Kushtetuesja rrëzon dy burgime të përjetshme për masakrën e ‘97

Tiranë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar me shumicë të thjeshtë dënimet me burgim të përjetshëm për të akuzuarit si autorë të masakrës së Urës download (7)Vajgurore, ku mbetën të vrarë katër punonjës policie. Pas kërkesës së dy prej të pandehurve, Musa dhe Shkëlqim Protoduari, të dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë, katër nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën ta miratojnë rrëzimin e burgimit të përjetshëm, duke kthyer çështjen për rigjykim. Shkak për rrëzimin e dënimit ndaj autorëve të masakrës së Urës Vajgurore është bërë procesi jo i rregullt ligjor, ku ata janë shpallur fajtorë në mungesë për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Musa dhe Shkëlqim Protoduari, babë e bir, janë përfaqësuar në këtë proces nga avokatët Neshat Fana dhe Arenc Berati, të cilët kanë paraqitur një sërë arsyesh përse klientët e tyre duhet të rigjykohen.Kërkuesit kanë pretenduar se vendimet e gjykatave që i shpallin ata fajtorë për masakrën e Urës Vajgurore duhet të shfuqizohen si të papajtueshme me Kushtetutën, për arsye se janë marrë si rrjedhojë e zhvillimit të një procesi jo të rregullt ligjor. “Kërkuesit janë dënuar pa prova dhe gjykatat janë mbështetur mbi thëniet e dëshmitarit S.V., duke i konsideruar absolutisht të pavlefshme për disa të pandehur dhe të vlefshme për të pandehurit e tjerë. Gjykata e Apelit gabon kur vlerëson se nuk duhet t’i hyjë shqyrtimit të çështjes në themel për shkak se përfaqësuesit e kërkuesve nuk kanë një prokurë të rregullt”- kanë pretenduar avokatët mbrojtës. Po ashtu, sipas tyre, të pandehurit janë gjykuar në mungesë dhe me avokatë të caktuar kryesisht nga gjykata, mbrojtës i cili nuk ka ankimuar vendimin e shkallës së parë, duke bërë që vendimi me burgim të përjetshëm të marrë formë të prerë. Ata nuk janë njoftuar zyrtarisht për procesin gjyqësor, ndërsa Apeli dhe Gjykata e Lartë nuk kanë pranuar të rigjykojnë këtë çështje, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të gjykatës që dënon me burgim të përjetshëm dy kërkuesit. Katër nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë pranuar shumicën e argumenteve të paraqitur nga mbrojtja, duke vendosur përfundimisht shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, që nuk mori në shqyrtim rekursin e të pandehurve. Për këtë arsye, kjo çështje duhet të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Lartë, e cila duhet të shprehet jo vetëm për kushtetutshmërinë e procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasje të katërfishtë, por edhe për shqyrtimin e provave në themel. “Në përfundim, Gjykata, referuar natyrës së gjykimit kushtetues të kërkesave individuale, thekson qëndrimin e saj se kontrolli i respektimit të standardeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, është funksion edhe i gjykatave të zakonshme, e aq më tepër i Gjykatës së Lartë. Prandaj Gjykata e Lartë për pretendimet e ngritura nga kërkuesi duhet të mbante një qëndrim të shprehur lidhur me to, në funksion të rolit të saj në kontrollin dhe respektimin e standardeve kushtetuese nga gjykatat më të ulëta”- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tre prej tetë anëtarëve të kësaj gjykate, Bashkim Dedja, Fatmir Hoxha dhe Sokol Berberi kanë dhënë mendim paralel për këtë çështje, ndërsa anëtarja Vitore Tusha ka mbajtur qëndrim kundër.

 

 

Masakra e përgjakshme e Urës Vajgurore

Masakra e Urës Vajgurore njihet si një nga masakrat më të përgjakshme të vitit 1997, pas asaj të Cërrikut. Sipas dosjes së prokurorisë, rezulton se ngjarja e rëndë ku mbetën të vrarë katër punonjës policie dhe u plagosën gjashtë të tjerë, ka ndodhur më 17 qershor të vitit 1997, rreth orës 11:55 të paradites. Sipas hetimit të kohës, rezulton se atë ditë në zonën e Beratit ishin zhvilluar dy mitingje respektivisht Partia Socialiste në qytetin e Beratit dhe Partia Demokratike në fshatin Poshnjë të këtij rrethi. Pasi kanë përcjellë krerët e PS-së në rrugën që lidh Fierin me Beratin, një grup militantësh ka sulmuar vilën e Protoduarve në Urën Vajgurore, e cila ishte rrethuar me roje private. Një prej personave të turmës ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të vilës, që ishte në pronësi të Musa Protoduarit, i cili gjithashtu zotëronte edhe guroren që ndodhej në Urën Vajgurore. Si reagim për sulmin, nga tarraca e vilës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të turmës, nga persona që besohet se ishin rojet e vilës, të cilët ishin vendosur përreth saj. Si pasojë përdorimit të armëve, mbeti i vrarë një 17-vjeçar pjesë e turmës që qëlloi drejt shtëpisë së tyre, ndërsa një pjesë e personave ka kërkuar ndihmë në qytetin e Beratit. Forca të shumta policie janë nisur drejt vendit ku ndodhi ngjarja, ndërsa persona nga turma kanë rrëmbyer një autoblindë policie. Dy nga punonjësit e policisë, Milto Koçi dhe Arjan Shemuni, u dogjën brenda autoblindës, ndërsa dy policë të tjerë, Asllan Selami dhe Ilia Bano, u vranë gjatë përleshjes së armatosur. Turma arriti të kapë vetëm një prej rojeve të vilës në pronësi të Musa Protoduarit, i cili u ekzekutua në rrethana të pa qarta. Disa të tjerë u shpallën në kërkim, dhe një pjesë e mirë e tyre u hetuan dhe gjykuan në mungesë. Për këtë ngjarje gjykata dënoi me burgim të përjetshëm Musa Protoduari dhe Shkëlqim Protoduarin, si dhe shtetasin Fran Marashi.

 

Të vrarë

Ilia Bano, punonjës policie

Arjan Shemuni, punonjës policie

Miltiadh Koçi, punonjës policie

Asllan Selami, punonjës policie

Policët e plagosur

Thimi Tanku

Shkëlqim Selfo

Ëngjëllush Pasha

Ylli Dhamo

Arben Bega

Neim Gjeroveni

 

Të dënuar

Musa Protoduari

Shkëlqim Protoduari

Fran Marashi

Sokol Ndreu

Gjovalin Ndreu

Preng Miri

Gjelosh Miri

 

 

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login