Shqipëria dhe trajtimi i mbetjeve urbane: Ç’ka qenë, ç’është…ç’mund të bëhet

Problemi i mprehtë i mbetjeve urbane në Shqipëri nuk është një problem specifik shqiptar por botëror. Shoqëria e sotmedownload (9) njerëzore po përballet me një situatë pothuajse katastrofike në fushën e mbetjeve të gjeneruara prej saj. Sigurisht, superzhvillimi industrial i njerëzimit dhe rritja e mirëqenies së masave shumëmilionëshe janë përgjegjës për rritjen në maksimum të nivelit të mbetjeve. Por shkaku kryesor është pa dyshim “paaftësia” e kësaj shoqërie për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë ekonomike dhe ekologjike. Aktualiteti? Njerëzimi sot është në prag të një fenomeni, i cili mund të portretizohet si dizastër ekologjik, dhe nuk disponon mjetet e duhura për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Në rast se shumëkush mendon se ky nocion është i ekzagjeruar, le të përballemi me faktet.

Niveli i gjenerimit të mbetjeve urbane në vendet e zhvilluara është pothuajse 3-4 fishuar në 50 vitet e fundit. Ndërsa në vitet 60′, çdo person, i rritur apo fëmijë, në këto vende gjeneronte disa qindra kg mbetje në vit, sot kjo shifër po i afrohet me shpejtësi vlerës prej 1 ton/person. Mbi këtë bazë popullsia e vendeve të EU gjeneron 350-400 milion ton mbetje në vit, industritë manifakturuese europiane janë përgjegjëse për disa qindra milion ton të tjera, industria e ndërtimit rreth 1 miliard ton etj. Në rast se do t’iu besojmë shifrave të dhëna prej komisioneve europiane në këtë fushë, EU në total gjeneron rreth 3 miliardë ton mbetje në vit, nga të cilat, rreth 100 milionë konsiderohen si mbetje të rrezikshme (për shkak të përmbajtjes së komponimeve toksike të metaleve të rënda apo toksina të llojeve të tjera). SHBA nuk mbeten aspak prapa në këtë drejtim: megjithëse amerikanët, me një popullsi prej rreth 300 milionë përfaqësojnë rreth 5% të popullsisë botërore, ata gjenerojnë rreth 25% të sasisë së mbetjeve botërore.

Duke konsideruar një koeficient riciklimi, i cili edhe në rastin më ideal nuk e kalon vlerën prej 40% në rastin e mbetjeve urbane apo të industrive ushqimore, EU i ngelet të paktën një sasi prej 1 miliard ton mbetje me natyrë organike, e cila duhet sistemuar sepse cikli do të përsëritet me mbingarkesë pas një periudhe njëvjeçare. Sistemimi i këtyre mbetjeve është një proces aspak i lehtë, i ngadaltë dhe me kosto të lartë sepse teknologjitë aktuale të trajtimit të mbetjeve, përdorimi i Landfill-eve dhe/ose Incinerimi (djegia në prani të oksigjenit për të rikuperuar energji termike) janë të vjetruara dhe inadekuate.

Përdorimi i landfill-eve është pa dyshim forma më e vjetër dhe më e përhapur e trajtimit të mbetjeve të biodegradueshme, më e thjeshta, por sigurisht më e padëshirueshmja për shkak të problemeve të mprehta ekologjike që shkakton. Pa përmendur arsyet estetike, depozitimi i mbetjeve në landfill-e u nënshtrohet proceseve të biodegradimit, të cilat gjenerojnë komposte (produkti i biodegradimit, me erë të keqe dhe përfitim ekonomik thuajse të papërfillshëm) si dhe në mënyrë të pashmangshme gazin metan (CH4), një “greenhouse” gaz me një impakt negativ rreth 23 herë më të madh se dioksidi i karbonit (CO2). Përveç kësaj, dekompozimi aerobik dhe anaerobik i masës organike rezulton në komponime kimike të metaleve të rënda (Pb, Hg, Zn, Cd, Se etj), të cilat jo vetëm depozitohen në shtratin e landfill-it, por eventualisht mund të penetrojnë këtë shtrat duke kontaminuar ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore dhe në këtë mënyrë, duke pozuar rrezikshmëri për shëndetin publik.

Kjo është ndër arsyet kryesore për ndryshimet rrënjësore në legjislacionin europian në mes të viteve ‘90 për sa i përket menaxhimit të landfill-eve. Mijëra të tillë janë mbyllur për shkak të kushteve sub-standarde të operimit; për më tepër që landfill-et ekzistuese kanë rritur ndjeshëm tarifat e depozitimit (të cilat në pjesën më të madhe të vendeve të EU kalojnë shifrën prej 100€/ton), duke reduktuar ndjeshëm sasinë e mbetjeve të depozituar gjatë 20 viteve të fundit.

Procesi tjetër i trajtimit, Incinerimi i mbetjeve për të prodhuar energji elektrike si dhe energji për ngrohje, i reklamuar në vitet ‘60 si zgjidhje efektive, sot është jashtëzakonisht i kushtueshëm jo vetëm për shkak të fuqisë së ulët kalorifike, por kryesisht për të përballuar koston e neutralizimit të gazrave toksike të procesit, të tilla si monoksidi i karbonit CO, gazet acide, oksidet e metaleve të rënda me përbërje kadmiumi, mërkuri, plumbi etj, dioksina karcinogjene si dhe mikrogrimca shumë të dëmshme për shëndetin. Pavarësisht prej teknologjive të avancuara të pastrajtimit, është i pamundur një neutralizim i plotë i këtyre gazeve, duke lejuar shkarkimin e tyre në atmosferë në një masë të caktuar. Për këto arsye, kostoja e ndërtimit të incineratorëve sot është shumë e lartë dhe përfitimet krahasimisht të vogla: në një llogaritje të përafërt, një incinerator do të duhej të përballonte një kosto prej 150-200 €/ton mbetje të incinerueshme (kostoja e një incineratori që do të përpunonte 1 000 000 ton mbetje për një periudhë 20-vjeçare, do të ishte përafërsisht 150-200 000 000 €). Kjo kosto përfshin përfitimet energjetike prej 550-600 Kwh/ton mbetje të incineruar (ose 30-35 €/ton).

Cili është atëherë raporti aktual që Shqipëria ka me mbetjet urbane? Është sigurisht logjike të mendohet që në dy dekadat e fundit, sasia e mbetjeve të jetë rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e përqindjes së popullsisë urbane si dhe nivelin e jetesës së kësaj të fundit. Në bazë të statistikave të vitit 2010, sasia e këtyre mbetjeve të gjeneruara në vend e kalonte vlerën prej 1 100 000 ton (sasi e cila, për hir të së vërtetës, përfshin edhe një pjesë të mbetjeve të industrisë ushqimore). Është pak a shumë e njohur për publikun shqiptar që mënyra e vetme e “trajtimit” të këtyre mbetjeve ka qenë dhe vazhdon të jetë depozitimi i tyre në landfill-e, të cilat sipas definicionit shqiptar nuk janë gjë tjetër veçse vende të hapura, të pakontrolluara dhe me jashtëzakonisht pak përjashtime, jashtë standardeve ekologjike europiane. Shqipëria numëron aktualisht midis 60-70 landfill-esh të tilla, në të cilat toksinat e gazta janë të “lira” të fluturojnë në atmosferë, kurse toksinat e lëngëta mund të penetrojnë lirisht shtresën sipërfaqësore të tokës për të kontaminuar ujërat nëntokësore. Është e qartë se tolerimi i mëtejshëm i një situate të tillë, jo vetëm është një “vetëvrasje” ekologjike, por mbart pasoja të jashtëzakonshme negative financiare apo shëndetësore. Korrektimi i menjëhershëm i kësaj situate do të kërkonte mbylljen e landfill-eve të vjetra dhe ndërtimin e site-ve të reja sipas standardeve bashkëkohore, proces i cili do të ishte tërësisht kompleks dhe do të kërkonte kohë të gjatë, përpjekje dhe mjete financiare të jashtëzakonshme. Teknikisht, 60 apo 70 landfill-et ekzistuese jashtë kushteve teknike do të duhej të zëvendësoheshin me një numër të njëjtë landfill-esh të rregullta, situatë e cila do të kthente Shqipërinë në një varrezë gjigante mbeturinash, duke pasur parasysh sipërfaqen e kufizuar të vendit dhe tendencën e shoqërisë për të gjeneruar një sasi në rritje mbetjesh (e cila eventualisht do t‘i afrohet mesatares europiane prej rreth 1 ton/person). Nga ana tjetër, përpjekjet e ricikluesve të vegjël shqiptarë për të shfrytëzuar pjesën e riciklueshme të mbetjeve (rreth 30%, kryesisht materiale plastike) do të përballeshin me një kosto në rritje të këtij procesi për sa kohë seleksionimi i plastikës prej pjesës organike nuk bëhet prej shoqërisë civile në mënyrë të drejtpërdrejtë; seleksionimi në landfill-e do të ishte një proces shumë i kushtueshëm dhe aspak praktik.

Skenari i dytë, trajtimi i mbetjeve thjesht për energjinë e tyre termike si lënde djegëse për incineratorët, do të ishte “vetëvrasje” ekonomike: ndërtimi i impianteve të incinerimit jo vetëm do të kërkonte një sasi marramendëse fondesh, energjia e rikuperuar gjatë djegies do të mbulonte vetëm një fraksion të vogël të shpenzimeve e procesit. Rrjedhimisht, jo vetëm nuk do të siguroheshin fitime, por fondet e taksapaguesve shqiptarë do të përdoreshin për të subvencionuar incinerimin e mbetjeve të importuara për periudha të stërzgjatura kohore.

Atëherë, është situata e mbetjeve në Shqipëri e pashpresë për shoqërinë dhe taksapaguesit shqiptarë? JO DETYRIMISHT. Ekziston një skenar i tretë, në bazë të të cilit një vend si Shqipëria mund të përfitonte së tepërmi prej përdorimit të mbetjeve urbane si “lëndë e parë” e favorshme për procesin e pirolizës për të gjeneruar hidrokarbure.

Si proces fiziko-kimik piroloza i referohet një trajtimi kompleks të lëndëve organike në temperatura shumë të larta (500-1500 °C) në mungesë të oksigjenit; për pasojë ndodh zbërthimi termokimik i lëndës organike, i cili rezulton në produkte krejt të ndryshme krahasuar me procesin e incinerimit. Jo vetëm reduktohen në minimum ndotësit e gaztë të atmosferës, por produktet kryesore të pirolozës janë vajrat bituminozë (rreth 300-400 kg/ton), hidrokarbure të gaztë (rreth 350-400 kg/ton) si dhe mbetje inerte pothuajse të pastra karboni (200-300 kg/ton) të përdorshme si lëndë djegëse ose ndërtimi. Në tregun e sotëm të energjisë, vlera e karburanteve të gjeneruara nga piroliza do të ishte të paktën 300-350 €/ton material të pirolizuar. Ndonëse procesi i pirolizës kërkon energji të konsiderueshme për t’u realizuar, platforma të reja pirolitike, thellësisht efikase nga ana energjetike, të bazuara mbi teknologji inovative me mikrovale po hedhin bazat e një INDUSTRIE TE RE për sintezën e hidrokarbureve duke përdorur një lëndë të parë të lirë siç janë mbetjet urbane. Avantazhet e një industrie të tillë fitimprurëse do të ishin akoma me sinjifikante në kushtet e krizës drastike të njerëzimit në fushën e energjisë, sidomos energjisë së hidrokarbureve.

Pavarësisht prej investimeve të jashtëzakonshme që bota ka bërë dekadat e fundit në fushën e energjive të rinovueshme (ujore, diellore dhe të erës), këto të fundit plotësojnë një përqindje shumë të vogël të nevojave botërore për energji, rreth 7%. Energjia e centraleve bërthamore mbulon rreth 6%, kurse hidrokarburet dhe qymyret (fosil fuels) plotësojnë pjesën tjetër ose mbi 85% të këtyre nevojave dhe ky ekuilibër parashikohet të ndryshojë shumë pak në dekadat që vijnë. Nga ana tjetër, një rritje e tillë drastike e nevojave për hidrokarbure është në dis-harmoni të plotë me “jetëgjatësinë” e rezervave botërore, të cilat parashikohen të zvogëlohen me shpejtësi pas viteve 2050 dhe ndoshta të humbasin rëndësinë si burim kryesor energjie për njerëzimin rreth viteve 2080; megjithatë, përpjekjet e njerëzimit për të zbuluar forma alternative të energjisë kanë qenë të pasuksesshme deri tani. Si rrjedhojë, gjetja e metodave të reja të gjenerimit të hidrokarbureve do të ishte esenciale për mbijetesën e shoqërisë deri në momentin kur hidrokarburet të mos kenë rëndësinë jetike që aktualisht kanë për shoqërinë njerëzore. Në këtë kuadër, ndërsa gjenerimi i “biofuels” mbi bazën e trajtimit pirolitik të biomasës, nga një kuriozitet shkencor në vitet 80′ sot po merr tiparet e një industrie, piroliza e mbetjeve urbane në veçanti ka përparësi të jashtëzakonshme për një arsye thelbësore: lënda e parë (mbetjet) është praktikisht pa kosto dhe lehtësisht e sigurueshme.

E aplikuar në kushtet e një vendi si Shqipëria, një industri e tillë jo vetëm do të eliminonte mbetjet e pariciklueshme me natyrë organike, duke zgjidhur përfundimisht këtë problem kompleks për shoqërinë shqiptare, por potencialisht do të gjeneronte qindra ose mijëra vende të reja pune si dhe miliona € shtesë për ekonominë e vendit. Në këtë perspektivë, një import i kontrolluar i këtyre mbetjeve mund të ishte potencialisht i nevojshëm për plotësuar nevojat me lëndë të parë të kësaj industrie nëse resurset domestike do të ishin të pamjaftueshme (një vendim i tillë do të ishte sigurisht prerogativ i shoqërisë së gjerë civile në bashkëpunim me një qëndrim politik të përgjegjshëm të qeverive shqiptare).

Për më tepër, “the added value” (vlera e shtuar) e një industrie të tillë fitimprurëse për gjenerimin e hidrokarbureve do të hapte një perspektive tjetër shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit: TRAJTIMIN PIROLITIK TË UJËRAVE TË ZEZA URBANE, një proces i cili do të facilitonte aplikimin e teknologjive të “gjelbra” të pirolizës në trajtimin e ujërave të zeza, si alternativa tërësisht ekologjike, të lira dhe efikase në krahasim me teknologjitë konvencionale dhe shumë të kushtueshme të cilat po aplikohen në vend.

 

*Gjergji Shore, Ing. Kimist (PhD, IGJEUM) është ekspert ndërkombëtar i teknologjive të asistuara me mikrovalë. **Ernest Gjuraj (MSc, AKU) po përfundon doktoraturën në fushën e teknologjive të reja të industrisë kimike.

 

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login