visi baner 5

Kodi i Punës rrit lejën vjetore, jo më shumë se 48 orë punë në javë

Ndryshojnë orët e punës dhe koha e pushimeve për punonjësit e institucioneve shtetërore dhe atyre që punojnë në kompani private. Tani e tutje çdo punonjës nuk duhet të punojë më shumë se 48 orë në javë, duke përfshirë edhe oraret shtesë. Ky është një nga ndryshimet që propozohet të bëhet në Kodin e Punës, nëpërmjet të cilit kërkohet t’u vihet “fre” edhe orëve shtesë të pajustifikuara që mjaft punonjës të administratës kryejnë gjatë muajve të vitit, me qëllimin e vetëm për të përfituar një rrogë më të lartë. Sipas ndryshimeve të reja që Ministria e Punës propozon të bëhen në Kod, maksimumi i orëve shtesë në vit për një punëtor nuk mund të jetë më shumë se 200 orë. Këshilli Kombëtar i Punës miratoi në mbledhjen e djeshme me konsensus ndryshimet në Kodin e Punës, i treti ky në harkun e 16 viteve që nga miratimi i tij në fillim të viteve ‘90. Duke folur për disa nga ndryshimet më të rëndësishme në Kodin e Punës, ministri i Punës, Spiro Ksera, njëherësh edhe kreu i Këshillit Kombëtar të Punës, tha se një nga risitë e bëra është njohja dhe pagimi i punës nga shtëpia, e njohur ndryshe si “tele-puna”. “Kemi arritur që të kemi ndryshime në 90 nene të këtij Kodi, risitë kryesore të Kodit të Punës janë, në Shqipëri me kod pune futet ‘tele-puna’. Për herë të parë diskriminimit në punë, ngacmimit seksual i jepet një rëndësi tepër e veçantë dhe ky Kod i jep mbrojtje punëmarrësve. Koha maksimale javore e punës të mos jetë më shumë se 48 orë dhe maksimumi i orëve shtesë në vit për një punëtor nuk mund të jetë më shumë se 200 orë”, – u shpreh ministri Ksera. Në Kodin e ri parashikohet që punëmarrësi të gëzojë të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare, kur kjo ditë bie ditë pune. Sipas ndryshimeve të propozohen, leja vjetore e punonjësve do të jetë 28 ditë. “Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 28 ditë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim. Pushimet vjetore nuk përfshijnë ditët e festave zyrtare. Nëse festa zyrtare bie ditën e pushimit vjetor me pagesë, pushimi vjetor shtyhet”, – përcaktohen në draftin e ri. Një risi tjetër në Kod është se burrat do të mund të përfitojnë 4 muaj leje pa të drejtë page, për t’u përkujdesur për nevojat e fëmijës brenda 6 viteve të parë të jetës së tij. Ndërsa për gratë, nga 42 ditë, leja e paslindjes me rrogë të plotë shkon në 63 ditë. Kodi i ri parashikon leje edhe për çiftet që birësojnë një fëmijë të porsalindur. Për mbrojtjen e të miturve nga shfrytëzimi, Ministria e Punës propozon që të rritet mosha e punësimit nga 14 vjeç në 15 vjeç. Një mbrojtje më të madhe Kodi i Punës siguron edhe për punëmarrësit, ku për herë të parë është vendosur që çdo punëdhënës nëse prish kontratën e punës me punonjësin e tij, ai duhet ta shoqërojë edhe me shkaqet e prishjes dhe se barrën e provës për të vërtetuar se shkaqet ekzistojnë e ka punëdhënësi. Po kështu, në Kod sanksionohet se kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Ajo mund të ndryshohet me shkrim nëse palët bien dakord për ta bërë këtë. Sipas Kodit të ri, ngacmimet seksuale brenda ambienteve të punës do të dënohen rëndë. Sanksioni për këtë vepër është vendosur për herë të parë në Kodin e Punës, ku përcaktohet se: “shqetësim seksual është çdo formë e padëshiruar sjelljeje, e shprehur me fjalë ose veprime fizike dhe simbolike, me natyrë seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal, në mënyrë të veçantë kur krijon një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes që kryhet nga punëdhënësi kundrejt një punëmarrësi , një punëkërkuesi për punë ose midis punëmarrësve”. Kodi i Punës nuk ka pësuar asnjë ndryshim që nga vitit 2003 dhe kjo është e treta herë që rishihet që nga hartimi i tij. Projektligji i miratuar dje në Këshillin e Punës do të kalojë së shpejti në Këshillin e Ministrave, për t’i hapur rrugën procedurës së miratimit të ligjit në Kuvend, që kërkon votim me tre të pestat e votave të deputetëve në Parlament.

 

Ndryshimet kryesore në Kodin e Punës

Koha maksimale javore e punës së bashku me orët shtesë, jo më shumë se 48 orë

Maksimumi i orëve shtesë në vit për një punëtor nuk mund të jetë më shumë 200 orë

Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 28 ditë kalendarike

Punonjësit do të paguhen në ditët e festave zyrtare, kur kjo ditë bie ditë pune

Rritet periudha e detyrueshme e lejes së paslindjes me pagë të plotë nga 42 në 63 ditë

Burrat do të përfitojnë 4 muaj leje për t’u përkujdesur për fëmijët deri në 6 vjeç

Rritet mosha e punësimit nga 14 në 15 vjeç, për mbrojtjen të miturve nga shfrytëzimi

Ndalohet çdo formë diskriminimi dhe ngacmimi seksual në fushën e punësimit

Kontrata e punës lidhet me shkrim dhe mund të ndryshohet nëse palët bien dakord

Prishja e kontratës së punës nga punëdhënësi duhet të shoqërohet edhe me shkaqet

 

 

Oraret e reja të punës dhe pushimet

Puna në shtëpi dhe “tele-puna”

Me kontratën e punës në shtëpi, punëmarrësi kryen punën e tij, në shtëpi apo në ndonjë vend tjetër të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin, sipas kushteve të rëna dakord midis tyre në kontratën e punës. Në kontratën e “tele-punës”, punëmarrësi kryen punën e tij  në shtëpi ose në një tjetër vend të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin, duke përdorur teknologjinë e informacionit, brenda kohës së punës të përcaktuar nga punëmarrësi, sipas kushteve të rëna dakord midis tyre në kontratën e punës. Nuk do të konsiderohet se punëmarrësi kryen “punë në shtëpi” ose “tele-punë” nëse ai punon  rastësisht në një vend tjetër pune nga ai i rënë dakord në marrëveshje midis tyre, ose në rrethana të veçanta, me pëlqimin e punëdhënësit, ose sipas një marrëveshjeje me të,  kryen një lloj tjetër pune të parashikuar në kontratë.

Puna në ditën e pushimit

Puna e kryer ditën e pushimit javor kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 për qind, ose me një pushim të pagueshëm të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer, plus një pushim shtesë jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune.

Puna e kryer në ditët e festave zyrtare, kur kjo bie dite pune, kompensohet me një shtesë mbi  page jo më pak se 125 për qind, ose me një pushim të pagueshëm të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer, plus një shtesë jo më pak se 125 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune. Pushimi merret një javë para ose pas kryerjes së punës.

Pushimet gjatë orarit të punës

Kur punëmarrësi punon më shumë se 6 orë në ditë pa ndërprerje, duhet të parashikohet një pushim pa pagesë jo më pak se 20 minuta, i cili duhet të jepet mbas tre ore, dhe jo më vonë se 6 orë pune të vazhdueshme. Nëse punëmarrësi punon më shumë se 9 orë të vazhdueshme në ditë, i jepet një tjetër pushim prej jo me pak se 20 minuta.

Orët shtesë

Punëdhënësi mund të urdhërojë në mënyrë të njëanshme kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer 48 orë pune në javë. Në raste të veçanta, për një periudhe deri në katër muaj, mund të punohet me shumë se 48 orë në javë por koha mesatare javore e punës për këtë periudhe nuk duhet të jetë më shumë se 48 orë. Ndalohet kryerja e orëve shtesë të punës nga gratë shtatzëna, dhe mbas lindjes së fëmijës, deri sa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç.

Pushimet vjetore

Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo me pak se 28 ditë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim. Pushimet vjetore nuk përfshijnë ditët e festave zyrtare. Nëse festa zyrtare bie ditën e pushimit vjetor me pagesë, pushimi vjetor shtyhet.

Pushimi vjetor shtyhet kur punëmarrësi gjatë periudhës së këtij pushimi, ka qenë i shtruar në  spital, ose ka qëndruar në shtëpi për shkak sëmundje ose aksidenti, të vërtetuar me raport mjekësor. Pushimet vjetore nuk zëvendësohen me pagesë me përjashtim të rasteve kur marrëdhënia e punës ka përfunduar dhe punëmarrësi nuk i ka kryer pushimet që i takojnë. Në këtë rast ai ka të drejtë për një shpërblim të barabartë me pagën e këtyre pushimeve.

Pushimet gjatë vitit

Në rast martese të punëmarrësit ose vdekje të bashkëshortit/bashkëjetuesit, paraardhësve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë punëmarrësi përfiton 5 ditë pushimi të paguar.

Në rast sëmundje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose të pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, e vërtetuar me raport mjekësor, punëmarrësi përfiton jo më shume se 10 ditë pushimi të papaguar. Në rast lindjeje fëmije, bashkëshorti/bashkëjetuesi përfiton 3 ditë pushimi ditor të paguar.

Leja prindërore për burrat

Punëmarrësi që ka më shumë se një vit pune të pandërprerë tek i njëjti punëdhënës, ka të drejtë për një leje të papagueshme, jo me pak se katër muaj, derisa fëmija që ka në ngarkim të arrijë moshën 6 vjeç. E drejta për të kërkuar lejen prindërore është individuale për secilin prind dhe nuk është e transferueshme, me përjashtim të rasteve kur njeri prind vdes. Leja mund të jepet e ndarë, por jo më pak se një javë në vit. Në rastin e birësimit të fëmijës leja prindërore jepet brenda 6 vjetëve që nga dita e birësimit të fëmijës, por jo më vonë se kur fëmija mbush 12 vjeç.

Leja e lindjes për gratë

Nëse gruaja vendos me dëshirën e saj të punojë pas periudhës 63-ditore të paslindjes, në marrëveshje me punëdhënësin, për ushqimin e fëmijës  ka të drejtë që deri sa fëmija te mbushe 1 vjeç, të zgjedhë: një pushim të paguar prej 2 orësh, brenda kohëzgjatjes normale të punës, ose kohëzgjatje pune të reduktuar me 2 ore, me pagë të njëjtë sikur të kishte punuar për kohëzgjatjen normale ditore të punës. Në rast birësimi të një fëmije të porsalindur, punëmarrësi ka të drejtën e lejes së parashikuar nga legjislacioni mbi sigurimet shoqërore. Lejen e birësimit mund ta përfitojë vetëm njeri nga prindërit, nëna ose babi birësues.

Pushimi kolektiv nga puna

Vlerësohet pushim kolektiv nga puna përfundimi i marrëdhënieve të punës nga

punëdhënësi për arsye që nuk kanë të bëjnë me punëmarrësin, kur numri i pushimeve nga puna, brenda 90 ditëve, është të paktën 10 punëmarrës për ndërmarrjet me deri në 100 punonjës; 15 për ndërmarrjet me mbi 100 deri në 200 punonjës dhe 20 për ndërmarrjet me mbi 200 punonjës.

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur