Miratohet Kodi i Etikës, penalizime për mësuesit abuzues

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka firmosur Kodin e Etikës për mësuesit në arsimin parauniversitar publik dhe privat. Pjesë e këtij Kodi nuk do të jenë vetëm mësuesit, por edhe drejtorët e shkollave, si dhe vetë prindërit. Parimet themelore të Kodit të Etikës për mësuesit janë ai i përkushtimit ndaj nxënësit, si dhe ndaj profesionit. Lidhur me përkushtimin ndaj nxënësit, në Kod thuhet se mësuesi duhet t’iu përkushtohet të gjithë nxënësve njëlloj, si dhe të ushqejë tek ata potencialin qytetar, shoqëror, intelektual, emocional dhe fizik të tyre. Në Kodin e Etikës janë përcaktuar edhe penalizimet në rast se mësuesit veprojnë në shkelje të ligjit dhe dispozitave ligjore. Këto penalizime shkojnë deri në largimin nga puna. “Komisioni i Etikës dhe i Sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës, që funksionon në institucionin arsimor, ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e nxënësve, të prindërve e të punonjësve të institucionit për sjellje që mendohen jo në përputhje me parimet e këtij Kodi dhe e fton punonjësin për sqarim dhe këshillim.

Ky komision i propozon drejtuesit të institucionit për shqyrtime dhe veprime të mëtejshme, në rastet kur sjelljet në fjalë konsiderohen shkelje të ligjit ose dispozitave ligjore. Të gjitha masat ndaj mësuesit merren vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nga institucionet përkatëse”, – thuhet në Kodin e Etikës. Në të sqarohet se sjelljet që vijnë në kundërshtim me parimet e Kodit do të gjykohen vetëm në përputhje me legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës në përgjithësi dhe ato që lidhen me fushën e arsimit, si: Kodi i Punës, Ligji për Arsimin Parauniversitar, dispozitat normative në arsim dhe kontrata kolektive e punonjësve të arsimit. Kodi synon të rregullojë raportet mes mësuesve dhe nxënësve, duke luftuar edhe rastet abuzive nga ana e arsimtarëve me nxënësit.

 

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login