visi baner 5

Administrata, zbardhet vendimi për rritjen e pagave

Kryeministri ka firmosur dje vendimin për rritjen e pagave për punonjësit e administratës dhe institucioneve të pavarura. Nga ky vendim do të përfitojnë punonjësit e Kryeministrisë dhe institucioneve në varësi të saj, ministrive të linjës, Kuvendit, Presidencës, prefekturave, KQZ-së, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë, Tatimeve, Doganave, Ushtrisë, Akademisë së Shkencave, si dhe artistët. Në vendim sqarohet se paga e Presidentit të Republikës, deri në miratimin e ligjit të buxhetit për vitin 2013, do të jetë 257 000 lekë. Sipas vendimit, drejtori i kabinetit të Presidentit, të Kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit, të Prokurorit të Përgjithshëm, të kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve barazohen në pagë me nëpunësin civil të kategorisë I-a, rroga mujore e të cilëve shkon në 128 500 lekë. Ndërsa këshilltari i Presidentit, i Kryeministrit, i kryetarit të Kuvendit, i kryetarit të KQZ-së, këshilltari për protokollin i Kryeministrit, i Presidentit, zëdhënësi i Presidentit, drejtori i kabinetit të zëvendëskryeministrit dhe të Avokatit të Popullit barazohen në pagë me zëvendësministrin, që është 140 000 lekë. Në vendim thuhet se këshilltari i Prokurorit të Përgjithshëm, i kryetarit të Gjykatës së Lartë, i Avokatit të Popullit, ndihmësi i Presidentit, i Kryeministrit, i kryetarit të Kuvendit dhe këshilltari i zv/kryeministrit barazohen në pagë me nëpunësin civil të kategorisë I-b, që është 117 500 lekë. Rrogat e ndihmësit të zv/kryeministrit, nënkryetarit të Kuvendit; drejtori i kabinetit të ministrit dhe drejtorët e kabineteve të titullarëve të institucioneve të tjera të pavarura, do të jenë të njëjta me nëpunësin civil të kategorisë II-a, që paguhen me 107 300 lekë në muaj. Këshilltari i ministrit, zëdhënësi i ministrit, këshilltarët dhe zëdhënësit e titullarëve të institucioneve të tjera të pavarura do të barazohen në pagë me nëpunësin civil të kategorisë II-b, duke u paguar 90 200 lekë në muaj. Ndërsa ndihmësit ligjorë pranë prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ekspertët në këtë institucion do të barazohen në pagë me nëpunësin civil të kategorisë III-a; 72 900 lekë në muaj. Sipas vendimit, rroga e sekretarit të Presidentit, Kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, zv/kryeministrit, nënkryetarit të Kuvendit dhe Avokatit të Popullit do të jetë 69 000 lekë. Kurse paga për sekretarin e ministrit, sekretarin e këshilltarit të Presidentit, sekretarin në zyrën e Avokatit të Popullit, sekretarin e titullarëve të institucioneve të tjera të pavarura, sekretari i organit kolegjial drejtues, sekretari në Kryeministri, në aparatet e ministrive të linjës dhe në institucionet e pavarura do të jetë 57 700 lekë. Në vendim thuhet se shtesa për vjetërsi në punë për të gjitha pozicionet “sekretar” jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 vjet, dhe llogaritet mbi vlerën 14 000 lekë në muaj. Të drejtën për të pasur këshilltarë të jashtëm e kanë vetëm Kryeministri dhe zëvendëskryeministri. Pagesa e tyre mujore është deri në 40% të pagës mujore të këshilltarit të brendshëm dhe masa e pagesës përcaktohet nga titullari i institucionit përkatës.

 

Presidenti i Republikës, 257 000 lekë

Zëvendësministri, 140 000 lekë

Prefekti i Qarkut Tiranë, 118 000 lekë

Prefekti në qarqet e tjera, 110 000 lekë

Nënprefekti në nënprefekturat Kavajë,

Lushnjë dhe Sarandë, 94 500 lekë

Nënprefekti në nënprefekturat Krujë, Pogradec,

Librazhd, Tepelenë, Përmet, Mat, Pukë, Tropojë

dhe Skrapar,  87 500 lekë

Nënprefekti në nënprefekturat Malësi e Madhe,

Bulqizë, Peqin, Gramsh, Devoll, Mallakastër, Has,

Kuçovë, Mirditë, Delvinë, Kurbin dhe Kolonjë, 83 000 lekë

Këshilltari i prefektit Tiranë, 66 000 lekë

Zëdhënësi i prefektit Tiranë, 56 000 lekë

 

 

Shifrat e qeverisë për rritjen krahasuar me 2005

Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, ishte 26 831 lekë, bëhet 59 235 lekë

Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9-vjeçar, ishte 22 771 lekë, bëhet 50 563 lekë

Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22 683 lekë, bëhet 58 098 lekë

Paga mesatare e infermierit ka qenë 15 044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35 618 lekë

Paga mesatare e punonjësve të policisë ishte 30 655 lekë, bëhet 55 944 lekë

Paga mesatare e punonjëseve mbështetës ishte 22 554 lekë, bëhet 35 122 lekë

 

PS: Ja sa janë dyfishuar çmimet nga 2005

Buka dhe mielli kushton 2 herë më shumë se në 2005

Energjia elektrike kushton 2 herë më shumë se në 2005

Uji i pijshëm kushton 2 herë më shumë se në 2005

Sheqeri, vaji, orizi kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005

Barnat dhe shërbimi shëndetësor kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005

Nafta kushton 3 herë më shumë se në 2005

 

PS përplaset me qeverinë: Çmimet janë dyfishuar

 

Mëhilli: Qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve

Beqja: Pagat janë rritur në letër, sot familjet shqiptare blejnë më pak se në 2005

 

Qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kështu ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp, prej nga ku njoftoi edhe firmosjen nga Kryeministri të vendimit për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, zëdhënësja e shefit të qeverisë, Erla Mëhilli. Ajo theksoi se rritja e rrogave mbi bazën e këtij vendimi është rezultat direkt i performancës ekonomike të vendit dhe është bërë tërësisht bazuar në të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet. “Theksoj, se si rrjedhojë e kësaj performance ekonomike, që nga viti 2006 deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve”, – deklaroi Mëhilli. Duke e krahasuar rritjen e fundit të rrogave me atë të vitit 2005, zëdhënësja e kreut të qeverisë tha se paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm dhe atë 9-vjeçar ka pësuar një rritje mbi 2.2 herë. Po kështu Mëhilli deklaroi se paga mesatare e mjekut ka pësuar një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005, ndërsa për infermierët rritja ka qenë 2.4 herë më shumë. Sipas qeverisë, nga viti 2005 deri më sot paga mesatare e punonjësve të policisë është rritur me 1.8 herë, dhe për punonjësit mbështetës në institucionet buxhetore, 1.6 herë. Zëdhënësja e Kryeministrit theksoi se raporti i pagës së arsimtarit të arsimit 9-vjeçar me pagën e Kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 8.6, në vitin 2012 është vetëm 1 me 4.5. Mëhilli u shpreh se raporti i pagës së infermierit me pagën e Kryeministrit, që në vitin 2005 ka qenë 1 me 13, tani është 1 me 6.4, dhe raporti i pagës mesatare me pagën e Kryeministrit, që në vitin 2005 ka qenë 1 me 7.1, në vitin 2012 është 1 me 4.6. Por Partia Socialiste ka reaguar për vendimin e rritjes së rrogave duke sulmuar qeverinë jo vetëm për shifrat, por edhe për vonesën. “Pagat që Saliu mburret se ka firmosur sot, në fakt duhet të ishin paguar që para tri javësh. Qeveria u përpoq të mburret sot duke na treguar se sa janë rritur pagat në letër. A ka rëndësi sa janë rritur pagat në letër, kur sot edhe arsimtarët, edhe mjekët, edhe infermierët, edhe punonjësit e policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005”, – u shpreh sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja. Sipas tij, faktin që konsumi i familjeve shqiptare ka rënë e tregojnë edhe statistikat zyrtare, pasi siç tha ai, krahasuar me vitin 2005, produktet e shportës bazë ushqimore, ilaçet, shërbimi shëndetësor dhe nafta sot kushtojnë 2-3 herë më shumë. Deputeti i opozitës ka shtuar më tej se në një situatë të rënduar ekonomike, kryeministri e ka mendjen vetëm se si të ndërtojë vilat e luksit për të dhe presidentin. “Në 2005 një mësues merrte edhe pagën e 13-të, ndërsa sot edhe pagën e 12-të duhet ta paguash taksa që Bujari të ketë pallat të ri presidencial, që Saliu të rregullojë rezidencën qeveritare në Vlorë, ndërsa Ridvani të ndërrojë kolltukët e zyrës”, – pohoi Beqja. Deputeti socialist është fokusuar edhe tek taksat, të cilat sipas tij janë rritur nga kjo qeveri në maksimum, dhe që PS kur të vijë në pushtet do t’i lehtësojë.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur