Pak vende në degët elitare, kuotat e lira sipas universiteteve

Në universitetet publike të vendit kanë mbetur pak vende të lira në degët e cilësuara si elitare, për shkak se janë edhe më të kërkuarat nga të rinjtë. Sipas të dhënave të raportuara nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) pas mbylljes së regjistrimeve paraprake, për degët si mjekësia, stomatologjia, ekonomiku dhe juridiku ka shumë pak kuota vakante. Aktualisht, specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë filluar përllogaritjen për listën përfundimtare, ndërkohë që bëjnë me dije edhe shifrat e kuotave bosh për universitete të ndryshme, duke marrë si pikë referimi regjistrimin paraprak të të rinjve. Në krye të listës për vendet bosh qëndron Universiteti i Gjirokastrës, ndërkohë që pas tij renditen Korça dhe Tirana. Kështu, në Universitetin e Gjirokastrës që këtë vit duket se rrezikon seriozisht të mbetet pa studentë, kanë mbetur rreth 60 për qind e kuotave ose rreth 1206 vende bosh. Një numër i konsiderueshëm vendesh të lira janë edhe në Universitetin e Korçës, në të cilin duhet të pranohen edhe 776 studentë të tjerë. Në Universitetin e Tiranës që ka edhe numrin më të lartë të pranimeve kanë rezultuar rreth 379 kuota të lira, që më së shumti kanë të bëjnë me filialet e tij në rrethe, gjuhët e huaja si dhe degët e shkencave të natyrës që janë më pak të preferuara për shkak të vështirësisë që kanë. Duket se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me disa degë të Universitetit Politeknik, ku janë rreth 145 kuota bosh dhe për atë të Vlorës 107. Ndërsa në Universitetin e Durrësit ku do të pranohen 2150 studentë të rinj, numri i të regjistruarve ka arritur në 85% të kuotave. “Më shumë kuota ka të mbetura nga universitetet e Gjirokastrës, Korçës, më pak ka Vlora dhe Shkodra, por nga pak ka edhe Universiteti i Tiranës. Nuk pritet të jenë të shumta kuotat bosh në degët elitare, megjithatë ka kuota bosh dhe një nga arsyet është ajo e studentëve fitues që tashmë vazhdojnë studimet jashtë vendit. Me një shifër mesatare të përditshme që është afro 2500 studentë”, – shprehet drejtori i AKP-së, Alfons Harizaj. Me gjithë kuotat vakante, tashmë pritet vendimi i MASH-it për shpërndarjen e tyre, duke marrë në konsideratë edhe propozimet e universiteteve. Në këtë pikë nuk përjashtohet mundësia që kuotat të lëvizin nga programet më pak të kërkuara tek ato më të preferuara, pasi kjo shihet si e vetmja zgjidhje për të plotësuar deri në fund numrin e kuotave të akorduara nga qeveria. Për sa i përket Formularit A3, drejtues të AKP-së bëjnë të ditur se nuk është përcaktuar ende se kush do ta plotësojë, ndërkohë që ai mund të jetë gati rreth datës 15 tetor. “Nga 15 tetori mund të kemi një njoftim për A3 dhe ai do të jetë online”, – sqaron Harizaj. Me mbylljen e regjistrimeve të fazës së parë, në universitetet publike të vendit kanë mbetur rreth 5500 vende të lira, pasi përveç maturantëve që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë janë edhe rreth 3000 të tjerë që nuk e kanë kryer regjistrimin, pasi nuk janë shpallur fitues në degën e preferuar. Sipas afateve të vendosura nga MASH, lista përfundimtare e fituesve do të shpallet më 1 tetor dhe në të do të përfshihen edhe fituesit e rinj të dalë nga postimi i listave.

 

Vendet bosh sipas universiteteve

Universiteti i Tiranës 379

Universiteti Politeknik 145

Universiteti i Durrësit 323

Universiteti i Vlorës 107

Universiteti i Korçës 776

Universiteti i Gjirokastrës 1206

 

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login