Mitingu i PS, politikë dhe “gallatë Tirone” në Pallatin e Sportit

Partia Socialiste ka mbyllur dje me Tiranën turin e parë elektoral që zhvilloi në të gjithë vendin për prezantimin e Capturekandidatëve për deputetë. Por pavarësisht se bëhej fjalë për Tiranën me një popullsi prej afro 1 milion banorë, mitingu i djeshëm u mbajt në një ambient të mbyllur, siç ishte ai i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Rasti i dytë ky pas Vlorës, ku PS preferon ambientet e mbyllura, duke i ikur kështu në njëfarë mënyre edhe “betejës” për mbushjen e shesheve të hapura. Nuk dihet nëse ka qenë ky meraku i vërtetë, por nëse po, organizatorët duhet t’i kenë bërë llogaritë gabim. Dje ishte e pamundur që Pallati i Sportit të përballonte fluksin e përkrahësve të PS-së. Veç dy tribunave, “A” dhe “B”, fushës, korridoreve, simpatizantët në pamundësi që ta ndiqnin direkt këtë aktivitet, kanë mbushur edhe oborrin e pallatit të sportit, duke dëgjuar fjalimet nga altoparlantët. Si pasojë e numrit të madh të mbështetësve, qëndrimi brenda sallës së madhe ishte një sakrificë e vërtetë për këdo të pranishëm, kjo për shkak të temperaturës së lartë. Por ndryshe nga të gjitha takimet e tjera elektorale që u mbajtën nëpër qarqet e tjera, ai i djeshmi ka qenë në fakt një ndërthurje mes spektaklit dhe politikës. Kështu, për rreth 50 minuta në skenë kanë performuar këngëtarët e përhershëm tashmë të aktiviteteve të PS-së, çifti Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, si dhe vajza e kandidatit për deputet të PS-së, Besa Kokëdhima. Ndërkohë që brenda këndohej, në oborrin e pallatit kish mbërritur autobusi i ‘Rilindjes’ me pjesën kryesore të kandidatëve për deputetë të qarkut të Tiranës (disa nga kandidatët kishin mbërritur më parë). Këtyre u paraprinte një skuadër tjetër, ajo e sazeve dhe çingijeve, për të cilën më pas kryesocialisti do të deklaronte se e kishte takuar rrugës. Ndërsa “ansambli” rom çante turmën duke u rënë veglave muzikore, kandidatët për deputetë që i pasonin nuk lanë pa përshëndetur mbështetësit e shumtë që qëndronin në oborr. Pas Ramës, ai që shkaktoi më shumë thirrje dhe mori më shumë përshëndetje nga të pranishmit ishte padyshim ish-portieri i ekipit të Tiranës, Blendi Nallbani. E pasi kandidatët kanë hyrë në sallë, ka qenë vetë kryesocialisti Edi Rama ai që ka ftuar në skenë për të hapur zyrtarisht këtë takim, grupin e muzikantëve romë, të cilët i ka ftuar që të bëjnë, siç e quajti ai “gallatë Tirone”. Kështu ata kanë kënduar një këngë të vjetër tiranase “Ra faja nga fiku”, por duke e përshtatur atë me qëllimet politike të PS-së, duke e bërë “Ra Berisha nga fiku, e ra si top llastiku”. Më pas, nën tingujt e këngës së grupit të famshëm Queen, “We will rock you”, një nga të preferuarat e kryesocialistit Edi Rama, është bërë prezantimi i gjithë skuadrës së kandidatëve për deputetë të këtij qarku, duke filluar nga i fundit në listë dhe për të mbërritur në krye, te Pandeli Majko. Në fund në skenë është ngjitur sërish kryesocialisti Edi Rama, i cili ka mbajtur një fjalim elektoral, ku theksoi propozimet e tij për zgjidhjen e çështjes së legalizimeve. Në fund Rama ka ftuar kandidatët e tij për deputetë në këtë qark që të këndojnë një këngë të njohur tiranase, por që pak prej tyre kanë mundur ta këndojnë në origjinal. Kjo për shkak se pak prej tyre janë nga Tirana. “Është Tironë Vasilika, jo Tiranë”, iu drejtua Rama Vasilika Hysit, pasi ajo nuk arriti ta këndojë refrenin në dialekt. Madje, aty disa nga kandidatët kanë kënduar dhe një këngë tjetër për Tiranën, e cila këndohet nga këngëtarët Ermal Mamaqi dhe doktor Flori, që këtë herë janë bërë pjesë e fushatës së PD-së. Por pavarësisht kësaj, ky moment i ka dhënë një kënaqësi të veçantë kryesocialistit Edi Rama, i cili e ka vazhduar gallatën e nisur me grupin rom, duke u marrë atyre defin dhe duke i rënë me mikrofon.

 

 

 

 

 

 

Majko: Ju propozojmë dhëndër Tirone për kryeministër

 

Për socialistët nuk ka dyshim se kryeministri i ardhshëm do të jetë kryetari i tyre, Edi Rama. Ka qenë numri 1 i listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, Pandeli Majko, ai që duke folur dje në hapjen e fushatës për këtë qark, i është drejtuar turmës duke deklaruar se socialistët do t’u ofronin shqiptarëve për kryeministër një dhëndër Tirone, pra Edi Ramën. “Fitorja e 23 qershorit do të fillojë nga Tirana. Pas 23 qershorit, ne ju premtojmë një dhëndër Tirone për kryeministër. Koha vrapon drejt nesh dhe ne marshojmë drejt saj. Pas 23 qershorit do të sjellim në qeverisjen e vendit një djalë që lindi dhe u rrit në Tiranë, ai është kryeministri i ardhshëm, Edi Rama”, – tha Majko. Më tej ai kërkoi të garantonte qytetarët se vota e tyre këtë herë nuk do cenohet duke u vjedhur, pasi ajo do mbrohet nga ligji. “Sot, frika nuk ekziston për ata që duan lirinë dhe votën e ndershme. Kundërshtarët tanë ta dinë mirë se votat e Tiranës në 23 qershor do të mbrohen nga ligji, por dhe vullneti i çdo qytetari e socialisti”, – u shpreh Majko.

 

 

 

Braho: Në listat e PS ndihem si në shtëpinë time

 

Pas gati 9 vitesh largimi nga radhët e PS-së, ish-deputeti i kësaj force, Spartak Braho është rikthyer sërish të konkurrojë nën siglën e kësaj force, por duke përfaqësuar në të Lëvizjen Socialiste për Integrim. Braho është prezantuar dje së bashku me gjithë ekipin e PS-së për Tiranën, duke deklaruar se ndihej tamam si në shtëpinë e tij politike. “Bashkëvëllezër socialistë. Ndihem i privilegjuar që jam këtu në mesin tuaj dhe ndihem si në shtëpinë time”, – tha Braho. Ai më tej ka gjetur rastin të falenderojë Ramën për besimin që i shprehu atij duke kandiduar në listat e PS-së. “Falenderoj zotin Rama për mbështetjen që më dha për zgjedhjen time. Kjo nuk është skuadër, kjo është armatë, sepse ka gjysmë milioni ushtarë në Tiranë. Vagoni i aleancës së Shqipërisë europiane nuk është një, as 40, por është unik. Nuk është me dy shina, do të jetë vetëm me një shinë. 23 qershori do të jetë dita e përmbysjes së madhe, por edhe fitorja e revolucionit tonë elektoral”, – tha Braho.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login