Ermal Merdani Back to Reality (jo show)

Pas kamerave 24-orëshe, bliceve të aparateve, thashethemeve në gazetat rozë dhe momentit të famës, Ermal Merdani, ish-pjesëtari i edicionit të pestë të “Big Brother Albania”, tregon rikthimin në ditët e zakonshme prej studenti. Mes provimeve të vjeshtës dhe përgatitjes për vitin e ri akademik, ai rrëfen jetën larg syve kureshtarë.

Momentet e tij të famës si banor i shtëpisë më të vëzhguar në vend nuk ishin vetëm “15 minuta”. Kanë kaluar muaj, por ai duket se është ende në qendër të vëmendjes mediatike dhe urisë së fansave për të zbuluar më shumë nga jeta e tij private…

E megjithatë, Ermal Merdani duket se i ka lënë pas të gjitha këto për t’u rikthyer në petkat e zakonshme të studentit të Shkencave Politike në Universitetin Europian të Tiranës.

Jo krejt i zakonshëm dhe jo më si më parë, sepse me të hyrë në hollin e universitetit, ai nuk i shpëton dot më -edhe sikur të donte- përshëndetjeve, buzëqeshjeve, syve kureshtarë apo edhe çuçuritjeve. Por  duke lënë mënjanë këto, Ermalit këto ditë shtatori të zhytura mes librave dhe leksioneve dhe vizitave të shpeshta në sallën e sekretarisë për të marrë vesh datat e provimeve të vjeshtës i duken krejt normale, si ato ditët përpara se ai të vendoste t’i hynte një aventure televizive.  Kjo ndoshta sepse me vështrimet rreth vetes ai ishte mësuar edhe më parë.

Jo vetëm si një djalë i pashëm e shtatlartë, por edhe si fituesi i skeptrit të bukurisë shqiptare në konkursin “Miss dhe  Mister Albania”, por pa kureshtinë e tanishme  nga kalimtarët apo qesëndisjet që i bëjnë miqtë duke e thërritur “Vipi” …

“Pas  daljes nga Big-u, shoqëria ime me kolegët e shkollës ka mbetur e njëjta.  Shoqërohem me te njëjtët si më parë, megjithëse më ngacmojnë pak në mënyrë shoqërore, sjellja dhe respekti reciprok ka mbetur i pacenuar”, tregon Ermali.

 

I pacenuar ka mbetur edhe përkushtimi i tij ndaj studimeve, megjithëse muajt brenda shtëpisë së “Big Brother” i kushtuan jo pak, por 8 provime të prapambetura. Me të dalë nga shtëpia, krahas intervistave apo dukjeve me miqtë televizivë nëpër klubet e natës dhe festat që nuk kishin të sosur, Ermali u kthye pa humbur kohë sallave të leksioneve. “Hyra menjëherë në provime. Bëra një përpjekje të madhe, pasi nga 8 provime arrita t’i merrja gjashtë prej tyre dhe dy i lashë për sezonin e vjeshtës”, zbulon ai duke hedhur poshtë hamendësimet e shpeshta se djem dhe vajza si ai, ndërmarrin misionin për të arritur famën në kohë rekord dhe pa spikatur ndonjë talent të veçantë. Ai i kishte mjaft të qarta gjërat që në fillim. I duhej një hapësirë katapultimi drejt famës, të cilën me ta mbërthyer do të përpiqej ta mbante gjatë e që do t’i shërbente për qëllimet  dhe pasionet tij. Një prej tyre, e ndoshta më i rëndësishmi, është politika. Prandaj zgjodhi t’i kushtohej studimeve në Shkenca Politike, prandaj është përfshirë që adoleshent në angazhimet civile dhe është pjesëmarrës aktiv në të gjitha debatet, tryezat e rrumbullakëta e konferencat shkencore që zhvillohen në UET mbi politikën.

“Dëshira ime më e madhe është të jem pjesë e politikës shqiptare në të ardhmen”. Për dy vite ka shërbyer si nënkryetar i Rinisë Aktive dhe Kuvendit Civil – një grupim politik i krijuar nga të rinjtë shqiptarë për zhvillimin e një politike me mentalitet të ri, duke u përshirë në shumë ngjarje me tematikë ndërgjegjësimi e qytetarie, si mbështetja e minatorëve, protestat kundër importit të plehrave, bashkimi i zërit me organizmat të tjerë të shoqërisë civile kundër prishjes së piramidës, fushata kontribuuese në ndihmë të jetimëve. “Të gjitha këto aktivitet i shkojnë për shtat profilit që kam zgjedhur të studioj”, përfundon ai.

E ndërsa mbetet i hapur për propozime apo oferta televizive, siç u ndodh shpesh kolegëve të tij pjesëmarrës në reality show – ku përvojat e ngjashme i hapin rrugën karrierave të suksesshme televizive si edhe për faqet rozë që rezervon shtypi, për momentin përparësitë e tij janë të fokusuara të gjitha te studimet dhe jeta e tij në nëntë muajt e ardhshëm brenda auditorëve do rikthehet të jetë ajo e zakonshmja, më pranë realitetit sesa show-t.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komentet janë mbyllur