Eno Milkani: Të njohim Ballkanin përmes filmit dhe kulinarisë

Janë disa festivale filmash në Shqipëri që pak nga pak ndërkombëtarizohen edicion pas edicioni me ambicien për të hyrë në rrjetin e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare që zhvillohen kudo në botë. Por përtej kësaj, krijuesve, regjisorëve, kritikëve dhe publikut shqiptar përmes këtyre festivaleve u jepet mundësia të njihen me prodhimet më të fundit të kinemasë botërore. Tek-tuk në to gjen një qoshe edhe kinemaja ballkanike ose më saktë ajo pjesë e kinematografisë ballkanase që arrin me sukses të dalë jashtë kufijve të saj. Në Pogradec zhvillohet i vetmi Festival Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë (Balkan Film Food Festival), ideuar nga organizatorët Eno Milkani, Fatos Baxhaku dhe Gerta Qurku, si takim i filmit dhe kulinarisë ballkanase. Nesër nis edicioni i dytë i këtij festivali, që përveç shfaqjes së 50 filmave publiku do të ketë mundësinë të shijojë edhe gatimet tradicionale të vendeve pjesëmarrëse. “Mendoj se kjo është mënyra më e mirë që ne të njohim njëri-tjetrin”,- thotë me bindje regjisori Eno Milkani. Në zyrën e tij diku pranë Bllokut ai po merret me përgatitjet e fundit. Sapo ka përfunduar posterin, programin e filmave që do të shfaqen dhe po freskon faqen online të festivalit me logot e sponsorëve, ku mes tyre është dhe Universiteti Europian i Tiranës. Dy bashkëpunëtorët e tjerë gazetari, Fatos Baxhaku dhe Gerta Qurku ndodhen në Pogradec, duke i dhënë dorën e fundit detajeve teknike të festivalit. “Të marrësh iniciativën për të organizuar një festival filmi nuk është e lehtë. Megjithatë, ne jemi të bindur në vazhdimësinë e kësaj tradite”, – thotë i riu Milkani. Nga përvoja e edicionit të kaluar, Eno Milkanit i është qartësuar bindja se ballkanasit e njohin shumë pak njëri-tjetrin. Sipas tij, njohja që ne kemi për fqinjët tanë është ajo që na ofrojnë kronikat e lajmeve, ndërkohë që filmat që shfaqen në Festivalin Ballkanik të filmit na japin një panoramë krejt tjetër.

Trendi në Shqipëri janë festivalet ndërkombëtare, ndërsa ju dilni disi jashtë kësaj skematike duke u përqendruar tek Ballkani. Përse kjo zgjedhje?

Është e vërtetë që në Shqipëri organizohen shumë festivale filmi ndërkombëtar, ku shfaqen filma që nga Europa, Amerika, Azia, etj., etj. Po kështu televizionet preferojnë të shfaqin filma amerikanë e tek-tuk ngre kokën ndonjë film italian apo francez. Publikut i ofrohet të njohë kinemanë e vendeve disi larg nesh. Ndërkohë nuk kemi asnjë festival për kinematografinë ballkanike. Në këtë kontekst menduam, pse mos t’i ofrojmë publikut shqiptar të njohë edhe kinemanë ballkanike. Të dijë se çfarë filmash prodhon Serbia, Maqedonia, Mali i Zi etj. Në dy vjet që organizojmë këtë festival na rezulton se Mali i Zi, p.sh, e ka shumë të vështirë të ketë kinematografi, madje atje s’ka as Qendër Kombëtare për prodhimin e filmit. Në kinemanë boshnjake vihet re problemi i etnive që evidentohet që nga tregjuhëshi. Në Bosnje-Hercegovinë ka emisione televizive që i bëjnë me tre prezantues; mysliman, serb dhe boshnjak, që të ruajnë atë barazinë e brishtë të pasluftës. Por pavarësisht këtyre vështirësive, si në Bosnjë edhe në Malin e Zi prodhohen filma që financohen nga ministria me buxhete shumë të vogla, ose nga individë që realizojnë bashkëprodhime me serbët. Mendoj se ballkanasit kanë nevojë ta njohin njëri-tjetrin. Filmi është një mënyrë shumë e mirë. Europa por dhe ne ballkanasit e njohin njëri- tjetrin përmes kronikave të lajmeve. Mendojmë se problemi më i madh i Ballkanit janë konfliktet me baze etnie. Por në netët e Festivalit të Filmit Ballkanik do të shikojmë dhe kuptojmë që edhe vetë maqedonasit kanë probleme njëri me tjetrin, ashtu si dhe serbët mes tyre. Do të shohim sesiSerbiapo mundohet të mjekojë plagët e gjithë asaj lufte që u ngrit mbi bazat e nacionalizmit si ideologji. Sesi populli serb po mundohet të luftojë brenda vetes nacionalizmin që i fryn urrejtjes midis popujve, një ideologji që ata po e kuptojnë dalëngadalë se më shumë i ka shkatërruar.

Dhe ju mendoni se një festival filmi do të mund të bëjë atë që s’e ka bërë dot politika?

Sigurisht, sepse jam shumë i bindur që me filmat që do të shfaqen njerëzit do të kuptojnë se qoftë Serbia, qoftë Maqedonia, nuk janë ato kronikat e lajmeve që ne shohim në televizor, ku gjithmonë si burim konflikti dhe tensionimi shihen popujt e etnive të ndryshme. Vetëm duke i trajtuar problemet përmes filmit do të mund të kuptohet mentaliteti i popujve të Ballkanit dhe pasojat që sjellin konfliktet mes nesh. Do të kuptojmë se gjërat që na bashkojnë janë shumë më shumë se ato që na ndajnë. Kjo duket që në prodhimtarinë e filmave, që janë tema të ngjashme.

E keni emërtuar “Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë”, a mund të quhet i tillë për sa i përket pjesëmarrjes?

Gjatë netëve të Festivalit do të shfaqen 50 filma nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Rumani, Bullgaria dhe Turqia. Janë prodhime të tri viteve të fundit dhe tematika që ata trajtojnë janë të ndryshme. Disa prej filmave trajtojnë problemet e luftës në ish-Jugosllavi. Filmat serbë kanë në fokus problemet sociale që po kalon sot ky vend, si papunësia, korrupsioni etj. Kroacia gjithashtu vjen me një triller politik dhe me një film, skenari i të cilit bazohet në një libër për fëmijë “Koko dhe fantazmat”. Ky është filmi që ka sjellë më shumë të ardhura në Kroaci. Nga Shqipëria janë filma me metrazh të shkurtër, kryesisht diploma të studentëve të Akademisë. Një vend të rëndësishëm zë dhe dokumentari me metrazh të gjatë. Rumania vjen me dy të tillë. Shqipëria, gjithashtu. Duke qenë se jemi në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, do të shfaqet filmi dokumentar i Mevlan Shanajt, “Shkronjat e Pavarësisë” etj. Gjithsej do të shfaqen 8 filma shqiptarë dhe  rreth 42 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit. Filmat janë me metrazh të shkurtër, që zgjasin një minutë deri te filmat me metrazh të gjatë, që zgjasin100-104 minuta. Filmat që do të shfaqen janë të ndarë sipas dy kategorive: artistik dhe dokumentar. Dita e parë hapet me një “sallatë ballkanike”, siç e quaj unë, me filma shqiptarë, kroatë, bullgarë, rumunë, serbë dhe maqedonas. Pas çdo shfaqjeje filmi do të shtrohet dhe dreka me gatime tradicionale të vendeve pjesëmarrëse.

Në fakt çudit paksa një festival filmi, të cilit i bashkëngjitet dhe ai i kulinarisë?

Kjo në fakt nuk është ide e shpikur prej nesh. Është një format që organizohet në vende të ndryshme si në Rusi, Rumani etj. Ky format i afron shumë njerëzit njëri me tjetrin dhe diferencat mes popujve zhduken. Në momentin që njerëzit hanë bukë me njëri-tjetrin, humbasin dhe ato barrierat etnike. Ky festival është një tryezë ballkanike që bën të mundur atë që rrallë ndodh, të takohemi me fqinjët tanë. Është një shkëmbim mes gjithë pjesëmarrësve dhe ata që përfitojnë më shumë janë anëtarët e jurisë, të cilët më pas transmetojnë atë që shohin. Nuk ka qenë e rastësishme edhe përzgjedhja e jurisë ndërkombëtare me personalitete si drejtori i fotografisë, Daniele Baldaçi, gazetarja Anne Poulsen, drejtori artistik i “Cinequest FilmFestival”, Charlie Cockey, drejtuesi i GIZ Artin Marschke dhe gazetari i “La Gazzetta del Mezzogiorno”, Mimmo Sammartino. Pra siç e shihni, asnjë nuk vjen nga Ballkani. Kjo është bërë për arsye që dhe Europa të na njohë më mirë dhe gjykimi për filmat të jetë sa më objektiv.

Po keni dhe një juri kombëtare. Po misioni i saj cili është?

Është dhe një juri vendase me president nderi Bujar Kapexhiun dhe anëtarë, regjisorin Tomi Mato, skulptorin Sofokli Koçi, piktorin Anastas Kostandini, gazetarin Ilir Shyta dhe poetin Dhimitër Pojanaku. Kjo juri është ngritur si nderim për qytetin që mirëpret këtë aktivitet, Pogradecin, për t’i bërë qytetarët pjesë të këtij festivali. Është shumë e rëndësishme që dhe ata të përfshihen në emocionet që fal një festival filmi. Përveç kësaj, sigurisht që juria do të japë dhe gjykimin e saj për filmat.

Po përse Pogradeci, apo Tirana dhe Durrësi e kanë tashmë Festivalin e tyre të Filmit?

Nuk ka qenë e rastësishme zgjedhja. Arsyeja kryesore nuk është se Pogradeci është një qytet piktoresk. Pogradeci ka qenë një qendër e shkëmbimeve tregtare mes vendeve të Ballkanit. Për më tepër, organizimi i një festivali të tillë në Pogradec ka më shumë impakt tek njerëzit sesa po të zhvillohej në Tiranën metropol, ku jeta kaotike dhe e shpejtë shpesh e zbeh ndjeshmërinë që mund të ketë tek njerëzit një festival filmi.

Aida Tuci

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login