visi baner 5

Të divorcuarat që kërkojnë një burrë të ri

Ato janë tri femra, të cilat i kanë humbur bashkëshortët e tyre. Nuk i kanë humbur në asnjë luftë ku numërohen viktima fizikisht, por në betejën për ta zgjatur dashurinë dhe pasionin për gjithë jetën. Secila është e veçantë, nga shtresa sociale të ndryshme që mblidhen bashkë në “Klanin e të divorcuarave”. Atë që ndodh me gjithë përjetimet e tyre, ëndrrat, zhgënjimet, dramat dhe komedinë e gjetjes së një princi tjetër, regjisorja Inis Gjoni e sjell për publikun shqiptar në fillim të nëntorit. Karakteret janë vetëm tre, por brenda çdo njërës larmishmëria e përjetimeve është e  pakufishme. Komedia, e cila do të vihet  këto ditë në skenë për publikun kryeqytetas, është një vepër e dramaturgut dhe aktorit të njohur shqiptaro-francez, Halil Vardar. Qenia njerëzore femërore është e njëjtë, pavarësisht se secila ndryshon nga karakteri, mentaliteti, mënyra si është rritur dhe edukuar. Në momentin që ezaurohen të gjitha, më mirë është të jesh vetëm”. Kjo është motoja e kësaj shfaqjeje që vjen e interpretuar nga tre aktorë, Romir Zalla, në rolin e Brizhildës së braktisur nga bashkëshorti, Jonida Vokshi në rolin e Merit, e cila e ka zgjidhur vetë martesën dhe Adriana Tolku në rolin e  Stefanisë, e cila po ashtu ia ka dhënë vetë duart ish-burrit të saj. Këta aktorë sot do të flasin me gjuhën e personazheve të tyre për të gjitha ndjesitë e një gruaje të divorcuar. Në fakt gruaja e tretë do të vijë e luajtur nga një mashkull, nga një aktor mjaft i suksesshëm, siç është Romir Zalla. Ai së bashku me Jonida Vokshin dhe Adriana Tolkun tregojnë se ç’mendojnë këto femra pasi dashuria u ka lënë duart, por edhe si e shohin realitetin shqiptar të një femre të divorcuar, pavarësisht se fenomeni është universal. A ia vlen sakrifica për t’i mohuar vetes të drejtën për të dashuruar, ridashuruar thjesht për një unazë në gisht kur gjithçka merr fund? Edhe pse të zhgënjyera nga martesat, këto femra nuk i urrejnë burrat që nuk mundën t’i bënin të lumtura. Ato sërish kërkojnë lumturinë edhe pse kjo është në sfidë me moshën e tyre. “Është sa dramatike edhe komedi. Drama është tek vetë jeta që ato jetojnë, tek dëshirat dhe pasionet që ato kërkojnë për të mos mbetur të vetmuara. Të tria në fund nxjerrin edhe një njoftim: “Duam bashkëshortë”, me shpresën se “princi i kaltër” është duke i pritur pas asaj cope letre. Në fund të fundit ato kuptojnë se mund t’ia dalin edhe të vetme. Kurse komedinë e shohim me notat që ia ka veshur autori”, -thotë regjisorja Inis Gjoni lidhur me veprën që ka zgjedhur për ta sjellë në Teatrin e Komedisë dhe për gjithë moralin që shfaqja përmban në vetvete. Megjithatë aktorët, të cilët janë bërë njësh me personazhet e zgjedhura, mendojnë në mënyra të ndryshme, të ndikuara nga realiteti por edhe koncepti për dashurinë, familjen dhe sakrificat që kërkon një martesë e gjatë dhe e lumtur. Dhe në gjithë larminë e mendimeve, në fund zbulohet i njëjti portret i çdo femre të bukur, të shëmtuar, e zgjuar dhe më pak e zgjuar, e pasur apo e varfër qoftë; të gjitha këto portrete të forta në dukje e të brishta së brendshmi janë në kërkim të mashkullit ideal, të ndjenjës dhe dashurisë së vërtetë. Ndoshta të princit që nuk vjen kurrë dhe që sërish asnjëra nuk ia dorëzon shpresën fatit.

Adriana Tolku: Divorci, një kujtim i hidhur

Adriana Tolku këtë herë do të flasë me zërin e Stefanisë, një aristokrate e rënë nga vakti që tashmë ka mbetur edhe pa bashkëshort, edhe pse martesën e ka zgjidhur me dëshirën e saj. Përjetimet e saj janë të ndryshme nga ato të dy shoqeve të saj. “Ajo nuk ia ndjen mungesën martesës, por ndjen mungesën e një mashkulli, një partneri krah saj. Stefania është një femër optimiste; sheh me dritë drejt së ardhmes”, – thotë Tolku, e cila shpjegon se për të futur në botën e brendshme të këtij personazhi nuk ka qenë dhe aq e vështirë. “Unë kam moshën e  personazhit të cilin luaj”, – tregon ajo teksa shton se shpesh aktorët i komplikojnë gjërat më shumë sesa duhet, sa i përket shkrirjes së aktorit me rolin që luan në një komedi apo në dramë. “Dëshira e çdonjërit prej nesh është që të mos jetë vetëm në këtë jetë”, por kjo nuk do të thotë aspak se femrat e vuajnë atë më tepër. Në fakt shpesh femrat nuk rimartohen sërish dhe kjo tregon se ato mund t’ia dalin fare mirë edhe pa një mashkull në krah. “Burrat martohen më shpesh, sepse ata ia kanë më tepër nevojën një femre që të kujdeset për ta. Këto janë femra të lira që në fakt nuk i urrejnë burrat dhe as ish-bashkëshortët e tyre”, – tregon Adriana duke folur me zërin e Stefanisë. Ndërsa surprizat dhe shumë të pathëna të tjera do të zbulohen në skenën e Teatrit të Komedisë në ditët e para të nëntorit.

Jonida Vokshi: Gjithmonë në kërkim të mashkullit ideal

Jonida, si është të jesh një femër e divorcuar?

Qenka shumë e vështirë të jesh një femër e divorcuar. Nuk po e përballoj dot, ndaj dhe kam nxjerrë lajmërim në gazetë për të gjetur “princin e kaltër” (qesh). Unë në fakt kam një problem me këtë pyetje. Nuk mundem dot t’i jap një përgjigje të sinqertë, pasi është një eksperiencë që nuk e kam provuar dhe shpresoj të mos e provoj. Flas si Jonida këtu, ndërsa Meri që e ka provuar, edhe pse është një femër e divorcuar me dëshirën e saj, sërish nuk rresht së kërkuari mashkullin ideal.

Sa nga vetja gjen tek mënyra e të parit të jetës dhe zgjidhja e problemeve tek personazhi yt, Meri?

Unë ndryshoj tek mënyra e të parit të jetës, për vetë faktin se jeta ime është totalisht e ndryshme nga ajo e personazhit tim, si në moshë, si në rrjedhje, ashtu dhe në karakteristikat e personazhit që interpretoj. Më duhet të luaj rolin e një personazhi me probleme, të cilat unë nuk i kam patur e përjetuar, por kjo ka të bukurën dhe avantazhet e veta, pasi po përjetoj diçka për herë të parë dhe kjo ndodh në skenë, pra është pa pasoja. Tani jam e sigurt që nëse divorcohem ndonjëherë do të di ta përballoj mjaft mirë (qesh).

Sipas teje, një femër e divorcuar a i urren burrat më pas?

Një femër që e ka menduar mirë e me koshiencë divorcin, e mbi të gjitha me dëshirën e saj, nuk ka absolutisht arsye pse të urrejë burrat më pas. Kjo pasi është më e sigurt në vetvete e më e lumtur në zgjedhjet që do të bëjë më pas. Ndërsa një femër e braktisur, mbase e përjeton një ndjesi të tillë.

Çfarë ke mësuar nga ky rol, të themi, si femër?

Mund t’i përgjigjem me një fjali pyetjes: “Më mirë vetëm se e keqshoqëruar”. Jam munduar të përjetoj e ta vendos veten në pozitat e një femre të divorcuar, që sado e shijon jetën, e merr si t’i vijë atë, ka kërkesa për mashkullin që kërkon, përsëri ajo ndihet disi e vetmuar dhe kërkon opsione për të zgjedhur për të qenë sërish çift.

A është më mirë të divorcohesh apo të luftosh për dashurinë sipas teje?

Kjo pyetje kërkon një përgjigje shumë të gjatë e të analizuar. Por mendoj se duhet luftuar për dashurinë dhe për dikë kur mëson që përfundimi përputhet me qëllimin fillestar e ka rezultat lumturinë. Në të kundërt, kur nuk gjendet gjuha e përbashkët dhe gjërat bëhen të vështira, mbase divorci mbetet zgjidhje. Megjithatë, të them të drejtën unë jam kundra tij dhe e shoh martesën si një kulm, i cili duhet menduar mirë para se të bëhet, për të mos u zhbërë më.

Po një e zhgënjyer?

Nuk e di konkretisht çfarë mund të jetë në gjendje të bëjë apo ndjejë një njeri i zhgënjyer, por kam përshtypjen se është një nga ndjesitë më të këqija, e cila të shtyn drejt shumë veprimeve ku humbet arsyeja. Si mashkulli, si femra, pas një zhgënjimi e kanë të vështirë rimëkëmbjen apo ribesimin tek seksi i kundërt.

Jonida, ky është roli yt i parë me përmasa të tilla?

