Sejfulla Malëshova dhe Rrethi i Dytë i nomenklaturës komuniste

Shumë herë më vonë, gjatë pjekjes time si koshiencë dhe të vetëdijes time mbi kulturën historike e kam menduar atë kohë, e cila ziente për të krijuar patjetër një ndryshim cilësor në raport me cilësinë e jetës, materialisht dhe shpirtërisht. Prandaj gjithmonë e kam kujtuar atë Rreth të Dytë të nomenklaturës komuniste shqiptare që ishte në beh atëkohë për të parë ndryshim, dhe ndonëse isha ende pa mbushur dhjetë vjeç e kuptoja, nga gjestet, nga fjalët dhe nga mënyra e sjelljes se këto rrethe ishin kundër Enver Hoxhës dhe frymës së Byrosë Politike që drejtohej prej tij. Isha i bindur se këtë e dinin dhe të gjithë të tjerët. Pastaj duke qenë se shumica e këtij Rrethi të Dytë ishin intelektualë që i kishin njohur të dyja sistemet, tani jam shumë i qartë kur them se ata, thellë- thellë, e ndienin se sistemi komunist nuk kishte të ardhme. I pari kishte qenë Sejfulla Malëshova, i cili duke qenë në rangjet shumë të larta të regjimit kishte ngulmuar që politika e pasluftës të ishte e barabartë ndaj aleatëve, edhe anglo-amerikanëve, edhe sovjetikëve. Por nuk ia kishte arritur dot. Në të vërtetë ai kishte jetuar shumë vjet në Moskë, madje kishte dhënë atje edhe leksione në Shkollën e Partisë “V.I Lenin”, por miqve të tij të afërt u fliste me rezerva për Bashkimin Sovjetik. Ishte njohës i thellë i rusishtes dhe i disa gjuhëve perëndimore, por gjithashtu, dhe përkthyesi më i mirë i Maksim Gorkit, paçka se të dy përkthimet e tij, edhe Zgalemi, edhe Kënga e skifterit, nga arritjet më të medha të përkthimeve në gjuhën shqipe, mbetën gjithonë anonime pas eliminimit të tij si armik i Partisë dhe i popullit. Ishte gjithashtu edhe përkthyesi i tekstit të Internacionales, këngë kjo që gjithmonë në kohën e komunizmit është kënduar në Shqipëri më tepër se Himni i Flamurit. Sejfulla Malëshova, pa dyshim ka qenë njeriu më i ditur në lëvizjen komuniste shqiptare, dhe nga veprimtaria e tij kuptohet se ai i ka ditur dështimet e sistemit socialist që drejtonte Moska. Që në fillim nuk ka qenë për shtetëzimet duke dashur një ekonomi që tentonte më shumë nga tregu i lirë sesa nga centralizimi. Fjalimi i tij në themelimin e Bankës së Shqipërisë në vitin 1946, e vërteton këtë. Ai me një tekst plotë theks komercial të një ekonomie tregu u drejtohej industrialistëve: “Industrialë, kjo është banka juaj që do t’ju pasurojë ju dhe shoqërinë”, një gjë e rrallë kjo për një komunist. Prandaj ai kishte qenë i pari, i cili donte që politika e re shqiptare të udhëtonte midis dy sistemeve. Por ishte e pamundur. Enver Hoxha nuk njihte rrugë tjetër veç asaj që ndoqi sepse koha e vërtetoi që vetëm dogmatizmi i shëmtuar i doktrinës mund ta bënte atë një satrap. Hoxha ishte në fakt një mediokër që nuk dinte asgjë, një aventurier që iu qep Partisë Komuniste Shqiptare, sepse e dinte se nuk mund të kishte rrugë jetër për pushtet. Ai ishte një mashtrues gjithashtu që nuk e pati të vështirë të gënjente Koço Tashkon e ndonjë tjetër përreth tij, por sidomos dy jugosllavët që u caktuan për të themeluar Partinë Komuniste në Shqipëri. Dhe ky i dridhej Sejfulla Malëshovës. “Që nga themelimi e derisa erdhi Sejfullai në Shqipëri,” thoshte Kiço Ngjela, “ne e prisnim si shpëtimtar, të gjithë, por sidomos Ymer Dëshnica, që e kishte njohur nga pranë. Por Enver Hoxha e kishte tmerr tek e dëgjonte se të gjithë po prisnin atë…”  Dhe Kiçoja e kishte njohur shumë mirë Malëshovën ashtu si edhe Enver Hoxhën, dhe disa herë më ka përsëritur se që të dyja rastet e mundshme të drejtimit të Partisë nga intelektualë të niveleve të larta na u shuan, edhe Qemal Stafa, edhe Sejfulla Malëshova”. “Shpejt e mora vesh – më tha ai më vonë – “se kjo jona do të ishte  një betejë e humbur sepse e ndieva që Enver Hoxha nuk mund të drejtonte shoqërinë për në prosperitet”. Kishte komplekse dhe konflikte të brendshme,” më thoshte shpesh tek bisedonim pas burgosjes së tij, por edhe Shemsi Totozanit më ka theksuar se Enver Hoxha ishte një hakmarrës patologjik që ta ruante dhe dhjetë vjet mllefin për një kundërshtim të vogël.

Është normë e vërtetuar tani se mediokriteti dhe paaftësia e gjejnë strehën e vet  më të sigurt tek dogmatizmi i një doktrine apo tek egërsia e një morali shterpë, madje edhe në gjirin e një religjioni të vjetër. Kështu veproi mesjeta e errët europiane, po kësisoj veproi edhe Stalini, edhe Hitleri, e pra, çfarë mund të thuhet pastaj për një figurë periferike të një vendi të vogël e të prapambetur siç ishte Shqipëria, që sigurisht e ka pasur shumë më të lehtë për ta përmbushur këtë. Dhe Enver Hoxha ishte i palodhur në këtë rrugë, vrasës gjakftohtë dhe i pamposhtur. Nga të dhënat indirekte që kemi, ai është autori kryesor i eliminimit të Sejfulla Malëshovës, por për të arritur këtë ai pati edhe shtysën por edhe ndihmën e jugosllavëve. Eliminimi i Sejfulla Malëshovës i la pa një lider të gjithë intelektualët e lartë që militonin në Partinë Komunistë Shqiptare dhe prandaj, kur erdhi koha e paskongresit të XX dhe e fjalimit sekret të Hrushovit në këtë Kongres, Rrethi i Dytë nuk pati mundësi të triumfonte. Politika shqiptare e mesit të viteve ‘50 kishte ngrirë midis dy rrethesh me bindje dhe interesa të ndryshme, të cilat militonin brenda Partisë së Punës. Do të vinte një ditë që këto rrethe do të përplaseshin, sepse, edhe në rast se nuk do të kishte ndodhur fenomeni Hrushov në Bashkimin Sovjetik dhe sovjetikët do të vijonin ta përkrahnin Hoxhën pa mëdyshje, konflikti midis Hoxhës dhe Rrethit të Dytë të nomenklaturës do të ndodhte sërish. Në këtë rast, konflikti midis Rrethit të Dytë dhe Enver Hoxhës do të kishte qenë i barazvlefshëm edhe me sovjetikët, dhe, prandaj, do të ndodhte patjetër që në Shqipëri do të kishim një përplasje midis forcave komuniste liberale shqiptare dhe konseravorizmit stalinian sovjetik. Njëlloj si në Pragë, në Budapest apo në Varshavë sepse ai Rreth i Dytë, ndonëse ishte komunist i gjithi e kishte shumicën e individëve të arsimuar nëpër shkolla perëndimore dhe e kishin të njohur kriticizmin perëndimor kundër Stalinit dhe Bashkimit Sovjetik. Natyrisht që këta, si komunistë, nuk e kishin pranuar, por më pas, tek po u binte në shpinën e tyre nga Partia që vetë kishin krijuar, patjetër që të gjitha ato që kishin dëgjuar në Perëndim, po i rivlerësonin nën një optikë konkrete. Kjo është arsyeja që Rrethi i Dytë dhe të gjitha forcat liberale në Partinë e Punës e pritën me entuziazëm Kongresin e XX.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

7 Responses to "Sejfulla Malëshova dhe Rrethi i Dytë i nomenklaturës komuniste"

  1. agimi  22/09/2012 at 12:08 pm

    Nje njoftim per kete llafazan komunist,njoftim qe hyn ne GINES:Ky qe dhete vjec e KUPTONTE politiken DHE PAKENAQESITE ndah SHOKUT ENVER.MOS RREJ kaq mor minikomunist!!!!!

  2. kelmendasi  22/09/2012 at 6:35 pm

    Kujtimet e atehershme me mendimet e te sotmes.Cfare mashtrimi

  3. Nikonestea  22/09/2012 at 9:12 pm

    Nuk na thua se sa me vend ishin mendimet e S.Maleshoves atehere….kur sot e kemi marre vesh te gjithe se cfare roli luajne dhe si komandojne sot boten….kjo ishte largepamesia…..shume mire te kane komentuar dhe agimi,dhe kelmendasi…..nuk kemi me nevoje per tabore edhe ne e dime historine edhe pa banuar ne bllok…….

  4. Kastraveci Alpin  24/09/2012 at 3:43 am

    Nese neveria do donte dhe nje emer tjeter me Spartak Ngjela do e plotesoje.TUNG AL.

  5. DARDHARI  25/09/2012 at 10:43 pm

    More spartak ti qe 10 vjec e kuptove qe enveri ishte stalinist por yteate qe ishte 40 pse nuk e kuptoj dhe te sakrifikonte veten ashtu si po ben ti sot ose si beri ekonomisti yne i famshem qe solli cekun e bardhe dhe shkateroj ekonomine por per vete e la trashegim universitetin,nuk veni te gjithe ne djall dhe turp te kini e gjithe fara e juaj.

  6. Gjonmazo  27/09/2012 at 3:55 am

    Shërbëtor i KOMINTERN-it…

  7. Gjonmazo  27/09/2012 at 3:57 am

    E kam fjalën për Ngjelën, jo për atdhetarin Malëshova

You must be logged in to post a comment Login