visi baner 5

Një skenë teatri për librin dhe leximin në skenë

Dikur…

Kur në odeonin e Apollonisë, aty rreth shek. II para erës së re zhvilloheshin shfaqje letraro-muzikore, në shkallët e Teatrit zinin vend 7000 vetë. teatri i prozes (1)Prania e ndërtimeve teatrore antike në qendrat ilire si Apolloni, Butrint, Bylis, Dyrrah etj., janë dëshmi e këtyre aktiviteteve teatrore gjatë antikitetit si një influencë e teatrit të antikitetit grek me tragjeditë e fuqishme të Eskilit, Euripidit e Sofokliut. Për të ardhur në të tjera kohë, ato të Shekspirit, e më pas Ibsenit e Bertold Brehtit, poetit që ndikoi më shumë në poezinë moderne të shekullit XX me Breliger Asambel, teatri i ri i prozës që njeh themelues pikërisht atë.

 

 

Sot, për herë të parë në Shqipëri, do të provohet në një gjini ndryshe të teatrit, në Teatrin e Prozës. Ky lloj teatri, shumë i lëvruar në vende të ndryshme të botës, sjell në skenë librin

 

Një sallë e re teatri është ngritur në Tiranë, me një skenë të vogël, përballë së cilës mund të qëndrojnë 120 spektatorë që do t’u ofrohet një gjini e re teatrore; leximi i librit. Kjo është një skenë për librat dhe leximin ndryshe, e cila do të shndërrohet çdo mbrëmje në një sallë leximi ku spektatori do të dëgjojë tregimin, romanin, ditarin apo kujtimet e autorëve më në zë shqiptarë. ‘Një teatër që i mungon Tiranës’- është sfida e regjisorit Armando Bora. “Tirana është një metropol, i cili edhe pse i ka të gjitha mundësitë për ta patur më të shumëllojshme ofertën teatrore, ka mbetur prej shumë vitesh duke i shërbyer komunitetit të saj vetëm me dy-tri salla teatrore. Nuk është problemi vetëm te numri i pakët i sallave teatrore. Problemi më i madh qëndron në faktin se edhe në ato pak salla ofrohet e njëjta “gjellë”. Shfaqje standarde, të cilave iu ndërrohet vetëm emri i autorit e i regjisorit, dhe asgjë tjetër. Në këtë kuptim, iniciativa për të ndërtuar një sallë me parametra të lartë skenikë si edhe tendenca për të ofruar diçka ndryshe në këtë sallë, merr një vlerë të pallogaritshme për jetën artistike dhe kulturore të kryeqytetit”, – thotë regjisori i cili për herë të parë në Shqipëri do të provojë një gjini ndryshe të teatrit, Teatrin e Prozës. Ky lloj teatri, shumë i lëvruar në vende të ndryshme të botës, merret me sjelljen në skenë të një vepre letrare, e shkruar në prozë, si p.sh. tregimin e shkurtër, esenë, ditarin, kujtimet, prozën politike apo dhe atë filozofike. “Këto vepra, të cilat janë shkruar në fakt për t’u lexuar, do të vijnë te spektatorit përmes leximit publik. Që e gjitha të marrë vlerën e spektaklit skenik, leximi i tekstit do të jetë i shoqëruar me muzikë live, me materiale filmike të projektuara në një pjesë të skenës si edhe me elementë të tjerë skenikë. Suksesi i këtyre formave qëndron tek intimiteti përmes të cilit përcillet teksti te spektatori”, – thotë Bora, që me sa duket e ka gjetur formulën sesi ta nxisë lexuesin drejt librit.

Mihal Luarasi: Proza as që mendohej në skenat e teatrove

Regjisori Mihal Luarasi, botues i disa librave mbi teatrin, thotë se Teatri i Prozës nuk është lëvruar asnjëherë në skenat e teatrove shqiptarë. “Para viteve ’90 as që bëhej fjalë të kishte Teatër të Prozës”, – thotë ai. Ai përmend më pas se ka patur disa tentativa, por që nuk mund të bëhet fjalë për një Teatër të Prozës. “Ka patur disa tentativa vitet e fundit, por që kanë qenë spontane”. Në fakt, ide dhe projekte ka patur shumë, por që kurrë nuk u finalizuan. “Personalisht kam tentuar me një projekt në fillim të viteve ’90 për të sjellë Teatrin e Prozës. E kam akoma në shtëpi atë projekt. Titullohet ‘Dashuria…’ dhe synonte të sillte në skenë përmes leximit poezitë më të bukura të dashurisë të të gjitha kohërave. Për shumë arsye ky projekt nuk u përkrah në atë kohë”, – thotë regjisori Luarasi.

Në skenë ‘valixhja diplomatike’ e Mustafajt…

Të ngjitësh në skenë në vepër letrare nuk është e lehtë. Teksti me të cilin po punon aktualisht regjisori Armando Bora për ta ngjitur në skenë është një nga botimet më të suksesshme të shkrimtarit Besnik Mustafaj. “Fletore rezervat” ose ditari i një ambasadori, përmbledh disa nga ngjarjet më interesante dhe më të rëndësishme gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ambasador në Paris. Edhe pse një vepër e njohur për lexuesin francez, ajo ka mbetur e pazbuluar për publikun dhe lexuesin shqiptar. Ky libër mbart përmbledhtazi tharmet e qasjes personale të Besnik Mustafajt ndaj Francës dhe Europës Perëndimore në përgjithësi. Fletorja rezervat ka formën e një vëzhgimi të vetë autorit Mustafaj, i cili paraqet jetën politike-shoqërore të tij në kohën kur ushtronte funksionin e ambasadorit të Shqipërisë në Francë.

Për gati 50-60 minuta jo vetëm do të lexohen pjesë të shkëputura nga ditari i Mustafajt, por pas kësaj mund të provokohen debate dhe diskutime me publikun mbi tema të ndryshme.

…Me zërin e Virgjil Kules

“….E di se zbulimi i simptomave të tua tek të tjerët nuk është ngushëllim. Mbase dhe kjo pikë e përbashkët ka dobinë e vet: edhe veset, dobësitë, duhet t’i ndihmojnë individët dhe popujt të kuptojnë njëri-tjetrin ashtu si virtytet. Nuk e kam ende të qartë nëse edhe francezët vuajnë nga ky kompleks. Por kur do të vija në Paris si ambasador në vjeshtën e vitit 1992, shumë veta në Tiranë, midis të cilëve edhe adhurues pa kushte të kulturës, të historisë e të qytetërimit francez, më thanë me njëfarë dëshpërimi se më kot shpresoja në një afrim franko-shqiptar…” Zëri i tij si tregimtar është i pranishëm në disa qindra dokumentarë video, por për herë të parë do të ulet në sallën e vogël të Teatrit të Prozës për të lexuar këto pasazhe e shumë të tjera nga libri i Besnik Mustafajt, “Fletorja rezervat”. “Ndodh rëndom që ata që lexojnë tekste të tilla të jenë aktorë, e në rastin tonë do të jetë Virgjil Kule”, – thotë regjisori Armando Bora. Ai bëri këtë zgjedhje për vetë figurën që ofron Virgjili, i cili nuk do të konsiderohet si një lexues i zakonshëm teksti, por do të sjellë si vlerë të shtuar në këtë eksperiment eksperiencën e tij.

…Në pritje

Regjisori Bora e ka hartuar listën e gjatë të emrave që do të sjellë në skenën e Teatrit të Prozës. Pas “Fletorja rezervat” e Besnik Mustafajt, në skenë do të lexohen 10 tregime të shkruara nga Teodor Laço. “Janë tregime shumë të bukura me temë emigracionin. Edhe unë jam mahnitur kur i kam lexuar”, – thotë Bora.

 

Skeda

Teatri i Prozës

Vendndodhja: Qendra Kulturore ‘Robert Radoja’

Kapaciteti: 120 vende

 

 

Kafe-libraritë

Mundësitë që duke pirë kafe të mund të lexosh dhe një libër janë të pakta në kryeqytet. Në morinë e bareve në Tiranë, ku njerëzit shpenzojnë kohën, janë dhe disa oaze të vogla të librit, janë ato kafe-libraritë që bashkë me kafenë dhe librin të ofrojnë dhe mbrëmje poetike dhe leximi të autorëve të ndryshëm. Në “Kafe-Librari e Për7shme” performancat poetike dhe leximet autoriale janë bërë pjesë e aktiviteteve kulturore në kryeqytet. Edhe pse kjo nuk është Teatër i Prozës, është një mënyrë për ta sjellë sa më pranë lexuesin tek libri.

 

Ora letrare në Radio Tirana

Kur u krijua radioja e parë shqiptare më 1938, sipas kujtimeve që sjell Skifter Këlliçi, ajo kishte vetëm dy dhoma të vogla brenda ndërtesës së Bashkisë. Ndër emisionet e para që nisën të transmetoheshin ishte edhe “Ora letrare” e drejtuar nga Myzafer Xhaxhiu. Për shume vite “Ora letrare” u bë nga emisionet më të pëlqyeshme të Radio Tiranës. Aty lexoheshin dhe diskutoheshin vepra të njohura të letërsisë shqipe dhe letërsisë botërore. Më pas këto emisione përgatiteshin nga shkrimtarë dhe letrarë të rinj, ndër të cilët më aktivët ishin shkrimtarët Sterjo Spasse, Mustafa Breblleshi dhe vetë drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur