visi baner 5

Atdhetarë me biografi të “mirë” dhe me biografi të “keqe”

Kushdo ka jetuar kohën e diktaturës komuniste e kujton mjaft mirë famëkeqen “biografi” sipas së cilës “i mirë” konsiderohej ai në biografinë e të cilit shkruhej: “Rrjedh nga një familje e varfër që mezi siguronte bukën e gojës… rrjedh nga një familje fshatar i varfër pa tokë… ndërsa “armik” ai në biografinë e të cilit shkruhej: “rrjedh nga një familje bejlerësh, që ka shtypur e shfrytëzuar popullin… rrjedh nga një familje pasanikësh apo tregtarësh që kanë pirë gjakun e popullit… rrjedh nga një familje fshatar i pasur, kulak”.

Kjo sot tingëllon komike, por në atë kohë s’ishte aspak e tillë. Me mijëra njerëz përjetuan këtë ndarje si një makth, si një tragjedi, që shkatërroi mijëra jetë njerëzore.

Problemi është se me këtë mentalitet vazhdon të operohet edhe sot, për fat të keq edhe nga historianë, dhe më keq akoma jo vetëm nga historianët e vjetër të diktaturës, por edhe disa të rinj në moshë. Ja si shprehej njëri prej tyre, në një intervistë të para disa ditëve në një të përditshme: “…politika zyrtare ka kohë që po këmbëngul që të promovohen disa figura, apo më mirë të themi disa hije historike, që jo rastësisht përzgjidhen nga shtresat sociale të bejlerëve, pashallarëve, bajraktarëve, klerikëve: pikërisht ato shtresa të regjimit të vjetër (dovletit), aksioni politik e produkti historik i të cilave është karakterizuar nga egoizmi, pavendosmëria, krahinarizmi, kolaboracionizmi dhe deri te tradhtia e hapur ndaj interesave të atdheut…

Në të kundërtën, politika e Shqipërisë së kohëve të budallallëkut nuk ka hezituar të stigmatizojë e të deklasifikojë hapur ideuesit dhe krijuesit e vërtetë të Rilindjes Kombëtare e të shtetit shqiptar, që nuk vinin nga bota e vogël e makute e bejlerëve dhe e bajraktarëve dritëshkurtër, por nga bota e madhe e idealistëve, e njerëzve të mësuar e të edukuar me idetë progresiste e emancipuese të Iluminizmit. Këta, pra, Vaso Pasha e Frashërllinjtë, Shahin Kolonja e Hil Mosi, Jani Vreto e Mihal Grameno, Fan Noli e Hasan Prishtina me shokë ishin ata që projektuan dhe realizuan Shqipërinë, si shtet i pavarur, një dhe i pandarë, si një shtet modern, rreptësisht laik dhe europian. Të tjerët, në rastin më të mirë u shtynë deri në Shqipërinë e katundit, bajrakut dhe të fesë së tyre, pra në Shqipërinë e cunguar, të dobët, pa dinjitet, pa sovranitet, kliente e monarkive shallvaregjëra të Ballkanit…”

S’u besova syve kur e lexova. Akoma me mentalitetin e “biografive të komunizmit” ky?!

Megjthëse kanë kaluar 21 vjet nga përmbysja e diktaturës komuniste dhe jemi në 100-vjetorin e pavarësisë, vazhdohet me reminishencat e luftës së klasave, madje me agresivitet. Atdhetarët që bënë Shqipërinë vazhdojnë që t’i ndajë, si në kohën e komunizmit me “biografi të mirë” dhe me “biografi të keqe”.

Mesa gjithë shqiptarët dinë, themelues i shtetit shqiptar është Ismail bej Vlora; me sa gjithë shqiptarët dinë, Aqif pashë Elbasani është një nga figurat e shquara në themelimin e shtetit shqiptar; nuk dimë nëse ka këtë mendim historiani i mësipërm për beun e Vlorës, apo pashain e Elbasanit. Me sa shqiptarët dinë, Isa begu (Boletini), Bajram begu (Curri),  bajraktarë të Veriut dhanë kontribut të çmuar për kombin, nuk di sesi e konsideron historiani kontributin e këtyre beglerëve. Apo këta konsiderohen si bejlerë e pashallarë me “biografi” të mirë, se i ka njohur Enveri, ndërsa bejlerët e pashallarët e tjerë me “biografi të keqe”, që duhet të rrinë në hije, të fshehur nga retushimet e turpshme që i bëri historiografia komuniste me porosi të Enverit. Tepër foshnjor tingëllon spekulimi që i ndan njerëzit që bënë Shqipërinë në “idealistë, e njerëz të mësuar e të edukuar me idetë progresiste e emancipuese të Iluminizmit”, që s’kanë të bëjnë me bejlerët, pashallarët, bajraktarët, klerikët. Në fakt, ndarja s’është e mundur, është spekulative, se të dyja palët i përkasin së njëjtës shtresë. Nuk di nëse ka ndonjë shqiptar që Frashërllinjtë (Naimi, Samiu, Abdyli) nuk i njeh si bejlerë. Apo këta janë bejlerë me “biografi të mirë”, ndërsa biri i tyre Mit’hat bej Frashëri me “biografi të keqe”?! Po Vaso Pashë Shkodranin, është pasha apo?! E dinë që Hasan bej Prishtina ka qenë ndër bejlerët më të pasur të Kosovës, apo edhe ky është bej me “biografi të mirë”, se e ka njohur Enveri. Po Shahin Kolonjën e dinë për fshatar të varfër, apo e njohin si Shahin bej Ypi?! Patriotin e madh Naun Veqilharxhin e dinë për ndonjë teneqexhi apo një pasanik të madh?! E dinë vallë se Hil Mosi u formua në shkollën e atij kleri që, sipas mentalitetit komunist, vazhdojnë ta konsiderojnë “reaksionar”??

Me sa shoh, vazhdon avazi i vjetër. Njihen vetëm ata patriotë që komunizmi njohu, ata që pretendohet se i vrau Zogu, dhe gjithë të tjerët bejlerë, pashallarë, e bajraktarë shtypës, shfrytëzues, gjakpirës, të dobët, pa dinjitet, pa sovranitet, kolaboracionistë, shallvaregjerë…

Mjaft me përçarjen klasore, të paktën në këtë 100-vjetor. Shqipërinë e kanë bërë edhe Abdyl bej Frashëri edhe Sami bej Frashëri, edhe Naim bej Frashëri, por edhe Mid-hat bej Frashëri. Edhe Ismail bej Vlora edhe Lef Nosi, edhe Aqif pashë Biçakçiu edhe Luigj Gurakuqi, edhe At Gjergj Fishta, edhe Naun Veqilharxhi, edhe Mihal Grameno, edhe Fan Noli. Edhe Isa Beg Boletini, edhe Nexhip Bej Draga, edhe Hasan Bej Prishtina, edhe Bajram Beg Curri, edhe Bedri Pejani, edhe Rexhep Mitrovica, edhe Ahmet Zogu, madje ishte ky i fundit që hodhi themelet e shtetit modern shqiptar. Nuk mund të shkruhet historia e Tiranës pa Toptanët, Historia e Vlorës pa familjen Vlora, historia e Elbasanit pa Biçakçinjtë e kështu me radhë, historia e Shqipërisë pa familjet e mëdha.

Të gjithë këta njerëz të shquar kanë bërë Shqipërinë, ishin truri i saj dhe përbëjnë sot memorien historike. Duke falsifikuar apo retushuar kontributin e tyre kurrë s’do të kemi histori të Shqipërisë. Edhe ata iluministët që dikush rreket t’i veçojë, janë veçse pjesëtarë të po asaj shtrese që ata vazhdojnë ta përbaltin, ose bijtë e atyre që vazhdojnë t’i cilësojnë me “cen” në biografi.

Gjenetika është një shkencë e saktë. Trashëgimia është një pasuri e çmuar. Pikërisht për të ndërprerë trashëgiminë, armiqtë shekullorë të shqiptarëve, nëpërmjet dorës së komunistëve, u përpoqën ta zhbënin këtë pasuri të kombit. Që vlerat të mos trashëgoheshin, ata e zhdukën edhe fizikisht pjesën më të madhe të shtresës që i mbartte. Pjesërisht ia arritën qëllimit, por pasojat  po i vuajmë ende sot.

Sa i përket klerikëve, që gjithashtu përgojohen, le t’u përgjigjet vetë At Zef Pllumi, nëpërmjet librit të tij “Rrno vetëm për me tregue”: “Njerëzit që kanë ba Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frashëri. Faik Konica, Ismail Qemal Beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e pak tjerë si këta e krijuan Shqipninë…… Kjo asht e vërteta historike. Populli ishte ky… (i prapambetur), intelektualët kjenë ata që e banë Shqipninë… nuk kemi kurrnji të drejtë me i gjykue për gabimet politike që kanë ba në jetë e tyne, se po ta bajmë këtë, atëhere tregohemi mosmirënjohës. Pa ata nuk do ta kishim Shqipninë e lirë… Na nuk kemi asnji të drejtë t’i gjykojmë personalitetet shoqnore – politike të asaj kohe, me ato koncepte që kemi sot. Sigurisht që në atë kohë ata kanë ba politikën që duhej për interesin e popullit shqiptar aty për aty”. (F. 493)

Besoj se At Zefin nuk do të ketë askush kurajë ta akuzojë si pasardhës të bejlerëve apo pashallarëve, se vinte nga shtresa e fshatarësisë, ndonëse edhe ai, sipas mentalitetit të vjetër, ishte me “biografi” të keqe, mbasi kaloi gjithë jetën e tij në ferrin e burgjeve komuniste.

Reklama-Eagle

5 Përgjigjet për "Atdhetarë me biografi të “mirë” dhe me biografi të “keqe”"

  1. Hysen Tabaku  08/08/2012 në 4:05 pm

    Z.Shefqet,

    Me interesim lexova artiullin tuaj te me siperm dote te me pelqente te pyes historianet e rinje ne lidhje me zhvilimin dhe formimine e Shtetit te pare modern pas pamvarsise kombetare.Ishte fashatari me pushken e gjate hija e se iles arrinte horizontin e ngushte te vendit qe dote arrinte ti jape Shqiperise vendin e merituar? cdo levizje ka nevoje per fonde ekonomike dhe intelektuale kane qene bejleret brekushe medhenjte dhe agallaret ose me mire te theme ata njerez iluministe qe e kane kuptuar rendesine e krijimit te nje shteti modern. fshatari me pushkken e gjate hija e se ciles arrinte deri ne horizont nuk do te arrinte kurre te veje Shqiperine ne rruge moderne ajo hije e rende per te cilen mburremi ne shqiptaret don drite per te dale nga erresira. Historianet e rinj pergojojne veprat perpjekjet e rilindasve tone mbeshtetur ne biografi artificialisht te shtrembruara sic duket keto historiane jane dipllomuar nga Universiteti “Kristal” dhe nuk thellohen te studiojne personalitete qe ju i permenedet me shume respekt .nje historian i pjekur profesionalisht eshte si nje arkeolog qe germon ne histori te zbardhe cafre ka qene e kaluara dhe jo biografia. Me vjen keq z. Deliallisi qe rreh uje ne havan me te tille sharlatane duke filluar nga Milo e poshte une nuk do te lexoja as nje rrjesht te shkruar nga ata. Kam pas fatin te jem ne nje kamp te burgosurish me Bas Deliallisin dhe Selamiun ju eni nje familje patrotesh dhe kenaqem kur lexoj shkrime me mend ne koke.
    Palm Coast Florida
    Best regards cen tabaku

  2. Zhani Lito  08/08/2012 në 9:13 pm

    Shefqet,
    Te pergezoj per artikullin e bukur. E konsideroj si nje permbledhje dhe konkluzion te bukur te debateve mbi historine e shekullit te kaluar qe ka kulminuar keto muajt e fundit ne shtypin Shqiptar. Por jam i trishtuar qe Njeriu i Ri, i krijuar nga propoganda Komuniste, jo vetem ka mbijetuar por lulezon ne mendjen e brezit te ri. Duke huazuar termin e profesionit tend, shoh shpetim nga kjo semendje vetem me vaksinimin masiv te brezit tjeter nepermjet shkrimeve te U. Butkes, Z. Pllumit, artikujve tuaj dhe te tjereve me biografi te “keqe”.
    Pershendetje,
    Z. Lito
    Worcester, MA

  3. sh  10/08/2012 në 1:35 am

    Deliallisi, nese e keni fjalen per Mustafa Krujen kur citon: ““…politika zyrtare ka kohë që po këmbëngul që të promovohen disa figura, apo më mirë të themi disa hije historike, që jo rastësisht përzgjidhen nga shtresat sociale të bejlerëve, pashallarëve, bajraktarëve, klerikëve: pikërisht ato shtresa të regjimit të vjetër (dovletit), aksioni politik e produkti historik i të cilave është karakterizuar nga egoizmi, pavendosmëria, krahinarizmi, kolaboracionizmi dhe deri te tradhtia e hapur ndaj interesave të atdheut…”, jeni krejtesisht gabim. Eshte e trishtueshme qe shqiptaret jane kaq te ndare ne ceshtje te tilla morale, te cilat nuk kane shume nuanca gri. Nga historia e biografive kam vuajtur edhe vete si shume shqiptare, por disa veprime jane ose te nje morali te larte ose te nje morali te ulet. Mustafa Kruja ne raport me cka bere e cka pase ne dore te beje per Shqiperine anon qartazi nga “e keqja” jo nga “e mira”. E gjithe filozofia dhe mentaliteti i tij ku mbeshteteshin edhe veprimet e tij ishin regresive… nuk ka pike iluminizmi ne menyren sesi lidhi aleancat me Italine, sesi adhuronte jo vetem Mosolinin por deri edhe Hitlerin… Nuk e pertyp dot se “gjoja keshtu shpetonte Shqiperine e interesat e saj”. Me duket krejt larg e ne kontrast te thelle (madje dallkauk) krahasuar me intelektualet europiane te viteve 30-40. Fakti qe jane familjaret ata qe ne te vertete nuk kursejne lavdet eshte shume domethenes…

  4. F  10/08/2012 në 6:02 pm

    I dashur sh, nuk e ke lexuar mire , lexoje dhe nje here te lutem

  5. topi2  20/08/2012 në 5:10 pm

    Po per keta fisniket e rinj, apo ish te persekutuarit qe shiten gjakun e te pareve te tyre per nje kocke e qe persekutojne me dhunshem sot,te dyja palet erdhen ne Tirane ne dy dekadat e fundit e u denden me prona te paligjshme, shiten detin, e plackiten Shqiperine,vodhen te ardhmen e e femijeve tane, cdo na shrkuajne historianet?? PO ju cdo shkruani per keto delenxhillere pas 10 vitesh Z.Dedhiallisi?! Shko e merru me punet e tua e mos ju lepij ketyre ndyresirave se nuk te vjen asnje e mire, me mire hesht se sa te lepihesh!!!

Komentet janë mbyllur