Rezultatet e Censusit: 83% shqiptarë, 0.87% grekë, myslimanë 57.1%

INSTAT ka përfunduar përpunimin e të dhënave të mbledhura nga regjistrimi i popullsisë. Paraprakisht janë bërë të ditura në mënyrë jozyrtare përfundimet e “Censusit 2011”, për dy prej aspekteve të më rëndësishme të tij, që janë kombësia dhe feja. Në formularin e Censusit, pyetjes që lidhet me kombësinë i janë përgjigjur si shqiptarë 83% e të pyeturve. Një e dhënë tjetër interesante lidhet edhe me numrin e minoritetit grek në Shqipëri, për të cilin ka pasur debate të vazhdueshme. Në Census, 0.87% kanë deklaruar kombësinë si greke, ndërsa 0.2% janë deklaruar me kombësi maqedonase. Të dhënat për besimin fetar të shqiptarëve të mbledhura nga Censusi tregojnë se 57.12% janë deklaruar si myslimanë, 10.11% katolikë, ndërsa 6.8% ortodoksë. Ateistë janë deklaruar 2.52%, bektashinj 2.11%, ndërsa evangjelistë 0.11%. Rezultatet e Censusit që lidhen me kombësinë pritet të prodhojnë debate të forta, veçanërisht nga shoqatat e minoritetit grek, të cilat janë shprehur kundër Censusit dhe për këtë arsye kanë ndërmarrë një regjistrim të tyrin të minoritarëve në jug të vendit. Një tjetër shifër që bie në sy në rezultatet e Censusit është ajo e komuniteteve fetare, më saktë atij të krishterë, ku për herë të parë zyrtarisht bashkësia katolike, sipas shifrave të Censusit, është më e madhe se ajo ortodokse. Të dhënat e “Censusit 2011” për fenë duket se do të rrëzojnë raportin e dikurshëm mes dy besimeve kryesore fetare në Shqipëri. Sipas të dhënave të cilat i referohen regjistrimit të bërë në vitin 1930, popullsia e Shqipërisë është 70% myslimane, 20% ortodokse dhe 10% katolike. Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i komuniteteve fetare pas nxjerrjes në dritë të të dhënave për fenë, pasi ato kanë pritshmëritë dhe shifrat e tyre për besimtarët, që ndoshta këtë herë do të duhet t’i bëjnë publike për të bërë një ballafaqim real.

Disa javë më parë INSTAT publikoi disa të dhëna paraprake nga ku rezultonte se popullsia e Shqipërisë është 2 831 741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3 069 275 banorë. Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë 10 viteve të fundit. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Sipas INSTAT, numri i personave që kanë refuzuar të marrin pjesë në Census është 29 355 ose 1.04 %. Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale. Censusi 2011 në Shqipëri është i 11-ti në historinë e censuseve të kryera në vendin tonë. Ai është pjesë e censuseve të planifikuara nga UNECE/Eurostat në të gjithë botën. INSTAT pritet që t’i publikojë rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në datën 13 dhjetor. Shqipëria realizoi censusin, ose siç njihet regjistrimi i popullsisë, nga data 1 deri në 21 tetor 2011, pavarësisht debatit të fortë që provokoi ky proces. Deri tani janë bërë publike vetëm disa të dhëna paraprake, si numri i popullsisë dhe numri i banesave.

 

Të dhënat për kombësinë:

Shqiptarë 83%

Grekë 0.87%

Romë 0.3%

Arumunë 0.3%

Maqedonas 0.2%

Egjiptianë 0.12%

Malazezë 0.01%

Të tjerë 0.1%

Nuk u përgjigjën 14.07%

 

Të dhënat për fenë:

Myslimanë 57.12%

Katolikë 10.11%

Ortodoksë 6.8%

Bektashinj 2.11%

Evangjelistë 0.11%

Të krishterë të tjerë 0.1%

Ateistë 2.52%

Besimtarë të pa karakterizuar 5.53%

Besime të ndryshme 0.2%

Nuk u përgjigjën 13.89%

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login