visi baner 5

Zbardhen debatet e komisarit me të fortin e Sukthit para ekzekutimit

Tiranë Ditën e fundit të jetës, komisar Adem Tahiraj e nisi me një analizë mbi kriminalitetin. Një mbledhje rutinë në drejtorinë e policisë së Durrësit, e fokusuar në planin e masave, të shpërndarë nga Policia e Shtetit pas hovit të krimit në sezonin e verës. Kolegë të Tahirajt i thanë MAPO-s se në këtë mbledhje analize komisariatit të Shijakut i ishte tërhequr vëmendja për statistikat e vakëta të kontrolleve dhe arrestimeve, ndaj edhe komisari i Shijakut i është shmangur një dreke me kolegët e tij. Është nisur që aty, drejt e në fshatin Katund të Sukthit, një zonë problematike kjo sa i përket grupeve të krimit që veprojnë aty. Në këtë operacion të beftë, shefi i komisariatit, Adem Tahiraj, ka marrë me vete shoferin e tij dhe inspektorin e zonës. Dy makinat “Shevrolet” me logo të policisë kanë zbarkuar në rrugën kryesore të Katundit, ku kanë nisur inspektimet për armë pa leje dhe shkelje të tjera në këtë fshat.

Si nisi konflikti

Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se para bllokimit të makinës së nipit të Ilir Xhakjes, ky postbllok i lëvizshëm policie kishte ndaluar edhe dy makina të tjera me probleme. Ledian Krasnaj i ka dalë përpara shefit të komisariatit aty rreth orës 18.00 të pasdites, me një makinë “Mercedez”, së cilës i mungonte njëra targë. Një burim nga grupi hetimor pohoi se inspektori i zonës i ka bërë shenjë makinës të ndalonte. “Kasnaj është pyetur se pse nuk kishte targë. Kur i janë kërkuar dokumentet, ai ka pohuar se nuk kishte fare”,-thanë një burim i MAPO-s. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky ka qenë edhe momenti kur gjakrat janë ndezur mes palëve. Adoleshenti, nip i të fortit të Sukthit, ka replikuar me punonjësit e policisë se pse po e ndalonin dhe ka lajmëruar përmes telefonin Ilir Xhakjen. Ky i fundit nuk ka vonuar të ndalojë në këmbët e shefit të komisariatit të Shijakut, duke kërkuar shpjegime se pse e kishin ndaluar nipin. Burimet e policisë pohojnë se Ilir Xhakja, i implikuar në disa vrasje në fshatin Katund të Sukthit, kishte njohje personale me inspektorin e zonës që shoqëronte në këtë operacion Adem Tahirajn. Por kjo nuk e ka ndaluar të niste konfliktin, fillimisht me tone të larta e më pas me sharje të ndërsjella. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se sherri ka vazhduar për disa minuta, deri në momentin që Ilir Xhakja ka nxjerrë armën nga makina dhe ka qëlluar për vdekje shefin e komisariatit, Adem Tahiraj.

Kaosi pas krimit

Banorët e zonës e përshkruajnë kaotik momentin pas vrasjes së kryekomisarit të Shijakut. Dhjetëra banorë kanë dalë nga lokalet dhe dyqanet e zonës dhe janë afruar në vendngjarje, ndërsa Ilir Xhakja dhe nipi i tij kanë përfituar nga kjo situatë për t’u larguar që aty. Situata është bërë edhe më e rëndë, për shkak se shoferi i Tahirajt ka pësuar një gjendje të rënduar psikologjike pas krimit. “Iu afrua shefit të tij dhe i binte kokës me duar. Më pas humbi ndjenjat dhe është dashur mbërritja e një infermiereje për ta qetësuar me një injeksion”,-thonë dëshmitarët. Policia ka mbërritur me shumë vonesë në vendin e krimit, ku ishin mbledhur tashmë banorët e Sukthit. Brenda pak minutash, shërbimet e policisë kanë marrë emrin e 38-vjeçarit Ilir Xhakja si autor të krimit dhe janë vënë pas tij. Fillimisht janë shoqëruar në polici tre persona, si dëshmitarë të konfliktit, të cilët kanë zbardhur për hetuesit debatin e ashpër për bllokimin e makinës. I njëjti version është përforcuar edhe nga inspektori i zonës, si dhe është pranuar më pas nga Ilir Xhakja, pas arrestimit të tij. Policia e konsideroi dje të zbardhur vrasjen e oficerit të karrierës, një vrasje gjatë aksionit të kontrollit për armëmbajtje pa leje. Hetimet vazhdojnë, por shumë pikëpyetje ngrihen mbi nivelin e sigurisë në vend, rënien e forcës së uniformës dhe cilësinë e drejtësisë, që japin gjykatat shqiptare.

