Fillimet e Liberalizmit dhe zhvillimiet e tij

download (11)Liberalizmi, gjatë fazës së zhvillimit të tij në shekujt 17 dhe 18, dhe gjatë lulëzimit në shekullin 19, kishte përqendruar përpjekjet e tij kryesore në aspektin e lirisë së individit për të kontrolluar destininë e tij. Individualizmi përfaqëson kredon e Liberalizmit, ndërkohë që kolektivizmi dhe tirania janë armiqtë e tij.

Shteti ekziston për të mbrojtur individët nga shtrëngimi mbytës i inidvidëve ose grupeve të tjerë me qëllim zgjërimin e hapsirave, brenda të cilave çdo individ mund të ushtrojë liritë e tij, funksion i cili ështe thjeshtë instrumental që nuk ndërvaret nga ai, dhe nuk e pengon atë aspak për kryerjen e këtij funksioni. Ndërsa shoqëria është një grumbull individësh ku e tëra nuk mund të jetë më e madhe se shuma e pjesëve përbërëse te saj. Vlerat thelbësore të saj janë shumatorja e vlerave të individëve që formojnë atë shoqëri. Aty nuk ekzistojnë vlera super-individuale, dhe që ato vlera të jenë një herë e përgjithmonë të tilla. Kombet mund të krijojnë njësi administrative të përshtatëshme, por nacionalizmi do të mbetet gjithnjë një kredo e huaj.

          Në aspektet politike, liberalizmi e ka shprehur veten si një reaksion kundër regjimeve autoritare. Liberalët kanë qenë gjithmonë për kufizimin e të drejtave të trashëgueshme të sundimtarëve, për vendosjen dhe ndërtimin e institucioneve demokratike parlamentare, zgjerimin e njësive bazë të biznesit dhe garantimin e të drejtave civile. Ato i kanë favorizuar këto ndryshime, jo vetëm për interesat e tyre, por edhe si forma direkte të shprehjes së lirive themelore politike, me qëllim lehtësimin e adoptimit të masave liberale ekonomike.

Në politikën ekonomike, liberalizmi e ka shprehur veten si një reaksion kundër ndërhyrjeve të shtetit në aferat ekonomike. Liberalët kanë favorizuar garën e lirë brenda vendit si dhe shkëmbimin e lirë ndërmjet kombeve. Ata, gjithnjë e kanë konsideruar organizimin e aktivitetit ekonomik si një veprim i kryer nëpërmjet sipërmarrjes private që operon në një market kompetitiv, si një shprehje direkte e themelore të lirive ekonomike dhe njëkohësisht si një formë për të lehtësuar prezervimin e lirisë politike. Ata kurdoherë e kanë konsideruar shkëmbimin e lirë ndërmjet kombeve si një qëllim për eleminimin e konflikteve që mund të çojnë deri në konflikte luftrash ndërmjet tyre. Ashtu si brenda një kombi, individët që plotësojnë interesat e tyre ekonomike nën presionin e kompeticionit, arrijnë të promovojnë interesat e gjithë kombit; po ashtu, ndërmjet vendeve të ndryshme, individët e këtyre vendeve duke plotësuar interesat dhe objektivat e tyre ekonomike nën konditat e një tregtie të lirë, në mënyrë indirekte, ata plotësojnë interesat dhe nevojat e gjithë kombeve në tërësi e veçanti. Pra, nëpërmjet krijimit të akseseve për të mirat materiale, shërbimet dhe resurseve me të njëjtat kondita për të gjithe, tregtia e lirë mund të bëjë të mundur që bota të bëhet një komunitet i njësuar ekonomik.

            Në Amerikë, gjatë shekullit 20, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, termi “Liberalizëm” ka marrë një formë dhe kuptim të veçantë. Së paku, diferenca është në favorizimin konkret të formave politike. Si Liberalizmi i shekullit 19, ashtu dhe ai i shekullit 20, kanë favorizuar apo minimalisht kanë pretenduar të favorizojnë format parlamentare, sipërmarrjen ekonomike individuale dhe mbrojtjen e të drejtave civile. Edhe në aspektin politik, ndryshimet e tij janë jo pak të vogla. Në çdo problem që kërkonte medoemos një përzgjedhje ndërmjet centralizimit dhe decentralizimit lidhur me përgjegjësitë politike, liberalët e shekullit 19 do të përzgjidhnin në favor të pushtetit lokal krahasuar me atë qëndror. Për atë, instikti themelor ishte ai i mbrojtjes ndaj arbitraritetit të qeverisë qendrore ndaj lirisë së individit. Por, ndryshe aga ai, Liberali i shekullit 20, do të përzgjidhte pa mëdyshje opsionin e fuqizimit të qeverisë qendrore në kurriz të asaj lokale. Për këtë, qëllimi dhe bindja kryesore është që të kemi një qeveri të fortë e cila të bëjë gjëra sa më të mira për njerëzit.

           Diferenca është akoma më e mprehtë në politikat ekonomike, ku tashmë “Liberalizmi” ka marrë një qëndrim pothuaj të kundërt me atë të mëparshëm. Ndërkohë që liberalizmi i shekullit 19 ishte në favor të sipërmarrjes private dhe për një ndërhyrje minimale të shtetit. Liberalizmi i shekullit 20 nuk i beson tregjeve dhe formave të tyre, por beson në aftësinë dhe mundësinë e shtetit për të ndërhyrë e rregulluar në të gjitha aktivitetet ekonomike. Liberalizmi i shekullit 19 favorizonte mendimin individual si themel të arritjes së objektivave individuale. Liberalizmi i shekullit 20 favorizon mendimin kolektivist në arritjen e objektivave individuale. Ndërkohë që objektivat e tij janë individualiste, por në një sens tjetër, ku kryesorja është mirëqenia, dhe jo liria e individit.

Këtë e ka përcaktuar drejt Schumpeter, ku thotë “kundërshtarët e sistemit të sipërmarrjes private e kanë menduar atë si një zgjidhje e zgjuar dhe si një objektiv final”. Pjesa tjetër e këtij shkrimi do t’i përkushtohet e gjitha “Liberalizmit” në kuptimin dhe mendimin e tij origjinal dhe ku termat do të përdoren brenda sensit te tij.

              Liberalizmi politik dhe ekonomik derivojnë prej së njëjtës filozofi. Për më tepër, të dyja këto kanë udhëhequr e përcaktuar shpesh herë ekzistencën e njëra tjetrës në fushën aplikative në shoqëri në kohë të ndryshme, gjë që na sugjeron atë që raportet ndërmjet tyre meritojnë të ekzaminohen në fushën e ideve, gjithashtu. Gjatë shekullit 19, shumë vende adoptuan gjërësisht elementë të liberalizmit ekonomik megjithëse kishin forma të ndryshme politike që nuk ishin aspak liberale, apo që nuk derivonin në sisteme politike liberale. Rusia dhe Japonia janë ndoshta shembujt më tipikë dhe të qartë lidhur me këtë. Ndërkohë që vende të tjera, gjatë shekullit 20, ndonëse kishin ndërtuar elementë konkrete me programe politike liberale, ishin zhvendosur nga liberalizmi drejt politikave ekonomike kolektiviste. Britania e Madhe është shembulli më tipik i këtij fenomeni, ku gjatë gjithë gjysmës së shekullit 20, kur i gjithë mendimi politik ekonomik Britanik dhe zbatimi i tij ishin zhvendosur nga liberalizmi drejt një centralizimi dhe intervenimi të drejtpërdrejtë të shtetit në politikat ekonomike në vend. Konstatime të tilla vazhdojnë të jenë reale akoma atje. Po kështu, edhe shtetet të tjera si Norvegjia dhe Suedia, përfshirë këtu për disa dekada edhe SHBA, treguesit e matjes tregojnë të njëjtën tendencë.

              Ashtu siç e kemi përshkruar më lart, mendimi liberal dhe ai i shkruar në shekullin 19 e ka parë reformimin politik si një formë kryesore të arritjes së reformave ekonomike liberale. Format e hershme politike përqendronin fuqinë politike në duart e grupeve ku interesat speciale të tyre kundërshtonin masat ekonomiko-liberale të tregut të lirë. Në këtë kohë, James Mill argumentonte që duhet të lihen njerëzit të votojnë të lirë me qëllim që të shmangen grupet me interesa speciale. Si i tillë, kur interesi i përgjithshëm ishte thjesht interesi i gjithë individëve që përbënin shoqërine, kjo do të bënte të mundur avancimin efektivisht të mendimit liberal ekonomik, ku demokracia do të sillte largim të duarve të shtetit duke dhënë një shtrirje maksimale interesave personale të individëve.

               Në shekullin 20, një grup i mendimtarëve liberalë si Henry Simons, Ludëig von Mises dhe Friedrich von Hayek, patën theksuar se ky raport do të ketë efekt të dyfishtë në atë se liberalizmi ekonomik është gjithashtu një mjet për arritjen e lirisë politike. I vetëm, Liberalizmi ekonomik, nuk mund të garantoje ardhjen e lirisë politike, i referohemi këtu shembullit të Rusisë dhe Japonisë të cituar më lart. Por, Liberalizmi ekonomik është një parakusht i domosdoshëm për lirinë politike.

Historikisht, nuk ka vende që gëzojnë në një masë substanciale të lirive politike të cilët nuk kanë gjeneruar në një masë substanciale liberalizmin ekonomik. Analitikisht, ruajtja e lirive politike kërkon një mbrojtje të sigurt kundër përqendrimit të fuqisë, ajo kërkon ekzistencën e një shpërndarjeje sa më të gjerë dhe proporcionale të fuqive. Fuqia politike, për vetë natyrën e saj, ka një tendencë për t’u koncentruar; ndërkohë që fuqia ekonomike mund të shpërndahet lehtësisht e gjerësisht nëse ajo organizohet sipas principit të një tregu të lirë. Kjo dikton atë që fuqia ekonomike e çarmatos fuqinë e koncentruar politike duke u bërë vetë njëkohësisht e pavarur nga ajo. Nëse lejohen që këto dy forca të jenë përqendruar në duar të njëjta, fati dhe mbrojtja e vetme e lirisë politike do të jenë në duart e atyre, gjë që sjell vetëm një argument të brishtë dhe një shteg shumë të ngushtë për ata individë të pakët të talentuar për një mbijetesë për të përfituar nga korruptimi i fuqisë së pushtetit.

        Disa shembuj të tjerë mund të qartësonin pohimin e një raporti të fortë ndërmjet lirisë politike me atë ekonomike, por do të ishte e vështirë të demostronim lidhjen direkte ndërmjet tyre. Një nga karkateristikat e një shoqërie politikisht të lirë është edhe një nga ato që ithtarët e reformava radikale në strukturën sociale janë të lejuar të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të bindin ndjekësit besnikë të tyre. Fakti që në SHBA, gazetat me ide komuniste dhe socialiste lejohen të botohen e të shpërndahen, tregon një shoqëri të lirë politikisht. Supozoni një ndryshim në një vend me ekonomi kolektiviste ku shteti kontrollon shumicën e aktivitetit ekonomik. Si do të mundin ithtarët e një kthimi në kapitalizëm, të siguronin burime me anë të cilave do të publikonin gazeta me pikpamjet e tyre? Mos do bëhej kjo nëpërmjet fondeve për disidentët? Apo do bëhej nga kontributi me shuma të vogla i miliona njerëzve të punësuar nga qeveria? Nëse ata do të kishin burime fondesh, çfarë garancie do të kishin që shteti do t’u shiste letër me të njëjtat kushte e çmime siç u jepte të tjereve? Në një shoqëri me ekonomi liberale është gjithnjë e mundur për të gjetur burime të përgjithëshme për të përhapur pikpamje të ndryshme, ose nëpërmjet subvencioneve, nga një numër i vogël individësh ose nëpërmjet shitjes së gazetes, ose të publikimit te shumë persona të tjerë. Dhe, nëse ka një shans të mundshëm që një grup i mjaftueshëm njerëzish do të donin të blinin gazeta që shprehin mendime të një pakice duke u sjellë atyre fitime, bile edhe njerëz që kanë pikpamje të kundërta fondamentale, për hir të interesit të tyre personal, do të siguronin burime për t’a bërë këtë sipërmarrje të mundëshme dhe funksionale. Në fakt, ekzistojnë mijëra apo miliona grupe indipendente me fuqi të mjaftueshme për të provuar nëse kjo apo ajo sipërmarrje a ide, është fitimprurese apo jo, ndërkohë që pak të tille gjenden në struktura politike me vullnet për t’a bërë këtë. Pra, në kushtet e ekzistencës së shumë burimeve, atje nuk mbetet më asnjë pengesë sepse nëpërmjet një tregu të lirë, shitësi i letrës për shtyp nuk e di nëse letra po shkon për gazetën Daily Ëorker apo për fondacionin për Edukimin në Shkencat Ekonomike. Ndoshta diçka të tillë të përgjithëshme por efektive, si garante të lirisë për të nxitur pikëpamje kundërshtuese, mund të trillohen me siguri në shoqëri kolektiviste. Por, një gjë e dimë me siguri, se asnjë nga ithtarët për shoqëri të tilla, akoma nuk na ka sugjeruar apo të paktën t’a ketë prekur ndonjëhere këtë problem.

            Një shembull tjeter; konsideroni ata individë të cilët kanë humbur punën ose kanë dhënë dorëheqje nga puna në qeveri në Amerikë vitet e fundit, sepse ata ishin akuzuar si komunistë. Punësimi në shtet në shoqërinë tonë nuk është një nga të drejtat e përcaktuara me ligj. Si e tillë është krejtësisht e drejtë që disa pozicione në shtet nuk duhet të zihen nga idividë me bindje komuniste, apo që dyshohen të jenë të tillë. Ndërkohë që shihet qartë se sa e fortë është ndjenja e opinionit publik që të mbyllet dera për punësim në shtet për të gjithë personat me bindje komuniste. Nga ana tjetër, funksionimi i lirisë politike kërkon me siguri që njerëzit jo vetëm të jenë të lirë në atë që besojnë, por edhe të mbrojnë e propagandojnë idetë komuniste. Këta njerëz që kanë neveri ndaj komunizmit e lejojnë këtë pikërisht për të argumentuar të drejtën e tyre për të shprehur idetë e kundërta për të. Mbrojtja më e mirë e jona ndaj komunizmit është bindja e njerëzve për idete djallëzore që ai fsheh, por jo duke opresuar mbrojtjen që i bëhet atij. Por, në rastin kur punësimi bëhet vetëm nga shteti, liria nominale për të shprehur pikëpamjet ekstreme do të ishte thjesht një fasadë e gënjeshtërt. Në këtë rast ushtrimi i kësaj lirie do të kishte një çmim të papërballueshëm, ndoshta humbjen e mjetit të vetëm të jetesës. E kundërta ndodh në ato shoqëri ku ushtrimi i kësaj lire nuk të sjell pasoja. Shumë individë që kanë humbur punët në shtet, apo janë larguar vetë nga puna, kanë patur me siguri shumë mundësira të tjera të mëdha. Mënyra se si ekonomitë e tregut të lirë privat krijojnë e mbrojnë këto mundësira, shprehet mjaft qartë në rastin e një individi që shkon e hap një fermë private me prodhim grurin. Blerësit e grurit nuk nuk do t’ja dinë nëse këtë grurë e ka prodhuar një komunist, apo fashist, apo njeri me ngjyrë. Blerësi nuk e çon në mend se kush është prodhuesi, dhe as nuk harxhon kohë për këtë. Në këtë mënyrë bëhet e qartë ajo se tregu konkurues ndan aktivitetin ekonomik nga ai intelektual apo politik, ku, sa më shumë rritet kompeticioni në market, aq më tepër thellohet kjo ndarje. Është paradoksal fakti që minoritetet, që kanë mundësi të jenë përfituesit më të mundshëm në një shoqëri kompetitive, kanë kontribuar padrejtësisht duke u pozicionuar në një numër të madh rastesh kundër.

          Shumë autorë të cilët kanë trajtuar e theksuar rëndësinë e liberalizmit ekonomik si një parakusht për liri politike, kanë interpretuar tendencat drejt kolektivizmit gjatë dekadave të fundit, si paradoks të një trendi drejt një politike “bujkrobërie”. Ndoshta ata kanë të drejtë. Sidoqoftë, raporti që ata trajtojnë është manifestuar në vetvete në disa mënyra të ndryshme: për shembull, tendencat kolektiviste janë verifikuar të jenë të përziera dhe interferuara me liritë politike dhe ato civile. Kur konflikti është qartësuar plotësisht, në shumicën e rasteve politika kolektiviste është flakur tutje. Ndoshta shembulli më i qartë është ai i eksperiencës Britanike me zhvendosjen e detyrueshme të vendeve të punës. Mendimi socialist ekonomik i pas luftës II-të, bënte thirrje për alokim të detyrueshëm të fronteve të punës me qëllim të  arriheshin “prioritetet sociale”, ndonëse disa akte ligjore ishin detyruese, ato asnjëherë nuk u zbatuan gjerësisht. Kështu që kjo fuqi detyruese u vetëshemb pa përpjekje për t’a mbajtur e zbatuar, pasi në thelb i gjithë karakteri i kësaj politike ekonomike të alokimit të detyrueshëm të fronteve të punës binte ndesh dhe eleminonte themelin e të drejtave civile të punonjësve.

Përktheu: Luan Kola

We cannot load blog data at this time.

NJë përgjigje për "Fillimet e Liberalizmit dhe zhvillimiet e tij"

  1. Rroku  29/07/2013 në 10:07 pm

    Material shume interesant. Me duket sikur autori i ketij materiali, Friedman, e ka shkruar pikerisht per kushtet ne te cilat ndodhet shoqeria jone. Ndonese ai pati punuar e jetuar ne SHBA.
    Por, me duket se tani eshte koha qe ideologet tane te doktrinave ekonomike nga te dyja palet, te na qartesojne se si e deri ku filozofite e tyre social-ekonomike funksionojne dhe cfare objektivash do te arrihen.
    Mua me krijohet pershtypje se ka nje konfuzion ne keto gjera. Te pakten une, per vehten time nuk jam ne gjendje te dalloj programet e te dyja forcave politike ne vend bazuar ne konceptin e Neo-Liberalizmit. Gjithashtu nuk kuptoj perse e majta qe po vjen ne pushtet do te rrise administraten publike artificialisht dhe do te rrise kontrollin e nderhyrjen e shtetit ne veprimtarine private.

    Kam ndjekur me interes edhe shkrime te Z.Civici, ku pa dyshim ai tregohet nje profesor akademik i nivelit te larte, por nuk kam mundur te dalloj se cilen doktrine mbeshtet ky profesor i nderuar, dhe per me teper, cilin model mendon ai (dhe eksperte te tjere) do te ishte me e pershtateshme per konditat e vendit tone.

Komentet janë mbyllur