Të majtët firmosin bashkimin në Shkodrën e djathtë

Ngjyrat e kopertinës së Kartës së Parimeve që u firmos mes PS dhe LSI ishte e kuqe. Tryeza në të cilën u firmos nga Edi Meta rama nenshkrimiRama dhe Ilir Meta marrëveshja ishte mbuluar me të kuqe. Po ashtu i kuq ishte shalli i eurodeputetes së majtë dhe raportueses për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon. E kuqja ishte e fortë te të gjitha kollaret, përveç asaj të kryesocialistit shqiptar Edi Rama. E gjithë kjo skenë me të kuqe të fortë bëhej në Shkodrën që deri tani e gjatë 22 viteve pluralizëm ka qenë (nëse mund t’i qëndrohet lidhjes me ngjyrat) blu. Shkodra nuk është vetëm (siç shumë e quajnë) qendra e qëndresës antikomuniste në Shqipëri, ajo vijoi të shohë djathtas edhe pse të majtët janë reformuar deri në atë pikë sa vështirë të gjesh në ta qëndrime të kësaj ideologjie. Duke qenë në këtë mënyrë bastion i pandryshuar i së djathtës.

Po përse u zgjodh Shkodra për të mbajtur konferencën për Ballkanin të Partisë Socialiste Europiane (PES)?! Përse u zgjodh Shkodra për të nënshkruar marrëveshjen e të majtës shqiptare, marrëveshje që hamendësohet se i sjell ata në pushtet pas 8 viteve opozitë?! Për gjeografi dhe rrugë me shumë gjasa. Eurodeputetja Tanja Fajon njofton në Facebookun e saj se pas takimit në Shkodër konferenca do të vijojë në Malin e Zi dhe qyteti verior ka qenë mjaft i përshtatshëm për ta bërë të lehtë këtë transfertë.

Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se zgjedhja e një qyteti historikisht të djathtë dhe bastion i Partisë Demokratike nuk do të shërbejë si “provokim”.  “Sot nga Shkodra nis ky eveniment i rëndësishëm i socialistëve europianë për Ballkanin, por unë jam i bindur se sot nga Shkodra nis edhe fitorja e së majtës së bashkuar më 23 qershor në Shqipëri”, thotë në fjalën e tij Ilir Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, partia e dytë opozitare në vend.  Shkodra zor se do i japë shumë komfort opozitës dhe ndoshta as edhe ndonjë deputet më shumë, por nënshkrimi i marrëveshjes në këtë qytet është sërish një farë sfide që i bëhet të djathtës në, le të themi, “djepin” e saj në Shqipëri. Në fakt, për të qenë të ndershëm me historinë, fillesat e komunizmit janë po ashtu në Shkodër. Njëri nga tre grupet që krijuan Partinë Komuniste më 1941 quhej Grupi Komunist i Shkodrës. Duhet thënë se më vonë qyteti dhe rrethinat e tij vijuan të luftonin ashpër kundër komunizmit deri me lëvizje të armatosura si ajo e Postribës, por kjo nuk pengoi që një i lindur në Shkodër (Ramiz Alia) të ishte deri Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Ndoshta e gjithë kjo sepse Shkodra ishte nga të paktat qytete që kishin mundësi të “prodhonin” politikë dhe grupe politike edhe pse këta mund të ishin krejt të kundërt.

Të majtët nga Europa dhe Ballkani e “lajkatuan” Shkodrën.  “Qyteti ku përdoren më shumë biçikletat (domethënëse në Ditën e Tokës), apo qyteti i një humori të hollë”, siç e quajti njëri prej tyre. Ndërkohë që për krerët e të majtës shqiptare, që nënshkruan dje në këtë qytet bashkimin, Shkodra pritet të mbetet, sidoqoftë, një “kockë e fortë”, ku ata vështirë se mund të arrijnë të përmbysin. Rama thotë se 22 prilli në Shkodër është ditë e shënuar, pasi “pas një rrugëtimi të vështirë, por edhe falë mbështetjes e inkurajimit të miqve të PSE, jemi së bashku dyja partitë e majta, për të filluar një rrugë të re, dhe për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë të re”. Vështirë të thuhet sesi shihet në qytetin e Rozafës kjo marrëveshje dhe për më shumë si shihen firmosësit e saj.

Duke bërë ironi me firmosjen e marrëveshjes dhe pjesëmarrësit në konferencë, por edhe duke përmendur pikërisht komunizmin, kryeministri Sali Berisha tha se në Shkodër “majtistët firmosën epitafin e Rilindjes mavi”. “Për koincidence apo ironi të fatit, pikërisht ata që ua themeluan partinë në nëntor të vitit 1941, ua rithemeluan atë në prill të vitit 2013”, shkroi Berisha në faqen e tij në Facebook, duke aluduar për pjesëmarrësit nga vendet fqinje sllave në konferencën e PES. Kryeministri madje kujtoi edhe emrat si Dushan Mugosha, apo edhe ironizoi faktin që Rama i kishte dhënë këngëtarit serb Goran Bregoviç Çelësin e Artë të kryeqytetit, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ky qëndrim duket sikur kërkon të thërrasë njëkohësish edhe të djathtët antikomunistë, por edhe nacionalistët, duke u kujtuar ndikimin jugosllav mbi komunistët shqiptarë, i cili mbahet fajtor për ndoshta valën më të egër të dhunës në fillimet e diktaturës.

Nga ana tjetër kryeministri Berisha, me dashje dhe sigurisht për politikë, ka harruar të përmendë se menjëherë pas shpinës së Ramës dhe Metës që nënshkruanin marrëveshjen ishte lobuesja për liberalizimin e vizave, socialdemokratja sllovene Tanja Fajon, së cilës më shumë se njëherë i ka shprehur falenderim, pavarësisht se si dje edhe më parë ajo ka mbajtur të njëjtin shall të kuq.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login