 

 

Reklama-Eagle

6 Përgjigjet për "Zbardhen debatet e komisarit me të fortin e Sukthit para ekzekutimit"

  1. elih  15/09/2012 në 12:06 pm

    Ju qe shkruani kete reportazh , pse nuk jepni dicka se cfar beri inspektori i zones ne gjith kete ngjarje makaber? Mos valle nuk e ka nxjer fare armen ai nga kllefi?
    Thone se ne USA ne te tilla raste madje policija nuk arrin ti kape kriminele te tille se behet shkembim zjarri dhe …perfundimi eshte vrasja e krimineleve.

  2. Muhameti  15/09/2012 në 3:37 pm

    Nje ngjarje shume e rende, e cila nuk eshte e vetme dhe per fat te keq nuk po nxirren mesime:
    Skuadra e policise duhej te ishte e plote dhe e kompletuar me pajisje dhe armatim.
    Ne komunikim me shtetasit qe kontrollolhen, ne asnje rast nuk duhet te futet eprori, por inspektoret e thjeshte.
    Ne momentin e bllokimit te nipit, nipi nuk duhej lejuar te fliste ne telefon!
    Gjate shkembimit te debatit, skuadra e policise duhej te pozicionohej mire per t’u mbrojtur, por edhe per te reaguar me zjarr.
    Ne momentin e shkrepjes se pistoletes nga krimineli, skuadra e policise duhej te kishte hapur menjehere zjarr me bresheri te panderprere…
    Rezultatet e ketij aksioni do te ishin me humbje te madhe edhe per palen e krimineleve.
    Policia do te kishte fituar besimin e publikut ndersa gjykatave do t’ju hiqej edhe nje moment i arte per pazare me kriminelet ne kurriz te drejtesise.

  3. gjergj  15/09/2012 në 3:45 pm

    eh mor zotni aty eshte usa -une jetoj ne gjermani -kupton i kerkon llogari policise fjaloset kupton therret dajen -gjermanet i thone bazar ne shqip pazar -shteti -qe eshte ligji qe ka bere populli -jemi edhe ne nato vetem ne somali apo dica e tille -se -mjere intelektualet apo drejtusit shqiptare te ndershem -keshtu ben vaki kur punojne ryshfetet edhe jo ai qe e meriton -me vjen keqe mjere shqipnia..

  4. justin  15/09/2012 në 4:26 pm

    Ngushellime familjareve te te ndjerit Adem Tahiraj. .Nderkaq duhet permirsuar regullat e kontrollit ne postblloqe qofshin ato fikse apo te levizshme .Mjafton te shifni nji film te kohes me gjermane dhe te shikoni se si behej kontrolli i kembesoreve apo automjeteve , ku njeri kontrollon dhe tjetri qe nga bunkeri shoqeron me vemendje dhe gishtin ke mitralozi . Pas kesaj le te nxjerrin kriminelet armen po tja mbaje se behen shoshe dhe nuk do i njohe me as nena e vet

  5. gjon  16/09/2012 në 9:19 am

    Me vjen keq ta them ne ket rast por dihet hapur se ne Shqiperi qe ligji asht si puna e gjyshes qe jep keshilla por askush nuk e degjon.
    Mua personalisht kur ndodhem ne Shqiperi me ka ndodhur te me ndalojne policia per drita ose per rryp sigurie e me kane marre paret pa p.verbal.
    Para dy javesh shkova ne komisariat per te ba denoncimin se polici nuk me dha verbalin duke me thane se targavet e huaja nukj mund te ju jepet – dhe a e dini çfare ndodhi.??????
    Meqe ishte e diell pas 10 minutash me len takim shefi i polcisie rrugore ne nje kafe te qytetit per te sqaruar problemin.
    Nuk shkova
    Te nesermen u nisa per jashte vendit.

  6. bobi  16/09/2012 në 9:26 am

    nje Humbje e madhe per gjithe shqiptaret.
    Duhet te nxirret nje mesim I madh ne te kundert do vazhdoje seria e vrasjeve per punonjesit e shtetit.
    ku ka shtet ne bote qe te lejon ne sy te policit te nxjerresh telefonin per ti telefonuar dajes.
    Kjo eshte e frikshme ta mendosh se ku jetojm e sa te pasigurt jemi. reforme totale ne polici e mbeshtetur fort nga politika, policia esht ne nivel shume te ulet.

Komentet janë mbyllur