Buxheti 2013, rritja e pagave në varësi të realizimit të të ardhurave

Rritja e rrogave dhe pensioneve vitin që vjen do të jetë në varësi të realizimit të të ardhurave të programuara në buxhet. Madje në dispozicion të rritjes së pagave do të jetë një fond i veçantë, i cili do të administrohet nga ministri i Financave. Bode do të mund të vendosë për përqindjen e rritjes dhe kategoritë, të cilat në disa raste do të marrin edhe miratimin e qeverisë. Ndërkohë, kryeministri Berisha gjatë prezantimit të projektbuxhetit në qeveri tha se rritja e pagave të ulëta dhe pensioneve do të jetë dy herë më shumë se inflacioni rreth 5-6%. Por sipas përcaktimeve të projektbuxhetit 2012, kjo do të ndodhë vetëm nëse realizohen të ardhurat e parashikuara. Shpenzimet për pagat e administratës zënë më shumë se 60 miliardë lekë ose rreth 5 për qind e PBB-së. Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin, fondi i pagave është përllogaritur duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave duke filluar nga data 15 korrik 2012. Sipas projektbuxhetit 2013, politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2013 dhe do të konsistojë në një politike të kujdesshme indeksimi dhe rritje selektive për sektorët prioritarë. “Në përllogaritjen e shpenzimeve për paga është identifikuar si një zë më vete fondi i veçantë, i cili gjatë vitit 2013 do të përdoret vetëm përmes miratimit të ministrit të Financave, në përputhje me performancën e të ardhurave dhe sipas rasteve të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave”, sqarohet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin. Rreth 820 mijë familje shqiptare, sipas Kryeministrit, do të përfitojnë një rritje të pagave dhe pensioneve dy herë më të lartë se inflacioni. Referuar të dhënave zyrtare, inflacioni për muajin tetor ishte 2.4 për qind. Kjo lë të kuptohet se rritja e pagave dhe pensioneve mund të jetë rreth 5 deri në 6 për qind. Kryeministri bëri me dije se buxheti do të sjellë sërish rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Duke u ndalur te rrogat, Kryeministri tha se rrogat e zyrtarëve të lartë do të rriten vetëm me 1%  dhe nuk do të indeksohen, duke mos krijuar në këtë mënyrë diferenca të mëdha me pagat e tjera më të ulëta. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se rrogat e mësuesve dhe pensionet do të rriten 2 herë më shumë se sa është inflacioni dhe jo vetëm do të indeksohen, por do të rriten edhe njëherë më shumë sesa indeksi i çmimeve. Edhe gjatë këtij viti qeveria ndoqi një politikë më konservative për rritjen e pagave. Shpenzimet për paga këtë vit ishin 2.6 për qind më të larta se një vit më parë ose rreth 1.1 miliardë lekë më shumë, ndërkohë që shpenzimet për sigurimet shoqërore janë rreth 2.2 për qind më të larta ose rreth 150 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Për shkak të realizimit jo sipas programit të të ardhurave buxhetore, pagat vetëm sa u indeksuan me inflacionin, duke ndalur rritjen e vrullshme të tetë viteve të fundit. Ekspertët në Ministrinë e Financave pohojnë se rritja e pagave është maturuar tashmë dhe rritjet që do ta pasojnë nga viti në vit do të jenë më shumë se një indeksim me inflacionin.

 

Komentet janë mbyllur