ShISh, kronikë e një ndryshimi të paralajmëruar

Prapaskenat/ Si lëvizi aksi kryeministri-presidencë dhe firma rrufe e Nishanit në mëngjesin e herët të shkarkimit të Bahri Shaqirit dhe emërimit të Visho Ajazit. Nisja për pushime e shefit të qeverisë në Dhërmi dhe Presidentit në Pogradec menjëherë pas dekretimit. Takimi i Shaqirit me Ajazin dhe kalimi i butë i detyrës. Cili është portreti i “Kryespiunit” shqiptar dhe arsyet e emërimit të tij nga Berisha. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, reagimi i Arvizu-së dhe pse Kryeministri i kapi të tërë në befasi…

 

Tiranë Përtej finishit të maratonës së imuniteteve, asgjë e re nuk pritej në skenën e politikës shqiptare. Projektorët thuajse ishin fikur, aktorët kryesorë po bëheshin gati për pushime e kronika politike me zor mbahej gjallë prej post-deklaratave pa nerv të të fundmëve funksionarë partiakë të mbetur në Tiranë. Por kryeministri Berisha kishte rezervuar një lëvizje surprizë, para se të merrte rrugën drejt rezidencës qeveritare të Dhërmiut:  shkarkimin e Bahri Shaqirit. Shkresa e firmosur prej tij mbërriti në Presidencë po mëngjesin e 9 gushtit dhe e gjeti kreun e zgjedhur rishtas të shtetit duke dhënë porositë e fundit, para nisjes edhe  me pushime drejt Pogradecit. Mjaftueshëm kohë për të zyrtarizuar me dekret një vendim që tashmë ishte marrë. Pas një beteje 7-vjeçare të mazhorancës,  Bahri Shaqiri nuk do të ishte më shefi i Shërbimit sekret. Vendin e tij do ta zinte Visho Ajazi Lika, një emër thuajse i panjohur për publikun.

***

Në të njëjtin mëngjes të nxehtë, edhe Bahri Shaqiri nuk priste tjetër gjë veç pushimeve të verës. Drejtori i padëshiruar i Shërbimit sekret, që i mbijetoi për shtatë vjet “luftës së ftohtë” me Kryeministrin falë mbështetjes së amerikanëve, ndodhej në timon, diku pranë Durrësit, kur i mbërriti një telefonatë nga Presidenca. Iu komunikua thatë se duhej të kthehej në Tiranë. Ashtu bëri. Për aq kohë sa zgjati udhëtimi i kthimit, lajmi i shkarkimit kishte marrë dhenë në blogosferën shqiptare. I emëruari nga Fatos Nano në shkurt të vitit 2005 e kishte humbur tashmë betejën me Kryeministrin e nuk i mbetej tjetër gjë veç dorëzimit të institucionit. Burime nga Shërbimi Informativ Shtetëror bëjnë me dije se mesditën e së enjtes Bahri Shaqiri bëri një mbledhje të shkurtër me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Rotacioni i të ashtuquajturit “fron” i kryespiunit ka vijuar më pas normal. Drejtori i ri, një zv.ministër thuajse i panjohur i qeverisë “Berisha”, por jo i tillë për Shërbimin sekret shqiptar, është pritur nga Bahri Shaqiri në zyrën e tij. Ky i fundit  ka moderuar madje edhe një prezantim të shkurtër mes pasardhësit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Me kaq është mbyllur kapitulli “Shaqiri” në krye të Shërbimit Informativ, duke lënë pas jehonën e një shkarkimi sa të pritshëm, aq edhe të beftë për kohën kur u firmos. E sigurisht, pikëpyetjet mbi një vendim që tashmë është bërë fakt.

***

Një natë para nisjes në Dhërmi, kryeministri Berisha mësohet të ketë shqyrtuar disa kandidatura për zëvendësimin e Bahri Shaqirit. Burime nga mazhoranca bëjnë me dije për MAPO-n se Visho Ajazi Lika ka dalë në krye të këtij procesi seleksionimi falë dy rrethanash: ekspertiza në IT dhe marrëdhëniet e mira me ndërkombëtarët.  Të njëjtat burime sqaruan se gjatë viteve të qëndrimit në Kanada, kreu i ri i ShISh-it ka punuar për një kompani prestigjioze, ndërsa pas rikthimit në Shqipëri, në vitin 2005, me dëshirë ka ruajtur një profil të ulët publik. “Është përzgjedhur për profesionalizmin, përkushtimin dhe ndershmërinë”-i tha MAPO-s një zyrtar i mazhorancës për kreun e sapozgjedhur të Shërbimit sekret. Por a përbën emërimi i Visho Ajazi Likës një rikthim të trashëgimisë së Bashkim Gazidedes në ShISh? “Është e vërtetë që ka pasur miqësi akademike me Gazideden, sikurse edhe me Skënder Gjinushin apo grupin e matematicienëve në Tiranë”,- është qëndrimi i ftohtë i mazhorancës për këtë paralelizëm të shënjuar fort prej Partisë Socialiste në 48 orët e fundit.

***

Emri i pazakontë, profili i ulët publik dhe njohja vetëm në qarqe të ngushta kanë shkaktuar vështirësitë e para për ndërtimin e një jetëshkrimi të plotë të informaticienit Visho Ajazi Likës në raportimet mediatike. Kërkimet online nuk sillnin gjithashtu të dhëna të shumta. Profilet e tij në rrjetet sociale dhe disa aktivitete  në funksionin e zv.ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë ofruan fotografitë dhe të dhënat e para rreth tij deri në plotësimin e puzzle-it jetësor të njeriut që do të drejtojë tash e tutje Shërbimin sekret shqiptar. Përtej curriculumit zyrtar të tij, Lika rrjedh nga një familje oficerësh me origjinë nga Kukësi. Ka lindur në Shkodër, por familja është zhvendosur më pas në Tiranë. Në vitin 1976 ka nisur studimet në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ndërsa arsimimi është një rrugë të cilën ai e ka përshkuar deri në fund. Pas përfundimit të doktoraturës në Barcelonë, Visho Ajazi Lika është kthyer në Tiranë për të marrë detyrën e shefit të kundërzbulimit në Ministrinë e Jashtme. Është kjo koha e forcimit të miqësisë së hershme me Gazideden, e njësoj si ai, pas trazirave të vitit 1997, Lika është larguar në drejtim të Torontos në Kanada së bashku me familjen. Përgjatë 12 viteve të qëndrimit në Kanada, Visho Ajazi Lika ka filluar punë si programues kompjuterik në kompaninë IQOR, është divorcuar nga bashkëshortja dhe ka vendosur të kthehet i vetëm në Tiranë, në vitin 2005. Pozicionet e mëpasme ndodhen në CV-në e tij zyrtare, të publikuar në faqen e Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë.

***

Përtej ekuilibrave të brendshëm, ekzistonte një ndjeshmëri e jashtme e njëherazi delikate në frenimin 7-vjeçar të Kryeministrit për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta ia njeh në shkarkimin e Bahri Shaqirit: ndjeshmëria e amerikanëve. Pa drojë diplomatike dhe në më shumë se 1 herë, ambasadorët amerikane Withers dhe Arvizu e kishin bërë të qartë se ish-kreu i ShISh-it ishte një njeri i besueshëm për ta, anipse jo për Berishën. Ndaj edhe nuk duhej prekur! Tanimë që shkarkimi i Bahri Shaqirit po kthehet në lajm të vjetër, mbetet sërish e njëjta pikëpyetje për t’u testuar: ndjeshmëria amerikane. Sinjali i parë i një reagimi të pritshëm është dhënë përmes një zyrtari të ambasadës, duke e cilësuar këtë vendim si “të beftë e të paqartë për kohën dhe arsyet”. Në të njëjtën linjë duket edhe shfaqja publike e ambasadorit Arvizu përkrah kryebashkiakut Lulzim Basha. Këtë herë, Arvizu zgjodhi të fliste përmes komentit të munguar, një reagim diplomatik ky që paralajmëron sinjale për aktorët me pushime të politikës shqiptare.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "ShISh, kronikë e një ndryshimi të paralajmëruar"

  1. ladi  11/08/2012 at 11:45 pm

    Sigutisht qe do te nderrohej se me 21 Janar ish drejtori dhe dikasteri i tij bene nje pune shume te bukur per te parandaluar ate qe ndodhi(ate qe nuk duhet te ndodhte). Tung te gjitheve, akoma mendoni se 1-shi i ben te gjitha.Civilizohuni pak.

You must be logged in to post a comment Login