visi baner 5

Rrëfimi i adoleshentit që ruan të atin nga vetëdjegia

Është një ditë e mërzitshme me shi në atë kthinën në hyrje të rrugës ‘Komuna e Parisit’, ku 9 të burgosur politikë treten në ditën e 22-të të një greve urie që nuk dihet se kur do të mbyllet. E mërzitshme për gazetarët e kameramanët që qëndrojnë me turne para një shiriti policie, për policët që qëndrojnë të zymtë dhe dyshues në krahun tjetër të shiritit dhe e trishtë e deri dëshpëruese për 9 burrat në grevë urie që mbeten të shtrirë në dyshekë të bërë zhul e për të cilët duket se pakkush po e vret seriozisht mendjen. Përtej kësaj kthine, Tirana vazhdon në të sajën me shumë zhurmë dhe erë qoftesh… Drejtimin për te greva e shënon një tabelë në beze të bardhë dhe një shenjë të kuqe, në të cilën me shkronja të vogla shkruhet anglishte e shqip: “Zapto Tiranën”. Sapo e ndjek atë futesh në zonën e mërzisë dhe dëshpërimit, që monitorohet si të ishte spektakël reality nga koka që dalin tektuk në dritaret e pallateve që rrethojnë kthinën e grevës. Çadra ku rrinë shtrirë e treten 9 burrat, të dënuar dikur pse i dolën kundër “revolucionit” komunist, është vënë mu si për ironi të gjithë historisë së botës në rrugën që mban emër revolucionar dhe është mbushur plot e përplot me tabela të diktaturës me thirrje revolucionare. Aty ndërsa lagej në shi, ndodhej Petrit Horjeti. Nuk dëgjon mirë, por si e ngremë zërin pranon të vijë e të ulet me ne në kafe. Petriti ishte deri para ca ditësh në grevë, por doli se nuk mund të rrinte më gjatë, nuk ia dilte dot. “Qëndrova aq sa munda për shokët”, thotë ndërsa tregon se ishte kthyer aty për t’i takuar. Klisman Loçi që i ruhet shiut nën shkallët e hyrjes së një pallati, i biri i Fatmirit që vazhdon të jetë i shtrirë në dyshekët e grevës, thotë se është aty që të ruajë të atin, ka frikë se mos vetëdigjet. “Nuk na pyeti kur hyri në grevë, është i sëmurë, ka mëlçinë të zgjeruar dhe vuan nga diabeti”, thotë Klisman që pi duhan poshtë strehës dhe herë pas here sheh nga shiriti i policisë, përtej të cilit ndodhet babai i burgosur politik i diktaturës. Ajo që i mundon një pjesë të njerëzve që kanë më se 6 muaj që ndjekin përshkallëzimin e një situate që filloi me një përplasje të një grupi të dënuarish me një deputet, është arsyeja që çoi këta burra deri sa të tentonin të vetëdigjeshin. Njerëzit nëpër kafene dhe internet i kanë gjetur motive të ndryshme, prej konspiracionit e deri të çmenduria, por Horjeti, që ka bërë 20 e kusur vite në Burrel e di më mirë. Ai thotë se e gjitha ka ardhur prej dëshpërimit. “Gjergj Ndreca bëri gabim që u dogj, duhej ta kishte biseduar edhe me mua i kishim krevatet ngjitur në grevë”, thotë ai ndërsa tregon se burri me të cilin kishte filluar grevën ishte në dëshpërim prej muajsh dhe nuk mund të mbante më. “Pinim kafe bashkë çdo mëngjes dhe ai nuk ishte mirë”, thotë Horjeti. 74 vjeç i mbush në 5 nëntor, nuk mendon se do të ketë kohë për të përfituar këstet e prapambetura të cilat ironikisht ia “fal qeverisë”. I stërmunduar në dënime e ridënime që prej vitit 1979 ai nuk mundi asnjëherë të ketë një familje të vetën, e ndërsa flet për gjithë këtë ka një si përhumbje, e sytë e tij duken gjithmonë e më të lëngshëm. Njësoj si ai Gjergj Ndreca pak muaj më parë ndërsa bisedonim për një shkrim për revistën ‘Mapo’, përhumbej herë pas here për vitet që kishin ikur. Nuk dukej atëherë nga ata burra që do të thyheshin deri në atë pikë sa të tentonin vetëvrasjen. Nuk dukej ngase deri në atë moment kishte qenë agresiv, bërtiste me zë të lartë, kishte kundërshtuar policinë, qëlluar një deputet, tallej me pushtetin. E ndërsa thërriste: “A ka Shqipëri për mue”, Gjergj Ndreca dukej sikur do të luftonte deri në fund për këtë Shqipërinë që i përkiste. Është gabim të përmblidhet dëshpërimi i Ndrecës dhe Lirak Bejkos që po ashtu si ai, edhe pse deri të paktën pa i vënë zjarrin vetes Bejko nuk kishte humbur besimin te qeveria, te marrja e parave që shteti ua ka borxhe dhe po ua jep me këste aq të ngadalta sa një pjesë e madhe e tyre nuk i mbërritën kurrë t’i gëzojnë. Është gabim, se ndërsa rrinim me ta diku përballë stadiumit “Selman Stermasi” te Tirana e Re ata rendisnin qindra dhe dhjetëra arsye të tjera (dosjet, mos dënimi qoftë edhe për sy e faqe i persekutorëve) pse po shkonin drejt fundit, pse e kishin prekur atë… Horjeti, që flet duke parë gjithmonë nga rruga, është nga ata të persekutuar që nuk kërkojnë hakmarrje, por është edhe nga ata që e ka pasur të vështirë të shohë përballë tij spiunin, njeriu që e tradhtoi dhe e dërgoi në qeli që të shpëtonte veten nga një dënim ordinerë. “E pashë katër ditë para se të fillonte greva”, thotë ai. Nuk ka mllef në fjalët e tij, maksimumi i lejon vetes një ironi të vogël, ndërsa shton se “kam shkuar edhe unë të shkëmbej para tek ai”, duke pasur në mend spiunin që është tani një kambist. Burri që kujton se në 22 vjet nuk ka mundur të rimëkëmbë një jetë që ia kanë marrë përdhunshëm, është plot mllef me qeverinë, të cilën thotë se e ka votuar dhe e ka përkrahur ashtu siç mendon se kanë bërë 75 për qind e të dënuarve politikë. “Sali Berisha është ai që nuk dëgjon, jo unë që kam aparat dëgjimi”, thotë ndërsa ngrihet nga kafja për t’u kthyer sërish te shiriti i policisë, aty ku shokët e tij të qelive dhe mundimeve vazhdojnë grevën. Klismani nuk di gjë nga këto. Ai di se për shtëpi kanë vetëm një copë nga një ish-ndërmarrje shtetërore që nuk u është legalizuar, që punë kanë vetëm me raste dhe që vetë i bën paratë duke zëvendësuar një shok në lokal, ku merr herë 500 e herë 1000 lekë të reja. Babai s’e ke pyetur kur ka hyrë në grevë, e as kur i janë lutur të dalë. Si pjesa më e madhe e atyre që janë ngujuar, edhe ai ka marrë pakogjë nga ajo që u takon si ish-të burgosur politik. I ulur në bisht gjithmonë me një sy nga shiriti i policisë dhe me frikë se mos djegiet përsëriten, Klismani nuk di të thotë se pas kësaj sakrifice do mund të fitojnë ndonjë gjë prej atyre të drejtave që u janë mohuar… Rruga për te çadra e grevës mbetet e mërzitshme, mbushet rrallë me kuriozë e ndonjë të burgosur që vjen të pyes për të ngujuarit e më pas zbrazet sërish duke lënë gazetarët përballë policëve dhe 9 burrat të shtrirë në dyshekë prej të cilëve siç thonë nuk do të ngrihen deri në ditën e fundit. E ndërsa pyetjes sonë për t’i gjetur kuptim sakrificës nuk i përgjigjet thuajse askush, në tabelën e zezë pas çadrës së grevës lexojmë të përgjysmuar, ngase pamja është e zënë, parullën prej së cilës në muzg deshifrojmë: “Përditë shoh qartë, e vuej thellë e ma thellë”.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur