visi baner 5

E vërteta historike dhe logjika e rishkrimit të historisë

Historia dhe politika

Çështje të tilla si studimi objektiv i historisë, e vërteta historike, apo çështje që kanë të bëjnë me rivlerësimin dhe rishkrimin e historisë kanë qenë dhe mbeten filozofikisht shumë të ndërlikuara dhe politikisht shumë sensitive. Historia dhe studimi i saj nuk janë thjesht diçka për të kaluar kohën, por kanë një rëndësi politike të jashtëzakonshme. Platoni thoshte se “ata që shkruajnë historinë, sundojnë shoqërinë”, ndërsa Pierre Bourdieu, në analizën që i bën prodhimit kulturor dhe kapitalit simbolik, argumenton se monopoli i së drejtës për të formuluar përcaktime zyrtare nënkupton edhe “përdorimin e legjitimuar të dhunës fizike dhe simbolike”. A nuk thoshte George Orwell se “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen dhe kush kontrollon të sotmen, kontrollon të kaluarën”?Kjo shpjegon përse politikanët, kudo dhe kurdoherë, kanë dashur dhe janë përpjektur që t’i falsifikojnë faktet historike dhe t’i interpretojnë ngjarjet historike sipas interesave të tyre. “Gënjeshtra mbi faktet historike dhe shkatërrimi i provave ka qenë për shumë shtetarë, diplomatë, politikanë dhe shkrimtarë pjesë legjitime e ushtrimit të pushtetit…Falsifikuesit shpesh herë janë shtyrë nga dëshira për të justifikuar veprimet e tyre, ose të partisë së tyre nga pikëpamja e interesave të atyre [grupeve], mbështetjen e të cilave ata kanë dashur të fitojnë, ose [të grupeve] që ata kanë dashur të neutralizojnë…Një ndër detyrat kryesore të kërkimeve historike është pikërisht të zbulojnë falsifikime të tilla” (Ludvig von Mises).

Pikërisht sepse falsifikimi i historisë dhe kërkesa për rishkrimin e saj janë çështje shumë të komplikuara dhe sensitive, shumë prej atyre (në radhë të parë historianë) që do të duhej të flisnin si për nevojën e rishkrimit të historisë sonë kombëtare, ashtu edhe për rrezikun e shtrembërimit të saj, kanë preferuar heshtjen në vend të prononcimit publik. Në trajtimin e kësaj çështjeje unë vetë shkruaj dhe flas jo si historian, pasi i tillë nuk jam, por si një njohës i sociologjisë historike të krahasuar dhe si studiues i politikës. Historia e një kombi nuk është pronë as e historianëve, as e politikanëve. Të parët janë studiuesit dhe shkruesit e saj dhe duhet të jenë këta që zbulojnë të vërtetat historike dhe garantojnë mbrojtjen e tyre nga çdo falsifikim dhe nga çdo përpjekje për revizionimin e tyre. Politikanët, nga ana e tyre, nuk kanë asnjë të drejtë të ndërhyjnë në interpretimin e historisë, ndërkohë që, në Shqipëri, kjo është pikërisht ajo çka ata kanë bërë për dekada me radhë dhe vazhdojnë të bëjnë edhe sot. Politikanët kanë për detyrë të përmirësojnë të sotmen dhe të planifikojnë të nesërmen e popullit të tyre, jo të udhëzojnë sesi duhet interpretuar e djeshmja.

Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera, marrëdhënia mes politikës dhe historisë ka qenë dhe mbetet një marrëdhënie shumë e vështirë. Kjo marrëdhënie është e tillë që, në çdo kontekst nacional të dhënë, jo vetëm historia ka ndikuar ose mund të ndikojë në procesin politik, por edhe vetë historia mund të jetë politizuar, ose të politizohet. Në Shqipëri i kemi parë të ndodhin të dyja këto. Përdorimi apo keqinterpretimi i historisë për qëllime politike natyrisht nuk është një dukuri vetëm shqiptare. Jacques Revel argumenton se historia nuk ka qenë asnjëherë një fushë dhe një subjekt për të cilin janë interesuar dhe interesohen vetëm historianët profesionistë; për të kanë qenë dhe janë të interesuara të gjitha klasat në pushtet dhe institucionet e tyre, duke u përpjekur vazhdimisht të mobilizojnë “resurset konjitive, argumentative dhe simbolike të së kaluarës”. Po kështu, disa kohë më parë, një numër profesorësh të njohur në Oksford, në Kembrixh dhe në disa prej universiteteve britanike më të mira bënë publikisht të njohur shqetësimin e tyre se “keqinterpretimi i të kaluarës mund të deformojë kuptimin nga publiku të ngjarjeve të rëndësishme historike”, se “një histori e keqe mund të çojë në analiza politike të këqia dhe në politika të këqia”, dhe se “një histori e keqe krijon probleme reale duke shtrembëruar kuptimin e çështjeve bashkëkohore kur politikanët dhe njerëz të tjerë e përdorin historinë si retorikë për të evokuar epoka të kaluara,…ose thjesht për ta rishkruar atë për qëllime politike”.

Rivlerësimi i historisë ngarkon me përgjegjësi cilëtdo (individë apo institucione) që marrin përsipër ta bëjnë këtë. Në shkencë nuk është e pamundur të marrësh një rrugë të gabuar, por seduktive dhe politikisht oportune. Por, nëse jemi të ndershëm me veten tonë, si shkencëtarë, dhe kemi vullnetin të ndjekim të vërtetën kurdo që e shohim atë, duke përdorur të gjitha faktet që kemi në dispozicion, të padeformuara nga retorika dhe nga autoriteti, të ekzaminuara në mënyrë skrupuloze dhe kurajoze dhe të verifikuara në masën më të madhe të mundshme, pavarësisht se ku na çojnë ato, atëherë mund të themi se kemi marrë rrugën e drejtë. Nëse nuk mund të gjykojmë me mendjen tonë, nëse nuk kemi kurajon dhe vullnetin të vemë në dyshim autoritetet, atëherë ne lehtësisht mund edhe të manipulohemi nga ata që janë në pushtet.

Vitet e dundit, historianë dhe studiues të ndryshëm kanë ngritur me të drejtë dy çështje me rëndësi shumë të madhe për historiografinë shqiptare dhe, në përgjithësi, për shkencat tona shoqërore: (1) çështjen e nevojës së rishkrimit të historisë tonë kombëtare dhe (2) çështjen e depolitizimit të gjuhës me të cilën duhet shkruar historia. Unë bashkohem me shqetësimin e shprehur nga shumë historianë se tekstet e historisë duhet të spastrohen nga parokializmi dhe nga “terminologjia e papërshtatshme që përdoret kur është fjala për paraqitjen e historisë së popujve” të tjerë. Por, unë nuk u jap të drejtë atyre që kërkojnë të evitojnë cilësime të tilla si “barbar”, kur është fjala për krimet dhe masakrat e bëra nga pushtues të huaj. “Nuk është e vërtetë që në histori, për të evituar gjykimet e mbështetura mbi vlera, nuk lejohet të flitet për akte barbare”.

 

 

 Epistemat historike

Historia e çdo populli nuk shkruhet vetëm një herë, ajo rishkruhet, por jo sa herë që ndërrohen partitë politike në pushtet, siç kërkohet aktualisht në Shqipëri. Kohë të reja mund të zbulojnë fakte të reja historike dhe faktet e reja mund të bëjnë të domosdoshme rivlerësimin dhe rishkrimin e historisë së një populli. Po kështu, kuptimi ynë mbi të kaluarën nuk është dhe s’mund të jetë kurrë tërësisht i saktë dhe përfundimtar, por është në një “fluks të vazhdueshëm”. Për këtë arsye, merita e historianit është që, kurdoherë që është domosdoshme dhe e mundur, ta paraqesë historinë në një dritë të re për ta kuptuar më mirë atë. Por, që dikush, nisur nga konsiderata ekstra-akademike, të pretendojë se historia duhet doemos të rishkruhet, pa zbuluar dhe pa sjellë ai vetë, ose studiues të tjerë, asnjë fakt të ri që do të përgënjeshtronte trajtimin e derisotëm të ngjarjeve apo të periudhave të caktuara historike, kjo do të ishte një aventurë, të cilës çdo popull dhe çdo historian i mençur do të duhej t’i shmangeshin.

Historia e Shqipërisë, veçanërisht historia e periudhës moderne të saj, natyrisht mund të rivlerësohet dhe të rishkruhet, por vetëm mbi bazën e fakteve të reja, te dokumentuara përtej çdo dyshimi. Për historinë, dokumentet kanë po atë vlerë dhe rëndësi që kanë faktet empirike në shkencat natyrore dhe ato shoqërore. Të rishkruash historinë e një populli është një pretendim i jashtëzakonshëm dhe një projekt kolosal dhe, nëse perifrazojmë filozofin e shquar David Hume, pretendime të jashtëzakonshme kërkojnë dokumentacion të jashtëzakonshëm.

Në veprën e tij Les Mots et les choses, përkthyer dhe botuar në anglisht nën titullin The Order of Things: An Archaeology of the Human Sciences (Rendi i gjërave: Arkeologjia e shkencave humane), Michel Foucault zhvillon një ndër temat e tij qendrore, atë se të gjitha periudhat historike janë karakterizuar nga një sërë kushtesh esenciale, të cilat bëjnë të mundur interpretimin me vërtetësi të ngjarjeve historike, pra i bëjnë ato ose të pranueshme, ose të merren si të mirëqena. Foucault argumenton se, me kalimin e kohës, këto kushte ndryshojnë dhe kjo bën që një epistemë e një periudhe të caktuar historike, që do të thotë njohja shkencore e saj, të zëvendësohet nga një epistemë tjetër. Këtë nocion fukojam, Jean Piaget e krahason me nocionin “paradigmë”, të formuluar nga Thomas Kuhn në veprën e tij të njohur Struktura e revolucioneve shkencore.

Unë nuk di ndonjë rast që historianët shqiptarë, në këto njëzet vitet e fundit, të kenë shtjelluar dhe argumentuar një epistemë apo një paradigmë të re, duke hedhur dritë mbi cilëndo periudhë të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, çka do ta bënte imperative rishkrimin e historisë së kësaj apo të asaj periudhe. Një ndër arësyet pse kjo nuk ka ndodhur është se historianët tanë, me aq sa jam i informuar për studimet e tyre, janë mbështetur dhe mbështeten, shumë here në mënyrë të pandërgjegjshme, në dy shkolla historike tashmë të diskredituara, siç janë pozitivizmi dhe historicizmi. Aderimi në secilën nga këto shkolla i ka penguar shumë prej tyre të shohin tablonë më të gjerë historike. Ata, të cilët mund të konsiderohen pozitivistë, nuk mbajnë sa duhet parasysh faktin se historia nuk ka për detyrë të regjistrojë të gjitha ngjarjet e së kaluarës, por vetëm ato ngjarje që bëjnë kuptim historikisht, çka kërkon gjetjen e një kriteri që bën të mundur dallimin e asaj që është historikisht domethënëse nga ajo që nuk është e tillë. Të tjerë, ata që mund të konsiderohen historicistë, me të drejtë kërkojnë që për të kuptuar një ngjarje apo një dukuri historike duhet të njohin e të kuptojnë evolucionin që ka bërë të mundur atë ngjarje apo dukuri. Sidoqoftë, gabimi i historicistëve ka qenë dhe mbetet besimi i tyre në idenë se analiza e së kaluarës, si e tillë, përmban në vetvete informacion mbi atë sesi do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen.

 

Vlerat, objektiviteti dhe rishkrimi i historisë

Çdo shkencë, pra dhe ajo që studion historinë, nuk “prodhon” dhe as nuk zbulon kurrë të vërteta përfundimtare. “Gjithmonë do të mbeten disa pyetje që s’marrin përgjigje, madje edhe pyetje që janë të pazgjidhshme, si edhe probleme, zgjidhja e të cilave është përtej aftësisë madje edhe të mendjeve më të shquara”. Një shkencë që pretendon se ka zbuluar të vërtetën e fundit nuk është shkencë; ajo është fe. Shkenca e vërtetë nuk njeh kufij përfundimtarë në atë sferë të realitetit që ajo studion dhe as autoritete të padiskutueshme. As historiografia nuk mund të pretendojë se mund të jetë tërësisht objektive, ose se mund të zbulojë të vërtetën “përfundimtare” për ngjarje, për periudha, ose për personalitete historike që ajo studion. Ajo, përkundrazi, synon dhe bën përpara duke zbuluar fakte të dokumentuara dhe të vërteta të pjesëshme që i sqarojnë më mirë, ose në një mënyrë të re ngjarjet historike dhe rolin historik të personaliteteve dhe të grupeve të caktuara shoqërore.

Unë besoj se objektiviteti në studimin shkencor të realitetit shoqëror (të realitetit historik apo atij aktual) nuk mund të jetë kurrë absolut; objektiviteti është gjithnjë relativ. Po kështu, asnjë studiues nuk mund të gjykojë për ngjarje ose dukuri shoqërore i çveshur tërësisht nga vlerat e tij politike e morale. Edhe pse studiuesit e shkencave sociale dhe historianët, pothuajse pa përjashtim, shpallin se ata, në çdo rast, i ndajnë vlerat nga faktet, ose origjinën e një teze nga vlefshmëria e saj, unë mendoj se kërkimi në fushën e historisë dhe në shkencat sociale influencohet pothuajse gjithnjë―edhe pse jo gjithnjë në të njëjtën masë―nga personaliteti, nga formimi kulturor, nga vlerat dhe nga interesat e vetë studiuesit. Një fakt i tillë, siç shkruan Leon Bramson, do të shokonte vetëm një pozitivist, për të cilin “shkenca është bërë Jerusalemi i Ri”.

Ndarja e plotë e fakteve nga vlerat individuale është diçka thuajse e pamundur në shkencat sociale dhe në historiografi, përderisa cilësitë e tyre humane, si individë njerëzorë, janë ndër mjetet e studimit që përdorin si sociologët, ashtu edhe antropologët, historianët, studiuesit e shkencave politike etj. Unë i përmbahem tezës se vlerat janë funksionale për studiuesin e shkencave sociale dhe për historianin, ashtu siç ato janë të tilla edhe për individët e tjerë që ata studiojnë. Shumica e studimeve historike, sociologjike, politike, antropologjike dhe psikologjike orientohen dhe ndikohen në presupozimet, në metodat, në problemet dhe në konceptet e tyre nga filozofitë sociale dhe politike të vetë autorëve të tyre, të cilët, sado që të përpiqen, nuk mund të mbeten spektatorë, ose studiues neutralë të ngjarjeve apo të dukurive.

Një “shkencë e kulluar”, e cila, siç besojnë ata historianë dhe ata studiues të shkencave sociale që frymëzohen nga imazhi Njutonian, do t’i ngjante fizikës, vështirë se është e mundur në hisotiografi dhe në shkencat sociale. Pavarësisht kësaj, studiuesit e shkencave sociale dhe historianët kanë detyrimin që të jenë sa më shumë objektivë që është e mundur―d.m.th. që të mbështeten në kritere ndërsubjektivisht të verifikueshme, për të konfirmuar përgjithësimet që ata bëjnë kurdoherë që kjo është e mundur dhe të mos lejojnë shtrembërimin e qëllimshëm të fakteve. Kjo është në të njëjntën linjë me standardin weberian. Për Weberin, “Studiuesi i shkencave sociale [dhe i historisë] nuk  mund të heqë dorë tërësisht nga përkushtimi i tij ndaj vlerave….Çështja është që në rolin e tij si studiues, duhet të ekzistojë një sistem i veçantë nënvlerash, i cili të ketë përparësi tek ai; kjo do të thotë që qartësia konceptuale, konsistenca dhe përgjithësimi, nga njëra anë, dhe saktësia empirike dhe verifikueshmëria, nga ana tjetër, janë produkt i çmuar i kërkimit”.

Në të njëjtën linjë arësyetimi me Weberin, unë mendoj se, në vend që të kërkojmë interpretime të çveshura tërësisht nga vlerat tona njerëzore (morale ose politike), ne, si studiues të historisë dhe të jetës së shoqërisë, lipset të bëjmë kujdes dhe të dimë të mbajmë një pozitë, e cila na bën të balancuar, të moderuar dhe reflektivë në gjykimet dhe në vlerësimet tona. Qendrimi i moderuar (jo ekstremizmi), argumenti i balancuar, respekti për mendimin e tjetrit dhe toleranca ndaj tij janë virtytet kryesore të një historiani dhe të një studiuesi objektiv të jetës shoqërore. Si studiues, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për kufizimet tona dhe të pranojmë se mund të jemi edhe të njëanshëm apo paragjykues dhe, në atë masë që kjo është e mundur, t’ia bëjmë këtë të qartë edhe publikut me të cilin komunikojmë. Norman Davis argumenton se “Objektiviteti i plotë është i pamundur. Ne duhet të synojmë të arrijmë objektivitetin, por s’mundemi kurrë të arrijmë atje. Sidoqoftë, një historian duhet të përpiqet të jetë i paanshëm dhe ta shohë çdo ngjarje nga këndvështrime të ndryshme. Shanset më të mira për t’iu qasur të vërtetës janë kur, përpara se të gjykojmë [mbi ngjarje dhe dukuri të caktuara] krijojmë perspektiva të ndryshme [për vlerësimin e tyre]. Historiani ka për detyrë të jape një gjykim, por edhe të deklarojë qartë: ‘ky është opinioni im dhe këto janë faktet që unë sjell përpara jush’”.

Ka shumë periudha dhe ngjarje të historisë së Shqipërisë, të cilat është e domosdoshme të rivlerësohen seriozisht dhe të rishkruhen. Të tilla nuk janë vetëm periudha e monarkisë zogiste, ose ajo e Luftës së Dytë Botërore apo ngjarjet e vitit 1997 por, për mendimin tim, në radhë të parë―dhe mbi të gjitha―periudha e socializmit shtetëror (1945-1990), si edhe rivlerësimi i figurave historike kryesore të asaj periudhe. Unë nuk mendoj se historianët shqiptarë, ose ndonjë historian i huaj, kanë zbuluar deri më sot dokumente historike të reja dhe kaq të rëndësishme saqë e bëjnë të domosdoshme sot rivleresimin e ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ose rolin e figurave të tilla të shquara dhe madhore në historinë e kombit tonë si, Ismail Qemali, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi etj., dhe as të figurave të tilla famëkeqe si, Esat Pashë Toptani etj. Nga ana tjetër, është tërësisht e mundur dhe e domosdoshme që të rivlerësohen ngjarje dhe figura historike të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të gjysmëshekullit komunist, si edhe të këtyre dy dekadave të fundit.

Këtë periudhë të fundit e theksoj veçanërisht sepse, përgjithësisht, mendohet se studimi i të sotmes është detyrë vetëm e sociologëve, e ekonomistëve dhe e studiusve të shkencës politike dhe jo detyrë e historianëve. Fatkeqësisht, një pikëpamje të tillë e gjejmë jo vetëm tek historianë të rinj, por edhe tek ndonjë prej historianëve tanë më të shquar. Prof. Kristo Frashëri, për shembull, shprehej pak kohë më parë se, nëse ai, “si historian”, nuk ka marë pjesë në debate mbi “çështjet politike, ekonomike e shoqërore të ditës”, këtë e ka bërë pasi “këto janë çështje me të cilat merren zakonisht analistët e ditës”. Historianët, sipas tij, duhet të merren me “çështje që tashmë kanë hyrë në histori”, pra me “ngjarje që kanë ndodhur jo më pak se 40-50 vjet më parë”. Në fakt, siç vinte në dukje me të drejtë Ludvig von Mises, “Asnjë analizë e periudhës së sotme nuk mund të jetë johistorike. Ekzaminimi dhe përshkrimi i të sotmes janë domosdoshmërisht një analizë historike e së kaluarës që po mbaron dhe e momentit që sapo kaloi”.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se rishkrimi i historisë së një populli dhe reviozionimi i saj janë dy gjëra krejt të ndryshme; duke pranuar të parën, unë jam kundër të dytës, domethënë kundër revizionimit të historisë, të cilin e kuptoj si shtrembërim të qëllimtë të fakteve historike, duke i paraqitur faktet dhe ngjarjet e së kaluarës, ose personalitete historike të caktuara, në një dritë më shumë ose më pak të favorshme, nisur ose nga motive ideologjike, ose nga qëllime politike të caktuara, fjala vjen, për të demonizuar kundërshtarin, ose për t’ia hedhur fajin tjetërkujt. Ajo që unë propozoj është që qeveria shqiptare të mos futë hundët në çështjet shkencore që kanë të bëjnë me vleresimin dhe rishkrimin e historisë së Shqipërisë dhe të mos bëjë presion mbi historianët shqiptarë për ta revizionuar historinë tonë kombëtare dhe për t’i shkruar tekset bazë të saj sipas interesave të politikës së ditës, përndryshe do të përsëritnim historinë e vjetër, kur Enver Hoxha vendoste se kush ishte Haxhi Qamili dhe pse duhej shpallur armik Sejfulla Malëshova. Nëse duam ta quajmë të perënduar atë kohë, duhet të çmojmë më shumë lirinë intelektuale dhe të udhëhiqemi vetëm nga e vërteta, e cila, siç thoshte Francis Bacon, nuk është pjellë e autoritetit por e kohës, dhe të cilën nuk mund ta zbulojnë as qeveria, as historianët e huaj, por vetëm integriteti, puna e palodhur, talenti dhe profesionalizmi i studiuesve tanë.

 

 

 

 

SOMARIO

 

Të rishkruash historinë e një populli është një pretendim i jashtëzakonshëm dhe një projekt kolosal dhe, nëse perifrazojmë filozofin e shquar David Hume, pretendime të jashtëzakonshme kërkojnë një dokumentacion të jashtëzakonshëm.

 

Historianët tanë…janë mbështetur dhe mbështeten, shumë here në mënyrë të pandërgjegjshme, në dy shkolla historike tashmë të diskredituara, siç janë pozitivizmi dhe historicizmi. Aderimi në secilën nga këto shkolla i ka penguar shumë prej tyre të shohin tablonë më të gjerë historike.

 

Historiografia nuk mund të pretendojë të jetë tërësisht objektive, ose se ajo  mund të zbulojë të vërtetën “përfundimtare” për ngjarje, për periudha, ose për personalitete historike që ajo studion. Ajo, përkundrazi, synon dhe bën përpara duke zbuluar fakte të dokumentuara dhe të vërteta të pjesëshme që i sqarojnë më mirë, ose në një mënyrë të re ngjarjet historike dhe rolin historik të personaliteteve dhe të grupeve të caktuara shoqërore.

Reklama-Eagle

NJë përgjigje për "E vërteta historike dhe logjika e rishkrimit të historisë"

  1. Djathi  18/10/2012 në 1:46 pm

    Autori thote per ‘pozitivistet’ shqiptare te historografise:

    “Ata, të cilët mund të konsiderohen pozitivistë, nuk mbajnë sa duhet parasysh faktin se historia nuk ka për detyrë të regjistrojë të gjitha ngjarjet e së kaluarës, por vetëm ato ngjarje që bëjnë kuptim historikisht, çka kërkon gjetjen e një kriteri që bën të mundur dallimin e asaj që është historikisht domethënëse nga ajo që nuk është e tille”

    Po cili e percakton kriterin se c’ngjarje apo prurje eshte ‘domethenese’ historikisht apo historiografikisht? Partia? A nuk eshte kjo kritike per mosveprim te duhur, pershkrimi korrekt i asaj cka eshte per t’u kritikuar ne historiografine tone qe ka neglizhuar gati totalisht historite e vogla, duke u fokusuar vetem tek kryengritjet, levizjet, ‘ndikimet e ngjarjeve te medha boterore’, titujt dhe emrat e njohur? Ne vend qe te rikthejme vemendjen tek gjithcka e te kaluares, pa privilegjuar nje prirje a nje ngjarje mbi harresen e nje tjetre, Tarifa kerkon te vazhdojme te shkruajme ‘histori domethenese’, dramatike, hierarkike (apo hagjiografi fare). Dhe kritikon historicimin pastaj.

Komentet janë mbyllur