visi baner 5

Reforma, Mediu: Jemi ende larg zgjedhjeve të lira

TIRANË Takimi i dytë mes partive të vogla nuk ka sjellë ndonjë ndjeshmëri të madhe tek dy partitë e mëdha sa i përket kërkesës kryesore të tyre që lidhet me korrektimin e sistemit zgjedhor. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi dje se partitë e mëdha po e zvarrisin miratimin e ligjit të ri të zgjedhjeve për interesa specifike të tyret. “Këto janë afatet që ata i kanë dhënë njëri-tjetrit jo për reformën zgjedhore, por për elementë të ndryshëm që kanë të bëjnë me interesa specifike të partive përkatëse. Në mënyrën se si ato e konceptojnë reformën, në interesin e tyre politik partiak, mendoj që jemi shumë larg thelbit për të pasur zgjedhje të lira e të drejta në Shqipëri”, – tha Mediu. Kryetari i PR-së e përqendron vëmendjen e tij pikërisht tek korrektimi kombëtar i sistemit, pasi sipas tij, nëse kjo nuk ndodh, atëherë vota sërish do të deformohet. Mediu i referohet edhe një deklarate të përbashkët që kanë firmosur partitë e vogla bashkë me dy partitë e mëdha për ndryshimin e sistemit, por vë në dukje se qëndrimi i tyre publik është i ndryshëm nga qëndrimi i mbajtur në komisionin për reformën zgjedhore.  “Deklarata e tyre, qëndrimet e tyre kanë qenë shpesh pro, por për veprimet konkrete në komisionin e reformës zgjedhore kanë qenë të kundërta. Të shohim në takimin tjetër të reformës se cili do të jetë qëndrimi konkret i palëve. Nëse nuk do të vlerësohen me seriozitetin e duhur kërkesat e partive politike, ne do të kemi një reformë elektorale të deformuar, e cila do të çojë në zgjedhje të deformuara e problematike”, – tha ai. Komisioni i reformës zgjedhore duhet që deri në 12 korrik të çojë për votim në seancë Kodin së bashku me tre kapitujt e mbetur të tij. Ndryshe nga pretendimi i partive të vogla, mes dy partive të mëdha problemi kryesor mbetet formula e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dy ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama përcolli përmes editorialit të fundjavës mesazhin se nuk do të votojë reformën zgjedhore në rast se nuk do të ndryshohet KQZ-ja.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur