Vjen “100 vjet” i Fevziut Si e pushkatuan komunistët atentatorin e Ahmet Zogut

‘100 vjet-Një ekskursion në politikën e shteti shqiptar; 1912-2012’ është titulli i librit të ri të gazetarit Blendi Fevziu. Një vit pasi ka tronditur tregun e librit me biografinë e Enver Hoxhës, duke shënuar një rekord prej 50 mijë kopjesh të shitura, moderatori emisionit ‘Opinion’ vjen me një narrativë tjetër të historisë. Kësaj radhe fokusi është më i gjerë dhe hedh dritë, me një ritëm gazetaresk, mbi ngjarjet kryesore që kanë përvijuar historinë e Shqipërisë gjatë 100 viteve Pavarësi. Që nga Ismail Qemali si kryeministër i parë dhe deri te Bujari Nishani, presidenti aktual, në libër do të gjeni etapat dhe personazhet, ngjarjet dhe fenomenet, më shumë se të trajtuara, të identifikuara.

 

1924

Më 23 Shkurt 1924, gati të gjithë ne deputetët, thuajse kishim zënë vendet tona për seancën e pasdites të Asamblesë. Mungonte vetëm Qeveria, pra edhe Kryeministri Ahmet Zogu. Unë rrija si gjithmonë pranë metropolitit Fan Noli, në bankën e radhës së parë pranë hyrjes. Më ra në sy se atë ditë, grupi i Partisë Demokratike prapa meje po rrinte çuditërisht i heshtur dhe i merakosur. Befas ushtuan dy krisma në shkallët e ndërtesës, që u pasuan nga një qetësi e ngrirë. Pastaj u hapën me vrull dyert e sallës dhe brenda hyri Ahmet Zogu me revolver në dorë. Ai ishte prerë në fytyrë, por ecte me shtatin drejt dhe pas disa çastesh e mori veten, madje buzëqeshi dhe vajti me çap të sigurt tek bangoja e qeverisë, ku u ul në një vend të caktuar për sekretarët.”

Ky rrëfim i deputetit Eqrem bej Vlora i takon një prej momenteve që ndryshoi radikalisht situatën parlamentare në Shqipëri. Ishte data 23 shkurt, ora 14.30 pasdite. Në vendin ku qe ulur Kryeministri po rridhte një rrëke gjaku. Ahmet Zogu vijonte të qëndronte aty, por ai ndjeu dhimbje. Kishte marrë dy plagë të thella, por për fatin e tij jo në organe jetike.

Ahmet Zogu ishte zgjedhur Kryeministër më 2 dhjetor 1922 në asamblenë e vjetër, duke mbajtur njëkohësisht postin e Ministrit të Brendshëm. Ai kishte siguruar mbështetjen më të madhe ndaj çdo qeverie tjetër, duke marrë 37 vota pro, 13 kundër dhe 6 abstenime. Ishte qeveria më jetëgjatë që Shqipëria njihte, dhe Kryeministri i saj do të qëndronte në detyrë edhe për dy ditë të tjera. Me siguri ai do të kish qëndruar edhe më, sikur në 23 shkurt 1924, në ora 14.30, ndërsa ngjiste shkallët që ndanin zyrën e Kryeministrit nga salla e Parlamentit, të mos qëllohej pas shpine me dy plumba nga një djalë i panjohur që kish mbështjellë pistoletën me gazetë.

Selia e Qeverisë dhe ajo e Parlamentit qenë vendosur në të njëjtën godinë, në shtëpinë e Zija Bej Toptanit, aktualisht Selia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Zyra e Kryeministrit dhe salla e mbledhjeve të qeverisë gjendeshin në katin e parë, ndërsa salla e Parlamentit në katin e dytë. Parlamenti qe mbledhur në seancën e radhës gati për të filluar, kur Kryeministri doli nga zyra e tij ku sapo kish mbaruar një takim me konsullin anglez, Eden dhe u ngjit drejt katit të dytë. Ai nuk vuri re se në hollin ku shpesh prisnin miq të deputetëve, gazetarë, trima të armatosur, një djalë i ri që ai ekishparë diku po e ndiqte me sy. Rojet e Kryeministrit qenë jashtë dhe komandanti që ruante Parlamentin, Osman Gazepi, nuk e dinte që djali ishte i armatosur. Quhej Beqir Valteri, vinte nga Mati dhe dy vjet më parë, Ahmet Zogu ekishndihmuar me lekët e tij të shkonte për studime në Itali. Beqir Valteri i thirri: “qëndro Zog”, e qëlloi dy herë ndërsa ai po hynte në derën e sallës dhe u fut me ngut në banjon e parlamentit që e mbylli nga brenda. Kryeministri hyri në sallë, i zbehtë, në një situatë të elektrizuar. Ai e ndjeu që i rridhte gjak dhekishdhimbje. Situata ishte e nderë dhe askush nuk po kuptonte ç’kishndodhur. Edhe pse në sallëkishdisa persona që me siguri ishin në dijeni të asaj që po ndodhte. Deputetët mbështetës të Zogut ju afruan në krah ndërsa ata të opozitës në cepin tjetër. Të gjithë ishin të armatosur dhe shpërthimi që mund të kthehej në masakër ishte fare afër. Eqrem Bej Vlora mori nga llozha doktor Simonidhin, një mjek nga Vunoi, për të parë të plagosurin. Zogu refuzoi. Ai nuk e njihte doktorin dhe në atë moment nuk i besonte askujt. Një çast më vonë, i garantuar nga mbërritja me vrull e rojeve të tij u bind. Doktor Simonidhi konstatoi se aikishmarrë dy plagë të thëlla, por që nuk e vinin në rrezik jete. Ja lidhi plagët dhe e këshilloi të nisej urgjent për në shtëpi. Zogu refuzoi. Ai ju drejtua Kryetarit të Seancës.

Zoterinj, nuk është hera e parë në botë që në një parlament ndodh një gjë si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi, ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe pastaj të veprojnë

Ndërkohë në godinë filluan krisma. Beqir Valteri i mbyllur në banjo këndonte këngë patriotike dhe refuzonte të dorëzohej. Osman Gazepi dhe mbi 30 xhandarë e qëllonin me pushkë. Ai përgjigjej nga brenda me revolver. Plumbat fërshëllenin në selinë e Parlamentit dhe situata vijoi edhe pak kohë, derisa një delegacion deputetësh i përbërë nga Qazim Koculi dhe Ali Këlcyra e bindi Valterin të dorëzohej. Gjatë gjithë hetimeve ai deklaroi se kishte vepruar i vetëm, se e pati bërë gjestin në shërbim të atdheut dhe nuk ishte i shtyrë nga askush. Edhe Gjykata e Tiranës arriti muaj më vonë në përfundimin që ai nuk ishte një komplot. Beqir Valteri u fal, por ai u pushkatua 21 vjet më pas nga komunistët, më 1945! Që nuk e falën më.

Ahmet Zogu që ishte paralajmëruar për atentatin 2 javë më parë arriti të mësonte se Valteri ishte i shtyrë nga kundërshtarët e tij. Kujtimet e shumë protagonistëve të kohës, shënojnë faktin që ai u takua edhe vetë kokë më kokë me atentatorin. Në fakt atentati i Zogut përflitej në çdo kafene të Tiranës dhe njerëzit e tij, vunë gishtin mbi Avni Rustemin si organizator.

Atentati i 23 shkurtit 1924 nuk ishte i vetmi që Ahmet Zogu përballi në jetë. Sipas të dhënave të biografëve ndaj tij u bënë mbi 7 atentate dhe mbetën së paku të njohur edhe 5 në tentativë. Por më problematikët qenë ai i Parlamentit në 1924 dhe ai i 21 Shkurtit 1931 në Vienë.

Në fillim të vitit 1931 Ahmet Zogu i shndruar tashmë në Mbret, me titullin, Zogu i I – rë Mbret i Shqiptarëve, udhëtoi në Vienë për një ekzaminim mjekësor. Ishte rasti i vetëm që ai u largua ga Shqipëria gjatë karrierës së tij në krye të shtetit. Zogu udhëtoi nga Durrësi në Triste dhe për këtej në Vienë me tren. Aikishjetuar në kryeqytetin Austriak për dy vjet në vitet 1916 – 1918 dhe ishte njohës i gjuhës gjermane. E ndërgjegjshme për një grup emigrantësh politik agresivë, kundërshtarë të Zogut, policia austriake ju kërkoi atyre që në ditët kur Mbreti do të ndodhej në Vienë, të qëndronin sa më larg tij. Ata e premtuan këtë gjë. Por grupi kishte vendosur ta vrisnin Zogun dhe qenë shpërndarë me grupe që vëzhgonin se ku mund ta ndeshnin atë.

Mbreti Zog qëndroi në Hotel Imperial. Ai i kursente në maksimum lëvizjet, por nuk ja kursente vetes vizitat në Opera. Pikërisht aty e pa duke hyrë një prej emigrantëve shqiptarë dhe njoftoi grupin. Ishte 21 Shkurt 1931. Mbreti Zog që po shihte operan “Palaçot”, për arsye sigurie u largua në aktin e fundit nga dera anësore. Ai po hynte na makinë kur dy atentatorët, të dy ish oficerë, Azis Çami dhe Ndok Gjeloshi hapën zjarr mbi të me pistoletë dhe pushkë. Nga zjarri mbeti i vrarë në vend adjutanti i Mbretit Llesh Topallaj dhe u plagos, Eqrem Bej Libohova. Sejfi Vllamasi, njëri prej pjesëmarrësve në atentat, rrëfen:

Zogu e pa Ndok Gjeloshin dhe bashkë me Eqrem Libohovën hynë në automobil. Kur pas këtyre ishte duke hyrë Llesh Topallai, i gjatë dhe i shëndoshë, Gjeloshi duke e kujtuar për Zogun e qëlloi prapa kokës duke e lënë të vdekur në vend. Gjeloshit nuk i punoi më pushka. Dedektivët austriakë, duke u kapur dorë më dorë, e rrethuan automobilin e Zogut. Aziz Çami, me të dëgjuar pushkët, e çau rrethimin e dedektivëve. Sulmoi automobilin dhe qëlloi 7 herë me nagant. Sikur Zogu të kish qenë në pozitë normale të 7 plumbat do ta kishin kapur, por ai qëndroi shtrirë…”

Atentati bëri bujë në Vienë dhe policia austriake arrestoi gjithë emigrantët. Gjatë hetimit ajo zbuloi se dy atentatorët qenë të pajisur me pasaporta diplomatike jugosllave. Zbuloi po ashtu një listë të pagesave të përmuajshme që emigrantët merrnin nga Jugosllavia dhe Italia. Një proces i rregullt nisi disa javë më vonë në Austri dhe po në të njëjtën kohë në Tiranë. Në Austri, dy atentatorët u dënuan me 7 dhe 3 vjet burg, kurse në Tiranë me vdekje. Të gjithë emigratët e tjerë u përzunë nga Viena dhe atyre ju refuzua leja e qëndrimit. Mbreti Zog u kthye në Tiranë, kukishnisur një histeri solidarizimi me të. Me mijëra vetë kishin mbërritur në shtëpinë e nënës së tij për ta uruar që djali shpëtoi dhe me mijëra telegrame me një tekst naiv dhe tejet servil u nisën drejt tij nga zyrtarë të të gjitha niveleve.

 

Historia e Ahmet Zogut si dhe e gjithë klasës politike të asaj kohe është një histori ku atentati dhe eleminimi fizik i kundërshtarit, shihet si armë normale politike. Në jetën e tij Zogu ju mbijetoi shumë atentateve; zbuloi shumë tentativa për atentat, por edhe organizoi dhe urdhëroi shumë të tilla. Ndër eleminimet më të bujshme për të cilat akuzohet Ahmet Zogu është vrasja e Luigj Gurakuqit dhe e Hasan Prishtinës. Për ta kuptuar mentalitetin e asaj kohe, shërben më mirë një pjesë nga kujtimet e Sejfi Vllamasit, ku ky i fundit sjell një bisedë të tij të hershme me Ahmet Zogun:

Në pranverën e vitit 1920 kur qeveria ndodhej pa fuqi, pa të holla dhe nën kërcënimin e esadistëve, Zogu më bëri këtë propozim:

