Një temë diplome para 350 spektatorëve

Nuk ishte në fundjavë. Përkundrazi, ishte skaji tjetër i javës. Nuk ishte Teatri Kombëtar, apo i Metropolit, ishte skaji tjetër i bulevardit qendror tëpamje nga shfaqja kryeqytetit, Universiteti i Arteve. Megjithatë, këto nuk penguan 350 spektatorët të mbushnin Sallën e Madhe për të parë “E dashur zyshë Elena” dhe shumë nga ata, kur dolën, i kishin harruar të gjitha diferencat. Ishte mbrojtja e diplomës së kursit 2 të Masterit Mjeshtëri Aktori për shtatë të rinj të Universitetit të Arteve, me profesor Niko Kanxherin, ose ndryshe shfaqja e fundit e tyre si studentë.

Që prej nëntorit, kur kanë nisur provat për këtë pjesë, ata të shtatë kanë qenë një nga pesë personazhet e pjesës: zyshë Elena, Vladimiri, Viktori, Pavli dhe Olga. Zyshë Elena dhe Olga janë dubluar në mënyrë që të shtatë të kishin një rol dhe të vlerësoheshin me notë, sepse, dhe pse nga këndvështrimi i atyre që ishin ulur në karriget e sallës së madhe, kjo ishte një shfaqje e vërtetë, asnjë presje larg atyre të trupave profesioniste, për vetë aktorët kjo ishte njëkohësisht një temë diplome. Provat e shfaqjes për këta aktorë-studentë ishin orë mësimi të lëndës Mjeshtëri Aktori. “Prova bënim çdo ditë, rreth tri orë. Lënda kryesore tek ne është Mjeshtëria e Aktorit dhe orët e provave janë mësim”, tregon Sara Smaja, studentja e këtij kursi, që luajti rolin e zyshë Elenës gjatë natës së parë, ndërsa në të dytën ishte radha e Kristiana Dodajt.

Siç ndodh me studentët e artit skenik, puna e diplomës ka më shumë se një komision përpara, ka një publik të tërë të përbërë nga të afërm, miq, pedagogë e studentë të shkollës, por dhe spektatorë të tjerë…që vërtet nuk kanë në dorë notën (ajo është detyrë dhe përgjegjësi e pedagogut të kursit dhe vendimi merret pasi studentët dorëzojnë edhe temën teorike), por kanë duartrokitjet, vlerësimet, komentet e pas shfaqjes. Komentet ama vlejnë vetëm pas, gjatë shfaqjes fokusi është në skenë… “Premiera ka qenë plot emocion dhe ankth, sepse pas një pune aq të gjatë, ne duhet të dilnim para një publiku me rreth 350 njerëz. Kujtoj shumë pak nga ajo natë, sepse emocioni ishte shumë i  madh dhe vëmendja duhej të ishte e gjitha vetëm te çfarë do të ndodhte në skenë”, kujton (e s’kujton) Sara shfaqjen-mbrojtje diplome që është një përvojë përsëritëse për të gjithë grupin e aktorëve: Sara Smaja, Delinda Zhupa, Kristiana Dodaj, Aleksandër Kondi, Ersila Rezhda dhe Mateus Frroku. Ata të shtatë kanë mbrojtur po bashkë diplomën e nivelit bachelor me shfaqjen “Sakati nga Inishmani”, që është shfaqur në sallën Black Box, të universitetit të tyre.

Kjo shkollë në fakt është nga të paktat që, prej natyre, nuk ka si preket nga akuza se universitetet nuk përgatisin profesionistë me aftësi praktike, por thjesht të diplomuar me dije teorike. “Unë mendoj që universiteti ynë i ka të gjitha kushtet teknike për të nxjerrë njerëz të aftë, kjo varet vetëm nga dëshira e pasioni që kanë studentët për të punuar.”

Këta studentë, ndryshe nga ç’ndodh me shumë të sapodiplomuar të tjerë, janë optimistë përgjithësisht për atë që i pret dhe pse sigurisht edhe ata nuk mund të bëjnë pa “shpresën për pak vlerësim dhe ndihmë morale e financiare”, siç thotë Visjani.  “I gjithë procesi në Akademi ka qenë produktiv dhe lënda që kemi marrë të gjithë si studentë ka qenë e mirë. Kështu që them me bindje se tani secili do ketë hapësira të mira në treg, pasi secili nga ne ka karakteristika të mira”, thotë Mateus Frroku, një nga studentët e grupit të masterit 2, që te “E dashur zyshë Elena” kishte rolin e Viktorit. Ndoshta dhe për faktin sepse ata e kanë provuar atë që është tregu i tyre i punës: skenat dhe sheshxhirimet, madje kanë grumbulluar edhe përvojë gjatë këtyre viteve. Për Visjan Ukjanin, për shembull, përvojat në teatër, por dhe në film, janë për t’u lakmuar. “Kam luajtur afërsisht 22 shfaqje teatrore dhe 3 filma me metrazh të shkurtër. Kam provuar pothuaj të gjitha skenat: Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Komedisë, dy sallat e Metropolit. Kam luajtur në Mal të Zi, Kosovë etj. Ndër pjesët ku kam luajtur do veçoja: “Sakati nga Inishmani” në rolin e Bill Sakatit, “I famshmi 702” në rolin e Zhoe, “Gënjeshtër për Gënjeshtër” në rolin e Gobel, “ZooStory” në rolin e Xherrit, “Brekët” në rolin e Teos etj.” Në mjaft nga këto shfaqje kanë interpretuar edhe studentë të tjerë të grupit. E fundit pjesë si studentë ama, për të gjithë ata, ishte pikërisht “E dashur zyshë Elena” dhe si e tillë, rënien e perdes e ka pasur të ngarkuar me ndjesi të tjera, frymëmarrjen e lehtësimit më të gjatë, bashkë me atë ndjesinë që “gjithçka mbaroi shpejt”, siç thotë Kristiana. Por në fund për të gjithë studentët që interpretuan, e rëndësishme ishte që çdo gjë mbaroi mirë dhe që patën fatin dhe privilegjin, siç e theksojnë me besnikëri gjithë protagonistët e këtij shkrimi, të punonin me profesor Niko Kanxherin.

 

Pas shfaqjes së fundit…

Për disa nga këta të diplomuar ka të paktën një projekt që i pret pas dyerve të Akademisë. “Pas përfundimit të shkollës do vazhdoj me një projekt tjetër, sepse do rivihet komedia “Brekët”, por tani jo si punë studentësh, por si një pjesë që do vijë shumë shpejt për publikun”, thotë Kristiana, të cilën e pret dhe një rol episodik në një film. Në komedinë “Brekët”, e vënë dikur në skenë, krah saj kanë qenë dhe dy studentë të tjerë të grupit të masterit: Visjani dhe Ersila… Sara, nga ana tjetër, do largohet për në Shkodër. “Unë jam prej një viti pjesë e trupës profesioniste të aktorëve të teatrit ‘Migjeni’ në Shkodër, që është dhe qyteti im i lindjes. Pas diplomimit kam projekte në teatrin ku unë punoj.” thotë aktorja, e cila e mbylli fazën me statusin “student” në Universitetin e Arteve, me rolin e një zyshe. “Ishte vërtet një eksperiencë, nga e cila mora shumë gjëra për të ardhmen.” Shpreh mendimin e të gjithëve Kristiana, zysha e natës së dytë të shfaqjes dhe të fundit si studentë.

 

 

 

Protagonistët

 

Vlerësimi nga Niko Kanxheri…jo me notë

 

“Vepra është shkruar më 1980 nga dramaturgia ruse Ljudmila Razumovskaja.

Kjo është një pjesë shumë realiste dhe në kohën sot, një kohë ku arsimi dhe të rinjtë kanë problemet e tyre. Aty flitet për disa gjimnazistë që shkojnë gjoja për t’i uruar datëlindjen zyshës së tyre të matematikës dhe e marrin peng për t’i marrë çelësin e kasafortës së provimeve që të nxjerrin fletët e dorëzuara dhe t’i zëvendësojnë me  fletë të mbushura sipas kopjeve. Zysha nuk dorëzohet dhe mban një fjalim triumfues në fund, megjithatë autorja është realiste dhe në qëndrimin ndaj nxënëseve. Ata nuk janë të këqij, në vetvete. Duhet parë se kush është përgjegjës për krijimin e personaliteteve të tyre dhe shoqëria e familja janë të parët që të vijnë në mendje. Për sa i përket studentëve aktorë, ata ishin të mirë, unë i vlerësoj. Dhe më shumë akoma jam i kënaqur me dy studentet që realizuan skenografinë dhe kostumografinë, që u vlerësua shumë.”

 

 

Visjani dhe Vladimiri

Prova e fundit për Visjanin për ta mbyllur këtë nivel studimesh, e për të qenë aktor me kohë të plotë, ishte roli i Vladimirit. “Në diplomë luaja Vladimirin, një karakter rus i krimbur në para dhe në kërkim të satisfaksioneve të tij egoiste, pak narcizist, delirant dhe karakter i komplikuar deri në psikopati. U ndjeva shumë mirë duke dalë nga vetja… dhe duke shijuar një orë e gjysmë jetë pa limite, një aventurë sfilitëse dhe triumfuese.”

 

Një zyshë në provim

Sara Smaja interpretoi natën e parë të shfaqjes rolin e zyshë Elenës. “Marrëdhënia ime me rolin ishte shumë komplekse, sepse zysha ishte një personazh që dhe në moshë dhe në mendim ishte larg meje. Elena Sergejevna (zysha) ishte një grua rreth të 40-ave me profesion mësuese matematike në një gjimnaz në Rusi. Ajo jetonte vetëm me mamanë në një garsoniere dhe jeta e kishte lënë pa një shok përkrah. Ajo është idealiste dhe të gjithë jetën e vet e ka të lidhur me profesionin. Për ta sjellë te vetja ‘zyshë Elenën’ mua më është dashur shumë punë dhe studim.”

 

Përpjekja e fundit e Mateusit

Mateus Frroku, i njohur edhe si këngëtar i “Etheve të së premtes mbrëma”, për diplomën e tij të masterit në Aktrim, luajti rolin e Viktorit, ose ndryshe Vito, një djalë i ri që sapo ka mbaruar provimet e maturës dhe ndodhet në udhëkryqin e madh të jetës, siç e përshkruan ai. “Në rolin e diplomës sigurisht që kisha ndjesinë e një përgjegjësie shumë të madhe mbi vete, pasi kurorëzoheshin pesë vite shkollë, studim, mund dhe shumë sakrifica. Puna për këtë rol nga ana ime ka qenë kolosale sepse doja të lija një shenjë pozitive në mbyllje të gjithë procesit të shkollës.”

 

 

 

 

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur