visi baner 5

Psikologjia, kisha e re e shoqërisë moderne

Nëse sot ka ende ngërçe për të kapërcyer, ku jo vetëm psikologu të kuptohet si të gjitha shërbimet e tjera të shëndetit, por pse jo të shkosh edhe download (6)thjesht për t’u rrëfyer. Pas saj, e sigurt që do ndihesh i/e çliruar. Studentët e Psikologjisë besojnë fort te kjo e ardhme.

Produktet kinematografike përtej oqeanit na servirin prej kohësh tablonë e njeriut të ngarkuar, me stres, në dilema ekzistenciale, me probleme psikologjike e shpirtërore, i cili shtrirë mbi një divan ia rrëfen, me shpresën për t’u kuruar, psikologut. Po në Shqipëri a e ka gjetur vendin e tij psikologu? Ku punësohen të rinjtë që mbarojnë studimet në degën e Psikologjisë?A kërkojnë shqiptarët këshillim për problemet e tyre tek specialisti?Ja çfarë rrëfejnë vetë pedagogët e kësaj dege, ata që e ushtrojnë profesionin dhe ata që aspirojnë…

 

Problemet me të cilat përballet sot shoqëria moderne shqiptare, postkomuniste janë të mëdha. Fjala nuk është këtu vetëm për ngjarjet e rënda që servirin faqet e kronikave me raste dhune në familje, vrasje apo vetëvrasje për të kuptuar seriozitetin, por edhe te hallet dhe vuajtjet nga më të përditshmet si stresi apo depresioni, që i ka kapërthyer njerëzit në vorbullën e vet të ritmit marramendës dhe konsumizmit. Të ankohesh pranë një mikeshe apo familjes është diçka e mirë, por sot njerëzit preferojnë të gjejnë një person që i dëgjon dhe i ndihmon t’i shohin problemet e tyre ndryshe. Pikërisht në këtë pikë kthejmë sytë nga psikologu. Dikush që të dëgjon me vëmendjen dhe interesin e duhur, që di të ruajë sekretin e rrëfimit dhe të trajton për të kuptuar problemin dhe për ta zgjidhur atë.

Në Shqipërinë e tranzicionit njëzet e ca vjeçar, e cila nuk iu ka shpëtuar ndryshimeve teknologjike, inovacionit, mënyrave të reja të komunikimit dhe jetesës dhe ka përqafuar një stil me ritme më të shpejta jetese, roli i psikologut duket se ka fituar terren. Jo vetëm që formohen çdo vit psikologë të rinj në shkollat shqiptare, por edhe vetë shoqëria tanimë di ku ta adresojë problemin e vet psikologjik, duke kërkuar asistencë të specializuar që e gjen pranë poliklinikave, qendrave spitalore, qendrave komunitare, çerdheve e shkollave, por edhe në mënyrë private në studio dhe klinika që ofrojnë seanca terapie dhe këshillimi.

Klodiana Turhani, psikologe klinike dhe pedagoge e Psikologjisë pranë Universitetit Europian të Tiranës, tregon në eksperiencën e saj që çdo ditë e më shumë njerëzit ndërgjegjësohen dhe kërkojnë ndihmë.

Psikologu është profesioni i ri, simbolizon ato profesione që përfaqësojnë kujdesin ndaj tjetrit. Sot në një shoqëri ku kemi familjet e vogla, prindërit e shohin të nevojshme për t’u këshilluar me dikë për fëmijën e vogël, adoleshent, të riun…Gratë vetë e shohin shumë të nevojshme të këshillohen gjithashtu”, tregon ajo duke renditur disa nga problemet që hasen në grupmosha të ndryshme që nga hiperaktiviteti apo autizmi te fëmijët e vegjël, problemet me imazhin dhe delikuencat që bien pre adoleshentët, atakët e panikut, ankthet, stresi e deri tek ato të një depresioni të thellë tek të rriturit.

Ajo që psikologu përpiqet të sjellë në këndvështrim komplementar, që ndihmon pacientin të  bëjë një eko mbi problemin personal dhe në raport me tjetrin”,- vijon Turhani. Pedagogia e Psikologjisë thotë se Psikologjia është një fushë mjaft e kërkuar sot nga të rinjtë që i drejtohen arsimit të lartë dhe duke parë problemet që parashtron shoqëria shqiptare e këtyre viteve, roli i psikologut është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm. “Mjaft të shohim rastet e vetëvrasjeve apo tentativave për të kuptuar situatën”.

Megjithë ndërgjegjësimin dhe pranimin e këtij roli, duke iu larguar disi stigmatizmit apo njëjtësimit që i bëhej psikologut me psikiatrin, pacientët që i drejtohen psikologut- veçanërisht atij klinik-nuk janë thuajse asnjëherë në fazat e para.

Për psikologen dhe hipnoterapisten klinike Fleura Shkëmbi duket se situata ka nisur të lëvizë, por sërish hasen barriera në kuptimin e rolit të psikologut. “Nuk është e kuptuar dhe e pranuar gjerësisht ideja e të shkuarit te psikologu. Ka nga ata që e kuptojnë se nuk ka asgjë të keqe të shkosh te psikologu. Kjo haset te njerëz më të arsimuar, që kanë më shumë informacion, por ka edhe nga ata që kanë fobi apo duan patjetër referenca nga dikush i besuar”,- tregon Fleura, duke shtuar që të paktën ata që i drejtohen psikologut kanë kapërcyer frikën e rrëfimit të sekreteve një të panjohuri. “Është e vështirë që dikush të të dorëzojë të fshehtat e vetes, por më në fund e kanë kuptuar se psikologu e ka detyrim profesional dhe etik ruajtjen e sekreteve”.

Edhe Klodiana Turhani është dakord në këtë pikë, duke shtuar se ai që e ushtron këtë profesion jo vetëm që duhet të jetë shumë etik, i kujdesshëm me fjalët, por edhe i mirëformuar, duke ndjekur jo vetëm ciklin e studimeve Bachelor, Master por edhe më tej.

“Mendoj se këtu çalon psikologu në kontekstin shqiptar. Kemi shumë diplomime. Universiteti Publik që në diplomat e para në vitin 1996 ka diplomuar shumë studentë, por nga përvoja ime kam parë që një përqindje shumë e vogël e ushtrojnë profesionin, të paktën si psikologe klinike. Studentë që diplomohen ka, por duhet formim dhe trajnim i vazhdueshëm. Të marrësh pjesë në konferenca shkencore apo seminare klinike. Unë si anëtare e Rrethit Lakanian të Tiranës marr pjesë në seminare klinike që organizohen çdo vit nga ky rreth ”.

Po cilat janë hapësirat e punësimit për ata që diplomohen në Psikologji?

Odeta Cacaj, studente e degës Psikologji në UET, tregon se kjo fushë ka qenë e para në preferencat e saj dhe se dëshira për të kuptuar veten dhe të tjerët e shtyu drejt një formimi akademik. “Misteri i gjetjes së vetes diku pas diplomimit është pikëpyetje e të gjithë studentëve, do doja thjesht të isha një psikologe e mirëfilltë. Do doja të punoja në projekte të ndryshme të financuara nga firmat e huaja, pasi janë më serioze dhe të kisha një studio timen, ku mund të ushtroja këtë profesion privatisht”.

Një tjetër studente e UET, Dajla Hoxha rrëfen se pas studimeve Bachelor do të vijojë me studimet në nivele të tjera, pa kërkuar një punësim të menjëhershëm.

“Profesioni im i përket atij grupi profesionesh që sigurojnë një rrogë mbi mesataren. Por në varësi të vendit të punës dhe llojit të punës, normalisht edhe të ardhurat do jenë të luhatshme.

Dëshira ime është të bëhem një psikologe klinike.”.

Por kur dëshirat për të pasur atë studion e ngrohtë dhe mikpritëse dhe divanin emblemë, ku pacienti të rrëfen problemet e tij?

Fleura Shkëmbi thotë se të diplomuarit hasin vështirë në praktikimin e profesionit, pasi nuk  gjejnë hapësirat e duhura. Kjo i çon shpesh të marrin një drejtim të ndryshëm nga profili i studimeve. “Vendi i psikologut në Shqipëri është i përcaktuar mirë në për shkolla dhe çerdhe, në gjykatë, në privat, por jo se ka ndonjë punësim të jashtëzakonshëm. Dalin shumë psikologë, por nga pamundësia për punësim kalojnë në një profesion tjetër”, rrëfen Fleura, e cila zbulon se një tjetër problem janë edhe financat, pasi të ardhurat ekonomike nuk i lejojnë të gjithë të drejtohen në klinikat private ku ofrohet trajtim dhe këshillim psikologjik.

Nga ana tjetër, Klodiana Turhani sjell një panoramë të ndryshme, ku psikologu jo vetëm e gjen veten në një sërë institucionesh të punësuar, që nga poliklinikat, qendrat ambulatore, qendrat spitalore, qendrat komunitare të këshillimit mendor, në çerdhe, kopshte, shkolla, burgje, gjykata, por edhe qytetarët kanë më shumë mundësi ta marrin falas shërbimin e psikologut.

“Një psikolog që është kreativ, ndjek vizionin e institucionit ku do të punojë apo ka një fushë që i pëlqen, si për shembull toksikomania, kemi shumë pak qendra të tilla, pak mbi autizmin. Kemi shumë pak shërbime psiko-sociale për moshën e tretë. Pra një psikolog kreativ dhe ka idenë e projektit hap vende pune”.

Por në fund ende qëndron pyetja: A janë të hapur shqiptarët për t’u rrëfyer, për të kuptuar problemet e tyre dhe për të gjetur rrugën drejt kurimit?

“Kam konstatuar prindër mjaft të hapur që sjellin fëmijët e tyre kur hasin në probleme psikologjike. Ka vajza të reja që vijnë për këshillim dhe plot gra të cilat kanë marrë informacionin e duhur nga media”. Ende vazhdon të ketë më pak djem e ca më pak burra, të cilët nën ndikimin ende të patriarkalizmit shpesh bëhen edhe viktima të këtij sistemi ku zotërojnë, duke mos lëshuar pe në rolin e tyre si shtylla e familjes dhe drojës për të pranuar se kanë probleme psikologjike. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Psikologjia po shndërrohet në kishën e re të shoqërisë postmoderne. “Pacientët janë lodhur ku të tjerët i bëjnë moral për mënyrat e tyre të funksionimit”,- thotë Klodiana. Nëse prifti dikur ishte në pozicionin e moralizuesit, psikologu nuk moralizon, por kupton simptomat, i vë në pah dhe trajton problemet.

Nëse sot ka ende ngërçe për të kapërcyer, ku jo vetëm psikologu të kuptohet si të gjitha shërbimet e tjera të shëndetit, por pse jo, të shkosh edhe thjesht për t’u rrëfyer. Pas saj, e sigurt që do ndihesh e i çliruar. Studentët e Psikologjisë besojnë fort te kjo e ardhme.

 

 

 

Jo vetëm që formohen çdo vit psikologë të rinj në shkollat shqiptare, por edhe vetë shoqëria tanimë di ku ta adresojë problemin e vet psikologjik, duke kërkuar asistencë të specializuar që e gjen pranë poliklinikave, qendrave spitalore, qendrave komunitare, çerdheve e shkollave, por edhe në mënyrë private në studio dhe klinika që ofrojnë seanca terapie dhe këshillimi.

 

Klodiana Turhani

“Psikologu është profesioni i ri, simbolizon ato profesione që përfaqësojnë kujdesin ndaj tjetrit. Sot në një shoqëri ku kemi familjet e vogla, prindërit e shohin të nevojshme për t’u këshilluar me dikë për fëmijën e vogël, adoleshent, të riun… Gratë vetë e shohin shumë të nevojshme të këshillohen gjithashtu”

 

Fleura Shkëmbi

“Nuk është e kuptuar dhe e pranuar gjerësisht ideja e të shkuarit te psikologu. Ka nga ata që e kuptojnë se nuk ka asgjë të keqe të shkosh te psikologu. Kjo haset te njerëz më të arsimuar, që kanë më shumë informacion, por ka edhe nga ata që kanë fobi apo duan patjetër referenca nga dikush i besuar

 

 

Shkollor, këshillimi dhe klinik. Kujt t’i drejtohesh?

Psikologu shkollor i cili gjendet pranë çdo shkolle është parë i arsyeshëm për të ndërhyrë në shkolla. Ka një formim si mbi anën konjitive të fëmijës, ashtu edhe atë afektive dhe ndërpersonale.

Psikologu i këshillimit që bën rolin e orientuesit dhe mbështetësit dhe psikologu klinik, i cili merret nga problemet ekzistenciale tek ato psikopatologjike, duke pasur një spektër më të gjerë të problematikave që trajton. Punon dhe analizon pacientët përmes fjalës, duke dëgjuar, kuptuar dhe ndihmuar pacientin që i drejtohet për ndihmë.

 

Të studiosh Psikologji

Universiteti Europian i Tiranës ofron studime në Psikologji në të tria ciklet; Bachelor, Master dhe Doktoraturë, ku studentët mund të zgjedhin të profilizohen në psikologë shkollorë, këshilli dhe klinikë. Veç kësaj ofron formim psikologjik edhe në Masterin e Mësuesisë, ku studentët marrin përgatitje serioze edhe në psikologji, duke i dhënë shumë rëndësi kësaj të fundit në praktikën e tyre të punës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur