Intervista Testament/ Nuk besoj në atë Zot i cili përkufizohet me veti të një njeriu

Shuhet filozofi i politikës mbarëshqiptare

Dje në orën 15.50 min në spitalin e Shkupit pushoi së rrahuri zemra e Arbën Xhaferit, kryetar nderi i Partisë Demokratike Shqiptare. Sipas neurokirurgut Vlladimir Mirçevski, Xhaferi ka ndërruar jetë pasdite, si pasojë e hemorragjisë cerebrale që e kapi disa ditë më parë në shtëpinë e tij. “Arbën Xhaferi vdiq sot (dje) në ora 15 e 50 minuta, pavarësisht masave dhe përkushtimin nga ana e stafit mjekësor”- deklaroi Mirçevski. Arbën Xhaferi, i cili prej vitesh vuante nga Parkinsoni, u gjet një javë më parë në shtëpinë e tij, në gjendje kome. Kanë qenë afërmit që kanë konstatuar gjendjen e pavetëdijshme të tij, të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Shkupit. Arbën Xhaferi kish pësuar një goditje cerebrale dhe ndodhej prej një jave në gjendje kome në spitalin e Shkupit nën kujdesin e mjekëve. Sipas mediave maqedonase, stafi mjekësor ka bërë përpjekje maksimale për shpëtimin e tij, por gjendja shëndetësore e ish-kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, nuk ka pasur asnjë përmirësim gjatë këtyre ditëve. Dje në orën 15.50 është shënuar dhe ora e ndarjes nga jeta të një prej mendimtarëve më të mëdhenj shqiptare.

Homazhet në Pallatin e Kulturës në Tetovë

Partia Demokratike Shqiptare njofton se homazhet në nderim të kryetarit të nderit Arbën Xhaferi do të fillojnë në orën 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30 për në varrezat e qytetit. Arbën Xhaferi për 12 vjet e udhëhoqi PDSH-në deri në vitin 2007, kur edhe në vend të tij erdhi kryetari aktual Menduh Thaçi. Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet filozofike në Beograd. Deri vitin 1990 ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës për programin kulturor. Nga mesi i viteve 1990 është ndër të parët që përjashtohet nga Televizioni nga regjimi i Milosheviçit. Pas kësaj periudhe punon si analist në të përjavshmen “Koha” me editor Veton Surroin, në “Forum” që drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media të tjera shqiptare, përfshirë dhe shumë gazeta prestigjioze në botë. Do të vijë viti 1993 kur Arbën Xhaferi do të kthehet në vendlindje, tashmë jo si analist, por si politikan, ku së bashku me Menduh Thaçin themelojnë Partinë Demokratike Shqiptare, të cilën ai e udhëhoqi plot 12 vjet, deri në vitin 2007. Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. PDSH e udhëhequr nga Xhaferi arriti të fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Erdhi në pushtet me një strategji krejtësisht të re. Xhaferi në cilësinë e kryetarit të PDSH-së ishte njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur gjashtëmujor në Maqedoni. Vitet e fundit ai u largua nga jeta politike për shkak se vuante nga sëmundja e Parkinsonit.

 

Baton Haxhiu: Xhaferi ai që i dha dinjitetin politikës dhe shqiptarëve

Intelektuali dhe analisti i njohur nga Kosova Baton Haxhiu është shprehur se ikja e Arbën Xhaferit është një humbje e madhe për të gjithë shqiptarët, sepse ai ka qenë lideri që ia ka kthyer dinjitetin intelektual dhe kombëtar shqiptarëve. “Arbën Xhaferi  nuk ka qenë vetëm politikan, ka qenë njeriu që e ka  rikthyer dinjitetin e humbur të shqiptarëve të Maqedonisë, ai ka qenë njeriu që e ka treguar rrugën sesi mendohet dhe si ballafaqohet me maqedonët, ka qenë njeriu që e ka rikthyer besimin te intelektualët e shqiptarëve të Maqedonisë, ka qenë njeriu që i ka dhënë jo vetëm dinjitetin politikës por të gjithë pjesës shqiptare në Maqedoni”.

Kim Mehmeti: Humbëm njeriun që i bëri ballë presioneve maqedonase

Për analistin Kim Mehmeti, shqiptarët e Maqedonisë humbën njeriun që i bëri ballë presioneve të qarqeve intelektuale maqedonase ndaj popullsisë shqiptare. Mehmeti vlerësoi rolin vendimtar të Arbën Xhaferrit në fazën e fundit të konfliktit të 2001-it, duke qenë një ndër nismëtarët e Marrëveshjes së Ohrit. Analisti Kim Mehmeti shprehu ngushëllimet dhe dhimbjen për humbjen e madhe dhe shtoi nevojën që shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, duhet të mësojnë sesi të vlerësojnë vlerat e tyre. “Arbwn Xhaferi ishte ikone e mendimit tw shqiptarisw nw pwrgjithwsi. Me kthimin e Arbën Xhaferit nw Maqedoni, shqiptarët e Maqedonisë më në fund kishin një njeri që mund t’ju bënte ballë qarqeve intelektuale maqedonase. Dhe Arbën Xhaferri është një vlerë kombëtare, dhe për nderimin e veprës së tij është i nevojshëm një bashkëpunim mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit”.

Intervista dhënë gazetarit Enver Robelli është botuar në librin “Arbën Xhaferi rrëfen. Në Tetovë në kërkim të kuptimit”

Intervista ‘testament’ e Arbën Xhaferit

Unë nuk besoj në atë Zot i cili përkufizohet me veti të një njeriu

“Herën tjetër kur të më thonë ‘do të largohem’, do t’ia shpjegoj se e ka të pamundur. Kur ka hyrë në politikë, e bëri duke ndërtuar një të menduar, jo duke mbledhur fizikisht vota. I dënuar të vazhdojë të mendojë, do të jetë i dënuar të vazhdojë të mbetet në të, çfarëdo që të quhet kjo pjesë e jetës”- kështu e përmbyll rrëfimin e tij Veton Surroi në parathënien e librit të gazetarit Enver Robelli, titulluar “Arbën Xhaferi rrëfen. Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”. Një libër ku gazetari ka mbledhur disa intervista të mendimtarit shqiptar që u nda nga jeta dje pasdreke, pasi kishte qëndruar një javë në gjendje kome. Kemi përzgjedhur pjesë nga intervista e gazetarit Enver Robelli me Arbën Xhaferin. Në këtë intervistë Xhaferi flet për jetën e tij jashtë politikës; ëndrra e tij më e madhe, jeta në familje, besimi në Zot etj.

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Në një qytet ku mund të ruaj privatësinë dhe integritetin tim, i çliruar nga doket dhe zakonet e instaluara kushedi nga kush dhe pale për çfarë qëllimesh. Këtë mundësi e ofrojnë qytete e mëdha ku, në mes të komunitetit, mund të jesh edhe i vetmuar, natyrisht nëse e parapëlqen këtë. Në kontekstin tonë, qytet të mëdha janë Prishtina dhe Tirana. Prishtinën, njerëzit preferencat, mundësitë e tyre e njoh mirë; ndërkaq Tiranën, ku u zhvilluan ngjarjet dramatike të historisë moderne të shqiptarëve, për shkaqe objektive nuk e njoh sa kam dëshirë. Së këndejmi, në mes të këtyre dy qyteteve do ta preferoja Tiranën, për shkak të afërsisë së detit dhe për shkak të nivelit të institucioneve kulturore.

Më mungon përvoja, njohja nga afër, e mentalitetit të banorëve të Tiranës, ajo atmosferë qytetare që nuk është dëmtuar me shpërngulje të detyruara në Turqi, siç ka ndodhur me qytetet në këtë anë të kufirit. Kam përshtypjen se në Tiranë jeta nuk zhvillohet me dimensione paralele, por është e ndërthurur, ndërvepruese, për dallim nga qytetet shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë, ku shqiptarët jetojnë pranë popujve të tjerë, me të cilët janë relacione antagoniste ose, e thënë më saktë, kanë dimensione etnike. Këtë e dëshmon fakti që martesat e përziera asnjëherë nuk kanë qenë mbi një për qind.

A ekziston Zoti?

Kjo varet nga mënyra sesi perceptohet Zoti. Unë nuk besoj në atë Zot i cili përkufizohet me veti të një njeriu, të një udhëheqësi autoritar, qoftë ai emir, mbret apo perandor, Zotit që ka veti narcisoide, që ka nevojë të papërmbajtur për të qenë vazhdimisht i adhuruar. Vetitë antropomorfe të Zotit, krijuesit të gjithçkasë, më duken më shumë naive sesa absurde. Këto perceptime në fakt janë blasfemike, ngaqë Zoti paraqitet me veti njerëzorë, si një udhëheqës që është i rreptë, autoritar, që vëzhgon çdo veprim të njeriut dhe paralajmëron dënime. Një përkufizim i këtillë i Tij e rrënon, mes tjerash edhe etikën. Pra, njerëzit bëhen të moralshëm nga frika dhe jo nga qenia e tyre morale ose nga aftësia e lindur e tyre për ta dalluar të mirën nga e keqja. Mendoj se Zoti nuk mund të perceptohet me logjikën dhe emocionet njerëzore. Ai gjithsesi i takon dimensionit të cilin njeriu nuk mund ta njohë me mundësitë konjitive që i ka në dispozicion. Perceptimi i Tij me veti njerëzore ka shumë motive. Do t’i veçoja dy, atë logjik dhe atë psikologjik.

Së pari, meqë njeriu ka kapacitete të kufizuara njohësie, ai nuk mund të vendosë relacion komunikimi me Zotin pos nëse Ai vetë paraqitet në trajtën e njeriut, pra të Jezu Krishtit, i cili flet me një gjuhë të kuptueshme. Të gjitha krijesat janë të kufizuara nga dimensionet e paracaktuara. Bie fjala, është i pamundshëm komunikimi i njeriut me insekte, ose me gjallesa të tjera që veprojnë në mënyrë instiktive, pra që s’kanë vetëdije.

Së dyti, motivi psikologjik dëshmon se njeriu ka nevojë të madhe për të gjetur kuptimin e jetës, për një mbështetje metafizike në përballjen e tij me absurdin, me ndenjën e padurueshme të vetmisë, me trishtimin panikues të një krijese fatprerë, të vdekshme, që nuk mund të jetojë vetëm, por kërkon një pikë mbështetjeje. Është e vështirë të mposhtet argumenti se frika nga vdekja e detyron njeriun që të shpikë dhe të besojë në një fuqi për ta luftuar ndenjën e absurdit të të jetuarit. Grekët antikë kanë besuar se rendin (“arhe”-në) në univers e mban një dhunti inteligjibile që ata e quanin Nuus. Ai nuk kishte veti antropomorfe.

Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Humbja e diçkasë që e do me thellësinë e qenies…

Për shembull?

Kur njeriu ballafaqohet me pyetje të kësaj natyre, pa vetëdije bëhet besëtytnor: firkësohet nga profetësia negative, nga mundësia e realizimit të mistershëm të anticipimeve. Në planin politik krizën jugosllave disa analistë e cilësuan si realizim i profetësive negative… Nuk e di a jam besëtytnor, por nuk dëshiroj që të mendoj më shumë në këtë drejtim.

Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Nuk mund të them se ekziston ndonjë person që ka rëndësi të veçantë për mua. Natyrisht se familja është në vendin e parë dhe kisha bërë çmos për mirëqenien e tyre. Por, njerëzit janë edhe altruistë, kështu që flijohen edhe për të tjerët.

Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

Ngjyrat e vjeshtës, kryesisht okeri.

Çfarë paraqet vjeshta për ju?

Begati, pjekuri dhe bukuri. Koloriti vjeshtor është i mahnitshëm.

Cila lule ju pëlqen më së shumti?

S’jam adhurues dhe njohës i luleve, por do të veçoja trëndafilat, meqë në shtëpinë tonë të vjetër nëna kultivonte mbi 100 lloj trëndafilash.

Cili virtyt tuajin çmoni më shumë?

Altruizmin.

Po te një grua çfarë virtyti çmoni?

Përkushtimin ndaj familjes.

Dhe te një burrë?

Maturinë, burrërinë, urtësinë dhe përkushtimin ndaj familjes.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Integrimi i popullit shqiptar në sistemin e vlerave perëndimore, politike, etike, kulturore etj. Një fjali e thjeshtë e përbërë me fjalë tashmë të banalizuara, por që kanë domethënie shumë të thellë dhe shumë të vështirë për ta kuptuar në tërësi…

Më herët folët për 100 llojet e trëndafilave, që nëna juaj kultivonte në shtëpi. Në çfarë rrethi familjar jeni rritur? Me se merrej babai juaj?

Im atë ishte rrobaqepës. Ky zanat ishte i përshtatshëm që njerëzit të merreshin me politikë natyrisht si amatorë. Atmosfera e qetë dhe statusi social i klientëve, krijonte në atë kohë kontekstin e përshtatshëm për analiza, për biseda politike, sadopak, kompetente. Në atë kohë vetëm ata, të pasurit, që ishin në funksione të ndryshme, intelektualët apo zejtarët e vyeshëm, kishin mundësi të qepnin kostume të reja. Thuajse të gjithë rrobaqepësit ishin politikanë amatorë. Fjalën “amator” e dalloj nga fjala “diletant” apo “joprofesionist”. Fjala “amator” nënkupton pasionin e madh për t’u marrë me një veprimtari shoqërore, por jo si profesionist që jeton prej punës që bën, por thjesht si hobi apo përcaktim jetësor që të punojë për një ideal. Në çdo qytet të shqiptarëve në atë kohë, prej viteve të ‘30-a
të shekullit XX funksiononin organizata të fshehta politike. Njëra nga më të popullarizuarat ishte shoqata “Besa”, e themeluar në Tetovë, që kishte disa segmente: atë politik (çlirimi i atdheut), atë të sigurisë, atë të kulturës dhe atë ekonomik. Kjo formë e organizmit të strukturave ilegale i mbante të gjalla shpresat e popullit për çlirim. Im atë ka qenë njëri nga themeluesit e kësaj shoqate ilegale, që në Luftën e Dytë Botërore dha kontributin e pazëvendësueshëm në shtrirjen e shtetit shqiptar edhe në qytetet perëndimore të Maqedonisë. Si prindi im kanë qenë edhe shumë të tjerë, që e mbanin ndezur shpresën në kohët më të vështira. Për këtë veprimtari prindi im ka qenë dy here në burg, 1945 dhe 1955. Herën e parë, për shkak se kishte qenë nëpunës i financave kur Tetova ishte Shqipëri dhe, herën tjetër, më 1955 për agjitim kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Në fëmijërinë time, në situatën kur ideologjia komuniste, përkatësisht ajo pansllaviste ishte e fuqishme dhe e shëndetshme, jeta në Tetovë dhe qytetet tjera shqiptare zhvillohej në dy paralele të ndara. Jetën publike e kishin në duart e tyre komunistët, përkatësisht maqedonasit, ndërkaq në jetën private gëlonin debate për kolapsin e Jugosllavisë. Çdo familje patriotike kishte medoemos një radio ku dëgjoheshin vetëm dy stacione: ai i BBC-së dhe Zëri i Amerikës. Aso kohe në Tetovë gjeje mjeshtër që rregullonin radioaparate që sa më qartë të dëgjoheshin lajmet që emëtonin këto dy radiostacione. Prindi im shiti një copë tokë për të blerë një radio që ishte i vetmi mjet i kontaktit me botën e jashtme. Kur fillova të merrem me politikë, pas vitit 1994, kërkova dosjen e prindit tim. Aty lexova raportin e personit që kishte pasur detyrë të survejonte atë. Sipas raportuesit, im atë qenka shqetësuar për vdekjen e Dag Hamarsholdit, sekretar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mes viteve 1953-1961 dhe fitues i çmimit ‘Nobel’ për Paqe. E veçanta e kësaj historie është përkushtimi i njerëzve të thjeshtë që jetonin në margjinat e shoqërisë, për të qenë të informuar mirë për atë çka ndodhte në botë. Ata, si prindi im, ishin njerëz që kurrë nuk humbën shpresat që Jugosllavia do të shpërbëhet pandalshëm. Nga kjo anë e errët e pashpresë, kur çdo gjë ishte sllavizuar, kur ne ishin të pambrojtur si foshnja, më kanë mbetur në kujtesë atmosfera në shtëpi, aroma e asaj kohe. Kur im atë ishte i mërzitur, ose për ta thyer monotoninë, këndonte këngë që nuk këndoheshin në publik, as atëherë as sot. Fragmente të tekstit dhe melodisë i mbaj mend edhe sot: “…edhe hana do ta dijë, edhe dielli do të ketë pa, se përqark kësaj rrokullie, si Shqipnia vend nuk ka…

 

Ngushëllime nga Politika

Presidenti Nishani: Xhaferi, mjeshtër i dialogut politik

Mesazhe ngushëllimi për humbjen e mendimtarit shqiptar Arbën Xhaferi kanë ardhur dhe nga politika. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mesazhin dërguar familjes shkruan ndër të tjera se “Arbën Xhaferi ishte një udhëheqës vizionar që do të na mungojë të gjithëve. Ai vuri në dispozicion idealet për t’i shërbyer shqiptarëve dhe demokracisë”, thotë Nishani në mesazhin e tij të ngushëllimit.”

Berisha: Arbën Xhaferi një trashëgimi e çmuar që meriton mirënjohje

Kryeministri i vendit Sali Berisha i ka dërguar gjithashtu një mesazh ngushëllimi familjes së mendimtarit të madh shqiptar, për humbjen e njeriut të tyre të dashur. “Ndarja nga jeta e Arbën Xhaferit solli pikëllim dhe trishtim tek mbarë shqiptarët. Kontributi i Arbën Xhaferit është një trashëgimi tejet e çmuar që meriton mirënjohje”- shkruan kryeminstri Sali Berisha në telegramin e dërguar familjes së Arbën Xhaferit.

Rama: Humbje e madhe për botën shqiptare

Edhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur hidhërimin e tij lidhur me vdekjen e Xhaferrit, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter. “Arbën Xhaferi ishte një shqiptar jotipik, që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale! Vdekja e tij është një humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa, që veç Arbën Xhaferri i mishëronte në një njeri të vetëm. U prehtë në paqe!”

Ali Ahmeti: Humbje për politikën dhe mendimin intelektual

I pari që ka reaguar përmes një telegrami ngushëllimi ishte Ali Ahmeti, kryetar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.“Ka pasur gjëra për të cilat jemi pajtuar, por edhe shumë gjëra për të cilat kemi pasur qëndrime të ndryshme, por gjithnjë i jemi përmbajtur nivelit njerëzor të komunikimit personal dhe politik. Duke u bazuar në këto vlera, konsideroj se largimi nga kjo jetë e Arbër Xhaferit është një humbje për politikën dhe mendimin intelektual shqiptar jo vetëm në Maqedoni por edhe më gjerë.”

 

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur