Imunitetet, Majko: Jemi të hapur për negociata

TIRANË Partia Socialiste shpreson në një kompromis të minutave të fundit me PD-në, para se mazhoranca të mbledhë seancën e së hënës për të votuar draftin për kufizimin e imunitetit. Relatori i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili negocioi për një draft të përbashkët me PD-në, deklaroi dje se opozita ka vullnet të plotë për kufizimin e imuniteteve, por kërkon që në të njëjtën kohë të diskutohet e gjithë paketa e propozuar nga ata për ndryshimet kushtetuese. Ai konfirmoi gjithashtu qëndrimin e PS-së për të mos votuar nesër në seancë, por nga ana tjetër u shpreh edhe pro negociatave të momentit të fundit që do të shtynin, sipas tij, një veprim të njëanshëm të mazhorancës e që do t’i hapnin rrugë një procesi të përbashkët. “Ne kërkojmë sot që flasim, vetëm të drejtën për t’u dëgjuar në publik edhe nga mazhoranca. Mendoj se cilido që edhe nga kolegët e mi të mazhorancës që më dëgjon, e di që e drejta për t’u dëgjuar është e drejta e një opozite në kushtet minimale të përfaqësimit të saj, në një shtet monopartiak, siç është ky i sotmi. Ne po kërkojmë që kjo që kemi ofruar, si propozime shtesë për ndryshimet kushtetuese, që nuk është një shpikje, nuk janë as kushte të panegociueshme, të dëgjohet nga publiku. Pse po e kërkojmë këtë dhe nuk po e bëjmë në tavolina? Sepse po diskutojmë ligjin themelor dhe ajo që i kemi vënë detyrë vetes është që gjithçka çfarë do të diskutojmë me Partinë Demokratike për Kushtetutën, të mos përsërisim atë që bëmë në 2008. Do të thotë, gjithçka do të diskutohet në publik, pastaj biem, nuk biem dakord, është një arsye tjetër”, – tha Majko në një intervistë për “TCH”. Sipas tij, duhet të ngrenë zërin edhe konstitucionalistët, pasi bëhet fjalë për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit. “Shpresoj, mendoj që ajo që mungon sot që flasim është zëri i konstitucionalistëve, pasi ne politikanët, në një mënyrë apo tjetër do të diskutojmë anën procedurale, por edhe me një lloj afilacioni politik. Mendoj që konstitucionalistët do të ishte shumë mirë të thoshin, nëse opozita ka të drejtë që nuk pranon të diskutojë Kushtetutën në gusht dhe pastaj në shtator për të dytën herë. Mund të ofrohen mendime dhe opinione të ndryshme për logjikat e një referendumi të nesërm kushtetues, për dispozitat të një natyre të ndryshme. Është momenti që ne ta shohim situatën me gjakftohtësi dhe jo me logjikën se ‘përballë nuk kam më opozitën, por kam armikun që do t’i bëjë keq vendit tim’. Mendoj se kjo është e tepërt, e tepërt për atë nivel kulture që ka niveli mesatar i shoqërisë shqiptare sot”, – tha Majko. Ai shtoi gjithashtu se ka ardhur koha që politika e hedhjes së fajit tek opozita të përfundojë dhe mazhoranca të marrë përgjegjësitë e saj si trupa që udhëheq vendin.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login