Paradoksi i konsensusit në KQZ

Nisur nga mënyra sesi aktorët politikë i konceptojnë institucionet, shpesh vendosemi para dilemave të tipit: aktorët politikë sillen politikisht me download (4)mosbesim ndaj institucioneve, sepse ata vetë nuk janë të besueshëm, apo ngaqë institucionet janë të pabesueshme. Një dilemë e krijuar në mungesë besimi që prodhon shpesh herë paradoks.

Një ilustrim i këtij paradoksi ishte akti i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, i cili miratoi me konsensus udhëzimin që përcakton procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ, për plotësimin e vakancës së krijuar në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe Komisionin e Qendrave të Votimit (KQV) në rastet kur partitë politike nuk dëshirojnë të dërgojnë komisioneve ose i tërheqin ata, pra në rast bojkoti. Tashmë, përcaktohet qartë se në rastet kur mungesa e anëtarëve apo e sekretarit e bën të pamundur vendimmarrjen apo funksionimin e komisioneve, KQZ me udhëzim përcakton procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve, që mund të emërohen kryesisht si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-ve.

Nga pikëpamja ligjore, një nismë e tillë mund të lexohet si një masë sigurie që ndërmerr KQZ për t’i paraprirë ndonjë bojkoti të mundshëm të KZAZ-ve dhe KQV-ve nga ana e partive politike (kryesisht opozita). Pasi, referuar formulës 1.- PD, LSI në KQZ si mazhorancë dhe PS, PBDNJ në KQZ si opozitë. 2.- PD, LSI në KZAZ si mazhorancë dhe PS, PBDNJ në KZAZ si opozitë (në 50% dhe e kundërta në gjysmën tjetër). 3.- PD, LSI, PDIU në Vend.Numërim si mazhorancë dhe PS, PBDNJ në Vend.Numërim si opozitë, (edhe këtu në mënyrë të barabartë) mjafton që njëra nga forcat politike të bojkotojë dhe i gjithë procesi zgjedhor futet në ngërç. Një masë e tillë, krijon garancinë se procesi zgjedhor i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme për të mos u infektuar nga manovrat politike, njëkohësisht i jep autoritetin e duhur KQZ që në përputhje me kuadrin ligjor të garantojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve, pavarësisht vullnetit që mund të ketë ndonjë forcë politike për ta minuar atë.

Ndërsa nga pikëpamja politike, një masë e tillë duket paradoksale, pasi vendimi në KQZ është miratuar me konsensus, ndryshe nga çfarë ka ndodhur më 2011, ku institucioni në fjalë për t’i paraprirë ndonjë bllokimi të qëllimshëm politik nga ana e PS miratoi vetëm me votat e mazhorancës udhëzimin që përcakton procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ. Një vendim që minonte besimin e opozitës mbi cilësinë e administrimit të procesit zgjedhor në rast se do të  tërhiqte komisionerët e saj, por siguronte mbi të gjitha mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ndërsa tani, miratimi me konsensus, pra edhe me votat e anëtarëve të opozitës në KQZ, sigurohet jo vetëm mbarëvajtja e procesit të zgjedhjeve për çdo rast, por, ajo që është më e rëndësishme, i delegohet besimi KQZ që të veprojë në përputhje me ligjin. Kjo nënkupton që në çdo rast të bllokimit të procesit nga ndonjë forcë e caktuar politike, pavarësisht motiveve, lejohet KQZ të veprojë në përputhje me ligjin, por ajo që është më e rëndësishmja në përputhje me vullnetin e partive politike.

Pikërisht këtu qëndron edhe problemi dhe paradoksi njëkohësisht. Nëse partitë politike kanë vullnetin e mirë të respektojnë kodin që e kanë miratuar me konsensus, vendimi siç është ai i armatës së komisionerëve rezervë, e vë në pikëpyetje këtë vullnet. Njëkohësisht, miratimi me konsensus në KQZ i një vendimi të tillë e bën gati të pamundur nevojën që ky institucion ta ushtrojë këtë kompetencë, pasi ekziston paraprakisht vullneti për të respektuar kodin zgjedhor dhe, në një klimë të tillë, ndërhyrja e KQZ bëhet e panevojshme. Mirëpo, nëse klima e konsensusit ndërmjet partive politike vazhdon, pse duhet që këta të fundit t’ia delegojnë këtë kompetencë KQZ, kur ata kanë mundësi ta ushtrojnë vetë atë? Dhe me të njëjtën logjikë, pse është e nevojshme që me anë të një vendimi konsensual nga palët politike të ofrohen garanci të tjera ligjore, kur ligji aktual i ofron këto garanci?

Nga përgjigjet që mund të marrim nga pyetjet e ngritura në këtë shkrim kuptojmë edhe situatën paradoksale ku jemi futur në rrafshin juridik. Ndërsa në atë politike, fakti që vendimi për komisionerë rezervë, në rast bojkoti të komisioneve, merret në mënyrë konsensuale, tregon që nuk do të ketë largim apo bojkot të komisionerëve dhe për pasojë nuk do të ketë bojkot të zgjedhjeve. Mesa duket, paradokset ndonjëherë janë të nevojshëm.

 

Komentet janë mbyllur