visi baner 5

Tregime të shkruara me bojë drite

Virginia Woolf, shkrimtarja e mrekullueshme angleze, pasardhësja për shpirt e Emily Bronte, si të ishte një rimishërim i kësaj të fundit pas më shumë se një shekulli qytetërim, njihet kryesisht si romanciere. Por ajo ka shkruar edhe mjaft tregime, një pjesë prej të cilave i ka sjellë në shqip shtëpia botuese “Skenderbeg book’s” në vëllimin “Njolla në mur”, të përkthyer me përkushtim dhe talent nga Elvana Zaimi. Kalojnë muajt, botohen shumë libra në vendin tonë, por “Njolla në mur” mbetet një prej librave më të mrekullueshëm me tregime në libraritë tona. Njëkohësisht edhe një sprovë e rrallë e gjuhës shqipe për të dhënë nuanca dhe delikatesa shumë të holla të shprehjes artistike, si ato që la trashëgim në gjuhën e saj Virginia Woolf. Lexuesit që e njohin sadopak jetën dhe historinë e kësaj shkrimtareje dhe që kanë lexuar fjala vjen romanin e saj “Zonja Dalloway”, nuk mund t’i shpëtojnë  tundimit për të mësuar ç’tregime shkroi një shkrimtare si ajo- poete, grua, angleze, aristokrate, gjeniale, e çmendur, me një pamje ku përzihen shekujt, me një fytyrë si të gdhendur në monedhat e vjetra?

Janë gjithsej njëzet e tre tregime, më saktë njëzet e tre tituj, që mund të klasifikohen në tri grupe: grupi i parë janë tregime, grupi i dytë janë skica dhe grupi i tretë poezi në prozë. Janë tekste përgjithësisht të shkurtra dhe të ngjeshura, që nuk kanë ngjashmëri me ato tregimet klasike që zhvillohen sipas një subjekti linear, me digresione të nevojshme apo pa thyerje fare dhe që përfundojnë me një kuptim apo mesazh të caktuar. Jo. Tregimet e Virginia Woolf duken më shumë herë si synopsese, herë si mbetje nga atelieja diellore e prozës së saj; duken si miniatura romanesh, si vizatime gjymtyrësh e pjesësh të një portreti të madh, si stërvitje dhe pse jo edhe si një lloj pushimi nga një roman në tjetrin. Por, sipas përshtypjes sime, shumë prej këtyre tregimeve, si për shembull “Kopshtet mbretërore”, “Gruaja në pasqyrë”, “Kuarteti i harqeve” e tjerë, janë edhe si eksperimente të gjuhës, për të sjellë përmes saj një botë plot ngjyra dhe muzikë, të filtruar nga shëmtitë dhe helmet, por edhe të pakapshme në larushinë dhe bukurinë e saj nga syri i zakonshëm. Autorja ka çelësin e saj magjik- fjalën- për të na njohur me botën që nuk e shohim. Por aq sa kërkon të na tregojë atje ku nuk shohim, aq kërkon ajo edhe të na fshehë atje ku shohim. Duke njohur jetën dhe natyrën e autores, të duket sikur ajo i ka shkruar këto tregime për të përftuar me fuqinë e penës një terapi, diçka shëruese dhe hedoniste për veten e saj pikësëpari dhe mandej, pse jo, për gjithë të tjerët. Poezia lëviz si prarim që nga përshkrimet e mrekullueshme të natyrës, te portretizimi me penelata të zgjedhura i personazheve, që nga frymëmarrja e qytetit, te sëmbimet e zemrave kurdoherë të prekura dhe të ngarkuara me ndjenjë, edhe pse nuk duan të bien në sy.

Por nuk kemi të bëjmë me një stil poetik të kërkuar që vret prozën. Do thosha se më shumë kemi të bëjmë me jehonën poetike të bukurisë, dhimbjes apo edhe shëmtimit në penën e autores. Tregimet e saj pa përjashtim, përcjellin përshtypjen sikur janë shkruar me një bojë të veçantë, që mund të quhet bojë drite, që u jep atyre një shkëlqim luksi. Nuk janë tregime që zgjojnë kureshtjen, por zgjojnë mendime dhe ndjenja, krijojnë përndritje dhe të habisin me larminë e lëvizjeve të mbështjella me pëlhurën e qetësisë.

Lexuesi duhet të futet në lëkurën e shkrimtares që të shijojë këto tregime. Ajo është një prej penave më të shquara që solli në letërsi stilin e përroit të ndërgjegjes. Siç e vunë në dukje më sipër, ajo u largohet stampave dhe përqendrohet te monologu i brendshëm i personazheve, që flasin fare pak, pasi pjesa më e madhe e gjërave që mund të thonë është konsumuar me gjuhën e heshtjes, është bërë dije, kulturë, zakon, përvojë apo kujtesë që nuk ka nevojë të thuhet. Kjo mënyrë të treguari e vendos personazhin në një lidhje kohësh, që duken si të papërcaktuara, të pandashme. Përroi i ndërgjegjes vjen nga parahistoria e personazheve dhe vijon edhe pas tyre. Prandaj tregimet e Virginia Woolf, edhe pse nuk mund të mos jenë një pasqyrë e Anglisë së shekullit të njëzetë, kanë një shtrirje shpirtërore shumë më të thellë në kohë.

Ato janë shkruar shumë bukur, me ekzigjenca të larta, me një gjuhë tepër të rafinuar, që nuk mund të përkthehej pa talent dhe ekzigjenca po aq të larta.

Lexuesit do të ndjejnë shijen e letërsisë së madhe sa herë të lexojnë këto tregime. Por do të kenë rastin të futen gjithashtu në botën e një shkrimtareje që ka legjendën e të qenit një qenie engjëllore, që dallohej për ndjeshmërinë e thellë, talentin e lindur, mjeshtërinë e jashtëzakonshme të shkrimit, vizonin e artit si mundësi për të ndryshuar jetën. Por kishte edhe ndjenjën e humbjes dhe braktisjes, ndjenjën e jashtëkohësisë, ndjenjën e daljes tepër në një botë kundërthënëse me butësinë dhe dashurinë. Ashtu si Emily Bronte, edhe Virginia vdiq sepse deshi të largohej nga kjo botë. Zgjodhi të mbytej në një lumë, duke mbushur xhepat e xhaketës me gurë, duke i shtuar peshës që nuk e kishte lejuar të ngrihej lart e të fluturonte, peshën që do ta zhyste në errësirën e vdekjes. Kjo ndodhi më 28 mars të vitit 1941 në Angli. Ishte rënia e saj kryengritëse, loja e saj me fatin. Atë vit Virginia Woolf do të mbushte gjashtëdhjetë e tre vjeç. Anglia kishte hyrë në luftë me Gjermaninë hitleriane. Populli anglez po përgatitej për sfidën më të madhe të qëndresës dhe mbijetesës. Por ngjarjet që historia i shkruan në mastershtabet e politikës, ushtrive dhe fushave të luftës nuk janë kurdoherë në sintoni me ngjarjet “e vogla”, që po kjo histori shkruan në palimpsestet e disa shpirtrave të lartë. Pavarësisht se takohen në ardhmëri. Megjithatë, vetëvrasja e Virginia Woolf u përhap si lajmi i zi i një dyluftimi të vjetër e të humbur të autores me depresionin e saj, duke shkaktuar dhimbje dhe tronditje në qarqet intelektuale të kohës.

Njihet letra e jashtëzakonshme që la për të shoqin, para se të mbushte xhepat me gurë për udhëtimin e fundit në thellësitë e lumit. “E ndjej se po çmendem përsëri. Kësaj radhe nuk do të shërohem. Po filloj të dëgjoj zëra. Nuk arrij të përqendrohem. Prandaj po bëj atë që duket gjëja më e mirë për t’u bërë. Ti me ke dhënë më të madhen lumturi që mund të jepet. Nuk besoj se dy persona do të mund të kishin qenë më të lumtur përpara se të arrinte kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më…Ajo që dua të them është se gjithë lumturinë e jetës sime e kam prej teje. Ke qenë plotësisht i urtë me mua dhe pabesueshmërisht i mirë. Nëse ndokush do të kishte mundësi të më shpëtonte, do të ishe ti…”.

Këto rreshta të një dashurie, besnikërie dhe mirënjohjeje të epërme për bashkëshortin, por edhe të dëshpërimit të thellë për rrënimin e tij, nuk mund të shkruheshin nga dikush që ishte çmendur apo po çmendej. Ajo e Virginia-s ishte një çmenduri e kthjelltësisë, e përfundimit të pyetjeve dhe përgjigjeve, e dështimit të shpirtit artistik për të mposhtur prozaizmin apo për të bashkëjetuar në paqe me të, e humbjes së shpresës për të gjetur ngushëllim. Ishte fundi i betejës së saj, një pjesë të së cilës do ta gjejmë edhe në tregimet e përmbledhjes “Njolla në mur”.

 

 

UET Press- Politika dhe historia

 

Esetë e përfshira në këtë vëllim nga Tarifa, Hasimja, Gurakuqi, Duka dhe Egro, sjellin kontribute të reja në shkencat historike, politike dhe sociologjike shqiptare lidhur me trajtimin e raportit midis zhvillimeve sociale dhe proceseve politike, nga njëra anë, dhe pasqyrimit të tyre në historiografi dhe në mendimin sociologjik dhe politik, si edhe mbi marrëdhëniet politikë-histori në përgjithësi. Kontributet e tjera nga Weinstein, Oberschall, Savic, Fischer dhe Michink e plotësojnë dhe e pasurojnë dallueshëm këtë vëllim dhe krijojnë një precedent tepër pozitiv për shkencat tona sociale, i cili, jemi të bindur, do të pasurohet edhe më tej në të ardhmen.

 

Ky vëllim është fryti i një pune kolektive të disa studiuesve shqiptarë dhe të huaj. Esetë e përfshira në të janë kumtuar nga autorët e tyre në simpoziumin akademik ndërkombëtar me temë “Politika dhe historia”, organizuar bashkërisht nga Instituti i Studimeve Sociale dhe të Politikave dhe nga Instituti i Historisë Bashkëkohore në Universitetin Europian të Tiranës, më 15 maj 2009. Tema mbetet e një rëndësie të veçantë, sidomos për një vend dhe një popull të vogël, por me një histori të gjatë dhe të vështirë, si Shqipëria.

Në Shqipëri, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, marrëdhënia midis politikës dhe historisë ka qenë dhe mbetet një marrëdhënie e vështirë. Sidoqoftë, përderisa si politika, ashtu edhe historia, janë objekt i shkencës, marrëdhënia midis politikës dhe historisë paraqitet si një domosdoshmëri, të cilën shkenca shpreson ta zbulojë.

 

Vëllimi çelet me esenë “Holokausti dhe politika e mohimit të tij”, shkruar nga sociologu amerikan Jay Weinstein, Profesor në Universitetin e Floridës Veriore. Autori, një studiues dhe analist i njohur i Holokaustit, trajton nga pikëpamja sociologjike në këtë ese Holokaustin si një episod i dehumanizimit të një grupi të tërë fetar, apo të një kombi, siç janë hebrenjtë, duke vënë theksin në rrezikun real që paraqet mohimi i tij në ditët tona. Përpjekjen për ta mohuar Holokaustin ai e vlerëson si “pjesë integrale të kulturës naziste” dhe si mënyrën më tipike për të shprehur “keqardhjen për autorët e tij”.

 

Eseja e dytë në këtë vëllim, “Kujtesa dhe përgjegjësia historike në Ballkan”, është shkruar nga një tjetër sociolog i njohur amerikan, Anthony Oberschall, Profesor në Universitetin e Karolinës së Veriut (në Chapel Hill). Një teoricien dhe njohës ndër më të mirët i problemeve dhe i konflikteve ndëretnike, veçanërisht në Ballkan dhe në Irlandën e Veriut, Oberschall ka shkruar gjerësisht mbi mitet dhe kujtesën kolektive të popujve të Ballkanit, si edhe mbi rëndësinë që ka zbulimi i së vërtetës historike dhe vendosja e drejtësisë në nivel lokal e kombëtar.

 

Në esenë pasrendëse, “Kujtesa mbi krimet e luftës: A mund të flasin viktimat?”, Obrad Savic, profesor i filozofisë në Universitetin Singidunum të Beogradit, shtjellon në mënyrë origjinale një varg idesh të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me kujtesën dhe me dëshmitë për krimet masive të motivuara politikisht

 

Në esenë e tij “Ç’të bëjmë me një të kaluar të vështirë?”, Dr. Fatos Tarifa i kthehet një teme të trajtuar edhe më parë prej tij, pikërisht temës mbi qëndrimin që duhet të mbajë një shoqëri post-revolucionare në tranzicion ndaj të kaluarës së saj. Sipas Tarifës, rivlerësimi i historisë ka qenë dhe mbetet pjesë e domosdoshme e procesit të tranzicionit dhe të konsolidimit demokratik në të gjitha shoqëritë postkomuniste. Duke u bërë pjesë e debatit tejet të politizuar mbi këtë çështje në Shqipëri, autori argumenton se përpjekjet për t’i “larë” hesapet me të kaluarën me çdo kusht dhe në çdo formë kanë qenë dhe mbeten një ndër faktorët që e kanë bërë më të vështirë, më të dhimbshëm, më të vonuar dhe më të pasigurt tranzicionin postkomunist në Shqipëri.

 

Dr. Ermal Hasimja, në esenë e tij “Politikja tek historia: Si të shkruajmë historinë me/pa gjuhë politike?”, trajton, nga një këndvështrim teoriko-filozofik, çështjen e mundësisë së një historiografie objektive. Ai evidenton disa prej pengesave që e vështirësojnë këtë detyrë, ndër të cilat, të parën veçon natyrën “politike” të gjuhës me të cilën shkruhet historiografia. Sipas tij, vetë koncepti i historisë është një koncept politik, pasi hulumtimi i historianit nënkupton jo vetëm një objekt, por edhe një mundësi kuptimi në të tashmen të dukurive të së shkuarës.

 

Profesor Romeo Gurakuqi, në esenë e tij “Anësia dhe paragjykimi politik në studimin e historisë: Rasti i historiografisë shqiptare nën diktaturë”, shtjellon ndikimin që ushtrojnë faktorët politikë në studimin e historisë, veçanërisht mënyrën se si faktorë të tillë, në Shqipërinë komuniste, kanë përcaktuar shqyrtimin e njëanshëm dhe tërësisht të paragjykuar të periudhave të ndryshme të historisë tonë kombëtare, si edhe dëmin që ka sjellë kjo në shkollën shqiptare dhe në përgatitjen e historianëve të rinj shqiptarë. Po kështu, ai trajton rrethanat e vështira, në të cilat studimi i historisë po përpiqet të dalë sot nga kornizat politike të së kaluarës.

Historiani Bernd Fischer, Profesor në Universitetin e Indianës (në Fort Wayne), në esenë e tij “Politizimi i historisë: Rasti i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore”, fokusohet në rolin që kanë luajtur regjimi komunist dhe qeveritë demokratike që e pasuan atë në një manipulim të gjerë të historisë së popullit shqiptar për qëllime politike. Fischer fokusohet në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, pasi, siç vë në dukje ai, asnjë periudhë tjetër historike nuk e ka dominuar kaq shumë―dhe për një kohë kaq të gjatë―psikikën kombëtare të shqiptarëve. Ndërsa Lufta e Dytë Botërore, sipas tij, mbeti një refren kryesor gjatë gjithë periudhës socialiste, pas shembjes së sistemit socialist ajo filloi të riekzaminohej për të gjetur në të elemente që të mund të mbështesnin një shumësi agjendash historike dhe politike, në vend të një agjende të vetme.

 

Në esenë e tij “Historiografia, miti dhe politika”, Profesor Ferit Duka shtjellon një temë të ngjashme me atë që trajtojnë në këtë vëllim Gurakuqi dhe Fischer, por shtjellimi i tij është më holistik. Duka dallon si një tipar karakteristik të zhvillimeve historiografike bashkëkohore përfshirjen e shkrimit të historisë nga një valë “demokratizimi”, çka sipas tij, do të thotë se në këtë ndërmarrje marrin pjesë gjithnjë e më shumë individë.

 

Në esenë e tij “Historianët ballkanas si krijues kombesh”, Dr. Dritan Egro trajton rolin që luajnë historiani dhe vepra e tij në formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe të shtetit kombëtar, kryesisht në vendet e Ballkanit. Autori sjell një kontribut me vlerë në analizën e rolit të faktorëve historikë dhe të preokupimeve intelektuale të historianëve ballkanas në formimin e vetëdijes kombëtare dhe në procesin shtet-formues në vende të ndryshme të këtij rajoni.

 

Vëllimi mbyllet me një intervistë të intelektualit të shquar europian, Adam Michnik, dhënë televizionit KLAN po atë ditë që ai mbajti fjalën e tij (të pashkruar) në konferencën “Politika dhe historia”. Titulli i intervistës, “E vërteta historike dhe falsifikimi i kujtesës kolektive”, është zgjedhur nga redaktorët e këtij vëllimi dhe përkon me temën qendrore të fjalës së tij në atë konferencë. I njohur si një ndër heronjtë e rezistencës antikomuniste (tri herë i burgosur) në Poloni dhe në krejt Evropën Lindore, Michnik është shquar për mendimin e tij emancipues dhe vazhdon të jetë, në teori dhe në politikë, një ndër kundërshtarët më të vendosur të lustracionit dhe të qëndrimeve hakmarrëse në shoqëritë postkomuniste.

 

 

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur