Libra të rinj në vitrinat e librarive

 

Intervistë/Esse

 

Ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve

 

Titulli: “Çlirimi i Serbisë prej Kosovës”
Origjinali: Çlirimi i Serbisë prej Kosovës
Autori: Ismail Kadare
Shtëpia botuese: “Onufri”

Një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë europianë, Ismail Kadare, flet për temat më delikate dhe ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve, mbi urrejtjen e zgjatur, zemërimin dhe mllefin, mbi miqësinë dhe moskuptimet me shkrimtarët serbë, mbi shtrembërimet e historisë që e kapërcen dramën ballkanase, dhe për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte Kosovën.

 

Monografi

 

Europeizmi nga utopi në mënyrë jetese

Titulli: “Europeizmi si histori mendimi”

Autor: Prof. dr. Liman Varoshi

Redaktor: Shaban Sinani

Shtëpia botuese: “Naimi”

 

“Europeizmi si histori mendimi” është i treti studim monografik brenda tre vjetësh i historianit Liman Varoshi. Ai vjen pas monografisë “Ballkani mes tri perandorive”, kushtuar zhvillimeve historike gjeopolitike që ndodhën në gadishullin e vjetër prej gjysmës së dytë të shekullit të 19-të deri në shembjen e perandorisë austro-hungareze, perandorisë otomane dhe perandorisë cariste ruse; dhe monografisë tjetër “Lufta e Ftohtë në Europën e Lindjes”, një argument që në dekadat e fundme është sundues në studimet historiografike në botë.

 

 

Përkthime

 

Mund t’ju skandalizojnë, por mbetet i ngulitur në kujtesën tuaj

Titulli: “Tropiku i Kancerit”

Autori: Henri Miller
Shqipëroi: Shpëtim Myshketa
Shtëpia botuese: “Globus R.”

“Kur u shfaq romani i Henri Millerit, “Tropiku i Kancerit”, pati vetëm pritje përgëzuese të përkora, pa mëdyshje të kushtëzuara nga frika e dukjes së tyre si dashurues të pornografisë. Ndër ata që e lavdëruan ishin T. S. Eliot, Herbert Read, Aldous Huxly, John Dos Passos, Ezra Paund. Nxehtësisht ia rekomandoj cilitdo që të lexojë, të paktën, romanin “Tropiku i Kancerit”. Edhe pse disa nga pjesët e tij do t’ju skandalizojnë, ai do të mbetet i ngulitur në kujtesën tuaj”.

George Orwell

 

Gruaja e Grossman-it
Titulli: “Gruaja që i arratisej lajmit të keq”
Origjinali: “To the end of the land”
Gjinia: Roman
Autori: David Grossman
Shqipëroi: Taqo Trajçe
Shtëpia botuese: “Dudaj”

“Janë disa shkrimtarë, në fjalët e të cilëve njeriu dallon ndërtimin e jetës. David Grossmani është një shkrimtar i tillë. Ai është mjeshtër i të shkruarit emocionalisht, të saktë e domethënës. Personazhet e tij nuk gjenden aq shumë në faqet e librit sesa ngrihen para syve të lexuesit në tri përmasa, lëkura e tyre e mbuluar me prozë, që njëherësh sëmbon me depërtim dhe shkëlqen me dhembshuri”.

Yann Martel, shkrimtar

 

Në fund të fundit janë histori dashurie

 

Titulli: “Histori të tmerrshme dashurie”

Autori: Millorad Paviç
Gjinia: Tregime
Shqipëroi: Nikolla Sudar
Shtëpia botuese: “Onufri”

 

Millorad Paviç ka lindur në Beograd më 15 tetor 1929, në familjen e një skulptori dhe një mësueseje të filozofisë. Midis paraardhësve të shkrimtarit dhe para tij pati edhe letrarë: në vitin 1766, një nga Paviçët botoi një përmbledhje me vjersha. Famën ndërkombëtare ia solli romani “Fjalori Kazar” (1984), i cili u bë bestseller. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ka qenë nominuar disa herë për çmimin “Nobel”.

 

Publicistikë, shkenca politike

 

Manuali i shumë revolucioneve pa dhunë

 

Titulli: “Nga diktatura në demokraci”

Autori: Gene Sharp
Shqipëroi: Gjergj Erebara
Shtëpia botuese: “Pika pa sipërfaqe”

 

Libri “Nga diktatura në demokraci” u botua fillimisht në Bangkok në vitin 1993, nga Komiteti për Rivendosjen e Demokracisë në Burma, në bashkëpunim me Khit Pyaing (Gazeta e Epokës së Re). Që nga ajo kohë është përkthyer në së paku tridhjetë e një gjuhë të tjera, si dhe është publikuar në Serbi, Indonezi dhe Tajlandë, mes shumë vendesh të tjera. Këtij libri i është atribuuar suksesi i shumë revolucioneve pa dhunë në katër anët e botës, nga Indonezia në Serbi, apo në vendet e botës arabe.

 

Histori/konspiracion

 

Të gjitha përgjigjet në një libër

 

Titulli: “Sfinksi dhe piramidat”

Autori: Graham Hancock, Robert Bauval

Botues: Helga’s Secrets

 

Titulli: “Sfinksi dhe piramidat”, libër nga Graham Hancock, Robert Bauval. Kush i ndërtoi, përse dhe kur? Ç’janë këto simbole tredimensionale gjigante kaq enigmatike që vijnë nga thellësitë e kohës? Cili është mesazhi i tyre për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen? Kush mund t’i ketë ndërtuar këto objekte me një arkitekturë dhe orientim astronomik të jashtëzakonshëm, të brendshëm dhe të jashtëm (ndëryjor)? Libri premton të gjitha përgjigjet.

Manual bukurie

 

Gjithçka për t’ia dalë mbanë

 

Titulli: Sekrete bukurie dhe mirëqenieje

 

Nga dieta tek ushtrimet më të rëndësishme fizike. Ky është libri i të gjitha zgjidhjeve. Libri ku gjen të gjitha përgjigjet dhe zgjidhjet praktike për të pasur nën kontroll format tona dhe për t’u ndier mirë me veten. Janë të gjitha sekretet e bukurisë dhe mirëqenies në një jetë të vrullshme e plot stres. Për të gjitha femrat që kujdesen për formën dhe bukurinë e tyre, këshilla dhe të rejat e fundit të teknologjisë.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login