Eni Çobani, në zbulim të njerëzve e të vetes

“Shihemi në gjyq” i së “Dielës shqiptare”, që drejton Eni Çobani, ka funksionuar si ftesë për shumë teleshikues, duke u bërë menjëherë një nga emisionet më të ndjekura në TV. Por ndërkohë që jemi mësuar ta shohim në rolin e ndërmjetëses për problemet e të tjerëve, këtë herë në qendër është vetë ajo. Dhe tregon detaje nga jeta e vajzës që në vitet ’90 kreu studimet mes Shqipërisë dhe Italisë, sukseset profesionale që erdhën radhë, njohjen me bashkëshortin dhe marrëdhënien me djalin 14-vjeçar dhe si ia del që mbetet aq energjike dhe e bukur, megjithë bezdinë që kamerat i hyjnë pak në hak

 

 

Takimin, Eni Çobani, e lë në një restorant, në një orë të tillë kur koha e drekës ka kaluar dhe është ende shumë herët për të darkuar, gjë që do të thotë se njerëzit e ulur nëpër tavolina mund të numërohen me gishtat e së njëjtës dorë. Janë këto vende që ka nisur të parapëlqejë, pa shumë njerëz e zhurmë rreth e rrotull dhe për pasojë, pa shumë vëmendje, e cila për Enin, e kthyer në personazh televiziv, nuk ka si të mungojë. “Jo se më bezdisin njerëzit, përkundrazi! Por nuk dua të vihem në qendër të vëmendjes, kjo është e gjitha. Prandaj kur dua të takoj miqtë dhe mikeshat, kur duhet të bëjmë një bisedë pune apo shoqërore, qoftë dhe në takime si ky, zgjedh vende të qeta”. Nuk është prej mungesës së njerëzve, që e spikat menjëherë aty. Vështirë të gabosh me imazhin e pranishëm çdo të diel në TV Klan, në pjesën e së “Dielës Shqiptare” të quajtur “Shihemi në gjyq”, e cila pasi ka arritur në pjesën e dhjetë të saj që prej fillimit të sezonit, duket se ka pronësuar dhe vendin e parë për sa i përket shikueshmërisë në atë fashë orare. Dhe përveç kësaj, vështirë se diçka tjetër aty rrotull tërheq vëmendjen më shumë se gruaja e bukur bionde, më e bukur seç duket në ekran, më e gjatë se mesatarja e grave shqiptare dhe me siguri-ca përfundime mund të thuhen pa nevojën për të dhëna shkencore- me më shumë energji sesa mesatarja e grave të gjithë botës.

Prej të dyjave bashkë, kur e takon, dhe pse ora është pothuaj 17.00 dhe ajo ka nisur punët e saj që më 9.00, të duket sikur ke përballë një grua që deri në atë çast e ka ndarë ditën mes bisedave për gjërat e bukura të jetës dhe kurimit deri në një të çdo detaji të pamjes. Dhe pse e vërteta është krejt ndryshe!

Ajo si çdo ditë është zgjuar herët, ka mbaruar gjithë ato detyrimet e vogla familjare të fillimit të ditës si nënë e një djali 14-vjeçar, por dhe si nuse që jeton nën të njëjtën çati edhe me prindërit e bashkëshortit, për t’u gjendur në orën 9 në start të një prej atyre ditëve të saj super të ngarkuara, me takime për çështje gjyqësore, me biseda për rastet që do trajtojë pasditen e së dielës në TV Klan, me vendosje takimesh për të ardhmen… As gjatë këtyre minutave, nuk lihet e qetë nga telefoni që nuk pushon së rëni, matanë të cilit ka gjithmonë një takim për t’u fiksuar, një rast për emisionin, një problem për t’u zgjidhur, apo qoftë dhe një pyetje nga i biri…Dhe gjithsesi ky nuk është kapaku i një dite që ka zierë vrullshëm orë pas ore. Menjëherë më pas duhet të shkojë në një promovim ku e kanë ftuar. Mos duhet të ndalet në një sallon bukurie më parë? Apo të fshehë me pak pudër shenjat e lodhjes? Nuk është e nevojshme! Energjia dhe bukuria që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës nuk kanë pse të mos jenë me të në orën 18.00 të një dite dhjetori. Dhe sigurisht një grua e zgjuar si ajo nuk ka si të mos jetë e ndërgjegjshme apo  mosmirënjohëse për këto dy dhurata.

“Për sa i përket pamjes së jashtme, është çështje gjenesh. U jam borxhlie prindërve të mi. Unë thjesht mundohem ta mirëmbaj. Mendoj se dhe pamja ka rëndësinë e saj, sidomos në ekran. Sepse njerëzit duan të dëgjojnë fjalët e duhura, por e kanë më të lehtë e më të këndshme nëse është një imazh estetik që ua përcjell ato. Dhe kështu unë kam përgjegjësi, për ta pasur gjithmonë e më të pranueshëm këtë imazh”. Që do të thotë edhe të kapërcejë apo të tkurrë në maksimum përmbajtjen e vakteve (bashkë me bukurinë, gjenet i kanë dhënë dhe një fizik të kolmë), duke u përpjekur të luftojë jo vetëm prirjen e organizmit, por dhe efektin e kamerave apo aparateve fotografikë, që Enit-mund të thuhet me siguri pasi e sheh live-ia konturojnë siluetën paksa jashtë asaj reales. Por jo se pa këtë përgjegjësi të imponuar nga ekrani Eni Çobani kishte diçka mangët në paraqitje. Kush e njeh prej kohësh mund të garantojë për këtë. “Unë jam Eni që kam qenë gjithmonë, që falë gjeneve dhe një farë kujdesi minimal, por asnjëherë të anashkaluar, kam mbajtur gjithmonë këtë pamje. Kam gjithmonë një fustan të hekurosur gati në mëngjes, pak grim dhe gjithmonë mbi kostum apo pallto një spilë, të cilat i kam shumë qejf”. Dhe prandaj për të asnjë ditë e madje asnjë çast nuk mund të jetë i keq, sepse gjithmonë duket bukur. Dhe është gjithmonë në formë. Habitesh ku e gjen ajo gjithë këtë energji, si ia del të menaxhojë ditë kaq të ngarkuara dhe javë që, prej dy muajsh e gjysmë, nuk kanë asnjë ditë pushimi. Të dielën e ka ditë pune, siç dihet publikisht. Por nuk është thjesht ajo ora e përjavshme në ekran që ia ka shtuar ngarkesën. “Ajo që njerëzit shohin në TV është një pjesë fare e vogël nga gjithë puna përgatitore e një jave. Bisedoj me njerëzit, kthehem te çështje të shkuara, rimarr raste që kam hasur. Ndodh edhe që diçka dështon në çastin e fundit. Është një punë kolosale për atë pak kohë televizive”.

Megjithatë ia vlen! 100 për qind madje! Për më shumë se një arsye, që renditur, jo sipas rëndësisë, do fillonin me atë që Eni nëpërmjet një emisioni televiziv merr kënaqësi . “Unë vështirësisht do bëja diçka që nuk më pëlqen, për mos të thënë kurrë nuk do e bëja diçka të tillë, sepse ndonjëherë për shkak të rrethanave jam e detyruar të bëj diçka që nuk më pëlqen, por që sigurisht nuk prek thelbin e personalitetit tim, nuk e dëmton imazhin tim. Po televizioni bën pjesë në gjërat që unë dua. Sepse mua më pëlqen të komunikoj me njerëzit dhe televizioni ta mundëson këtë. Dhe sidomos ky emision ka shumë arsye për të më pëlqyer”. “Pse?”- e artikulon vetë pyetjen, e mësuar me shpjegimin mirë e deri në fund të gjërave edhe nga përvoja 16-vjeçare si pedagoge. “Sepse ky program evidenton një punë të mirë që bëhet për këta njerëz. Është vetëm fillimi, por mendoj se ka sjellë diçka pozitive. Ky program plotëson dhe një nevojë timen për humanizëm. Sigurisht ky është profesioni im dhe, si për mua ashtu dhe për kolegët e mi, është burim të ardhurash gjatë çdo dite. Por më vjen shumë mirë që është krijuar kjo mundësi që të ndihmoj njerëzit pa pagesë, t’u jap zgjidhje për problemet e tyre, pra ata të mësojnë alternativat e zgjidhjeve pa iu dashur të paguajnë asgjë në këmbim. Gjatë takimeve, zbuloj gjithmonë e më shumë sesa shumë dhunë e plagë sociale ka, dhe është arritje sa herë mund të japë një zgjidhje ndryshe nga ajo ekstremja që mund të zgjidhnin vetë njerëzit. Sepse jo të gjithë dinë ta menaxhojnë lirinë. E shoh rolin e ndërmjetëses si një mundësi për të zbutur plagët, duke ofruar alternativa, ose dhe duke i orientuar njerëzit drejt gjykatës. Gjithashtu ky emision është një mundësi shumë e mirë, që njerëzit të fillojnë të flasin për veten në publik. Të dinë si të flasin. Sepse ne si shoqëri e kemi të lehtë të flasim për të tjerët, por nuk flasim asnjëherë për veten. Por që të ndodhë kjo nuk duhet thjesht t’i bësh ata ta shfaqin problemin, duhet të zbërthesh atë pjesë të tyre që ka marrëdhënie me këtë problem.”

Përballë këtyre njerëzve Eni po ndërton, jo qëllimisht, dhe një anë prej psikanalisteje. Sepse duke biseduar me ta, ajo zbulon anë të thella, të fshehta, që kurrë nuk do e imagjinonte se do i kishin. Dhe është krejtësisht e mahnitur nga magjia e këtij procesi. “Ajo që kam menduar këto kohë, është që kur ky program të përfundojë, të ulem e të shkruaj për gjithë përvojën që po kaloj, të kontaktit me njerëzit, të asaj që zbuloj te ta. Befasohem me botën e disa njerëzve, që nuk iu është zhdukur dhe pse kanë një hall të madh, të cilin kanë ardhur për ta zgjidhur. Befasohem me mendimet e tyre, me disa anë të thella të karakterit që ata nisin t’i shfaqin, me aftësinë për të qeshur. Dhe para këtyre botëve gjithçka që mund të kem parë, përvoja dhe librat që rrinë pas në sfond, shfuqizohen.”

Nuk duhet harruar se krahas Enit që njeh dhe ndihmon njerëzit është Eni që tronditet me problemet e tyre, të cilat ka raste që janë vërtet të dhimbshme, gati të paimagjinueshme. Por 16 vitet e përvojës bëjnë të tyren. “Përballë njerëzve është dhe Eni njeri, dhe Eni profesioniste. Sigurisht unë jam një, por mundohem të ndaj pjesët e trurit dhe të ndjesive që të mos ndikojnë në punën që bëj. Dhe pse mund të tronditem apo prekem, unë di që njerëzit kanë nevojë për një person që t’u japë zgjidhje. Kështu që nuk bëhem palë në hall. Unë mundohem të jem e ftohtë përballë hallit, dhe e drejtë përballë ligjit.”

Por jo ftohtësi si ajo e akullit, ku nuk gjen asnjë pore për të depërtuar. “Ndoshta nuk shfaq çdo gjë nga vetja, por ajo që shfaq është e vërtetë. Sot njerëzit kanë nevojë për njerëz të besueshëm, pasi janë të zhgënjyer nga shumë njerëz. Dhe unë nuk dua të bëhem pjesë e këtij zhgënjimi të madh. Unë dua të jem për ta një njeri ku mund të besojnë.” Me këto parime, paketë me energjinë e lindur, ka përshkuar gjithë rrugëtimin 16-vjeçar të një profesioni që e ka dashur që në çastin e parë. Dhe pse kur ishte ende nxënësja e shkëlqyer e gjimnazit nuk i shkonte fare në mendje ky si profesion i ardhshëm. “Kur isha në gjimnaz doja të bëhesha mjeke. Kisha një joshje shumë të madhe ndaj bluzës së bardhë. Mbështetur dhe te rezultatet e mia të shkëlqyera, mendoja se do fitoja me siguri të drejtën e studimit në këtë degë. Por ishin vite të vështira, jo vetëm për mua, për të gjithë. Flas për vitin 1990-‘91, kur dhe rregullat e pranimit në shkollë të lartë ishin ndryshe. Kur dolën listat dhe im atë shkoi t’i shihte, pa se unë nuk isha në Fakultetin e Mjekësisë, por atë të Inxhinierisë Hidro. Erdhi në shtëpi dhe me një fytyrë që e mbaj mend si sot, më tha që nuk do mund të vazhdoja mjekësinë, pasi më kishte dalë dega e inxhinierisë hidro, të cilën unë as e dija që ekzistonte”, kujton ajo me sytë që i rrëmbushen. “Babai më tha pastaj që nuk kisha pse e vazhdoja një degë që nuk e doja dhe le ta provoja vitin tjetër. E shfrytëzova atë vit për t’u thelluar në gjuhët e huaja, studiova shumë, me lot në sy, sepse ai ishte një vit me lot, por mësova shumë. Dhe kur vitin tjetër, sërish nuk më doli e drejta për Mjekësi, por për Drejtësi, duke qenë se Drejtësia bënte pjesë te lista e preferencave të mia, unë u regjistrova në këtë fakultet. Dhe që në vitin e parë përfitova një bursë Tempus, falë pikërisht investimit me gjuhët e huaja që kisha bërë gjatë vitit të shkuar dhe kështu e kam kryer shkollën e lartë mes Shqipërisë dhe Italisë”. Trieste, Romë, Trento, ishin qytetet që krahas Tiranës kuadratuan vitet e saj të universitetit. “Ishte një fat vërtet i madh që në atë kohë të vështirë unë shkoja dhe qëndroja në Itali si studente. Mendoj se ato vite kanë formuar një pjesë të mirë të Enit që është sot. Më ka ndikuar shumë kultura e romanticizmit në qytetet italiane e çdo gjë tjetër.”  Me të përfunduar studimet, për shkak të rezultateve të larta (i përfundoi me medalje ari) e mbajtën në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës si pedagoge. Dhe krahas kësaj, një tjetër ngjarje e rëndësishme, nga ato që shenjojnë dhe ndryshojnë jetën që prej atij çasti, i ndodhi paralelisht. “Po atë vit u njoha me bashkëshortin tim të ardhshëm. Njohja nuk kishte të bënte me profesionin, sepse ai është inxhinier mekanik dhe është dhe në jetë me natyrën e prerë të njerëzve që studiojnë dhe merren me shkenca ekzakte.” Gjë që nuk e ka penguar aspak për të kuptuar natyrën e Enit, që nuk jeton dot pa komunikuar me njerëzit, pa u ndjerë e vlefshme për ta, “në shërbim të tyre”, pëlqen ta shprehë ajo, si për të bindur veten se ca synime të hershme po i realizon dhe pse nuk është bërë mjeke. “Ai është shumë tolerant, i mirëkuptueshëm dhe dashamirës. Nuk ka pritur asnjëherë që unë të jem gruaja që do merret vetëm me punët e shtëpisë, e ka kuptuar se unë ndihem e realizuar dhe marr një kënaqësi të madhe nga puna ime, se kjo është mënyra që unë shpreh veten dhe arrij të ndihem e përmbushur dhe më ka mbështetur”. Dhe sigurisht arritja më e madhe e jetës së Enit, fryt i kësaj familjeje, është djali i saj. “Është sigurisht ngjarja më e rëndësishme në jetën e çdo gruaje, çasti kur bëhesh nënë. Dhe im bir është arritja ime më e madhe, frytet e së cilës do i shoh më vonë, sepse ai ende nuk është rritur. Megjithatë, është një fëmijë i veçantë. Me të unë kam mësuar prindërimin, jam përpjekur të jem dhe një mikeshë për të, ta udhëzoj, por dhe ta lë të lirë, t’i tregoj kufijtë, e njëkohësisht ta dëgjoj e të mësoj prej tij. Ai është kritikuesi im për çdo rast. Gjatë programit të së dielës, më shoqëron gjithmonë në prapaskenë dhe më komplimenton kur jam mirë, apo më bën vërejtje për diçka që nuk shkon.”

E ndërsa i biri është arritja më e madhe në jetën e saj, si profesioniste arritja më e madhe është pikërisht kjo periudhë. Vazhdon të jetë pedagoge, tashmë në një universitet jopublik, pasi këtij pasioni tjetër të saj nuk i është ndarë që prej fillimit, kur ajo njihej si një nga pedagoget e forta të Juridikut. “Më pëlqen shumë auditori, sepse shpreh një pjesë të vetes, dëshirën për të komunikuar, për të thënë atë që di e për t’ua përcjellë dhe të tjerëve.” Vazhdon të jetë avokate, por dhe ndërmjetëse, një rol që e ushtron dhe publikisht çdo të diel në TV Klan, para një publiku rekord teleshikuesish. Ç’mund të dojë më shumë? Ajo ka gjithmonë në mendje për të për të hedhur një hap, por ka dhe këmbët në tokë për t’iu gëzuar së gjithës.

“Mendoj se jam në një moment të mirë pas 16 vitesh që nuk janë pak, gjatë të cilëve kam pasur fitoret dhe humbjet e mia, por dhe humbjet unë në fund i kam konsideruar si fitore, si një mësim për të ditur si të fitoj herës tjetër.” Nuk është duke thënë citate të lexuara diku. Ajo e bëri që në fillim premtimin se, dhe pse nuk e ka gjënë më të lehtë të flasë për veten, kur e bën, është e sinqertë. Që të jetë njeri i besueshëm për njerëzit që kanë nevojë për një njeri të tillë. Të cilët ajo tani po i njeh dhe më nga afër. Nuk mund të mos fliste për këtë dhe pse në fillim ideja ishte se do fliste për veten.  Por profesioni, kontakti me njerëzit, ashtu si familja, djali, ëndrra e paplotësuar për t’u bërë mjeke dhe gjetja e mënyrës për të qenë humane, ashtu si pozitiviteti dhe buzëqeshja konstante e gjithë çikërrimat e çdo dite, janë të gjitha pjesë të saj.

 

 

Dosja Eni Çobani

 

Pas përfundimit të studimeve të larta, u emërua menjëherë pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Departamentin e së Drejtës Publike. Më pas, paralelisht me këtë rol, u emërua Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, e para në këtë post, që e mbajti për 3 vjet. Sapo ishte shpallur ligji i nëpunësit civil dhe debutimi në këtë post, ishte një sfidë e dyfishtë. Më pas ka qenë Avokate e Përgjithshme e Shtetit pranë Gjykatës së Lartë dhe Këshilltare e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, deri më 2005. Kohë nga e cila ka vijuar të jetë avokate dhe pedagoge dhe së fundmi dhe ndërmjetëse.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kur isha në gjimnaz doja të bëhesha mjeke. Kisha një joshje shumë të madhe ndaj bluzës së bardhë. Mbështetur dhe te rezultatet e mia të shkëlqyera, mendoja se do fitoja me siguri të drejtën e studimit në këtë degë. Por ishin vite të vështira, jo vetëm për mua, për të gjithë. Flas për vitin 1990-‘91, kur dhe rregullat e pranimit në shkollë të lartë, ishin ndryshe. Kur dolën listat dhe im atë shkoi t’i shihte, pa se unë nuk isha në Fakultetin e Mjekësisë, por atë të Inxhinierisë Hidro. Erdhi në shtëpi dhe me një fytyrë që e mbaj mend si sot, më tha që nuk do mund të vazhdoja mjekësinë, pasi më kishte dalë dega e inxhinierisë hidro, të cilën unë as e dija që ekzistonte.

 

Ky program evidenton një punë të mirë që bëhet për këta njerëz. Është vetëm fillimi, por mendoj se ka sjellë diçka pozitive. Ai plotëson dhe një nevojë timen për humanizëm. Sigurisht ky është profesioni im dhe si për mua ashtu dhe për kolegët e mi, është burim të ardhurash gjatë çdo dite. Por më vjen shumë mirë që është krijuar kjo mundësi që të ndihmoj njerëzit pa pagesë, t’u japë zgjidhje për problemet e tyre, pra ata të mësojnë alternativat e zgjidhjeve pa iu dashur të paguajnë asgjë në këmbim.

 

 

 

 

Im bir, më ka mësuar prindërimin, jam përpjekur të jem dhe një mikeshë për të, ta udhëzojë, por dhe ta lë të lirë, t’i tregoj kufijtë, e njëkohësisht ta dëgjoj e të mësoj prej tij. Ai është kritikuesi im për çdo rast. Gjatë programit të së dielës, më shoqëron gjithmonë në prapaskenë dhe më komplimenton kur jam mirë, apo më bën vërejtje për diçka nuk shkon.

 

 

Mendoj se jam në një moment të mirë pas 16 vitesh që nuk janë pak gjatë të cilave kam pasur fitoret dhe humbjet e mia, por dhe humbjet unë në fund i kam konsideruar si fitore, si një mësim për të ditur si të fitoj herës tjetër.

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "Eni Çobani, në zbulim të njerëzve e të vetes"

  1. de  10/12/2012 at 12:59 pm

    je vertete nje zonje e mrekullushme na ke befasuar me mendimet e vyera te tuat ,i thua aq bukur sa nuk i kemi degjuar shpesh ,dhe kur i thote nje bukuroshe si ti ato fjale behen dhe me te rendesishme .

  2. ana  11/12/2012 at 8:57 am

    E KISHA PARE ENIN POR JO SIKUR E KAM PARE TANI TEK E DJELA SHQIPTARE,DO THEM VETEM NJE FJALI;SA SHUM KA NEVOJ AUDITORI PER PERSONA SI ENI,SA SHUUUUUUUUUUUUUUM I DUHEN SHQIPERIS NJEREZ SI ENI,ARDITI RUDINA MAGJISTARI,GENTA POPA E TE TJER.ENI JE SHUUUUUUUUUUUUUUM E MIR ME TE VERTET ME KUPTIMIN E PLOTE TE FJALES, E KOMPLETUAR.

You must be logged in to post a comment Login