Ndryshon ligji për legalizimet, tapi edhe për 80 mijë shtëpi

Me qëllim përfundimin e procesit të legalizimit, po kryhet një rishikim i legjislacionit për të përmirësuar performacën e ALUIZNI-t dhe për të përfunduar procesin e legalizimit, duke përfshirë edhe regjistrimin e ndërtesave e parcelave të tokës në ZRPP, bëjnë të ditur burime pranë ALUIZNIT qendror. Sipas këtyre burimeve, rishikimi i legjislacionit, që tashmë ka marrë formën e një projekti do të reflektojë edhe politikën për 80 000 ndërtimet e paligjshme të krijuara pas afatit ligjor. Projektligji për legalizimin e këtyre objekteve parashikon që ndërtesat e gjendura në zonat ku planet urbanistike janë miratuar të legalizohen dhe të integrohen me territorin urban, ndërsa të tjerat do të prishen. Ndërsa pjesa e dytë e projektligjit ka të bëjë me forcimin e penaliteteve.

Burimet nga ALUIZNI shpjegojnë se parandalimi i ndërtimeve të paligjshme në të ardhmen do të mbështetet me integrimin e planeve rregulluese, me procedurat më të hapura dhe më efektive të lejeve të ndërtimit, duke përfshirë edhe një regjistër të veçantë në ZRPP për regjistrimin e lejeve të ndërtimit, si dhe me forcimin e proceseve të kontrollit dhe të prishjes. Strategjia e re për të drejtat e pronësisë sheh nevojën e identifikimit të ndërtimeve pa leje të realizuara pas përfundimit të afatit ligjor për legalizim, për të evituar krijimin e situatave të ngjashme në të ardhmen. Ka të dhëna se, edhe pas hyrjes së fuqi të ligjit për Legalizimin, qindra objekte janë ndërtuar në të gjithë vendin pa lejen e organeve përkatëse. Dokumenti i ri për të drejtat e pronësisë ngarkon me përgjegjësi pushtetin lokal, për parandalimin e ndërtimeve pa leje. Për efekt të procesit të legalizimit janë evidentuar rreth 350 000 ndërtime pa leje, me sipërfaqe toke më shumë se 300 000 ha. Të dhënat nga Ministria e Drejtësisë shpjegojë se një pjesë e konsiderueshme e tokës së zaptuar ishte shtetërore, megjithatë problemi më i ndjeshëm i përkiste tokave që i takonin individëve pronarë, e rreth 270 592 pasuri informale. Sipas të dhënave të grumbulluara, ndërtimet e reja pa leje kanë pushtuar gjithë vendin. Mirëpo pa sinjalizuar ndonjë nismë për një formalizim tjetër të këtyre objekteve. Rreth një e treta e ndërtimeve pa leje janë ndërtime pa leje në pronë të vet dhe në një rast të tillë nuk ka kosto kompensimi. Ndërtimet pa leje nuk janë frenuar, ndonëse në vitin 2006 nisi procesi i legalizimeve. Një raport i Bankës Botërore për çështjen e pronave, publikuar kohët e fundit, tregon se përveç 350 mijë ndërtimeve pa leje të deklaruara në shkurt të vitit 2006, kur hyri në fuqi ligji dhe mbaroi fotografimi ajror i objekteve, janë ndërtuar dhe 80 mijë ndërtime të tjera pa leje. Raporti thekson se procesi i legalizimit nuk e ka ndërprerë aspak fenomenin e ndërtimeve pa leje, përkundrazi vazhdon të ngrihen objekte në të gjithë vendin, duke anashkaluar rregullat urbanistike. Në bazë të fotografimit ajror u krijua harta dixhitale dhe aty u hodhën të gjithë të dhënat e marra nga vetëdeklarimi dhe verifikimet në terren. Çdo ndërhyrje në ortofoto quhet e paligjshme dhe e dënueshme. Por, ndërkohë shumë qytetarë, pavarësisht se e kishin kryer vetëdeklarimin, duke vendosur dhe 4 fotot e objektit, kanë bërë shtesa katesh apo anësore, me idenë se mund t’i legalizonin dhe këto duke ndërhyrë gjatë procesit në hartën dixhitale.

 

Projekti, katër risitë themelore

1-Rishikimi i legjislacionit do të reflektojë edhe politikën për 80 000 ndërtimet e paligjshme të krijuara pas afatit ligjor.

 

2-Projektligji për legalizimin e këtyre objekteve parashikon që ndërtesat e gjendura në zonat ku planet urbanistike/territorialë janë miratuar, të legalizohen dhe të integrohen me territorin urban, ndërsa të tjerat do të prishen.

3-Parandalimi i ndërtimeve të paligjshme në të ardhmen do të mbështetet me integrimin e planeve rregulluese, me procedurat më të hapura dhe më efektive të lejeve të ndërtimit.

4 -Do të ketë një regjistër të veçantë në ZRPP për regjistrimin e lejeve të ndërtimit, si dhe me forcimin e proceseve të kontrollit dhe të prishjes.

 

 

 

 

 

Legalizimet, 55 mijë objekte marrin tapitë

 

 

 

Aktualisht lejet e legalizimit janë dhënë për rreth 55 mijë objekte, të cilat janë përfshirë edhe në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas të dhënave zyrtare.  Ndërsa janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor rreth 100 000 pasuri informale. Janë miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës 127 zona dhe vendbanime informale, që përfshijnë 120 000 pasuri. Janë miratuar në këshillat vendorë të rregullimit të territorit rreth 80 000 ndërtime informale, të përfshira në bllok-banime informale apo të trajtuara si ndërtime të veçanta dhe shtesa në ndërtime me leje. Megjithatë, legalizimi ende nuk ka përfunduar për rreth 90 000 pasuri, sepse procesi kërkon shlyerjen e detyrimeve financiare nga ana e poseduesve të ndërtimeve informale. Janë evidentuar edhe ndërtime të realizuara para viteve ’90, të cilat nuk regjistrohen, sepse zotëruesit e tyre nuk disponojnë titullin e pronësisë. Numri i rasteve të tilla të paraqitura deri tani, për trajtim pranë ALUIZNI-it është rreth 90020.

Me vendimin 40, datë 11.1.2012 të Këshillit të Ministrave, janë bërë ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.411, datë 19.5.2010 “Për kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit”, të cilat kanë decentralizuar procesin e vendimmarrjes me qëllim përshpejtimin e tij. Këto ndryshime kanë konsistuar në shfuqizimin e procedurës së certifikimit të dokumentacionit të objektit informal, pranë drejtorisë qendrore, përpara pajisjes me leje legalizimi. Gjithashtu është dhënë e drejta e lëshimit të lejes së legalizimit nga drejtoritë e ALUIZNI-t në qarqe dhe jo nga drejtoria qendrore. Gjithashtu është vënë afati 30-ditor nga momenti i shlyerjes së detyrimeve financiare për legalizimin e objektit, deri në lëshimin e lejes së legalizimit, nga drejtoritë e ALUIZNI-t në qarqe. Para viteve 1990, shumica e popullsisë jetonte në zonat rurale. Zbutja e kufizimeve për migracionin e brendshëm lejoi zhvendosjen e një numri të madh njerëzish nga zonat rurale dhe malore në qendrat urbane, veçanërisht në qytetet Tiranë dhe Durrës. Meqenëse strehimi ekzistues apo planifikimi urban dhe mekanizmat e zgjerimit, nuk ishin të mjaftueshëm, njerëzit ndërtuan në toka të pazëna me ndërtime dhe jo në pronësi të tyre. Si pasojë, u krijuan vendbanime të mëdha informale dhe të paligjshme: rreth 350 000 ndërtime pa leje, me sipërfaqe toke më shumë se 30 000 ha. Pjesë e konsiderueshme e tokës së zaptuar ishte shtetërore, megjithatë problemi më i ndjeshëm i përkiste tokave që u takonin individëve pronarë. Rreth 270 592 pasuri informale u përfshinë në procesin e legalizimit përmes vetëdeklarimit vullnetar17. U krijuan konflikte midis individëve me të drejta të ligjshme mbi tokën dhe atyre që e zaptuan atë, si dhe mes këtyre të fundit dhe shtetit.

 

Komentet janë mbyllur