Kufiri që cakton fituesit, pikët që duhen sipas degëve

 

Ministria e Arsimit ka publikuar pikët e fituesve të fundit për 290 degë të ndryshme të universiteteve publike, duke filluar që nga viti 2007 deri në vitin 2011

 

Zbardhet pragu i pikëve që duhet të kapërcejnë këtë vit maturantët për të vijuar shkollën e lartë në degën e preferuar. Tashmë që MASh ka publikuar edhe pikët që ka arritur të grumbullojë secili prej tyre, ata e kanë më të thjeshtë për të verifikuar se cilën nga degët do të arrijnë të “kapin”. Kështu, duke krahasuar pikët e tyre me ato të viteve të mëparshme, maturantët do të mësojnë se në sa prej preferencave do të arrijnë të fitojnë, ku duhet të presin për një shans të dytë dhe në rastin më të keq kë program studimi do të humbasin nëse gjenden larg pragut të pikëve. Për të bërë këto verifikime, Ministria e Arsimit ka publikuar pikët e fituesve të fundit për 290 degë të ndryshme të universiteteve publike, duke filluar që nga viti 2007 deri në vitin 2011. Për pjesën më të madhe të programeve të studimit vihet re se pragu i pikëve ka ardhur në rritje nga viti në vit, sidomos kur bëhet fjalë për degë të preferuara. Në këto të fundit, pikët e fituesve të fundit janë rritur mesatarisht me nga 100 për çdo vit, çka do të thotë se në to janë shpallur fitues maturantët me rezultate të larta. Nëse marrim rastin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Tiranës, në vitin 2007 kjo degë është “kapur” me 5721.40 pikë, ndërsa vjet pikët e fituesit të fundit kanë qenë 6350.9. Por midis degëve në rritje, që janë edhe më të preferuara nga të rinjtë, ka edhe disa në të cilat pikët janë ulur. Të tilla janë ato të shkencave sociale, që në hapje të tyre u kërkuan nga shumë maturantë, ndërkohë që tashmë për shkak edhe të mungesës së tregut të punës, ato kanë filluar të jenë më pak të preferuara. Për herë të parë këtë vit MASh ka vendosur që për kandidatët që nuk duan të vazhdojnë më tej garën, pasi duan të qëndrojnë të regjistruar në programin e fituar në fazën e parë, të nënshkruajnë një deklaratë të posaçme. Pas nënshkrimit të deklaratës, sekretaria mësimore pajis menjëherë kandidatët me vërtetimin e regjistrimit përfundimtar.

 

 

Shpallja e fituesve dhe datat e regjistrimeve

Fituesit e fazës së parë do të shpallen në datën 13 shtator

Regjistrimi paraprak i tyre do të kryhet nga data 14-20 shtator

Fituesit e fazës përfundimtare do të shpallen më 26 shtator

Regjistrimi përfundimtar do të kryhet nga data 28-30 shtator

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login