Dritan Dajti: E vërteta ime për masa krën e Durrësit

DRITAN-DAJTI-14_17Dritan Dajti, personazhi tashmë i njohur i drejtësisë shqiptare, prej të paktën katër vitesh po luan si “macja me miun” me gjykatën, ku ndodhet në proces për vrasjen e katër policëve në atë që njihet si “Masakra e 7 gushtit”. Prej më shumë se 230 seancash, gjyqi është pezull, pasi asnjë prej avokatëve të caktuar nga gjykata nuk merr përsipër mbrojtjen e tij. Precedenti i pazakontë ka vënë në vështirësi jo vetëm Gjykatën e Krimeve të Rënda, por gjithë sistemin e drejtësisë që e konsideron situatën pa zgjidhje. E megjithatë, ish-studenti i Fakultetit të Drejtësisë së fundmi ka ofruar një kompromis: gjyq pa avokat në këmbim të ballafaqimit me oficerin e policisë F.G, pjesëmarrës në operacionin për arrestimin e tij. Kjo deklaratë u bë në seancën e fundit nga Dritan Dajti, i cili pretendon se është e provuar tashmë që vrasja e oficerit të policisë, Sajmir Duçkollari është bërë nga kolegu polic, dhe jo ai. Ai referon akt-ekspertimin mjeko-ligjor, pamje dhe foto nga vendi i ngjarjes si dhe akuzon strukturat e drejtësisë për manipulim të ngjarjes. Dajti gjithashtu paralajmëroi një tjetër rrëfim për “Kutinë e Pandorës”, siç e quan ai ngjarjen për të cilën akuzohet. Shefi i grupit special të angazhuar për arrestimin e tij, sipas Dajtit është përgjegjës për dy vrasje. Këtë pohim ai thotë se do ta provojë në seancat e ardhshme, për të treguar kështu se përgjegjësia për atë që ndodhi në “Masakrën e Durrësit” nuk bie mbi të. Por teksa “Kutia e Pandorës” ka nisur të hapet, procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit vijon të mbetet po njëlloj prej të paktën dy vitesh. Gjykata, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë madje dhe Presidenti i Republikës nuk mund të bëjnë asgjë për zhbllokimin e procesit gjyqësor që vijon të mbetet pezull për shkak të mungesës së avokatëve. Në një intervistë për “Mapo”, Dritan Dajti rrëfen kthesën e papritur që mori jeta e tij, kohën e kaluar në arrati, ngjarjen e 7 gushtit 2009 në Durrës, procesin gjyqësor dhe paralajmëron surpriza të tjera në gjyqin e bujshëm, që nuk po njeh fund.

Një student drejtësie, që u kthye për shumë kohë në i kërkuari numër 1 i drejtësisë shqiptare. Si ndodhi që jeta juaj mori një kthesë të tillë 180-gradëshe?

Ashtu siç u ka ndodhur edhe shumë të tjerëve në këtë vend çudirash. Dikur isha student, punoja dhe fitoja me një biznes modest. Njihja pak dhe më njihnin akoma më pak, kisha një jetë të qetë dhe të këndshme, ku s’më shqetësonte dhe nuk shqetësoja njeri. Kjo deri në ditën e “kthesës 180-gradëshe”, kur papritur u arrestova, u akuzova dhe u dënova për vrasjen e një ndërtuesi që nuk e kisha kryer.

Procesi kundër jush po shënon rekord sa u përket seancave të shtyra, ndërsa ju vetë jeni në konflikt me trupin gjykues, prokurorinë e deri diku me avokatët, që kanë hequr dorë prej mbrojtjes suaj. Cilat janë arsyet e kësaj “lufte” të Dritan Dajtit me sistemin e drejtësisë?

“Lufta” për të mbrojtur të drejtat e vendosura nga sistemi i drejtësisë dhe “lufta” me sistemin e drejtësisë janë dy nocione diametralisht të kundërta. Unë jam konsekuent i së parës dhe kundërshtar i hapur i së dytës. Ndërsa lidhur me konfliktin që ju përmendni, ju siguroj që nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem kurrë në konflikt me gjykatën, prokurorinë dhe aq më tepër me avokatinë, sepse asnjë prej tyre nuk i kam njohur më parë. Në këtë këndvështrim dëshiroj të theksoj se nuk mund të konsiderohen pjesë e konfliktit, kërkesat e mia ligjore në mbrojtje të dinjitetit dhe garancive kushtetuese lidhur me të drejtat universale të të akuzuarit në procesin penal siç janë: E drejta e mbrojtjes me avokat, e drejta e gjykimit publik, e drejta e regjistrimit audio-viziv  të seancave, apo ajo e gjykimit nga një gjykatë e paanshme; kërkesa këto që në rastin tim konsiderohen si abuzive.

Në seancat e fundit keni thënë se do të hapni “kutinë e Pandorës” për masakrën e Durrësit. E keni nisur me Sajmir Duçkollarin, duke thënë se ai është vrarë nga një koleg i tij dhe jo nga ju.  Për këtë arsye, ju pretendoni se edhe babai i tij vrau veten..Çfarë ndodhi realisht më 7 gusht në plazhin “Iliria” në Durrës, dhe pse mendoni se ajo ngjarje e rëndë është falsifikuar nga organet e hetimit?  

Tashmë falsifikimi i kësaj ngjarjeje nuk është më hipotezë, por fakt i provuar gjyqësisht. “Kutia e Pandorës” ka kohë që është hapur për ata që kanë sy e veshë. Të vetmit që po tentojnë ta mbyllin me çdo kusht janë ideatorët dhe autorët e kësaj masakre, si dhe mbrojtësit e tyre me pushtetin e prokurorit apo gjyqtarit. Së shpejti do të keni në dispozicion dokumentet dhe fotografitë ku provohet që Saimir Duçkollari jo vetëm që është vrarë nga shoku i tij, por edhe pas vrasjes është trajtuar barbarisht. Fotografitë në fjalë tregojnë qartë se si punonjësit e policisë tërheqin zvarrë trupin e kolegut të tyre rrugëve të plazhit, ndërkohë që para organeve të drejtësisë ata kanë deklaruar se e kanë dërguar atë të gjallë në spitalin e Durrësit.

Zoti Dajti, keni lënë të kuptohet se po vendosni të flisni tani e tutje, edhe për shkak të ndryshimit të pushtetit. A ka lidhje politika me çështjen tuaj dhe ku konkretisht?

Nuk di se çfarë kam lënë të kuptohet, por për një gjë jam i sigurt që asnjëherë nuk kam heshtur, madje kam folur në çdo seancë. Së dyti, pushteti gjyqësor me të cilin unë po përballem nuk ka ndryshuar. Dhe së treti, përsa i përket politikës nuk kam parë dhe nuk shoh deri në këto momente ndonjë pikë kontakti.

Është folur që ju keni qenë në takim me një biznesmen, në momentin që ndërhyri policia dhe ndodhi ajo që ne tashmë e dimë. Nëse po, kush është ky person, i cili deri më tani ka mbetur jashtë hetimit zyrtar dhe në ç’rrethana jeni takuar?

Ndoshta është ende herët për të folur lidhur me këtë çështje. Procesi ka rregulla loje dhe mendoj që për momentin, nuk është radha ime.

Mbrojtësit tuaj ligjorë kanë pretenduar se hetimet për masakrën e 7 gushtit janë manipuluar e madje kanë hedhur tezën se punonjësit e policisë janë vrarë mes njëri-tjetrit. Si është e vërteta juaj rreth ngjarjes dhe a keni prova për pretendimet tuaja?  

Sigurisht që po. E theksova edhe më lart që janë një sërë provash autentike dhe të pakundërshtueshme që provojnë një gjë të tillë. Ndaj kam vendosur që në çdo seancë të deklaroj nga një gjë të tillë, ndonëse gjykata ende nuk më ka siguruar mbrojtës. Shumë shpejt ju do të njiheni dhe të keni në dispozicion të gjitha aktet, fotografitë dhe dokumentet që provojnë se vrasja e oficerit të policisë Fatos Xhani, shefi i njësisë operacionale, është kryer nga vartësit e tij. Cila është lidhja juaj me oficerin e policisë, që u arrestua me akuzën e bashkëpunimit me ju?

Unë nuk kam pasur asnjë lidhje me të. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që ai nuk u akuzua dhe nuk u dënua si bashkëpunëtori im nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, por nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës me akuzën qesharake të shpërdorimit të detyrës. Ndoshta ju nuk e dini, por ai ka kohë që është i lirë.

Si i keni siguruar dokumentin e Policisë së Shtetit dhe të tjera pajisje të gjetura në shtëpinë ku fshiheshit në Durrës, pasi u fol se ai ishte i prodhuar kohët e fundit dhe me elementët e nevojshëm të sigurisë?

Me pagesë. Një gjë që nuk bëhet me lekë, bëhet me shumë lekë.

Përgjatë 2 viteve të procesit gjyqësor kanë dëshmuar shumë oficerë, pjesëmarrës në operacion. Komenti juaj për dëshmitë e tyre?

Në rrafshin procedural, dëshmitë e tyre kanë qenë mjaft favorizuese për pozitën time penale, pasi më kanë shfajësuar nga të gjitha vrasjet për të cilat akuzohem. Ndërsa në rrafshin personal lënë për të dëshiruar, pasi asnjë prej tyre nuk ka dëshmuar se si u zhdukën 150.000 Euro nga sedilja e pasme e “Tuareg”-ut.

Ju ndodheni në qeli që prej vitit 2009, i rikthyer pas arratisjes së vitit 2003. Ndërkohë që keni pasur probleme shëndetësore pas plagosjes. Si është sot gjendja juaj shëndetësore dhe si do t’i përkufizonit ditët e kaluara në burg?

Gjendja shëndetësore është shumë më e mirë se ajo shpirtërore. Ditët e kaluara në burg do t’i përkufizoja si intensive dhe plot adrenalinë. Ato fillojnë me fizioterapinë, vazhdojnë me përgatitjen për procesin gjyqësor dhe mbarojnë me lexim të lirë.

Fillimisht jeni akuzuar dhe dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqja, një krim që nuk e keni pranuar asnjëherë. Por u dënuat nga dëshmia e vëllait të viktimës, i cili megjithëse pohoi se vrasësit ishin të maskuar, ju ka identifikuar me emër. Si u përfshitë ju në këtë histori, cili është qëndrimi sot për akuzën dhe si e njihnit viktimën? A keni pasur ndonjëherë konflikte me të?

Është e vërtetë që vrasjen e biznesmenit Agim Beqja nuk e kam pranuar kurrë, sepse nuk e kam kryer. Sigurisht që në pozitën ku ndodhem jam tërësisht i paragjykuar, por aktualisht kjo çështje po gjykohet nga Gjykata Europiane e Strasburgut, e cila shumë shpejt do të dalë me një vendim që ka shumë gjasa të jetë në favorin tim.

Një tjetër ngjarje që i dha jehonë emrit tuaj ishte arratisja e bujshme nga Gjykata e Tiranës. E realizuar nga ju, u duk mjaft e lehtë t’u shpëtoje masave të sigurisë së policisë shqiptare. Tashmë që ka kaluar kaq kohë, si e morët vendimin për t’u arratisur dhe si e realizuar atë?

Vendimin për t’u arratisur do ta ndërmerrte gjithkush që do të ndodhej në pozitat e mia, pasi ka qenë e vetmja rrugë për vendosjen e drejtësisë së mohuar. Një dëshmitar i manipuluar (vëllai i viktimës), që ka dhënë pesë dëshmi të ndryshme dhe tërësisht kontradiktore përballë 50 dëshmitarëve të mi që më shfajësonin. Ky ka qenë bilanci i atij procesi skandaloz, të cilin e finalizova me arratisje.

Jeta në arrati e Dritan Dajtit u shoqërua me mjaft legjenda urbane për lidhjet tuaja të forta që ju bënin të pakapshëm. Në të vërtetë, ku keni qëndruar, cili ishte sistemi juaj i mbrojtjes dhe si i kalonit ditët gjatë atyre kohëve?

Legjendat urbane alias thashethemet janë pjesë e jetës shpirtërore në të gjitha vendet e botës. Lidhur me sistemin tim të mbrojtjes dëshiroj të theksoj se ai bazohej tërësisht në mungesën e lidhjeve. Ndaj ditët e mia gjatë kësaj periudhe kanë qenë tepër të qeta, pasi në vendet ku unë qëndroja nuk më njihte askush.

Jeni përfolur shpeshherë për lidhje me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Kjo edhe për faktin se operacionet për arrestimin tuaj dështonin e mund të themi se policët e gjenin shtratin tuaj “ende të ngrohtë”. Si është e vërteta? 

E vërteta është se policia kurrë nuk e ka gjetur shtratin tim, aq më tepër të ngrohtë. Aludimet dhe spekulimet me operacionet për kapjen time kanë qenë vetëm mashtrime. Ka pasur raste që për më shumë se një vit kam ndenjur në të njëjtën banesë dhe jam larguar prej saj, vetëm se kam gjetur kushte më të mira në një banesë tjetër.

Për ju është thënë që keni kërcënuar e vendosur gjoba ndaj biznesmenëve apo jeni përfshirë në ngjarje të rënda, që vazhdojnë të mbeten të errëta. A jeni ju në dijeni të legjendës së krijuar rreth emrit tuaj dhe sa të vërtetë ka në to?

Për të qenë të sinqertë këto thënie kanë dalë nga dyert dhe zyrat e policisë dhe prokurorisë. Dhe ashtu siç dolën, u mbetën në dorë në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi nuk arritën jo vetëm të provonin qoftë dhe një episod të tillë, por nuk gjetën dot asnjë kallëzues si në rastin e vrasjes së biznesmenit Agim Beqja.

Zoti Dajti, për çfarë jeni penduar thellë në jetë dhe nëse do të duhej të jepnit një vendim për dosjen tuaj kriminale, cili do të ishte ai? 

 Jam penduar thellë që ndonëse më janë dhënë mundësitë disa herë të largohem prej këtej, nuk e kam bërë. Ndërsa vendimi për dosjen time do të ishte: I pafajshëm.

Si e mendon Dritan Dajti jetën e tij tani e tutje? Sa i frikeni burgimit të përjetshëm dhe nëse ndodh, cila do të jetë lëvizja juaj e radhës?  

Dritan Dajti mendon njësoj si më parë. Beson tek Zoti e tek drejtësia dhe nuk i trembem askujt. Lëvizjet e radhës do t’i mësoni gjatë gjykimit.

Historia e Dajtit, nga emigrimi në ’91 tek masakra e Durrësit

Data kur emri i Dritan Dajtit u bë i njohur jo vetëm për drejtësinë ishte 17 nëntori i vitit 2003, ditë kur ai arratiset nga ambientet e Gjykatës së Tiranës. Plani ishte spektakolar. I shoqëruar me pranga në duar, Dajti kërkon leje të shkojë në tualet. Dikush tjetër kishte vendosur në shkarkuesin e banjës një pistoletë, të cilën Dajti e merr dhe duke shtënë në ajër nëpër korridoret e gjykatës mundet të dalë jashtë, ku pranë rrugës e priste një motor dhe një bashkëpunëtor. Motori së bashku me Dajtin u futën në rrugicat e lagjeve dhe që prej asaj dite kaluan gjashtë vite deri kur Dajti u shfaq sërish, në Durrës, duke faturuar kapjen e tij me vdekjen e katër policëve. Por këto janë vetëm dy momente kulmore në arritjet e tij publike, pasi larg vëmendjes së kamerave dhe medieve, Dritan Dajti fsheh një histori më pak të njohur dhe të monitoruar nga media. Dajti, në vitin 1991 iku si shumë të rinj të tjerë drejt Italisë, por qëndroi shumë pak atje. Dihet shumë pak për aktivitetin e tij nga viti 1991 deri në vitin 2001, por prindërit e tij kanë deklaruar se këtë kohë ai kryesisht kishte punuar dhe kishte nisur leximet për t’u bërë jurist. Në vitin 2001 ai arrestohet nga policia duke u akuzuar si një nga grabitësit e një pike “Eurolloto” në kryeqytet. Provat që implikonin Dajtin në këtë ngjarje ishin thuajse inekzistente dhe afati i tij i paraburgimit po skadonte. Vetëm pak ditë pasi do të dilte nga burgu si pasojë e skadimit të afateve , mbi Dritan Dajtin shtohet edhe akuza për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa. Për gati 1 vit Dritan Dajti mohoi kategorikisht këtë akuzë duke akuzuar haptazi prokurorët se kishin montuar këtë çështje të motivuar dhe nën presionin e grupeve të fuqishme të interesit që vepronin asokohe në Tiranë. E mesa duket, Dajti e ka pasur bindje të thellë këtë gjë, pasi pa si rrugë shpëtimi arratisjen nga gjykata më 17 Nëntor, duke iu futur një spiraleje gjashtë vjeçare ilegaliteti. Dita kur Dajti u largua me motor e me vrik nga gjykata ishte dhe dita kur nisi dhe miti i tij. Mit që e ndoqi pas për gjashtë vite duke e bërë të dyshuar për disa atentate “të fortësh” në kryeqytet apo për gjobëvënie dhe aktivitete të paligjshme. Përtej mitit dhe famës së këtij të dyshuari, sot, Dritan Dajti është në qeli për vrasjen e 4 policëve më 7 gusht të vitit 2009 përpos dënimit nga gjykata për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa.

Komentet janë mbyllur