visi baner 5

E vërteta do t’ju bëjë të lirë

Ne kemi dëshirë të jemi politically correct  në të gjitha marrëdhëniet tona. Shpesh kjo fsheh një lloj mossinqeriteti në komunikim. Dëshirojmë që tjetri të ndjehet mirë me fjalët tona. Shpesh nuk i themi shumë gjëra që të “mos prishim qejf” prandaj jam përgjithësisht dakord me thelbin e pyetjes. Në debatet publike kjo ndodh për dy arsye. Së pari ne kemi një trashëgimi komuniste e cila na ka bërë thelbësisht mosbesues. Ne nuk kemi besim te tjetri dhe ç’është më e keqja kemi frikë. Sidomos kemi frikë ata që dikur kanë pasur njëlloj statusi në atë kohë. Në shumë fusha si historia p.sh. e ndoshta deri diku edhe letërsia ka shumë pak antikonformistë dhe unë e di se ka një klimë frike ose të paktën konformizmi me “korifenjtë”. Ata nuk preken. E pse? Mosbesimi dhe frika ndaj njëri-tjetrit na bën të heshtim shumë të vërteta apo t’i themi ato ashtu si i pëlqejnë dëgjuesit apo bashkëbiseduesit tanë. Së dyti në Shqipëri mungon kultura e dialogut konstruktiv. Çfarë dua të them me këtë? Ne përgjithësisht priremi të “bindim” tjetrin d.m.th. ta bëjmë të mendojë si duam ne dhe jemi pak ose aspak të gatshëm të pranojmë arsyetimin e tjetrit. Edhe kjo ka një ta kaluar të veten dhe vjen nga mënyra e të menduarit nëpërmjet një lloj dogmatizmi arsyetues. Kur nuk arrijmë të bindim bëhemi të dhunshëm dhe të paedukatë d.m.th. e dënojmë tjetrin. Kjo është tipike komuniste si mënyrë arsyetimi dhe sjelljeje. Na kujton gjyqet që bëheshin nëpër brigada apo këshilla fshatrash e lagjesh, organizata partish që në rast se personi nuk ishte bindur për gabimin e tij duhej të dënohej. Në këto raste nuk bëhej fjalë për vepra penale, por për çështje ideologjike që ne sot mund t’i quajmë çështje të lirisë së mendimit dhe të shprehjes së tij. Ne jemi ende bijtë e një kulture e cila për shumë vite ka lënë gjurmë në mënyrën tonë të të menduarit dhe të të sjellurit e sidomos në debate publike.

Në thelb pra, mua më duket një çështje inkoherence dhe skizofrenie shpirtërore. Ne jetojmë përgjithësisht me dy standarde. Ka gjëra që thuhen në rrethe të ngushta, por nuk artikulohen në publik. Po marr si shembull institucionet fetare si p.sh. Kisha Katolike meqë i përkas asaj. Për të qenë politically correct, Kisha nuk duhet të rreshtohet politikisht d.m.th. me një parti, por ama ajo ka për detyrë që të denoncojë çdo klimë apo rast abuzimi me drejtësinë, varfërinë, korrupsionin qoftë pra kur këta janë raste të veçanta e qoftë kur ngrihen në sistem. Një lloj sjellje e tillë është konstruktive dhe ndihmon në rritjen  e një shoqërie. Në rast se Kisha do të heshtte atëherë nuk është më politically correct, por bashkëpunuese me të keqen.

Shpesh kalimi nga mendimi i vërtetë që më sillet në mendje dhe shprehjes së tij në publik, e sidomos kur ka të bëjë me të drejtat e të tretëve, ka nevojë që të mos mbetet peng i frikës apo konformizmit, por të ndihmohet nga guximi. Kjo gjë në shoqërinë shqiptare mungon thelbësisht: guximi për të vërtetën

Guximi vjen nga shpirtra të lirë të cilët nuk jetojnë në skizofreni dhe sidomos nuk janë të varur. Guximi është një çështje lirie dhe përjashton frikën. Në kohën tonë guximi ka shumë armiq. Dikur kishte ideologjinë dhe burgun, tani ka varësinë ekonomike, hedonismin dhe servilizmin për karrierë. Shumë opinionistë, njerëz të mendimit janë të varur nga “ndërmarrjet” ku punojnë dhe nuk mund të mendojnë ndryshe nga ajo. Mendimi ndryshe dhe i lirë është automatikisht humbje e vendit të punës apo e honorareve. Kjo në fakt ndodh jo vetëm në një botë si e jona, ende shumë problematike në këtë drejtim, por edhe në realitetet më të përparuara edhe pse mënyra është më soft.

Ka edhe një arsye tjetër pse ne jemi konformistë. Ne jetojmë shpesh për fasadë. Opinioni i biografisë së mirë është ende i ngulitur thellë në vetëdijen tonë shqiptare. Të kesh biografinë e pastër deri edhe në shmangien apo eliminimin e tjetrit që rrezikon këtë imazh që ne kemi ndërtuar me vite për shumë shqiptarë kthehet në një qëllim në vetvete. Unë jam një brez në kapërcyell midis komunizmit dhe demokracisë. Kam qenë vetëm 14 vjeç kur ra komunizmi, por unë mbaj mend që ndoshta jam brezi i fundit që kam shkruar një kërkesë për gjimnaz dhe në këtë kërkesë kam shkruar: “vij nga një familje e thjeshtë fshatare me biografi të mirë”.

Kjo ishte ngulitur në nënvetëdijen time. Tani mua dhe shumë të tjerëve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bëjmë një katarsis të marrëdhënies sonë me të vërtetën: ta njohim të vërtetën, pasi kjo e vërtetë do të na bëjë të lirë.

Reklama-Eagle

2 Përgjigjet për "E vërteta do t’ju bëjë të lirë"

  1. Mehmet Metaj  10/09/2012 në 8:06 pm

    • Njeriun e virtytshëm është pak ta shpërblesh si sundimtar të botës, njeriun e lig është pak ta ndëshkosh duke i marrë jetën. (Gjon Muzaka)

  2. Dritan  15/09/2012 në 8:33 am

    E drejte at: “E vërteta do te na bëjë të lirë”.
    Por, por…
    A thua te jete e vertete se “trashëgimia komuniste na ka bërë thelbësisht mosbesues”?!.
    Vetem kjo? Po nga historia e Shqiperise se viteve 1920-1939 sa atentate, komplote, rrezime qeverish, (madje dhe brenda 24 oreve), ministrash, shkrime ne gazeta e revista me baltosje te personazheve ndaj njeri-tjetrit etj. mund te rendisim At.
    Sa ndikojne keto ne katakterin tone thellesisht mosbesues? Sa kane ndikuar keto ne “modelin shqiptar” te komunizmit?

    A thua At se “vetem në Shqipëri mungon kultura e dialogut konstruktiv”?
    Nga pikpamja psikologjike thuhet se ka 2 menyra te te berit dialog.
    Shtrohet nje pyetje ne nje grup njerezish.
    Ne vendet e veriut te Europes perqasja eshte e tille: gjithsecili shpreh mendimin e tij pa marre ne konsiderate se c’thote parafolesi dhe fillon me shprehjen “UNE mendoj…”.
    Ne Jug, ku jemi edhe ne shqiptaret, fillon i pari dhe ai qe pason nuk shpreh mendimin e tij drejperdrejt por thote; “nuk jam dakort me mendimin e parafolesit sepse…”

    At sa i lire mund te jete nje njeri i cili duhet te ushqeje femijet, t’i shkolloje etj. ne kete shoqeri te shqyer ku jetojme? A mos eshte ky nje element qe duhet marre ne konsiderate lidhur me konformizmin tone?

    E verteta do te na beje te lire…

Komentet janë mbyllur