Bumi i kumarit, Tirana si Las Vegasi

Kriza zhvendos bizneset e shërbimeve në linja bixhozi. Rritja e numrit të tyre në të gjithë vendin merr përmasa të downloadfrikshme. Masat shtrënguese për demotivimin e tyre nuk kanë funksionuar. Mbi 1710 linja të licencuara dhe 300 milionë euro të xhiruara më 2012

Kishte funksionuar plot 20 vjet si dyqan veshjesh në zonën e Medresesë në kryeqytet, por ka dy ditë që ofron shërbim tjetër. Një minikazino për tregtarët rreth e rrotull, të cilët do të kenë një mundësi më shumë për të kaluar kohën përveç kafeneve. Përballë është tregu i madh i veshjeve kineze dhe turke, që frekuentohet nga tregtarë dhe klientë nga i gjithë vendi. Administratori, i cili për shkak të ndjeshmërisë së biznesit nuk do të identifikohet, tha se nuk i doli hesapi ndryshe. Biznesi i veshjeve nuk kishte me leverdi. Pesë muajt e fundit punoi me humbje. Për hapjen e kazinosë e nxiti një i njohuri i tij në “Komunën e Parisit”, i cili paska një histori suksesi në këtë drejtim.“Kishte, të drejtë tha. – Që ditën e parë fitova sa për dy javë kur shisja rroba”.

Biznesi i bixhozit

Nëse të gjitha linjat e biznesit kanë raportuar rënie me fitimet e tyre, e kundërta ka ndodhur me bizneset e bixhozit. Janë 1710 linja të licencuara si kazino, baste, bingo etj., të cilat kanë paguar më shumë se 35 milionë euro taksa më 2012-ën dhe kanë xhiruar më shumë se 300 milionë euro. Shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat nga lojërat e fatit në fund të 2012-ës janë tri herë më shumë se në vitin 2008. Biznesi i lojërave të fatit historikisht e ka zhvilluar aktivitetin e tij gati 50 për qind në informalitet. “Në ditët më të mira, në 60%”, shpjegon një ekspert në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Informaliteti shtrihet në të gjithë vendin, ku këto lloj biznesesh nuk licencohen fare, por edhe kur licencohen ofrojnë shërbime për dyfishin e asaj që marrin lejen. Numri i slot-machina-ve për një sallë kazinoje është tri herë më i madh sesa organet tatimore kanë të regjistruar. Me këtë logjikë i bie që biznesi i bixhozit të xhirojë një vlerë shumë më të madhe se 300 milionë euro. Ekspertët e“Austrian Lotary” para se të futeshin në Shqipëri bënë një studim tregu dhe panë leverdi të madhe. Një nga zyrtarët e kompanisë tha se lojërat e fatit kanë një ecuri të mirë në vendet në tranzicion dhe sidomos kur ka kriza.

Kumari lulëzon edhe në Europë

Italia është bërë një treg i madh i lojërave të fatit, më i madhi në Europë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë, gjë që i ka dëmtuar shpenzimet e konsumatorëve në një kohë kur ekonomia po kalon nëpër një recesion të madh. Italia është ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës. Tashmë, për shkak të kërkesave të larta, Italia është duke tenderuar një mijë leje për hapjen e kazinove të reja. Kështu ka ndodhur edhe në Greqi e Spanjë. Hulumtuesit në Universidad Carlos iII de Madrid (UC3M) kanë publikuar së fundmi një raport, i cili analizon ndikimin e krizës ekonomike në lojërat e fatit dhe perceptimin shoqëror të lojërave të fatit. Përfundimi është se në Spanjë, bashkë me të ardhurat është rritur ndjeshëm numri i atyre që luajnë. Në vitin 2011, 63.8% e njerëzve mes moshave 18 dhe 75 në Spanjë, pranuan se ata luajnë një lojë fati rregullisht. Në vitin 2009, kjo shifër ishte vetëm 49.4%. Në Shqipëri, përpos plagëve të mëdha sociale që ka shoqëria shqiptare, nuk ka një studim për tregun e bixhozit si biznes, por as si problem social. Ato çka shihen janë pikat e shumta që janë hapur kohët e fundit dhe rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

 

Ekspertët e“Austrian Lotary” para se të futeshin në Shqipëri bënë një studim tregu dhe panë leverdi të madhe. Një nga zyrtarët e kompanisë tha se lojërat e fatit kanë një ecuri të mirë në vendet në tranzicion dhe sidomos kur ka kriza.

 

 

 

 

Kumari si patologji, simptomat, dhe si mund të shërohet

 

Shkencat sociale e kanë përcaktuar varësinë nga kumari si patologji. Shpjegimi shkencor e konsideron lojën e kumarit një çrregullim të sjelljes, i ngjashëm me varësinë nga drogat. Lojtari patologjik tregon në fakt rritjen e varësisë në raport me lojën e kumarit, duke shtuar frekuencën e lojërave, kohën e kaluar duke luajtur, shumën e shpenzuar në përpjekjet për të rikuperuar humbjet, duke investuar më tepër sesa mundësitë ekonomike personale dhe lë mënjanë impenjimet e jetës se përditshme për t’iu dedikuar tërësisht lojës së kumarit. Duhet thënë që në fillim se nuk ekzistojnë shkaqe të përcaktuara veçmas, sepse çdo lojtar ka mendimin dhe arsyet e veta për t’u zhytur në lojë, madje konstatohet se një numër i madh i tyre dëshirojnë të tërheqin vëmendjen e tjetrit në lojërat e fatit, për zotësitë që ai mund të ketë në lojë. Të tjerët kanë nevojë të vërtetojnë dhe të përjetojnë suksese që në fëmijëri janë edukuar vetëm nëpërmjet përfitimeve materiale. Të tjerë janë depresive dhe nervozë dhe e shohin si ngushëllim kumarin. Një tip i tretë profilesh kërkojnë dalje nga një vartësi emotive apo financiare.

 

Varësia

Protokolli shkencor që merret me shërimin e varësisë nga kumari vëren se, humbja e parave është pasoja e parë e atij që luan. Për këtë shkak ai kthehet për të rimarrë paratë e humbura. I rrasur në borxhe “lufton” t’i kthejë ata e kështu zhytet akoma më shumë. Në këtë fazë fillon të përdorë pasurinë familjare, aq sa shet për shuma mizore edhe stolitë dhe trashëgiminë e përbashkët. Kur edhe ky “burim” shteron, subjekti kapet pas dallavereve të reja siç janë mashtrimi, vjedhja e grabitje të të gjitha llojeve.

Vartësia sjell gjithashtu tkurrje në vetvete, probleme të tjera me familjen dhe të afërmit dhe nga kjo fillon nervozizmi. Ai bëhet i padurueshëm dhe shqetësimet rriten e me to rritet edhe pagjumësia e kjo pason me rritjen e masës së neurozave. Këtu fillon edhe procesi i prishjes së marrëdhënieve e personi nën vartësi gjendet i vetmuar. Vartësia dëmton anën profesionalë të këtij të fundit. Ai nuk është më i motivuar të punojë edhe nga shkaku se paga e tij është harxhuar në pak minuta.

 

Nxjerrja

Psikologët këshillojnë shmangien nga mundësitë për të luajtur. Duhet gjetur mënyra për t’u larguar ofertave e mundësive të dhëna që na ofrojnë mjetet dhe mundësitë e tjera. Nëse vartësia vjen nëpërmjet kompjuterit, duhet të ndërpriten të gjitha lidhjet drejt sajteve të tilla. Duhet të ndërpriten vizitat kafeneve, qendrave të basteve dhe atyre ku luhen lojëra me letra bixhozi, domino, tavëll (lojë me zare) etj. Me një fjalë, duhet larguar çdo gjëje që tërheq vëmendjen drejt lojërave të “fatit”. Familja dhe shoqëria mund ta ndihmojnë më së miri individin duke ia ndërprerë të gjitha burimet financiare, duke ia aneksuar kartën e bankës, duke ndërprerë huadhënien dhe duke mos blerë asgjë nga ai (stoli, veshmbathje etj.) qoftë edhe me çmime përfundimisht të ulëta. Mungesa e parave e bën të pamundur lojën. Në shtetet perëndimore ekzistojnë shumë shoqata e organe të ndryshme, të specializuara për ndihmë dhe preventivë, të cilat marrin përsipër falas kurimin dhe ndihmën për të shpëtuar nga kjo vartësi.

 

 

 

 

9 simptomat e diagnozës si bixhozxhi

 

1. Personi luan kumar në vazhdimësi

2. Ka nevojë të luajë shuma parash gjithmone e më të mëdha

3. Irritohet kur i reduktohet ose i ndërpritet loja e kumarit.

4. Luan kumar për t’ju shmangur problemeve të ndryshme.

5. Pasi ka humbur duke luajtur kthehet ditën pasardhëse për te rikuperuar humbjet.

6. Gënjen anëtarët e familjes duke vazhduar të luaje kumar.

7. Kryen aksione ilegale si falsifikime, mashtrime, vjedhje.

8. Nga loja e kumarit ka humbur raportin me jetën duke shkëputur lidhjen me punën ose familjën.

9. Gënjen të afërm ose miq në lidhje me kërkesat për borxh

 

Dështon plani për zhvendosjen e lojërave të fatit nga qendra

Qeveria dhe pushteti lokal kanë ndërmarrë nisma të tilla vitet e fundit që të dekurajojnë zhvillimin dhe përhapjen e biznesit të lojërave të fatit. Kështu ajo rriti taksat ndaj sektorit tri vite me parë, ndërsa vitin që shkoi Bashkia e Tiranës shumëfishoi taksimin për bizneset e bixhozit në kryeqytet, në këmbim të zhvendosjes së tyre në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve. Por të dyja nismat nuk kanë dhënë rezultat. Madje numri i tyre duket të jetë shumëfishuar. Bizneset e këtij lloji në Tiranë kanë preferuar të paguajnë taksat e larta në këmbim të ndërrimit të vendit. Sipas administratorëve të këtyre linjave, të ardhurat i justifikojnë taksat. Administratorët pohojnë se ata që luajnë më shumë janë të pasurit dhe varfrit. Shtresa e mesme angazhohet shumë më pak. Të pasurit, sipas tyre e kanë objekt argëtimi të kalojnë disa orë në kazino. Këtu përfshihen edhe njerëz të artit dhe politikanë, një pjesë e të cilëve janë bërë të varur nga këto lojëra. Të varfrit kur humbin për herë të parë kthehen për të rifituar paratë dhe më pas kthehen gjithmonë në të njëjtin vend. Por shqetësues mbetet fakti se shumë të rinj kanë krijuar vartësi nga bastet sportive, që tashmë janë në çdo kthinë dhe kafenë, në çdo qelizë të periferisë.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login