Rasti i ngritjes mediatike të Edi Ramës

Në hapësirën publike shqiptare Edi Rama ofroi fillimisht modelin e politikanit të ri për t’i shpërfaqur më vonë ngjyrimet neo-populiste. Ndërsa sot një pjesë shohin tek ai demagogun ekstravagant, në krye të herës perceptimet pajtoheshin në tepër në lidhje me profilin e një politikani modern. Ai u vëzhgua si ‘specie e re’ që sillte kontributin e stilit në kulturën politike shqiptare që pas rënies së regjimit diktatorial. Kjo risi iu njoh pa vonesë nga mediat të cilat i ofruan vizibilitet maksimal që në fillim. Në kohën kur gama e televizioneve private nuk ekzistonte ende në tregun mediatik në Shqipëri, shtypi meriton të konsiderohet me më tepër vëmendje, pasi kishte rol të rëndësishëm në fabrikimin e imazhit të aktorëve politikë. Në këto rrethana, revistat dhe të përditshmet e kohës i dedikuan Ramës tituj sensacionalë dhe kopertina provokuese (shih Klan, Spekter, Koha Jone, Gazeta Shqiptare). Shtypi i shkruar nisi kësisoj procesin e fabrikimit të tij si politikan jashtë kornizave partiake, duke e veçuar nga politikanët tradicionalë.

Edi Rama e niste udhëtimin e tij të pazakontë në arenën politike shqiptare i stilizuar si intelektual modern, duke tërhequr kësisoj vëmendje të veçantë. Gazetarët e njohur të kohës e cilësuan ‘simbol të një intelektuali të pavarur dhe ekstravagant në vendin më të varfër të Evropës’ duke nënvizuar se përfshirja e tij në politikë si Ministër Kulture ishte një befasi për faktin se ‘për një kohë të gjatë ai ishte konsideruar rebeli, anti-konformisti dhe provokuesi i pushtet-mbajtësve’(Bejtja: Klan 07.06 1998). Gazetarë të tjerë e quajtën një Don Kishot në politikë apo Njeri të Shpresës (Xhunga: ‘Koha Jone’, 23.04.1998). Ata madje anonçuan në titujt e artikujve kushtuar Ramës parabola të tilla si ‘Fenomeni Rama’apo “Casus Rama’ (Bejtja, Xhunga: po aty). Edhe spektri i intelektualëve dhe njerëzve të shoqërisë civile e simpatizoi aktorin më të ri të politikës shqiptare. Megjithëse nuk munguan zërat skeptikë dhe kritikët e hapur, mbështetësit e dominuan opinionin mediatik, ndërsa superlativat nuk u kursyen: ‘E konsideroj emërimin e Edi Ramës si shenjë emancimi për politikën shqiptare’ (Isaku, Koha Jone, 23.04.1998). ‘E konsideroj emërimin e tij një ngjarje të rëndësishme e cila duhet përshëndetur dhe duartrokitur, sepse Edi Rama nuk është vetëm një artist i jashtëzakonshëm, por edhe një politikan profesionist’ (Xhaferri, po aty.).

Duke imituar modele të tjera të suksesshme të politikanëve mediatikë në arenën ndërkombëtare, por duke investuar edhe një farë origjinaliteti dhe karizme personale, Edi Rama diti të tërhiqte vëmendjen e mediave dhe ta ushqente vazhdimisht atë. Profili i parafabrikuar i stilistit të ri të politikës u servirej me lehtësi mediave dhe gazetarëve të cilët, nga ana e tyre, e panë si novator dhe autentik. Ai do të bëhej shumë shpejt trazovaçi i dashur i mediave për performancat e tij shpesh të pacipa, duke fituar qendrën e vëmendjes dhe të debatit. Gjestet dhe performancat simbolike përbënin kapitalin e tij primar politik. Duke u vendosur në qendër të vëmendjes, do të kritikohej gjithnjë e më shpesh, por sërish kjo shihej pozitivisht nga mediat: ‘Edi Rama, hipi për kundërshtarët, aleat vetëm me veten: Ky është njeriu i ri i kulturës’ komentohej ai në ‘Klan’ (Balla, 19 prill 1999).

Një lexim i performancës së Ramës në termat e mësipërm, estetikë dhe të stilit, ka për qëllim të hedhë dritë pikërisht në terrenin e nëndheshëm të politikës së tij, që është ajo e përpunimit të emocioneve më tepër sesa arsyes, që ka të bëjë pra jo me kërkimin e racionalitetin njerëzor në gjykimin ndaj tij dhe të politikave të tij, por me kërkimin dhe përpunimin e emocioneve me qëllim përfshirjen emocionale dhe subjektive të elektoratit në projektin e tij politiko-mediatik. Kjo do të thotë që, nëpërmjet akteve estetike, Rama kërkon të fitojë vëmendjen emocionale të publikut në një kohë kur ‘politikat e reja të emocionit dhe përfaqësimit estetik janë mjaft të përhapura në botën e sotme’ (Ankersmit, 2002).

Të servirësh mediat, të bëhesh vetë media?

            Edhe në fazën e konsolidimit të figurës së vet si politikan nga Ministria e Kulturës në krye të Bashkisë së Tiranës dhe së fundi në krye të Partisë Socialiste, ka shumë për të thënë dhe analizuar në aspektin e marrëdhënies politikan-media. Në mënyrë që të bindë për cilësinë dhe substancën e performancës së tij, Rama ka përdorur me efikasitet metodat e marketingut dhe marrëdhënieve publike. Për këtë qëllim i kanë shërbyer edhe më mirë se gazetat televizionet, në kohën kur po mbërrinte bumi i ofertës televizive në tregun mediatik shqiptar. Megjithëse profili i Ramës u stilizua së pari nga mediat e shkruara, i ndihmuar nga aftësitë e tij imazh-projektuese deri diku intuitive, Rama e shndërroi veten në politikanin pop-star që aspironte përmes përdorimit koshient të mediumit televiziv.

Ky proces do të evoluonte deri në pikën e shndërrimit të Ramës në një ‘agjenci publicitare’ të vetvetes. Ka ditur ta servirë median ditë pas dite, duke siguruar një mbulim të plotë të aktiviteteve të tij dhe ndërtuar një tablo narrative më të gjerë që e paraqet si të suksesshëm. Marketingu i vetvetes përbën pra strategjinë e tij kryesore të pushtetit. Në të vërtetë, askush tjetër përpara tij nuk e kishte performuar politikën në arenën mediatike të post-komunizmit si Edi Rama. Jo thjesht në aspektin e personalizimit, por edhe të profesionalizimit, duke huazuar teknikat e marketingut dhe eksploruar strategjitë e marrëdhënieve publike.

Për tre mandate rresht në krye të Bashkisë së Tiranës, Rama nuk e ndali kurrë fushatën e tij personale politike nëpërmjet mediave. Ekspert në marketimin e punës së tij, Rama ia ka dalë për një kohë të gjatë të sigurojë mbulim të efektshëm për çdo aktivitet të tij si kryetar bashkie, duke i ftuar kamerat të ndjekin çdo detaj të shfaqjes së tij. Për shumë kohë asnjë edicioni lajmesh në kanalet më të rëndësishme televizive në vend nuk i mungonte kronika për punën e Kryetarit të Bashkisë. Axhenda e tij e punëve ka patur vizibilitet publik të jashtëzakonshëm, pikërisht në saje të paraqitjeve mediatike bujare.

Shfaqja e politikanit-media

Ndërkohë mjedisi mediatik shqiptar ka njohur së fundmi edhe një zhvillim të ri, shfaqjen e politikanit-media. Nuk është rastësi që ky zhvillim lidhet me emrin e Edi Ramës, që ka mishëruar në Shqipëri edhe prototipin invers, atë të politikanit produkt të mediave, i cili nuk doli në politikë nga mjedisi partiak, por nga “oxhaku” i mediave. Kjo risi përkon me një prototip të ri komunikuesi politik, atë të politikanit që bëhet media. Edhe pse kjo nuk është tentativa e tij e parë si politikan për të marrë funksione mediatike, për herë të parë kemi daljen e tij me një media të institucionalizuar si e tillë, siç është faqja në internet ëëë.edirama.al. Për kreativitetin me të cilin po e menaxhon vetveten online dhe për formën e zgjedhur, që është ajo e përdorur fillimisht nga industria hollivudiane për të menaxhuar imazhet e yjeve të saj, që po dilnin jashtë kontrollit, ky riformatim mediatik i Ramës duket sikur i rikthen atij shkëlqimin e humbur prej artisti dhe ylli mediatik si edhe hap shtigjet e dëshiruara prej tij në mënyrën se si të tjerët do ta referojnë, në përpjekje për të disiplinuar ose përmbajtur klimën kritike ndaj tij.

Mirëpo, kjo dalje e politikanit Rama me një paketë mediatike të vetën, që shkon nga mesazhet e shkurtra në tëitter, tek shkëmbimet e natyrës dialoguese në blog, e deri tek rrëfimet e gjata monologuese në një libër, përmban edhe rreziqet e preokupimet e veta për mjedisin mediatik dhe atë politik në Shqipëri, pa përjashtuar efektet kundërthënëse për vetë Ramën. Duke i vendosur në kontekstin e zhvillimeve shqiptare në lidhje me mediat, politikën dhe së fundi rrugëtimin politik të Edi Ramës, këto taktika dhe korigjime komunikative të një protagonisti të politikës dhe të mediave paraqesin në radhë të parë vështirësi dhe sfida të reja për mediat në Shqipëri.

Është e qartë se Media-Rama nuk përbën thjesht një media më shumë, në shërbim të pluralitetit të zërave mediatikë në këtë vend. Madje, do të ishte qesharake po të shihej thjeshtë nga kjo perspektivë, pasi zëri i tij është ai i pothuajse gjysmës së shqiptarëve dhe dëgjohet ngado lirisht në këtë vend, sipas cilësisë së performancës së tij. Pra, në mos qoftë e tepërt si media, është sëpaku jo domosdoshmëri për demokracinë, fjalën e lirë dhe komunikimin politik në Shqipëri. Një arsye tjetër për ta konsideruar me shqetësim median-Rama është anashkalimi dhe sfida e qëllimshme që u bën mediave tradicionale si shtypit të shkruar dhe televizionit tani që nuk arrin t’i përballojë më ato me optikat e tyre të lira. Gjetja për t’i penetruar gazetat dhe ekranin e vogël në mënyrë indirekte, përmes joshjes virtuale, cicërimave në tëitter dhe fragmenteve nga libri i vet të cilat i përzgjidhte vetë përpara publikimit të tij, është një hile ose taktikë që fillimisht funksion, por që duhet lexuar qartë si një përpjekje për të nxjerrë jashtë loje aparatin përzgjedhës dhe interpretues të vetë mediave, duke marrë vetë rolin e tyre si “gate-keep-ers” si edhe duke përcaktuar vetë axhendën e tyre.

Edhe pse mund të duket e dëshiruar si formë e komunikimit politik nga vetë politikanët, një media virtuale si ajo e Edi Ramës nuk ka asnjë lidhje me pjesën dërrmuese të elektoratit të një subjekti partiak në Shqipëri dhe si e tillë është një ushtrim snobizmi dhe ekstravagance politike. Është gjithashtu një ushtrim personalizimi i skajshëm, që përbën një sfidë të hapur ndaj partisë politike si forum dhe kolektivitet. Është fiks në stilin e yjeve të Hollivudit dhe nuk është çudi që edhe politikanët botërorë që e përdorin më me zell kanë ose statusin e yjeve nacionale ose atë të ekstremistëve politikë, duke filluar që nga Obama të cilit nuk i mungon një ëëë.barackobama.com e deri tek Hugo Chavez me ëëë.chavez.org.ve. Mirëpo, në Shqipëri Rama është ende politikani i vetëm që e merr seriozisht veten si media online, edhe pse brenda opozitës disa politikanë përdorin me një lloj efikasiteti facebook-in si media për të komunikuar mesazhet e tyre. Si e tillë, dalja e politikanit Rama si media krijon pabarazi brenda llojit të vet, ashtu si edhe në raport me kundërshtarët politikë, që duket qartë se i ka lënë pak mbrapa në përdorimin më të ri teknologjik. Efekti më afatgjatë i medias Rama do të jetë sigurisht edhe përfshirja e politikanëve të tjerë në garën virtuale me “tëitter” e blogje, gjë që nuk mund të themi se do ta bëjë politikën më të mirë, në mos e bëftë më të keqe.

 

5 Përgjigjet për "Rasti i ngritjes mediatike të Edi Ramës"

  1. ermal  16/08/2012 në 6:16 pm

    Eshte mbase e vetmja analize persembari (se paku nga ato cfare kam lexuar une) e politikanit populist Edi Rama. Znj.Budini i eshte referuar ne analizen e saj mardhenjeve te tij me mediat, pa u futur ne analizen e plote te figures se tij intelektuale,politike e morale.
    Nuk dua edhe une te futem ne gjykimin e vlerave apo antivlerave qe i ka sjell ai politikes shqiptare. Tanime Rama nuk eshte me djali rebel i bllokut i fillim viteve 90-te. Ai eshte tashme nje protagonist me peshe ne politiken shqiptare e ruga e karrieres se tij eshte e njohur, qe nga emrimi i tij befasishem si minister i kultures, e deri ne portretin e tij si lider opozite e edi-torialisti.
    Ajo qe e kalon disi me marifet heshturazi znj.Budini, eshte fakti i mardhenjeve te tij si kryetar i bashkise se kryeqytetit, me boset e firmave te ndertimit, qe ne te njejten kohe u bene edhe pronaret e mediave me te fuqishme shqiptare.
    Ne mendimin tim “suksesi” i mediatizimit te figures se tij, e ka celesin pikerisht ne keto mardhenje, per te cilat nuk mund te perjashtohet dyshimi se jane mardhenje interesi.
    Ndonese mediat e lidhur me Ramen, vazhdojne ta konsiderojne ate si editorin e tyre, pasi humbi postin e kryebashkiakut, ai u kujtua se kete pune mund ta bente e ta perforconte edhe me faqet sociale te internetit. Per paradoks, kundershtaret e tij politike ne pushtet, kane bere vitet e fundit nje pune te mire ne perhapjen e internetit ne Shqiperi, e nese ju besojme disa te dhenave qe i nxjerin socialistet si parexhijte me te medhej te shoqerise shqiptare, interneti po shfytezohet prej Rames, pikerisht per te goditur ata qe punuan per ta perhapur ate.Shtojme ketu edhe mundesine e ritur te komunisteve apo socialisteve emigrante per te sulmuar ne bloget e mediave shqiptare me militantizem agresiv, kundershtaret e tij politike.

  2. klodi  16/08/2012 në 8:25 pm

    Mesa e kuptoj mesazhi i “analistes” eshte: Rama twitteri eshte haram :)

  3. sinan hibro  17/08/2012 në 8:09 am

    Nje shkrim krejtesisht ne stilin BB ( big brother ) jo B.Budini … kendveshtrime dhe fraza sugjestive per anen mediatike te nje figure publike , ciladoqofte ajo, qe nuk ka asgje te keqe edhe sikur vertete ta krijoj vete kjo figure publike.Ne fund te fundit ana mediatike , sidomos kur realizohet me metoda bashkekohore , nuk ka asgje negative per cdo figure publike. Kushdo edhe une dua te jem ne qender te medias por nuk me njeh njeri. Edhe vete B.Budini qe si gazetare ka zgjedhur per te disaten here te merret me anen mediatike te E. Rames , ka bere nje zgjedhje te saj, qe mbetet mund te thuash ” origjinale “. Cka me stonon mua eshte pse B.B. kendveshtrimin e saj nuk e shtrin edhe te ana mediatike e S. Berishes, gjithnje ne se do t’i qendroj temes se anes mediatike te nje figure publike … Per mua apo dhe per gazetare te tjere aspekti mediatik i Berishes ngjan me ate te Musolinit, Hitlerit,Mao Ce Dunit etj…Po ti gazetare Budini cfare mendimi ke ? Vetem mbledhjet e qeverise te shohesh dhe ke material per nje rubrike te pakten njemujore per anen mediatike te Berishes …

  4. hapur  17/08/2012 në 9:50 am

    Analize e plote dhe realiste ndonese nuk preken cilat jane ato media qe e sponzorizojne Ramen,perse jane kaq agresive dhe jashte realitetit ne komentet e tyre.Merr me rradhe Vizion Plus jane pronaret ndertues me te medhenj ne Shqiperi qe per bashkepronar kane edhe djalin e Valentina Leskaj,Top Chanel u ngrit vetem kur Tani i topit u shtri ne rrugen e ndertimeve,KoHA TV e njejta gje,Gazeta Shekulli dhe TV1 kane per pronar Kokedhimen ndertues tjeter i madh pallatesh dhe rrugesh ne Tirone e deri tek gazetaret e nivelit Muci qe i kane apartament falas per sherbimin qe bejne.Keto dhe shume te tjera tregojne qe media eshte kthyer ne nje biznes fitimprures duke luajtur me besimin e njerezve.,

  5. East sussex boy  17/08/2012 në 11:46 am

    Problemi eshte cfare Na ka afruar neve si shqiptare keto vitet e tij si kryetari I opozites atehere shikohet ulja dhe ngritja e tij sa per mediat qe I bejne ngritje no comment

Komentet janë mbyllur