Mbasi nuk disponojmë fuqi të organizuar të mjaftueshme për të stabilizuar një shtet modern, kam menduar një rrugë praktike, por barbare për t’i dalë qëllimit në krye. Të ftojmë gjithë parinë e Shqipërisë në një kongres… në të njëjtën kohë unë marr përsipër t’i vë dy bomba shtëpisë ku do të mbahet kongresi dhe në çastin e fundit ne me shokët tanë, me një pretekst dalim jashtë para se të hedhim në erë kongresistët. Kështu situata vetvetiu stabilizohet

Argumentave të Vllamasit se kjo do të shkaktonte shqetësim dhe përçmim në Europë, Zogu ju përgjigj:

Shqipëria nuk është Përmeti. Të gjithë krerët e Shqipërisë, sidomos ata të veriut, duan të bëhen Kryetarë Shteti, Kryeministra dhe Ministra. Ku do t’i gjejmë gjithë këto vende për të kënaqur këta njerëz të cilët kur mërziten shkojnë deri në përmbysjen e shtetit. Gazetat e huaja, pas një jave agjitacioni kundra nesh do të bëhen objektive dhe do të pëlqejnë procesin tonë të shkurtër e praktik e deri diku të njerëzishëm mbasi qëllimi ynë asht të shpëtojmë një popull…”

++++

Atentati në Parlament ndaj Kryeministrit Ahmet Zogu e komplikoi shumë situatën politike në Tiranë. Më 25 Shkurt 1924 Ahmet Zogu dha dorëheqjen si Kryeministër. Në vend të tij u zgjodh vjehri i pritshëm, Shefqet Verlaci, njeriu më i pasur dhe ndoshta më influent i Shqipërisë. Sipas të gjitha rrëfimeve, Zogu ishte i fejuar me vajzën e Vërlacit, Behije Hanëmin, fejesë të cilën ai vetë e prishi në momentin që filloi të mendonte kurorëzimin si mbret. Prishja e fejesës ishte edhe prishja përfundimtare mes Zogut dhe Vërlacit. Ky i fundit u kthye si Kryeministr me Italianët më 12 Prill 1939, pasi këta të fundit kishin përzënë Mbretin Zog i I – rë. Por në shkurt 1924 raportet mes tyre qenë ende të mira dhe në një aleancë solide. Shefqet bej Vërlaci mori votbesimin si Kryeministër më 3 Mars 1924. Zogu u mbyll në shtëpi. Sipas ligjeve të krahinës nga vinte, ai nuk mund të dilte derisa porositësi i vrasjes së tij të ndëshkohej.

 

Avni Rustemi ishte duke ecur me Hoxha Kadriun në rrugën e Bamit, në afërsi të Pazarit të ri të sotëm, kur një person që ju afrua nga mbrapa e qëlloi disa herë me revolver. Atentatori quhej Isuf Reci, një mullixhi dhe shërbëtor i vjetër i Esat pashës. Ishte 20 Prill 1924. Ali Këlcyra, deputet i opozitës që banonte në një shtëpi me qira aty pranë dëgjoi krismat dhe e mendoi se diçkakishndodhur:

Dola të shoh ç‘ngjau kur pashë të shtrirë përdhe Avniun e plagosur. Ai qëllonte drejt atentatorit që po largohej me të shpejtë. Pashë me habi të madhe, dy xhandarë pak larg vendit të vrasjes, që rrinin si spektatorë të kësaj drame. Kur e ngrita Avninë më tha: Ki kujdes mos na qëllojnë policët neve se i pashë që shoqëronin nga pas vrasësin…

Pas këtyre fjalëve u shtrëngova ta marr të plagosurin në krah, në një dorë mbaja koburen, duke pasur kujdes mos na qëllonin…”

Avni Rustemi u dërgua urgjent në spitalin civil të Tiranës, një godinë modeste pranë Sahatit në qendër të qytetit. Ai qëndroi aty për 48 orë por mjekët nuk arritën ta shpëtojnë. Avni Rustemi vdiq. Vdekja e tij, ishte fillimi i shpërthimit të gjithë kontradiktave të kohës. Shqiperia nuk mund t’i zgjidhte më problemet e saj me zgjedhje. Ju rikthye stilit të vjetër të saj, përplasjes.

Varrimi i Avni Rustemit nisi më 28 Prill 1924 nga Tirana. Shoqëria Bashkimi, anëtar i së cilës ai ishte e lëvizi arkivolin dhë bëri homazhe në të gjithë Shqipërinë. Trupi vijoi për në Durrës e prej këtu në Vlorë, ku ishte vendosur të prehej përfundimisht.

Bashkë me arkivolin e Avni Rustemit drejt Vlorës lëvizën edhe shumica e deputetëve të Partisë Demokrate. Më 30 Prill, 26 prej tyre dhe anëtarëve të tjerë të Parlamentit që kishin mbërritur aty, u takuan në Bashkinë e Vlorës. Mbledhja e ndezur që zgjati disa orë doli me thirrjen që Kuvendi Kushtetues të mblidhej në Vlorë dhe jo në Tiranë. Në Kryeqytet ata ndiheshin të kërcënuar nga fuqia e Ahmet Zogut. Grupi i të 26 – tëve tentoi të gjejë edhe një argument juridik për këtë. Ali Këlcyra ju referua nenit 127 të Statutit Kombëtar sipas të cilit, në raste kërcënimi të demokracisë, popullit i jepej e drejta të rrokë armët për mbrojtjen dhe shpëtimin e atdheut. Nga fjalimet që vijuan deri vonë atë natë në sheshin e Vlorës, dukej sikur realisht Shqipëria po sulmohej.

Poatë ditë, paralel me mbledhjen e Vlorës, 49 deputetë vijuan punimet në Tiranë. Midis tyre, veç 26 deputetëve të ikur në Vlorë, mungonte Ahmet Zogu që po mjekohej në shtëpi pas atentatit dhe Ahmet Resuli që ishte me pushime. Faik Konica qe dorëhequr disa kohë më parë me një telegram ku i quante gjithë deputetët e parlamentit parazitë. Deputetët e Tiranës i akuzuan ata në Vlorë se po bënin grusht shteti. Akuza u përforcua edhe nga përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Në përgjigje të akuzave, Fan Noli, deputeti më karizmatik dhe më i kulturuar i opozitës i dërgoi në datën 26 Maj 1924 një telegram nga Vlora Ministrit të Legatës Italiane me seli në Durrës, Markezit Durazzo. Në telegram ai nuk i fshihte planet e opozitës:

…E jona nuk është një luftë klasash, por një luftë mes elementëve patriotikë e të ndershëm të vendit nga njëra anë dhe kusarëve mercenarëve e reaksionarëve moskuptues ndaj çdo përparimi civil nga ana tjetër…

… Nuk na mbetet tjetër, veçse të rrokim armët dhe të marrshojmë mbi Tiranë, duke ndjekur shembullin klasik të Duçes suaj të ndritur…

Musolini e kishte marrë pushtetin 2 vjet më parë duke ju imponuar Parlamentit me një marrshim të besnikëve mbi Romë. Me gjasë këtë ka pasur në mend edhe Fan Noli. Pak muaj më pas, kur ai ishte zgjedhur Kryeministër, në një intervistë ekskluzive për gazetën e Athinës, “Eleftheron Vima” të datës 17 tetor 1924, pyetjes së gazetarit se ç‘ishte kjo që kishte ndodhur në Shqipëri, Fan Noli ju përgjigj:

“Ishte më shumë një coup d’etat politik bashkë me një pronunciamento ushtarake”

Në fund të jetës së tij, në autobiografinë që la pas, Noli i quante ngjarjet e 1924 “revolucion”.

 

 

3 Përgjigjet për "Vjen “100 vjet” i Fevziut Si e pushkatuan komunistët atentatorin e Ahmet Zogut"

  1. ismet  30/10/2012 në 3:20 pm

    ky asht njesh mo vlla,i merr dekomentat ne arkiv e ban sikur i ka shru vete,o cfar kingut

  2. shqiptar  30/10/2012 në 10:09 pm

    filloni te mesoni historine reale o shqiptare.mos degjoni Xhufin Milon ,Puton etj

  3. Krutani  31/10/2012 në 11:18 pm

    Ky nuk eshte libri i Fevziut, se Blendi nuk di ceshte puna, se gjithe diten e kalon sa ne palester , ne kafe Rogner, por nje Copy/Paste duke marre dokumenta nga arkivi dhe pasi ja rikopjojne ssekretarwt e TV Klanit, vendos ne fund emrin e tij dhe suksesi eshte i garantuar nga Klan-TV….

Komentet janë mbyllur