Collider) që funksionon aktualisht. Ai ka një perimetër prej rreth 27 kilometrash dhe është i ndërtuar në një tunel nëntokësor mes Zvicrës dhe Francës.

Në eksperimentet aktuale në CERN punojnë me mijëra fizikanë, studentë, inxhinierë, specialistë IT etj., nga e gjithë bota. Eksperimentet në CERN kanë detektorë shumë të mëdhenj dhe kompleksë. Tufat e protoneve përshpejtohen nga akseleratori dhe përplasen në qendër të detektorëve kur maten trajektoret dhe energjitë e grimcave.

Kërkimet për zbulimin e grimcës Higgs kanë nisur që prej shumë vitesh nga eksperimente në Europë dhe Amerikë, përfshirë gjeneratën e mëparshme të eksperimenteve në CERN.  Matjet aktuale eksperimentale për kërkimin e grimcës Higgs janë bërë nga dy eksperimentet kryesore të Përshpejtuesit të Madh Hadronik: CMS dhe ATLAS. Të dy eksperimentet kanë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri vrojtimin e një grimce me masë rreth 125 GeV, e cila është kompatibël me parashikimet e modeleve për mekanizmin Higgs dhe supozohet të jetë pikërisht grimca e shumëkërkuar.

Rëndësia e masës si karakteristikë fundamentale e grimcave dhe vrojtimi eksperimental pas përpjekjeve intensive shumëvjeçare, janë dy elementet kryesore që e kthejnë zbulimin e fundit në CERN në një nga zbulimet më të rëndësishme shkencore. Ekspertë të fushës mendojnë se ky zbulim është i një rëndësie të ngjashme me zbulimin e kuarkeve para rreth 40 vitesh.

 

Zbulimi i grimcës Higgs përbën një sukses shumë të madh për eksperimentet në CERN, por është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë. Me vrojtimet e fundit, një nga kërkimet më të rëndësishme në fizikë ka marrë përgjigje fillestare pozitive, por ngelet akoma shumë punë me detajet e matjeve eksperimentale dhe parashikimet teorike për të kuptuar implikimet e këtij zbulimi.

Mekanizmi Higgs mund të inkludohet brenda Modelit Standard, ose mund të jetë i lidhur me fenomene dhe grimca që shkojnë përtej tij. Matjet e karakteristikave të grimcës së re të vrojtuar dhe e frekuencave me të cilat ajo prodhohet dhe zbërthehet, do të jenë treguesit e parë në këtë drejtim.

Parashikimet teorike dhe matjet e fundit eksperimentale lënë vend për të menduar se në vitet e ardhshme eksperimentet në CERN do të zbulojnë edhe grimca dhe fenomene të tjera që mund ta ndryshojnë në mënyrë radikale njohjen tonë të natyrës dhe mund të shkojnë përtej Modelit Standard aktual.

****California Institute of Technology, pjesëtar i eksperimentit CMS në CERN

Reklama-Eagle

6 Përgjigjet për "Pse është i rëndësishëm zbulimi i grimcës Higgs"

  1. Lubin  06/07/2012 në 5:54 pm

    Bravo Dor, na bane krenar .. edhe njehere :) keep it this way

    • Arber Lata  06/07/2012 në 7:33 pm

      Ne kete kohe te zhvillimeve te medha dhenia dhe trajtimi i informacionit eshte nje vlere e madhe dhe nje respekt per veten,per njerezimin.Ju lumt z.Dorian,faleminderit Mapo.Jeni me te miret.Suksese.Tung AL.Tropoje.

  2. G.Tako  07/07/2012 në 2:09 pm

    Po zbulohet grimca DORIAN.
    doriani doli me i merituar se specialistet,edhe duke perseritur Ainshtanin qe ka thene me kohe se:Kjo hapesire e pa fund edhe zbulimet do ti kete tepa fundme.
    doriani thote se eksperimentet lene vend per te menduar se…..
    te thuash ti eksperimentet po i drejton doriani,dhe e mundesojne te mendoje se pasneser ai do zbuloje grimcen DORIAN.

  3. Arif Gjongjini  07/07/2012 në 2:36 pm

    Nisur nga ideja e krijuar nga dijet e deritanishme mendja shkon te përfundimi se çdo gjë është një përbërje pjesësh më të vogla; edhe grimca e sapo zbuluar e tillë duhet të jetë. Çështja është se cila është garancia që zbulimet e mëtejshme do të jenë vetëm të dobishme për njerëzimin.

  4. Jakup Azemi  07/07/2012 në 3:01 pm

    Ne fakt, jam i deshperuar nga ky teks i autorit. Duket nje tekst qe i ngjan nje pershkrimi siperfaqesor dhe historise se centarlit CERN, dhe me pak te nje problematike te madhe ne fiziken bashkekohore. Nga dikush qe studjon kete fushe, do te pritej te goditet thelbi i studimit me “The Large Hadron Collidor” synon zbulimin e e grimces Zot (God particle) antimaterjes–e cila supozohet te jete pergjegjese per krijimin e jetes, dhe mbase edhe gjithesise.

  5. Blerta Hasa  10/07/2012 në 9:35 am

    alamet perktimi nga the economist.
    Qenke si puna Kol Balles ti :-)

Komentet janë mbyllur