Ligji i Amnistisë, mbyllen qindra dosje në hetim, ja kush përfiton lirimin nga burgu

Tiranë Të paktën 250 të burgosur pritet të lënë qelitë më datën 28 Nëntor, ndërsa qindra të tjerë nuk do kenë të bëjnë më me çështjet e hapura në prokurori apo gjykata. Projektligji për Amnistinë, i miratuar dje në Këshillin e Ministrave parashikon kriteret dhe kategoritë e personave që përfitojnë prej saj. Sipas projektligjit, përfitojnë të gjithë personat e dënuar deri në dy vjet heqje lirie, ose me një dënim më të lehtë se kaq. Por edhe në këtë pikë, projektligji parashikon disa kategori të dënuarish, të cilët nuk mund të përfitojnë nëse janë shpallur fajtorë për krime të rënda që parashikojnë dënime mbi dy vjet heqje lirie. Sipas projektligjit të aministisë pritet të përfitojnë edhe tre deputetët e opozitës, që tashmë janë nën hetim për ngjarjet e 21 janarit, të cilët dyshohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, e cila është kundërvajtje penale dhe parashikon dënimin me gjobë ose deri 1 vit burg. Kjo për faktin se në nenin 5 të projektligjit për amnistinë përcaktohet qartë se pushohet ndjekja penale për të gjitha veprat e kryera deri më 31 gusht të vitit 2012, për të cilat Kodi Penal parashikon dënimin me burgim deri në 2 vjet. Sipas këtij përcaktimi, pritet të përfitojnë të gjithë personat që aktualisht janë në proces hetimi, në proces gjyqësor, apo edhe ata ndaj të cilëve është depozituar kallëzim penal për vepra penale që parashikojnë një dënim deri në dy vjet heqje lirie ose më të lehtë. Gjithashtu, në kategoritë që përfitojnë nga amnistia në jubileun e pavarësisë së Shqipërisë janë të gjithë personat e dënuar me dy vjet burg pavarësisht kohës së dënimit që u ka mbetur për të shlyer. Përfitues sipas projektligjit janë të dënuarit me gjobë, pavarësisht pjesës së pashlyer të saj, të dënuarit që deri më 28 Nëntor u ka mbetur pa shlyer një vit burg, por me kusht që të mos jenë dënuar për krime të rënda. Po ashtu do të përfitojnë të dënuarat femra që më datë 28 Nëntor janë baras ose mbi moshën 55 vjeçe dhe të dënuarit meshkuj që në këtë datë do jenë baras ose mbi 60 vjeç, me përjashtim të të dënuarve për krime të rënda që përcaktohen specifikisht në këtë ligj. Një tjetër kategori që përfiton nga amnistia janë edhe të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vrasje dhe përdhunim. Përveç kritereve të përcaktuar qarë të kategorive që përfitojnë, në ligj specifikohet se të dënuar janë të gjithë personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe që nuk i janë shmangur vuajtjes së dënimit. Sipas vendimit të qeverisë, ky ligj hyn në fuqi më datë 28 Nëntor dhe do të zbatohet nga ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm dhe Prokurori i Përgjithshëm.

 

Kush përfiton nga amnistia

a)    Personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për vepra të rënda.

b)    Personat e dënuar ndaj të cilëve aplikohet një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim.

c)    Personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës.

ç) Personat e dënuar me burgim, të cilëve në datën 28 Nëntor 2012 u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 1 vit, me përjashtim të personave të dënuar për vepra penale të rënda.

d)    Të dënuarat femra, që në datën 28 Nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të rënda.

dh) Të dënuarit meshkuj, që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për krime të rënda.

e)    Të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 77, 78, 79 e 101 të Kodit Penal.

Të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikës 1, të këtij neni, u zbritet ¼ e dënimit të mbetur, me përjashtim të personave të dënuar për krime të rënda. Në rastin e personave të dënuar për shkak të përsëritjes së të njëjtës vepër penale, nuk do të aplikohet zbritja sipas këtij paragrafi.

 

Box

Pushimi i ndjekjes penale

Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat dhe për kallëzimet, që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, për veprat penale të kryera deri në datën 31 gusht 2012, për të cilat Kodi Penal parashikon dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.

 

Nuk përfitojnë nga amnistia të dënuarit për:    

Krime kundër njerëzimit

Krime kundër jetës, të kryera me dashje

Vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit

Krime seksuale

Vepra penale kundër lirisë së personit

Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit

Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes

Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike

Krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues

Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera

Vepra me qëllime terroriste

Krime kundër autoritetit të shtetit

Vepra penale kundër drejtësisë

Vepra penale të kryera nga organizata kriminale

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Ligji i Amnistisë, mbyllen qindra dosje në hetim, ja kush përfiton lirimin nga burgu"

  1. k  11/10/2012 at 10:48 pm

    po gjithe kjo loje per keto tre deputete vetem e vetem mos me qitur te pafajshem qenka bere po tani 21 janari si perfundon fajtoret i kapi amnistia ???? hahahahaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa o lumi ne!!!!

You must be logged in to post a comment Login