Tavo: Ligj i ri për kujdesin në shtëpi, 7 mijë raste të reja me kancer në vit

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Kancerit, mjekë dhe drejtues të Shëndetësisë u bënë apel qytetarëve që të kryejnë kontrolle mjekësore, për të download (14)kapur në kohë këtë sëmundje vdekjeprurëse, e cila po merr përmasa shqetësuese edhe në vendin tonë. Sipas të dhënave të raportuara nga institucionet shëndetësore, çdo vit në vend regjistrohen 6-7 mijë raste të reja me kancer, nga të cilat rreth 2500 vetëm në Tiranë dhe komunat e saj.

Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, u bëri apel qytetarët që të drejtohen periodikisht te mjeku i tyre i besuar, edhe pa pasur asnjë shenjë të ndonjë sëmundjeje. “Në popullatën shqiptare hasen çdo vit rreth 6000-7000 raste të reja me kancer, duke prekur më së shumti gjirin te femrat dhe mushkëritë te meshkujt dhe te femrat. Por është po kaq e vërtetë që kanceri nuk është fatalitet apo dënim me vdekje. Shumë kancere që janë konsideruar dikur një dënim me vdekje tani mund të parandalohen apo shërohen. Më shumë se 30% e vdekjeve nga kanceri mund të parandalohen, duke ndryshuar apo shmangur faktorët kryesorë të rrezikut, duke përfshirë: përdorimin e duhanit; të qenit mbipeshë apo obez; dietat jo të shëndetshme dhe konsumin e ulët me fruta dhe perime; mungesën  e aktivitetit fizik; përdorimin abuziv të alkoolit; sjelljet seksuale të rrezikshme; ndotjen urbane të ajrit; tymin brenda shtëpisë nga përdorimi shtëpiak i lëndëve djegëse të ngurta etj.” – u shpreh ministri Tavo.

Kujdesi paliativ

Për herë të parë në vendin tonë do të ketë një ligj të posaçëm për ofrimin e kujdesit paliativ për personat që vuajnë nga sëmundje të rënda. Të sëmurët me kancer në stadet terminale, të cilët nuk i përgjigjen më trajtimit kurativ me barna, kanë nevojë jo vetëm për kujdes mjekësor, por edhe për t’u qëndruar pranë, për shkak të problemeve psiko-sociale dhe ekonomike. Kjo formë e kujdesit shëndetësor që quhet ndryshe kujdes paliativ synon reduktimin e vuajtjeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të sëmurëve në këto stade, kur ata i kanë humbur ndërkaq shpresat për jetën.

Ministri i Shëndetësisë dha disa nga detajet e ligjit për kujdesin paliativ. “Është risi hartimi i një projektligji të posaçëm për kujdesin paliativ në Shqipëri. Në themel të këtij projektligji është mbrojtja e dinjitetit dhe autonomisë së pacientit pa asnjë paragjykim dhe diskriminim, mbrojtja dhe promovimi i cilësisë së jetës deri në fund të saj, sigurimi i një jetese pa dhimbje deri në fund të saj. Kujdesi paliativ parashikohet të ofrohet përmes shërbimit në kujdesin shëndetësor parësor, hospisit në banesë, hospisit ditor, hospisit me shtretër, shërbimeve në institucionet spitalore, shërbimeve vullnetare në nivel komunitar. Aksesi në banat analgjezike-opioide, mbrojtja nga shpenzimet e lidhura me kujdesin mjekësor, mbështetja sociale dhe ofrimi i shërbimeve këshilluese janë dimensione të tjera të projekt-aktit që është në diskutim të hapur” – tha më tej kreu i Shëndetësisë.

Aktualisht, nga Shërbimi Onkologjik në Banesë ndiqen rreth 1300 të sëmurë në faza të avancuara. Ndërkohë që vetëm nga kabineti i gastro-skopisë pranë poliklinikës qendrore në Tiranë, ku kryhen rreth 60 vizita (fibroskopi) në muaj, kapen 2-4 raste në muaj me kancer të stomakut, kryesisht kardio-ezofagal. Drejtor i Shërbimit Onkologjik në Banesë, Henrik Zotaj, ngriti shqetësimin për uljen e moshës së të prekurve nga kanceri: “Jemi në kuadër të rreth 6 mijë rasteve të reja. Tirana zë pjesën kryesore, diku rreth 35-40 për qind të rasteve. Kjo tregon një lloj alarmi, përpara disa vitesh mosha mesatare e të prekurve ishte diku te 60 vjeç, kjo moshë ka zbritur te tumoret e gjirit, prekin dhe gratë nën 40 vjeç”. Sipas të dhënave nga ISHP, 87.8% e vdekjeve nga tumoret janë mbi moshën 50 vjeç, ndërsa në fshat ato përbëjnë 46% të vdekjeve. Dita Botërore e Kancerit zhvillohet çdo vit më 4 shkurt dhe është nisma e vetme ku e gjithë bota mund të bashkohet së bashku në luftën kundër epidemisë globale të kancerit me fokuse të ndryshme çdo vit. Kostoja ekonomike e kancerit në mbarë botën është vlerësuar 485 bilionë dollarë në vit dhe mendohet se ajo do të rritet.

 

6 000-7 000 raste të reja me kancer regjistrohen çdo vit

2 200-2 500 raste të reja me kancer në vit hasen në kryeqytet

1 100-1 300 persona janë në stadin e avancuar të sëmundjes

 

Faktorët risk

Faktorët kryesorë të rrezikut që kontribuojnë në zhvillimin e kancerit në mbarë botën janë:

Përdorimi i duhanit

Përdorimi i alkoolit

Dietat jo të shëndetshme

Pasiviteti fizik

Infeksionet kronike nga:

Hepatiti B (HBV)

Hepatiti C (HCV virus)

Disa lloje të Virusit të Papilomës Humane

Faktorët gjenetik

Disa agjentë të jashtëm, si:

Karcinogjenët fizikë (rrezatimi ultraviolet dhe jonizues)

Karcinogjenët kimikë (azbesti, përbërësit e tymit të duhanit, aflatoxin, dhe arseniku)

Karcinogjenët biologjikë (infeksionet nga viruset, baktere ose parazitëve të caktuar)

Llojet më të shpeshta midis burrave dhe grave

Tumoret malinj të aparatit tretës janë 2 herë më shumë te meshkujt se te femrat dhe zënë 32% të vdekshmërisë brenda grupit të tumoreve.

Tumoret malinj të aparatit të frymëmarrjes janë 4 herë më shumë te meshkujt se te femrat.

Tumoret malinj të gjirit janë 4 herë më shumë te femrat se te meshkujt.

Tumoret malinj të organeve urogjenitale janë 1.6 herë më shumë te meshkujt se te femrat.

 

Pesë mitet për kacerin

Fokusi i Ditës Botërore kundër Kancerit për vitin 2013 është zgjedhur objektivi i 5-të i Deklaratës Botërore të Kancerit, për të larguar mitet dhe keqkuptimet e dëmshme rreth kancerit, nëpërmjet mesazhit: “Kanceri – A e dini se?”

“Kanceri – A e dini se?”

Miti 1: Kanceri është vetëm një çështje e shëndetit

E vërteta: Kanceri nuk është vetëm një çështje e shëndetit. Ai implikon dhe ka pasoja sociale, ekonomike, në zhvillim dhe në të drejtat e njeriut. Kanceri sjell varfëri, impakt negativ në familje dhe komunitet.

Miti 2: Kanceri është një sëmundje e vendeve të pasura, të moshuara dhe të zhvilluara

E vërteta: Kanceri nuk diskriminon. Kanceri është një epidemi globale, prek të gjitha moshat, të gjitha grupet sociale e sjell një barrë joproporcionale e të pamatshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, p.sh 50% e kancereve ndodhin në moshat nën 65 vjeç. Këtyre vendeve gjithashtu u mungon ndihma e nevojshme për lehtësimin e dhimbjeve për pacientët me kancer.

Miti 3: Kanceri është një dënim me vdekje

E vërteta: Shumë kancere që janë konsideruar dikur një dënim me vdekje, tani mund të parandalohen apo shërohen dhe për shumë njerëz kanceri i tyre tani mund të trajtohet në mënyrë efektive, për shembull, nëpërmjet vaksinimit.

Miti 4: Kanceri është fati im

E vërteta: Me strategji të duhura dhe të drejta, më shumë se një në çdo tre kancere mund të parandalohen. Nëse merren masa ndaj faktorëve risk, për shembull ndaj duhanit, 30% e kancereve mund të parandalohen.

 

 

 

 

Komentet janë mbyllur