Në fakt unë nuk kam shumë që kam mbaruar Akademinë e nuk mund t’i rendis eksperiencat. Por jo, nuk është roli im i parë. Rolet nuk mund të veçohen apo caktohen me përmasa, pasi gjithsecili ka shijen, përjetimin dhe ndjesinë e tij. Edhe unë po e shijoj shumë këtë komedi.

 

Romir Zalla: Femrat, vështirë i pranojnë gabimet e tyre 

Është e vështirë të luash Brizhildën?

Të them të drejtën, vështirësia nuk është thjesht tek fakti që të luash rolin e një femre, sepse për këtë mjafton të vësh një paruke. Vështirësia është të luash një femër të divorcuar, e cila ka problem me veten dhe mashkullin ideal që kërkon të gjejë dhe me vështirësitë e pritshmëritë që ajo ka nga jeta. Brizhilda është një femër jo e zakonshme, paska e shëmtuar por shumë e zgjuar, shumë ironike, me shumë humor dhe e veçantë nga dy të tjerat. Kjo dhe për faktin se atë e ka lënë burri, ndryshe nga dy shoqet e saj, të cilat e kanë zgjidhur martesën me dëshirën e tyre.

A argëtohen më shumë femrat e divorcuara?

Në fakt nuk mund ta them këtë gjë. Në pamje të parë duken sikur e kanë më të zhvilluar sensin e humorit, por thellë-thellë e ndjejnë mungesën e partnerit, prandaj edhe drama e tyre më e madhe është si të kërkojnë një partner ideal.

Cili mendon se do të jetë reagimi i publikut femëror pasi ta shohë këtë shfaqje?

Besoj se ka diçka dhe për femrat shqiptare, edhe pse pjesa është me mentalitet francez. Problemi i një femre të divorcuar që kërkon të gjejë veten është një problem universal, jo vetëm shqiptar apo i një vendi tjetër. Sot femra shqiptare është më e emancipuar dhe besoj se pavarësisht mentalitetit perëndimor që ka, “Klani i të divorcuarave” i përshtatet shumë mirë edhe realitetit të femrës shqiptare.

A i urrejnë këto gra ish-bashkëshortët e tyre?

I urrejnë dhe ndoshta do thosha në këtë mes se deri diku problem është që gratë nuk e kërkojnë gabimin tek vetja, por tek partneri i tyre. Për këtë arsye gjejnë rrugën më të shkurtër për ish- burrat. Ndoshta ndonjëherë do të duhet të kërkojnë defektet edhe tek vetja e tyre. Të dyja palët gabojnë, ose më saktë kanë gabime kur një martesë dështon.

Si je ndjerë mes dy aktoreve të tjera?

Shumë mirë. Nuk kam pasur bashkëpunime më parë si me Jonidën ashtu edhe me Adrianën, por janë partnere mjaft komode dhe më kanë ndihmuar shumë gjatë provave, sidomos tek pjesa për të kuptuar më mirë natyrën e femrës.

Çfarë ke mësuar ndonjë gjë të re për femrat, të themi, marrë shtysë nga roli i Brizhildës që luan?

Them se kam mësuar më shumë, si për meritë të aktoreve ashtu edhe për meritë të regjisores, e cila është femër. Ajo që zakonisht më bën përshtypje dhe që e thashë edhe më sipër është se femrat nuk i pranojnë lehtë gabimet që bëjnë.

 

Jonida

Mendoj se duhet luftuar për dashurinë dhe për dikë kur mëson që përfundimi përputhet me qëllimin fillestar dhe ka rezultat lumturinë. Në të kundërt, kur nuk gjendet gjuha e përbashkët dhe gjërat bëhen të vështira, mbase divorci mbetet zgjidhje. Megjithatë, të them të drejtën unë jam kundra tij dhe e shoh martesën si një kulm, i cili duhet menduar mirë para se të bëhet, për të mos u zhbërë më.

Adriana

Dëshira e çdonjërit prej nesh është që të mos jetë vetëm në këtë jetë, por kjo nuk do të thotë aspak se femrat e vuajnë atë më tepër. Në fakt shpesh femrat nuk rimartohen sërish dhe kjo tregon se ato mund t’ia dalin fare mirë edhe pa një mashkull në krah.Burrat martohen më shpesh, sepse ata ia kanë më tepër nevojën një femre që të kujdeset për ta

Romiri

Këto gra i urrejnë ish-burrat dhe ndoshta do thosha në këtë mes se deri diku problem është që gratë nuk e kërkojnë gabimin tek vetja, por tek partneri i tyre. Për këtë arsye gjejnë rrugën më të shkurtër për ish-burrat. Ndoshta ndonjëherë do të duhet të kërkojnë defektet edhe tek vetja e tyre. Të dyja palët gabojnë, ose më saktë kanë gabime kur një martesë dështon.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur