Grabiste dyqanet e rrobave, pranga 22-vjeçares në Korçë

Korçë- Pranga femrës hajdute, vinte nga fshati për të vjedhur në qytet, por prangoset në kohë nga policia. Mund të ndodhë edhe kështu, images (2)ekzaktësisht si në një film. Geralda Demo, një vajzë 22 vjeçe, çdo ditë ikte nga shtëpia e saj në fshat për të qenë në Korçë ku dhe kryente aktivitetin kriminal. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Korçës, vetëm gjatë një dite janë regjistruar dy raste të cilat kanë mbetur  në tentativë, ndërkohë që uniformat blu kanë reaguar në kohë për të kapur të dyshuarën. Sipas të njëjtave burime zyrtare, vajza e re për më tepër dhe simpatike dyshohet të ketë vjedhur të paktën 5 dyqane ë Korçë, për të cilat po bëhen dhe hetimet e mëtejshme.

Ballafaqimi i shenjave të gishtave të gjetura në këto grabitje me ato të të resë do flasë më shumë nëse ajo është përfshirë apo jo në to. Ndërkaq, mësohet se Demo 22 vjeç, banore e fshatit Malavec në rrethin e Korçës, është arrestuar nën akuzat “Shkatërrim i pronës” dhe “Vjedhje e mbetur në tentativë”. Vajza mësohet se ka shkuar gjatë të martës në lagjen 12 të qytetit juglindor dhe si fillim ka dashur të kryejë një vjedhje në lokalin e shtetasit me inicialet O.J. Synimi i saj ka qenë arka e lokalit, por në momentin kur i zoti e ka kuptuar ajo i ka thyer atij fasadën prej xhami të lokalit, duke dashur të largohet me shpejtësi, ashtu siç ka vepruar ndërkaq pa rënë në dorë të këtij të fundit. Fill pasi është larguar nga kjo ngjarje, Demo ka pasur si objekt të radhës  një dyqan këpucësh në të njëjtën lagje, në pronësi të shtetasit T.P. 30 vjeç. Në momentin që ka dashur të realizojë vjedhjen ajo është kuptuar nga pronari, ndërkohë që ky i fundit ka njoftuar policinë. Forcat e rendit kanë  bërë të mundur arrestimin e menjëhershëm të vajzës, ndërkohë që dyshohet dhe për pesë vjedhje të tjera, që janë kryer gati në të njëjtën formë. Vajza gënjente familjarët e saj se shkonte në Korçë për të gjetur punë, ndërsa në fakt synimi i saj, sipas policisë, ishte aktiviteti kriminal i vjedhjes. Policia e Korçës bën me dije gjithashtu se 22-vjeçarja është e dyshuara e parë femër që ka rënë në pranga për këtë vit, ndërkohë që rastet femrave hajdute nga ana tjetër janë gati inekzistente në këtë qark. Historia e rrallë është duke u trajtuar nga grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjeve.

 

Komentet janë mbyllur