Qyteti që nuk e di se ’ekziston“… natyra

Qytetet dhe jeta urbane me ndryshimet e tyre u tërhoqën vëmendjen qysh në shekullin 19 një grupi autorësh, si Charles Baudeliare, Honore de Balzac dhe Emil Zola, për të mbërritur deri në shekullin 20 me Walter Benjamin, Hannah Arendt.

Brenda traditës, ndryshimet shoqërore sjellin ndryshime të mëdha edhe arkitekturore. Një ndryshim marramendës pësuan edhe qytetet shqiptare pas rënies së Murit të Berlinit. Këtë ndryshim  me pasoja jo vetëm në politikë por edhe në popullatë, mendësi, mënyrë jetese e arkitekturë na paraqet në librin e tij të fundit studiuesi e filozofi i mirënjohur shqiptar, Artan Fuga.

“Rënia e qytetit” është një botim ndërdisiplinor, ku ndërthuren syri i vëzhguesit që jeton brenda një qyteti shqiptar me analizën e përimët të fakteve prej filozofi social, si dhe qasjet e ideve bashkëkohore e rekomandimeve sociologjike për qytetin. I punuar për një periudhë të gjatë kohore, libri vjen nga “Botimet Papirus” dhe pasqyron më së miri përpjekjen e ethshme të banorëve të qyteteve shqiptare dhe të atyre që erdhën në to, për të kapur kohën e humbur të regjimit të vjetër. Ndërsa  Walter Benjamini  quante “pasazhet” si tipike për Parisin, studiuesi Fuga do të quajë tipike për qytetet shqiptare vitalitetin dhe shpejtësinë e ndryshimit të tyre në një kohë të shkurtër, saqë po kalove pas disa muajsh në të njëjtën rrugë, thuajse nuk e njeh më. Kjo tipike ka sjellë përmbysjen e raportit ndërmjet hapësirës publike dhe private, pa folur dhe për “penalizimin ekonomik” të keqpërdorimit të hapësirave jetike.

Hapësira private e kohës moderne, diku edhe postmoderne, në një qytet shqiptar, natyrisht që ndryshon nga ajo e kohës së diktaturës. Vetë arkitektura e kohës e rrëfen më së miri këtë. Duke marrë si kriter vlerësues të raportit të këtyre hapësirave, pronën, e cila në teoritë e së drejtës gjendet e lidhur ngushtësisht me hapësirën private, mund të kuptojmë se pse zhdukja e pronës private ndikoi në rrënimin e hapësirës private. Mirëpo edhe sot ky proces nuk i shpëton dot politizimit, siç ndodh edhe me “Piramidën”, dhe nuk shikohet si një objekt me ose pa vlerë historike.

Duke shpjeguar humbjen e funksioneve të qytetit, autori e krahason atë me një qenie biologjike që i ngjan një guaske bosh të nxjerrë në breg. Kjo sepse këto qytete dikur kështjella e më pas qendra administrative ose industriale, nuk i kanë më këto funksione. Natyrisht që qytetet shqiptare nuk bëjnë përjashtim nga ecuria e qyteteve të tjera në disa procese, ku si tipar i përbashkët shihet prej autorit kthimi i tyre në qendra shërbimesh dhe konsumizmi, ku gjithnjë e më pak prodhohen vlera të mirëfillta materiale.

Ndërsa në periudhën diktatoriale, hapësira publike shtrihet kudo duke e reduktuar në maksimum hapësirën private, në qytetet e sotme shqiptare ndodhi një prirje tjetër: Hapësira publike iu nënshtrua pushtimeve të parregullta, sundimeve të paligjshme, dhe konsiderohet, si në shtrirje fizike ashtu dhe në atë akustike, si pronë e më të fortit.

Qytetet e periudhës postdiktaturë fillojnë e bëhen vendi i mrekullive për periferinë, simboli i plotësimit të dëshirave të ndryshme për punë (jo gjithnjë e përmbushur), shtëpi, kënaqësi të shumta në kohën e lirë e konsum. Kudo spikat synimi këmbëngulës për t’u ndarë nga e vjetra, qoftë dhe me një bojatisje fasadash.

Prona private lejohet, por mund të zaptohet e përvetësohet lehtësisht dhe kudo ndërtohet pa plan fare, në fillim më pas situata vihet më në kontroll. Zgjerohet fusha arkitekturore e ndërtimit, shfaqen fasadat e xhamit dhe konsumizmi mbush vitrinat duke i bërë disa rrugë. Fuga: “Popullsia rurale ka të drejtën politike dhe juridike të shkojë për të jetuar në qytet, ku sigurisht jeton shumë keq, por ama ka fituar lirinë, lirinë për ta drejtuar vetë jetën e saj personale e familjare si të dëshirojë, pa ndërhyrjen e shtetit”.

Privatja u bë e shenjtë, publikja e askujt, mund të mbrohej vetëm nga një anonim i pafuqishëm si shteti. Rezultati i këtyre zhvillimeve është zhdukja e natyrës nëpër qytete. Parqet janë aq të pakta, saqë qytetari e ndjen natyrën si një mirazh, si një thirrje të humbur.

“Te ne, zona rurale është në proces urbanizimi, kurse qyteti e ka përzënë natyrën nga hapësirat e veta”, shkruan autori, duke pasur një ndjesi të humbjes së natyrores për shkak të qyteteve të zhurmshme e ku jeta bëhet e vështirë nga mosrespektimi i njerëzve dhe mjedisit dhe ku natyrorja kthehet në një mirazh që dëshiron të shohë njeriu i qytetit.

Duke iu referuar një koncepti të demokracisë deliberative, ku kemi një shkallë më të madhe të përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje politike, krahasuar me demokracinë diskursive që mbizotëron sot, Fuga propozon një rrugë të mundshme të lidhjes së investimeve publike me komunitetin lokal.

Brenda këtyre rekomandimeve të vlefshme ai përfshin dhe propozimin që, për të përfaqësuar më mirë zonat periferike me popullsi më të vogël, domethënë elektorat i papërfillshëm, por që nuk mund të braktisen, mund të krijohen hallka të tjera pushteti vendimmarrës si senate, ku kriteri i përfaqësimit nuk varet nga numri i banorëve, por nga sipërfaqja e territorit.

Prandaj autori propozon me të drejtë: “Ndofta është mirë që rikonstruksioni urban të fillojë jo mbi folenë e qytetit të vjetër, por mbi një territor të ri. Guaska e vjetër e qytetit nuk lejon të prodhosh një kulturë të re urbane”.

Edhe qytetet shqiptare nuk i shpëtojnë krizës duke përkuar në këtë periudhë pikërisht me atë përkufizim të Leo Strausit për qytetin si: “Një shoqëri që përfshin brenda vetes lloje të ndryshme shoqërish të vogla dhe të nënvarura”. Mirëpo ky urbanizim fizik i njerëzve në qytetet shqiptare nuk shoqërohet me një “urbanizim” mendor të tyre. Për shembull, jeta në një qytet relativisht të madh si Tirana, për shumë njerëz është humbje e identitetit të vjetër, dhe në kërkim të një identiteti të ri dhe të zhytur në anonimatin e një qyteti relativisht të madh, rruga më e mirë që ata zgjedhin është shpalosja me guxim e ekzistencës së tyre në mos me produkte konsumi e paraqitje, me klithma si në hapësirën e vjetër të fshatit, ku njerëzit i thërrisnin njëri-tjetrit me zë të lartë. Aktualisht këto klithma po zëvendësohen me boritë e makinave që bien pa pushim e në çdo moment kudo, edhe në rrugicat e ngushta të Tiranës.

Sfera publike është e sunduar nga një private vulgare që të shpon sytë ndonjëherë, kultura masive zhduk elitaren dhe cilësoren, ose e redukton atë në disa rrugë e lokale. Megjithëse ajo synon të ruajë diçka për përjetësinë nga shkatërrimi i natyrshëm i kohës, imponimi i vlerave të ulëta nën maskën e popullores po zë gjithnjë e më tepër vend në hapësirat publike. Hapësira jonë publike e kufizuar në shtrirje gjithnjë e më të ngushta reale, që na bën të biem mbi njëri-tjetrin vazhdimisht. Në kuptimin që të mos kesh vend ku të futësh kokën kur të kërkosh të bësh një gjë për qejfin tënd, ta zëmë, të lexosh një libër, të shohësh një film, të flesh apo të mendosh me vete. Këto janë disa cilësi të qyteteve shqiptare.

Nuk do të kishte përcaktim më të mirë për atë çka vazhdon të ndodhë me njeriun  shqiptar kur vjen në qytet ose ishte aty: Një numër i madh njerëzish të grumbulluar së bashku në një hapësirë të vogël, krijon një prirje gati të papërballueshme drejt despotizmit, qoftë ky despotizmi i një personi apo i shumicës.

Veprimi njerëzor e ndan mjedisin në një sistem kuptimesh që diskutohen ndërmjet njerëzve. Në këtë mënyrë, edhe njerëzit e qyteteve shqiptare, duke modeluar hapësirën e tyre shpesh pa rregulla loje dhe kanë ndikuar edhe në formësimin e tyre. Çfarë përfaqëson qyteti për ne? Duke përmbledhur tërësinë e shumë gjërave njëherësh për të cilat njeriu ka nevojë, qytetet si vende të dëshirave dhe shkëmbimit të shumë vlerave bartin kuptime të shumta jete, si rendja në punë, bredhja, çlodhja, arti, vdekja, kafeja, zgjimi etj. Të gjitha këto kuptime mbivendosen mbi njëri-tjetrin tek qytetari. Mirëpo, duke u shndërruar në një xhungël të padepërtueshme, qyteti e shtyn gjithnjë e më tepër njeriun drejt nevojës për t’u tërhequr brenda katër mureve të shtëpisë, ku ndjen pakëz pushim dhe privatësi. Edhe kërkesat për ikje nga realiteti në kohën e lirë i nënshtrohen për fat të keq konsumizmit, për të shkuar nëpër lokalet në periferi  me veshje luksi e taka të larta dhe jo për të ecur diku në natyrë në këmbë, me një palë atlete.

Shkalla e ulët e zbatimit të ligjeve e normave të tjera të bashkëjetesës jo vetëm nga qytetarët por edhe nga institucionet ndikon fuqimisht në uljen e cilësisë së jetës së tyre sepse: Së pari, këto rregulla e norma shërbejnë për të siguruar pranueshmëri, domethënë japin udhëzime sesi njeriu mund të ketë më shumë sukses në veprimet e tij të lira pa shkatërruar jetën e të tjerëve. Së dyti, rregullojnë mënyrat e sjelljes duke mënjanuar pasojat e pakëndshme për njeriun që jeton në qytet dhe për marrëdhëniet e tij me qytetin. Duke lehtësuar këtë ndërveprim shoqëror, rregullat i ndihmojnë njerëzit për të kuptuar se manipulimi i sendeve dhe objekteve nuk është thjesht një sundim sensomotor i situatave të përditshme, por edhe një ndjenjë rehati, komforti, pushimi, dëshirash të përmbushura e lehtësish që ka të jetuarit në një qytet më njerëzor.

Një veçori tjetër tipike, që përjeton ky ndryshim i shqiptarit në përditësinë e tij, është ruajtja e asaj pjese të vjetër deri diku provinciale, që njihet si përgojim, që funksionon jo vetëm për njerëzit e njohur publikë, por edhe për njerëzit krejt të zakonshëm e që rastësisht banojnë pranë nesh, ose punojnë me ne. Si dikur, tironsi i vjetër e krijonte hapësirën publike duke dalë te dera e shtëpisë në rrugicë, duke ndenjur ulur për të këmbyer thashetheme, apo konaku i plakave gjirokastrite, përshkruar aq mirë në “Kronikë në gur” prej Kadaresë, edhe sot nëpër pallatet e vjetra kur ka një lulishte të vogël shfaqen plakat e disa gra shtëpiake të lagjes, që ulen në stol e marrin nëpër gojë njerëzit.

Kafet e mbushura me njerëz të ngeshëm që punë e quajnë të merresh gjithë ditën se çfarë po bëjnë njerëzit që kemi rrotull, megjithëse janë në orarin e punës, do të ishte tipike për qytetet shqiptare krahasuar me qytetet e tjera të Europës. Madje, shfaqet snobi i lokaleve luksoze, me atë vështrim alegorik e të ngeshëm prej Baudeliare, e që mezi punon, por mediton.

Të ardhur ose të gjendur në qytet me shpresën për një jetë më të mirë, qytetet bëhen për shumicën e njerëzve qytete mashtruese, që nga njëra anë kanë dritat e shkëlqimin plot luks, nga ana tjetër kanë baraka buzë lumi në periferi ose pallate të shëmtuara parafabrikate. Godinat shumëkatëshe dhe me fasada prej qelqi janë diçka tjetër për ata që punojnë aty si kamerierë, pastrues, shitës apo roje. Kjo pjesë do ta shijojë qytetin, por në fakt janë vetëm skllevër të tij, sepse me të ardhurat që kanë, bëjnë vetëm një riprodhim të thjeshtë të jetës së tyre. Ka shumë njerëz të tillë që përfshihen në këtë përcaktim e që një pjesë e tyre punojnë edhe në të zezë. Këta njerëz e shijojnë qytetin në mënyrë pasive, vetëm duke e parë atë në çka shpenzojnë e konsumojnë të tjerët.

