MASH nxjerr Librin e Transparencës, pikët e maturantëve sipas preferencave

Përfundon llogaritja e pikëve, mbi bazën e të cilave do të hartohen edhe listat e fituesve në universitete. Në libër janë dhënë pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficienteve të përcaktuar nga MASH

Pak ditë para shpalljes së fituesve të universiteteve, Ministria e Arsimit publikon Librin e Transparencës ku pasqyrohen pikët e arritura nga çdo maturant sipas preferencave që ata kanë përzgjedhur në Formularin A2 për të vijuar studimet e larta. Mbi bazën e këtyre pikëve në rend zbritës deri në plotësimin e numrit të kuotave të miratuara për çdo degë do të hartohen edhe listat e fituesve që do të shpallen më 13 shtator. Pasditen e djeshme, Ministria e Arsimit ka publikuar në faqen e saj zyrtare www.mash.gov.al Librin e Transparencës, sipas qyteteve të ndryshme të vendit, ku maturantët mund të njihen me të dhënat e tyre. Drejtoria e Pranimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve sqaron se “Te Libri i Transparencës, çdo kandidat maturant gjen të gjithë elementet përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, notën ose pikët mesatare të tre, katër, apo pesë viteve të shkollës së mesme, rezultatin e provimit të Letërsisë, Matematikës dhe dy ose tre provimeve të lëndëve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A2 për programet e studimit, që ofrojnë universitetet publike për vitin akademik 2012-2013. Mbi bazën e elementeve të lartpërmendur në libër janë dhënë pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficienteve të përcaktuar nga MASH”. Drejtoria e Pranimeve sqaron se llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs me 2 dhe 3 provime me zgjedhje dhe për programet e studimit me konkurs. Në udhëzuesin e Drejtorisë së Pranimeve thuhet se “Libri i Transparencës do të përmbajë të dhënat e kandidatëve maturantë të çdo shkolle. Materiali për çdo shkollë do të shpërndahet në rrethin përkatës. Për çdo shkollë janë renditur vetëm maturantët e saj, të cilët kanë kaluar të katër ose pesë provimet e Maturës Shtetërore, dy provimet e detyruara dhe dy ose tre provimet me zgjedhje të detyruar dhe konkurrojnë për programet e studimit të zgjedhur prej tyre në jo më shumë se 10 preferenca”. Më tej në të sqarohet se nuk përfshihen në Librin e Transparencës maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në një nga katër ose pesë provimet, pra janë vlerësuar me notën 4 (katër), si edhe ata maturantë që nuk kanë nota D1, D2, Z1, Z2 dhe Z3  kaluese të pasqyruara në bazën e të dhënave, apo kanë të paplotësuar notën, ose pikët mesatare të shkollës së mesme. Në Librin e Transparencës për ata maturantë që kanë dhënë provime me zgjedhje dhe kanë të pasqyruara të 5 ose 6 elementet për llogaritjen e pikëve, për programet e studimit që janë me konkurse nuk janë llogaritur pikët, ato janë shënuar me 0, meqenëse konkurset do zhvillohen më vonë. Për rrjedhojë ato nuk janë pikët përfundimtare për ato programe studimi, sepse në fazën e shpërndarjes pikët për programet e studimit me konkurse do të llogariten (me formulën për programet e studimit me konkurse). Drejtoria e Pranimeve sqaron se Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili mund të kontestojë ndonjë pasaktësi në të dhënat që shikon, por për çdo ndryshim do të kërkohet dokumentim zyrtar nga Drejtoritë Arsimore të rretheve. Për këtë arsye, MASH ka publikuar edhe Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive, që duhet të plotësohet vetëm nga maturantët që kanë kontestime për të dhënat e tyre.

 

Si lexohen të dhënat e librit

Secili kandidat maturant ka kutinë e tij, ku në rreshtin e parë jepen: numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore. Në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 ose 6 elementeve vlerësues të Maturës Shtetërore, në bazë të të cilave llogariten pikët, pra janë arritjet që përbëjnë pjesën Meritë të kandidatit maturant, në parimin Meritë-Preferencë. Këto elemente vlerësues janë dhënë me emërtesën përkatëse.

Më tej vijohet me Preferencat e kandidatit, të renditura ashtu si janë kërkuar prej tij në Formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen katër koeficientet për secilin program studimi sipas kësaj renditje: i pari: koeficienti i shkollës (KSH); i dyti: koeficienti për provimin e parë me zgjedhje (KZ1); i treti: koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje (KZ2) dhe i  katërti: koeficienti për provimin e tretë me zgjedhje (KZ3). Me qëllim që të mbrohen të dhënat e tij personale, në Librin e Transparencës nuk paraqiten gjenealitetet e maturantit kandidat (emri, atësia dhe mbiemri).

 

 

Llogaritja e pikëve për degët me konkurs

Për programet e studimit me konkurs, formula llogaritëse është:

 

 

 

Pikë Matura – janë pikët e llogaritura me formulat e përmendura më sipër të faqes së AKP.

Pikë Max Matura – janë pikët e llogaritura me formulën e mësipërme, por ku të pesë notat D1, D2,  Z1, Z2 ose dhe Z3 janë të barabarta me 10 ndërsa pikët mesatare (MES janë 11.2). (Pikë Maximale 7168 pikë)

% Maturës – është përqindja që zënë pikët e Maturës në programet e studimit me konkurse.

Pikë Konkursi – janë pikët që ka fituar kandidati në konkursin përkatës.

Pikë Max Konkursi – janë pikët maksimale që mund të merren në konkurrim.

% Konkursi – është përqindja që zë konkursi në Maturën Shtetërore.

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login