visi baner 5

Agnesa Vuthaj: Meshkujt u tremben femrave të suksesshme

Agnesa Vuthaj është një personazh mjaft i dashur për publikun shqiptar. Një vajzë mjaft e bukur, e cila rrezaton mirësi dhe zgjuarsi sapo e sheh. Në fakt Agnesa punon shumë për të arritur gjërat që ka, famën, statusin dhe pozicionin e saj në tregun mediatik. Ajo është e angazhuar në produksionet e bukurisë në Kosovë, por tregon se kjo verë ka qenë totalisht e saj. Mes punës dhe pushimeve, jetës private dhe asaj që nuk e mban dot larg syrit të të tjerëve, Angnesa tregon më tepër rreth vetes në këtë intervistë. Ajo tregon edhe për marrëdhëniet e një femre të famshme me meshkujt, shpesh nuk është aq e thjeshtë se ç’mendohet.

Agnesa, si ka qenë kjo verë për ty?

Kjo verë ishte shumë e këndshme për mua. Kam qenë më e lirë në dallim nga vitet e fundit dhe jam munduar ta shijoj secilën ditë.

Cilat kanë qenë gjërat më prioritare?

Vetja ime. Kam pasur nevojë që t’i kushtoj pak kohë vetes, pastaj familjes dhe miqve të afërt. Kështu që mund të them se kjo ishte vera ime.

Ka qenë më shumë punë apo pushime?

Kombinimi im i preferuar, punë dhe pushime. Kam qenë e angazhuar për fushatën e BKT-së, që jam imazh i tyre këtë periudhë. Pastaj në planifikimin e disa projekteve të reja që pres të realizohen nga fundi i vitit apo edhe viti i ardhshëm… Përndryshe edhe kam udhëtuar e pushuar.

Jeni e angazhuar në produksione bukurie në Kosovë. Si e sheh këtë realitet në botën shqiptare?

Është fat që kemi vajza dhe djem të bukur, por duhet akoma kohë dhe punë për të krijuar dhe zhvilluar një treg funksional, ku mund të punohej dhe përfitohej mirë prej këtij profesioni. Spektaklet e bukurisë funksionojnë mjaft mirë, duke përfaqësuar edhe vendin në konkurse ndërkombëtare dhe duke i hapur fituesve rrugë për karrierë ndërkombëtare, derisa modelizmi mendoj që ka pak ngecje.

Mendon se shumë të rinj duan të jenë pjesë e botës së medias, televizionit dhe kopertinave?

Gjithsesi, kemi shumë të rinj të bukur, të talentuar dhe ambiciozë dhe meritojnë të jenë pjesë e medias, të shfaqen në publik, qoftë përmes Tv-së, kopertinave ose edhe mënyra të tjera artistike.

Jeni cilësuar si një femër me bukuri të veçantë. Si ndiheni kur ju komplimentojnë?

Kam marrë aq shumë komplimente në jetën time dhe sërish, secilën herë që marr një kompliment, sado i vogël të jetë, më bën të ndihem shumë mirë.

Si është Angnesa në një ditë të zakonshme?

Mëngjesi është shumë i rëndësishëm për mua. Më pëlqen të zgjohem herët dhe të pi një kafe me qetësi, duke parë televizor, lexuar apo komunikuar me familjen a miqtë e mi. Për të vazhduar të planifikoj punët që do kryej gjatë ditës. Mbrëmjeve preferoj të lexoj para se të fle…

Çfarë nuk pëlqen te femrat?

Unë e pëlqej shumë femrën dhe karakterin femëror… Asnjëherë nuk kam thënë “sikur të isha djalë”… Në një pikë të gjitha jemi shumë të ngjashme: të ndjeshme, të kujdesshme e të dashura.

Sipas teje, me çfarë e ekzagjerojnë femrat shqiptare?

Ekzagjerimin do e konsideroja personal dhe global më shumë sesa shqiptar. Unë besoj që secila femër duhet të dijë çfarë dëshiron nga vetja dhe jeta e saj dhe të arrijë të marrë apo krijojë më të mirën e mundshme për të. Unë nuk e paragjykoj askënd. Secila ka stilin e vet të të jetuarit.

Nëse do t’ju jepje një këshillë bukurie, cila do të ishte ajo?

Të kujdesen për ushqimin, të pinë shumë ujë dhe të gjejnë qetësi shpirtërore. Kur organizmi funksionon mirë dhe shpirti është i qetë. Do të arrijmë të ndihemi e dukemi bukur gjithmonë.

Mendon se sot njerëzit po i japin më tepër rëndësi pamjes sesa shpirtit?

Pamja është e para që vërejmë te secili person, ndërsa për të njohur shpirtin e dikujt apo botën e brendshme kërkohet shumë më shumë kohë e mund. Por në botën e showbizit është pamja parësore, sepse fillimisht publiku nuk do të shikojë një modele, këngëtare a aktore për shpirtin, por për pamjen a talentin e saj.

Agnesa, mesa dimë nuk keni dikë përkrah. Është e vështirë që dikush t’ju bëjë për vete?

Më e vështirë është të më mbajë dikush, sesa të më bëjë për vete. Për mua një lidhje duhet të ketë dashuri, kujdes dhe përkushtim të vazhdueshëm dhe gjithmonë në rritje.

A dashuron shpesh Agnesa Vuthaj?

Jo, por kur dashuroj, dua të dashuroj pa limite.

Çfarë do të doje nga mashkulli i jetës tënde?

Të njoh dhe të kuptojë botën time të brendshme.

Beson te dashuria me shikim të parë?

Po, besoj që një shikim i parë mund të jetë nismë e një dashurie të madhe. Besoj shumë te kimia.

Sa e vështirë është të ruash privatësinë kur je i famshëm?

Është e vështirë, por është një sakrificë për ne. Gjithçka e ka momentin e vet. Gjërat do bëhen publike gjithsesi, por është mirë të bëhen në kohën e duhur, jo paraprakisht apo pasi të kenë marrë fund.

Ju kanë frikë meshkujt, sepse mund t’ju dukeni e paarritshme dhe tremben t’ju njohin nga afër?

Po, meshkujt ju tremben femrave të suksesshme.

Për femrat e bukura dhe në botën e medias shpesh thuhet se e kanë më të lehtë të gjejnë mashkullin ideal. Për ty si është?

Unë mendoj të kundërtën; është më e vështirë, sepse për mashkullin shqiptar është shumë e vështirë të përballojë një femër të suksesshme e të famshme.

Dasmën tënde si e dëshiron?      

Ose shumë tradicionale, me tradita e shumë të ftuar, ose një dasmë shumë të vogël private në një vend special.

Je femër tradicionale apo më shumë moderne?

Të dyja. Jam tradicionale sa i përket vlerave që kam trashëguar dhe dua t’i ruaj ato e t’i trashëgoj te brezat e ardhshëm, ndërsa për pjesën tjetër jam shumë moderne.

Dimë se që nga vjet në DWS nuk i keni shkëputur lidhjet me Simonen. Si do ta quanit miqësinë tuaj?

“Një miqësi speciale” e ka quajtur një gazetare në një shkrim dhe ky mendoj që është përshkrimi ideal i miqësisë sonë.

A i mban mend leksionet e kërcimit që ke marrë?

Po, dhe shpresoj të mos i harroj asnjëherë.

Agnesa, cilat kanë qenë momentet më të vështira në jetën tuaj? A ka pasur të tillë?

Kam pasur momente të vështira në jetë. Janë shumë personale, por ndikojnë pozitivisht në formimin e karakterit dhe janë një mësim bazë për përballimin e sfidave që sjell jeta.

Nga çfarë nuk do të hiqje kurrë dorë në jetë?

Nga vetë jeta dhe nga familja ime.

Ka ndonjë profesion për të cilin je kureshtare për ta provuar?

Po, por do vazhdoj ta sprovoj veten në profesionet që më pëlqejnë.

Diçka nga e cila keni hequr dorë në jetë dhe jeni penduar?

Nuk pendohem asnjëherë për vendimet që kam marrë në jetë. Kjo që jam sot, jam rezultat i vendimeve të mia. Ndonjëherë mendoj si do ishte nëse do zgjidhja ndryshe…

Frika më e madhe e juaja, cila është?

Ka momente kur ndiej frikë në jetë, frikë se mos humbas njerëzit e dashur apo gjërat e vlefshme të jetës.

Do të bënit ndërhyrje kirurgjikale vetëm për t’u dukur më e re? I keni frikë rrudhat?

Jo, mendoj që edhe rrudhat që krijohen me kalimin e viteve e kanë bukurinë e tyre dhe tregojnë kush ke qenë ti ndër vite dhe kush je sot.

A ka një njeri të cilit do doje t’i kërkoje falje?

Zakonisht kam rreth vetes njerëz që më kërkojnë falje. Unë jam shumë korrekte me të tjerët dhe shumë rrallë më bie të kërkoj falje dhe kur kjo ndodh, duhet të jetë diçka shumë e vogël, p.sh. një vonesë 2 minuta (qesh).

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur