Kontrollohen 454 restorante në Tiranë, ushqimet me baktere

Në disa prej restoranteve më të frekuentuara të kryeqytetit ushqimet që shërbehen, e veçanërisht mishi, kanë rezultuar me ngarkesa të larta bakteriale. Rezultatet janë nxjerrë nga kontrollet që Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë ka ushtruar gjatë dy javëve të para të gushtit në 454 restorante, bare, fast-food-e etj. Në fund të kontrolleve bilanci ka qenë negativ për dy biznese që janë gjobitur, ndërkohë që një tjetër është mbyllur përfundimisht. Duke folur mbi kontrollet e kryera, drejtori Shëndetit Publik, Mëhill Gecaj, vuri në dukje se me probleme kanë rezultuar dhe disa restorante të njohura në kryeqytet, që ndonëse nuk bëri publik emrat mësohet se bëhet fjalë për ato që gjenden në zonën e Saukut. “Organet e Inspektoriatit Sanitar Shtetëror brenda kësaj periudhe kanë kontrolluar 454 objekte, nga të cilat vetëm rikontroll është bërë në 159 prej tyre. Janë lënë 128 procesverbale. Kontrollet kanë konstatuar në mungesën e dokumentacionit, problemet e uniformave, ka pasur raste kur subjekte të cilat janë kontrolluar nga ana jonë, kanë dalë me ngarkesa bakteriale po themi edhe restorante, edhe bare të ndryshme, për të cilat është marrë vendimi me gjobë dhe masë administrative siç parashikon ligji për Inspektoriatin Sanitar Shtetëror”, – u shpreh Gecaj. Ndërkaq, ai pranoi se ende paraqiten probleme të mëdha në tregtimin e ushqimeve jashtë kushteve higjieno-sanitare, dhe bëri apel që subjektet të kenë kujdes. Tregtimi i ushqimeve jashtë kushteve, mbajtja e tyre në diell shpesh është bërë problem shqetësues dhe, pavarësisht masave të marra, nuk ka gjetur zgjidhje. Por kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik deklaroi se kontrollet do të vazhdojnë për të eliminuar çdo abuzim që cenon shëndetin e konsumatorëve. Në rastet kur edhe pas gjobës subjektet do të kapen sërish me shkelje, atëherë Drejtoria e Shëndetit Publik ka të drejtën e marrjes së vendimit deri në mbylljen e tij. “Garantojmë qytetarët se inspektimi do të vazhdojë në të gjithë subjektet dhe njësitë e ndryshme tregtare, në mënyrë që ky sezon turistik të jetë i qetë dhe pa probleme deri në përfundimin e tij”, – deklaroi më tej Gecaj. Por, shqetësim tjetër për këtë verë ka qenë edhe mbajtja e tregtimi i pijeve freskuese jashtë kushteve higjieno-sanitare. Gjatë këtyre 2 javëve janë analizuar dhe 350 mostra uji nga laboratori fiziko-kimik dhe 362 mostra uji nga laboratori bakteriologjik. Ndotja e ujit kanë qenë në masë të papërfillshme dhe për pasojë nuk ka pasur raste epidemish apo sëmundshmëri të shkaktuar nga ndotja e ujit të pijshëm.

 

Bilanci i kontrolleve

454 subjekte janë kontrolluar

159 prej tyre janë rikontrolluar

128 janë lënë procesverbale

2 janë gjobitur me 50 mijë lekë

1 është mbyllur përfundimisht

 

NJë përgjigje për "Kontrollohen 454 restorante në Tiranë, ushqimet me baktere"

  1. charli  23/08/2012 në 11:07 am

    mos u shqetesoni nga keto “bakteriet” jan shum te vogla. shqiptaret kan fituar imunitet.c’tu bejme avokateve, prokuroreve, gjyqtareve, policeve, mjekeve, mesuseve e pedagogeve politikaneve qe na ropen te gjalle.kudo te vesh duhet te shohish a ke para per te paguar “gjobat”e tyre.

Komentet janë mbyllur