Me gjithë problemet e shfaqura në këtë drejtim, Fuga thekson rëndësinë e gjetjes së identitetit të qyteteve shqiptare. A mund të quhet kjo një utopi? E them këtë duke patur parasysh Leo Straussin, kur thotë se “Qyteti i drejtë është një utopi, dhe se njeriu do ta tejkalojë qytetin vetëm kur të gjejë forma më të mira se ai”. Shpresoj që jo. Studiuesi shqiptar bie disi në pozitën e Italo Calvinos kur shkruan në librin e tij “Qytetet e padukshme”: “Ferri i të gjallëve nuk është diçka që do të vijë në të ardhmen. Në rast se ky ferr ekziston, ai tashmë ndodhet këtu, është ferri që jetojmë çdo ditë e që krijojmë duke jetuar së bashku në qytet. Ka dy mënyra për të mos vuajtur prej tij: E para është tepër e lehtë, ta pranosh ferrin e të bëhesh pjesë e tij deri në atë pikë sa të mos e dallosh dot më. E dyta është e rrezikshme dhe kërkon vigjilence e kujdes të vazhdueshëm: Zbulo dhe mëso të shquash edhe në mes të ferrit, ato gjëra e njerëz që nuk janë ferr. Pikërisht këtyre duhet t’u japësh jetë, t’u hapësh vend, t’i ndihmosh të mbijetojnë”.

Studiuesi Fuga i përmbahet pikërisht rrugës së dytë, asaj të vigjilencës për qytetet por edhe për zonat rurale apo të ndërmjetme me pak banorë (“markt” siç i quajnë gjermanët). Sa merren parasysh nga politikëbërja idetë e tij, kjo do ishte një pyetje me vend që të lind sapo përfundon librin. Ndoshta për këtë duhet të bashkohemi me një thënie të Niçes: Kush ka veshë le ta dëgjojë, e kush kërkon ide më të mira për qytetin mund ta lexojë.

*Pedagoge në Universitetin e Tiranës.

 

 

7 Përgjigjet për "Qyteti që nuk e di se ’ekziston“… natyra"

  1. antiservilit  18/11/2012 në 9:58 pm

    Kjo autore eshte lexuar dhe per nje koment qe i bente nje libri te profesorit sociologut dhe sic duket sa here qe ndonje profesor shkruan liber kete pune ben,jo vetem duke ju servilosur shkruesve profesore por si ka mundesi qe guxohet dhe behen komente servilizmi njehere per sociolog,njehere filozof etj etj.

    Cfare fushe di kjo apo asnje fushe vec specialiste servili per librat e profesoreve qe kane ne dore dicka per karrieren e saj.

  2. Ana  18/11/2012 në 10:01 pm

    Nje pedagoge me vlere shkruan vete dicka per qytetin apo fenomenin ne leter te bardhe jo thjesht te behet komentatore e te tjereve, kushdo qofte.

  3. dija  18/11/2012 në 10:05 pm

    Zonja pedagoge Adriana Anxhaku cileia e jetes nuk jane vetem ligjet sic po thua ti dhe kjo eshte e papranueshme. Jane nje set gjerash qe e ben cilesore jeten.
    Gjykim i dobet

  4. joinjorances  18/11/2012 në 10:08 pm

    Ceshte kjo shprehje skandaloze me cilesime qytet mashtrues. Qyteti nuk mashtron por njerezit e bejne kete,jo pallatet,jo godinat,jo rruget e qytetit pra jo qyteti.
    Cfare niveli ,i ka prishur pune dhe Fuges me kete deshire per ta lavderuar por qe ky nuk eshte lavderim

  5. njohja  18/11/2012 në 10:12 pm

    Koment i dobet i vepres se Fuges. I pa vlere. Duhet te thellohesh tek vepra pa te shkruash. Gjuhe e dobet

  6. drita  18/11/2012 në 10:17 pm

    Ceshte kjo qe doktore qe shkruan vec per ferrin. Qenke zhytur vec ne ferr, qe per se gjalli qenke zhytur ne ferr.

  7. libri  18/11/2012 në 10:36 pm

    Rremuje koment,pa bosht,pa koncepte te qarta te definuara. PO kjo vete cfare po nA THOTE SI MENDIM TE SAJ?
    Kjo nuk eshte filozofi vetem te citosh te tjeret dhe te mos filozofosh vete per nje fenomen

Komentet janë mbyllur