Dy ditë para shitjes, Albpetrol çon për turizëm në Moskë 80 punonjës

Kompania, akoma shtetërore Albpetrol, vetëm më pak se një muaj nga privatizimi, shpall tenderin me objekt prokurimi: “Udhëtim turistik 6-ditor, me avion në Rusi, Moskë dhe Shën Petërburg për 80 punonjës të Albpetrol-it. Fondi limit, i vënë në dispozicion nga të ardhurat e vetë kompanisë, është 7 000 000 lekë pa tvsh. Data e zhvillimit të tenderit është përcaktuar të jetë 5 shtatori 2012, vetëm dy ditë përpara zhvillimit të tenderit të privatizimit të Albpetrol-it. Interesant gjithashtu është fakti që udhëtimi bëhet në Rusi, ku është dhe selia kryesore e një prej ofertuesve më të mëdhenj për blerjen e Albeptrolit, Gazproom. Ndërkohë që me 7 shtator hapen ofertat për blerjen e një prej kompanive më të mëdha në pronësi të shtetit, gara është në fazën kulminante të saj. Kompanitë tashmë janë duke përdorur të gjitha mjetet për të tërhequr vëmendjen e qeverisë shqiptare dhe të kompanisë. Rusët e Gazproom po këmbëngulin fort. Interesi i tyre për të hyrë në tregun shqiptar ka gjetur hapësirë në shumë media të rajonit, të cilat janë duke e parë me interes rivalitetin Lindje-Perëndim për naftën shqiptare. Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës janë të interesuara rreth 14 kompani me emër në tregun ndërkombëtar, të tilla si kompania ruse “Gazprom”, kompania kanadeze që operon aktualisht në nxjerrjen e naftës në vendin tonë, “Bankers Petroleum”; dhe kompania turke “Çalik Enerji”, e cila është e njohur në vendin tonë, pasi zotëron BKT, kompaninë “Albtelekom”dhe atë celulare “Eagle Mobile”. Së fundi, interesin për blerjen e Albpetrolit e ka shprehur edhe kompania shtetërore kineze ‘Sinopec’ dhe  kompania tjetër kineze GPRO. Shihet qartë një interes i madh nga rusët, kinezët dhe turqit për kompanitë “Çalik” dhe “Kurum”. Mirëpo ofertat e sakta zyrtare do të mësohen më 7 shtator në orën 12, ku Ministria e Ekonomisë ka lajmëruar se do të hapë ofertat nëse nuk vendoset për një shtyrje tjetër të garës. Ndërkohë, këto ditë përfaqësuesit e kompanive të sipërpërmendura kanë zbarkuar në “Albpetrol” për t’u njohur nga afër me kompaninë dhe asetet e saj. Nga ana tjetër, qeveria është në pritje të vlerave të larta monetare nga kjo shitje. Për të rritur vlerën e kompanisë, kohët e fundit janë dhënë më shumë se 6 leje e licenca për tregti me shumicë në energjinë elektrike, gazin dhe disa leje ekskluzive për kërkim të naftës në det dhe në tokë. Vlera e pritshme nga shitja është më shumë se 350 milionë euro, të cilat pritet të rikuperojnë edhe buxhetin e shtetit që po përjeton arkëtime të ulëta për shkak të krizës. Vlera e aksioneve të Albpetrolit është llogaritur nga konsulentët e huaj 13.3 miliardë lekë ose rreth 90 milionë euro. Shuma si e tillë është publikuar në dokumentet e tenderit për shitjen e kompanisë. Sipas ofertës së shitjes, Albpetroli është ndarë në 13 360 997 aksione nominative me një vlerë 1000 lekë secila. Kompanitë që ofrohen për blerjen e kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës “Albpetrol”, duhet të kenë të paktën 80 milionë euro likuide në cach, ndërsa kapitali i tyre duhet të jetë mbi 100 milionë euro.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "Dy ditë para shitjes, Albpetrol çon për turizëm në Moskë 80 punonjës"

  1. ibrahim  15/08/2012 at 12:48 pm

    Po ku gjeten rusin,nuk paten vende tjera pos putinit.me siguri drejtuesi i albpetrol paska nostalagji per stalinin.turp te kete berisha ta shkarkoj menjehere dhe te anuloj udhtimin.

    • Orfeu  15/08/2012 at 7:33 pm

      Ti mor ibrahim nuk kuptoke asgjë, more i shkretë! Pikërisht ai berisha që ke për zemër, po ia jep rusëve. Drejtori nuk po bën gjë në kokë të vet. Vajmedet për ne , ç’budallenj bashkëkombas që ju kemi, o kosovarë! I besoni verbërisht këtij përbindëshit që na ka rënë për hise. Hajdeni e merreni falas; kurrë mos ia pafshim bojën, as këtij, as juve!

You must be logged in to post a comment Login