Universitetet private, MASH nxjerr 199 programet e akredituara

Ministria e Arsimit zbardh listën e universiteteve private që ofrojnë programe studimi të akredituara. Në total bëhet fjalë për 199 programe të akredituara deri në fillim të këtij muaji, të cilat i përkasin ciklit të parë “Bachelor” dhe të dytë të studimeve, ku përfshihen ato të Masterit. Programet e akredituara ofrohen në 21 institucione të arsimit të lartë privat, nga 46 që janë licencuar nga Këshilli i Ministrave për të ushtruar aktivitetin e tyre në vend. Në krye të klasifikimit për numrin më të madh të programeve të akredituara qëndron Universiteti Europian i Tiranës me 74 të tilla, të cilat u përkasin të dyja cikleve të studimit. Më konkretisht, për studimet e cilit të parë “Bachelor”, UET ka 6 programe të akredituara që janë: Financë bankë, Menaxhim biznesi, Shkenca politike, Marrëdhënie me publikun, Marrëdhënie ndërkombëtare dhe Jurist i përgjithshëm. Në studimet e ciklit të dytë, UET ofron 18 programe të akredituara në Master Profesional dhe 50 të tjera në Master Shkencor. Pas UET, një numër të konsiderueshëm degësh të akredituara, në varësi edhe të programeve të studimit që ofrojnë kanë: shkolla e lartë universitare, jopublike “Universiteti Kristal”, shkolla e lartë universitare, jopublike “Universiteti i New York-ut, Tiranë”, Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti privat “Albanian University”, si dhe shkolla e lartë universitare, jopublike “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”. Aktualisht, në universitetet private ofrohen më shumë se 330 programe studimi për ciklin e parë dhe të dytë, por jo të gjitha degët janë të akredituara nga MASH. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i programeve të akredituara nga MASH pothuajse është dyfishuar. Kështu, një vit më parë numri i programeve të akredituara ishte 110. Lista e institucioneve të arsimit të lartë privat të licencuara apo të akredituara përfshin 46 të tilla, ku bëjnë pjesë: 3 universitetet me status, që janë: Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universiteti “Albanian University”, si dhe akademitë, kolegjet profesionale, shkollat e larta dhe qendrat ndëruniversitare. Nga këto institucione, 18 janë të akredituara plotësisht, që thënë ndryshe japin diploma të vlefshme dhe të njohura nga Ministria e Arsimit, ndërsa njëri prej tyre ka të akredituara vetëm 2 programe. Pjesa tjetër e shkollave të larta janë të licencuara, dhe nuk e kanë kaluar ende fazën e akreditimit të programeve të tyre të studimit. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, një program studimi duhet të akreditohet para diplomimit të studentëve që studiojnë në atë program. Akreditimi është një proces sigurimi cilësie, gjatë të cilit një organizëm i jashtëm vlerëson përputhjen e shërbimit dhe aktivitetit të universitetit apo programeve të tij me standardet.

NJë përgjigje për "Universitetet private, MASH nxjerr 199 programet e akredituara"

  1. agron  05/07/2012 në 9:27 am

    Hej, Mapo, ky eshte objekti i MASHT-it te Kosoves, e jo Shqiperise

    persh.

Komentet janë mbyllur