Arlinda Dudaj: Përçmoj njerëzit që nuk lexojnë

Pyetësori i Prustit

Leximi, një film i bukur, vrapimi nga liqeni…dhe në sfond kënga “Dreamer” e Ozzy Osborne, ja kështu do të ishte dita Arlinda Dudajperfekte e botueses Arlinda Dudaj. Janë këto gëzime të mbledhura pikë-pikë çdo ditë e çdo çast të jetës, siç shprehet ajo, që e bëjnë të lumtur. Sigurisht duke pasur gjithmonë pranë njerëzit që do. Përtej gëzimeve të ditës, botuesja e Dudaj zbulon dhe pasiguritë e saj, por që asnjëherë nuk e kanë penguar të ecë përpara, sepse motoja e saj është: Të provojë të rrëzojë çdo mur që i pengon rrugën, edhe pse në dukje mund t’i duket i pakapërcyeshëm.

 

Cila është ideja jote për lumturinë?

Lumturia nuk është nocion qiellor. Lumturi është gëzimi i mbledhur pikë-pikë çdo ditë e çdo çast të jetës. Lumturi është thjesht të parit e gotës gjysmë plot.

Cila është frika më e madhe?

Mos një ditë zgjohem e nuk i gjej pranë vetes njerëzit që dua.

Kë person të gjallë admironi më shumë?

Prindërit e mi, është vërtet e adhurueshme forca e brendshme për të përballuar të sotmen dhe përballur me të djeshmen…

Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?

Servilizmi…një servil vërtet që harron të jetojë.

Ekstravaganca jote më e madhe?

Të ndaloj në një dyqan të madh disqesh e të ulem para një monitori gjigant ku po shfaqet kënga “Dreamer” e Ozzy Osborne.

Cili është udhëtimi yt i preferuar?

Kudoqoftë, mjaft të jetë një udhëtim. Valixhen e nisu!

Në ç’rast mund të gënjesh?

Kur lipset për të ndihmuar në ndonjë rast ekstrem, ose për të mos e lënduar tjetrin.

Personi që  përçmon më shumë?

Njeriu që s’ka lexuar një libër, po veç përvetëson dijet e të tjerëve duke i shitur si të vetat

Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?

“O zemër”, “Më luajte mendsh”.

Pengu yt më i madh?

Kur premtoj diçka dhe nuk e mbaj fjalën.

Kur dhe ku ke qenë e lumtur?

Kur e ndiej që më duan… atëherë më duket se jeta më shpërblen me lumturi.

Në ç’gjendje shpirtërore je tani?

Ufff, e lodhur dhe ca e pasigurt për ç’do të vijë…

Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?

Do të doja të fashisja frikërat që, me thënë të drejtën, i kam me shumicë.

Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?

Puna ime është arritja më e madhe, që ka qëlluar gjithashtu edhe ta dashuroj.

Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?

Do të doja të isha ujë që rrjedh e s’ndalet.

Cili është sendi më i çmuar që zotëron?

Dy unazat e mamasë sime.

Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?

Kur e pranon atë.

Ku do të pëlqente të jetoje?

Kudo, mund të jetoja kudo. E ndiej veten një qytetare të botës.

Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?

Leximi, një film i bukur dhe vrapim nga liqeni.

Cila është karakteristika juaj më e spikatur?

Të menduarit pozitivisht, duke nxjerrë më të mirën edhe nga dikush që i tillë nuk është.

Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?

Fisnikëria dhe intelekti.

Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?

Bukuria e brendshme, zgjuarsia dhe vetëvlerësimi.

Cilët janë shkrimtarët e preferuar?

Do mbushja faqen me këtë pyetje. Janë shumë, por po veçoj Saramagon, Tomas Mann, Heinrich Bohl, Ernest Heminguej, Zweig, Markez. Dikur adhuroja gjigantët e tragjedisë greke, Homeri, Eskili, Sofokliu, Euripidi.

Po dhe Mordecai Richler, Muriel Barbery, Italo Calvino…Nerudën në poezi e Heine.

Cili është heroi yt në art dhe kulturë?

Stiven Spielberg e Michael Hanneke në kinema, regjisorë që i bëjnë filmat t’u ngjajnë librave. Po arti dhe kultura është një hambar shumë i madh.

Cilët ke heronj në jetën reale?

Sërish prindërit e mi.

Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?

Dukja pa qenie…

Si do të të pëlqente të vdisje?

Në gjumë.

Cila është motoja juaj? 

Të provosh ta rrëzosh një mur që të pengon rrugën tënde, edhe pse në dukje mund të të duket i pakapërcyeshëm.

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Arlinda Dudaj: Përçmoj njerëzit që nuk lexojnë"

  1. Saimir  19/04/2013 at 7:26 pm

    Nje interviste perfekte. Sa lart qendron kjo zonje.

You must be logged in to post a comment Login