Berisha hedh dritë mbi shitjen e Albpetrolit: Ofertat janë serioze

Kryeministri tha dje se pas hapjes së ofertave pak ditë më parë për kompaninë shtetërore të naftës, komisioni dhe kompania konsulente po shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin, ndërsa të dhënat e para flasin për një rezultat pozitiv. Rama si Caves, nuk do amerikanët

Duket se qeveria do të pranojë një nga ofertat që janë paraqitur për privatizimin e kompanisë “Albpetrol”. Sinjali është dhënë dje nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili në mbledhjen e Grupit parlamentar ka vlerësuar serioze ofertat për blerjen e Albpetrolit. Duke iu përgjigjur akuzave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, të lëshuara një ditë më parë në drejtim të privatizimeve, Berisha tha se pas hapjes së ofertave për kompaninë shtetërore të naftës, komisioni dhe kompania konsulente po shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin, ndërsa të dhënat e para flasin për një rezultat pozitiv. “Këtu nuk ka asgjë bombastike. Në këtë koncesion u ofruan kompani nga më seriozet, të cilat kanë një traditë në naftë e gjetiu, ndër më të fuqishmet. Ato ofruan oferta sigurisht të dallueshme njëra nga tjetra. Ne kemi një konsulent, që në fushën e vet përbën një nga firmat më të fuqishme të botës, i cili po punon non stop për avancimin e procesit”, – sqaroi Kryeministri në lidhje me tenderin e Albpetrolit. Sipas tij, po ecet në përputhje me ligjin e koncesioneve dhe të ofertës. “Natyrisht është një proces kompleks, por për ju dhe për qytetarët shqiptarë, të dhënat paraprake janë qartësisht pozitive. Janë të përfshira në operacion banka nga më seriozet në Europë e në botë. Kjo po ndiqet”, – tha më tej ai. Kryeministri sqaroi se qeveria nuk ka parashikuar të ardhurat e privatizimeve në buxhetin e vitit 2012, duke lënë të kuptohet se për qeverinë nuk përbën shqetësim koha që mund të kërkojë procesi i verifikimit të dokumentacionit. Por ndërkohë, dita e djeshme ka shënuar replikat e para elektorale për çështjet e programit ekonomik. “Zoti kryetar i opozitës ka filluar fushatën elektorale, për çka e përgëzoj dhe uroj që mos t’i avullojë benzina rrugës. Por e ftoj gjithashtu që në këtë fushatë të lërë mënjanë fabrikën e trillimit që ai i thotë ‘fabrika e mendimit’, të cilën në rrafshin ekonomik e udhëheq Shkëlqim Cani, por në hije është Cac Angjeli (Anastas Angjeli)”, – tha Berisha për tezën që Rama ka për korrupsionin. “Në këto 100 vite duhet të jemi të qartë se përfshihen edhe 11 vitet e pushtetit socialist, qendror e lokal dhe sipas Bankës Botërore dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare, në këto vite në Shqipëri u vendos sistemi i korrupsionit. Kur ne erdhëm në pushtet, Shqipëria renditej në 24 vendet më të korruptuara të planetit. Ndërsa sot ajo ka lënë pas 95 vende, ka marrë çmime ndërkombëtare për transparencën e prokurimeve”, – tha Kryeministri në përgjigje të akuzave ndaj Ramës. Berisha e cilësoi gjithashtu programin ekonomik të PS-së fund e krye antiprivatizim. “Shprehej gëzim i madh se nuk u shitën hidrocentralet në 13 shtator, për të cilat unë njoftoj se do të ketë një tender të dytë, në 25 nëntor. Shprehej tërbim i madh për ofertën e Albpetrolit dhe privatizimin e tij, si dhe deklarata unike e tyre ku thuhej: ‘Nuk ka vend që shet të drejtën e shfrytëzimit”, – shpreh Kryeministri, ndërsa iu përgjigj z. Rama se ekonomia nuk po përballet me  rrënimin. “E dini çfarë i tha Shkëlqim Canit? Me këto që më thua ti, më mirë të mos vij në pushtet, se do ta pësoj si Papandreu. Tablo sinoptike me gjyzlykë të zinj…. Ai thotë se ka rënë fuqia blerëse, ndërsa autoriteti tatimor informon se mbi bazën e deklaratave të biznesmenëve, shitjet janë rritur 25.6 për qind dhe nuk mund të ketë gjë më të saktë”. Kryeministri e akuzoi kryetarin e PS se ka dështuar me të gjitha programet e tij për ekonominë. “Kur në vitin 2005 me aktin e parë që bëmë, ne përgjysmuam taksën e biznesit të vogël nga 3.5 për qind e xhiros e ulëm në 1.5 për qind, Edi Rama paditi në të gjithë botën se iu boshatis buxheti i Bashkisë. Tani shkon dhe iu thotë tregtarëve se do t’ua heqë fare taksat, ose do të paguajnë më pak”, – tha Kryeministri para deputetëve. “Zoti Rama mendon se me populizma do të mund të ndërtojë alternativën. Por gjëja më kulmore e kësaj fushate ishte takimi i tij me ‘Ferlutin’. Shkoi për të ilustruar politikën e tij tatimore në klubin e miliarderëve të Partisë Socialiste. Ai tha se kryetari i PS-së premtoi rritjen e doganës për makinat e vjetra, me qëllim rritjen e shitjes së makinave të reja për të ndihmuar ‘Ferlutin’”. Kryeministri ironizoi ndërkaq premtimet e Ramës për fshatin. “Kur erdhëm në pushtet, nga kontrollet e bëra doli se në mënyrë absolute, 90 për qind e tollonave kishin mbetur në xhep. E gjithë nafta kishte avulluar në xhepat e partisë”, – shtoi Kryeministri. Gjithashtu ai kundërshtoi se shifrat e dhëna nga INSTAT-i janë të manipuluara, pasi sipas Kryeministrit, ato monitorohen nga FMN-ja dhe Eurostat.

 

Berisha – Ramës

 

Anti-korrupsioni

Rama nuk ka tezë antikorrupsionin. Kur ne erdhëm në pushtet, Shqipëria renditej në 24 vendet më të korruptuara të planetit. Ndërsa sot ajo ka lënë pas 95 vende, ka marrë çmime ndërkombëtare për transparencën e prokurimeve

Privatizimi

Programi ekonomik i PS është anti-privatizim. Shprehu tërbim të madh për ofertën e Albpetrolit dhe privatizimin e tij, si dhe deklarata unike e tyre ku thuhej: ‘Nuk ka vend që shet të drejtën e shfrytëzimit’. Por, a mund të na thonë ata se çfarë është koncesioni? Është shitje e të drejtës për një periudhë të caktuar. Këtë po bëjmë edhe ne. Po e shesim për një periudhë 20 a 25-vjeçare. Në qoftë se ka një rrugë për t’u mbrojtur nga kriza, ajo është privatizimi i ekonomisë, sepse privatizimi i ekonomisë rrit eficiencën e menaxhimit dhe rrit konkurrueshmërinë. Po zoti Rama, po të them se ka një njeri që nuk e shet këtë të drejtë dhe ky është diktatori Hugo Çaves. Ai po bën çdo gjë për të përzënë kompanitë amerikane dhe askush tjetër.

Biznesi i vogël

Rama kundërshtoi uljen e taksës për biznesin e vogël më 2005-ën. Kur në vitin 2005, me aktin e parë që bëmë ne përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, nga 3.5 për qind e xhiros e ulëm në 1.5 për qind, Edi Rama paditi në të gjithë botën se iu boshatis buxheti i Bashkisë. Bëri gjithçka, 2-3-fishoi taksat e Bashkisë dhe këtë e di çdo biznesmen

 

 

Taksa e makinave

 

Rama për të favorizuar kompaninë “Ferlut”, tha se do të rrisë doganat për makinat e përdorura.

 

 

INSTAT

Për të, sërish fajin e ka INSTAT-i. Zotëri, duhet të informohesh se INSTAT-i është një institucion, i cili funksionon në një partneritet të ngushë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe EUROSTAT-in, dhe për dijeninë e tij dhe të të gjithëve, nuk ka të dhëna që ky institucion nuk ua dërgon institucioneve ndërkombëtare kur ato e kërkojnë.

 

 

 

Rama-Berishës

 

Reagimi

Reagimi i sotëm i KM ndaj opozitës mbi ekonominë, ndihmon për të kuptuar se Saliu jeton jashtë realitetit të ekonomisë shqiptare…

 

Albpetroli

KM pyet: Ku eksplorojnë gjigantët e naftës? Duhet të pyesë, kush është pronar i tyre dhe pse s’erdhën në tenderin për Albpetrolin?

 

Korrupsioni

KM përgjegjës për taksat e larta, përfshirë taksën e korrupsionit e për rënien e fuqisë blerëse! Politika e tij po e falimenton ekonominë.

 

Taksat

Ne do të ulim taksat për 95% të shqiptarëve dhe do heqim taksën e korrupsionit për biznesin. Do të çlirojmë konkurrencën dhe rrisim punësimin.

Sulmet

Sulmet ndaj opozitës nuk ulin taksat, nuk rrisin fuqinë blerëse, nuk ulin papunësinë. Ato tregojnë shterimin e argumenteve të KM në ikje!

 

 

 

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur