visi baner 5

Frashëri kundër butkës; Libri si replikë e dy anëve të historisë

download (15)Punimi im Nga historia e Ballit Kombëtar…shkaktoi një reagim të menjëhershëm, të egër nga përmbajtja, të pasaktë nga logjika dhe të papërshtatshëm nga gjuha. Autorë qenë djemtë e dy prej udhëheqësve kryesorë të Ballit Kombëtar, njëri Uran Butka, biri i Safet Butkës, tjetri Tomor Dosti, biri i Hasan Dostit…

Z. Uran Butka kur botoi replikën e parë, unë vura re se ai nuk kishte referenca shkencore bibliografike për argumentet që paraqiste për themelimin e Ballit Kombëtar, për programin e tij politik, për luftën e armatosur që pretendonte se Balli Kombëtar ka zhvilluar, për punimet e Kongresit të Beratit, për bashkëpunimin e Ballit me okupatorin hitlerian dhe për çështje të tjera për të cilat në punimet e tij ka vetëm retorikë dhe asnjë dokumentacion për luftën e armatosur që pretendon se ka zhvilluar Balli Kombëtar kundër okupatorit gjermano-hitlerian.

Për të sqaruar publikun iu luta atëherë z. Uran Butka që të ndriçonte me dokumentacion çështjet e lartpërmendura, të cilat janë me interes për vetë Ballin Kombëtar. Ai të dy replikat e mëparshme, të cilat ishin të ngjashme si dy pika uji, i shkriu në një shkrim të vetëm në broshurën që botoi me titull “Dritëhije të historisë. Polemikë me Kristo Frashërin”, Tiranë 2012. Edhe në këtë broshurë të bie në sy përpjekja e mëparshme e autorit për të mos u dhënë përgjigje dy çështjeve themelore të historisë së BK. E para si shpjegohet mosangazhimi i organizatës Balli Kombëtar për një kohë të gjatë (nën parullën se “nuk ka ardhur koha”) në rezistencën e armatosur kundër okupatorit fashist italian? E dyta përse i bëhet bisht pyetjes që ka shqetësuar dikur dhe po shqetëson ende sot opinionin publik shqiptar: si cilësohet bashkëpunimi ushtarak i Ballit Kombëtar me okupatorin gjermano-hitlerian në luftë kundra forcave nacionaliste çlirimtare? Për fat të keq, edhe në këtë broshurë dokumentacioni faktologjik dhe argumentimi historik që do të ndriçonin këto dy çështje thelbësore, mungojnë. Kjo tregon se ai nuk ka mundur të gjejë argumente dinjitoze për ta pastruar historinë e organizatës Balli Kombëtar nga turpi me të cilin ajo mbuloi veten e vet. Madje, është e tepërt të merremi me të edhe për faktin se që në ditët e zjarrta të Luftës së Dytë Botërore organizata e Ballit Kombëtar u qortua për qëndrimin e saj të gabuar nga përfaqësuesit e koalicionit të madh anglo-sovjeto-amerikan që vepronin në Shqipëri.

Për të denigruar rezistencën patriotike që po zhvillonte Fronti Nacional Çlirimtar së bashku me Partinë Komuniste Shqiptare kundër okupatorit të huaj fashist, ballistët e asaj kohe të paaftë për të mbrojtur qëndrimin e tyre të turpshëm në rrafshin e rezistencës patriotike, e sulmonin Partinë Komuniste se ajo ishte krijuar nga dy emisarë jugosllavë – Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha – si një degë (filiale) e Partisë Komuniste Jugosllave në Shqipëri. Këtë shpifje ballistët vazhduan ta përdornin kaq shpesh sa që pasardhësit e tyre duket se e besojnë si fakt të vërtetë.

…Asnjëherë krerët e Ballit Kombëtar nuk kanë qenë në gjendje të provojnë se titistët jugosllavë, në ato vite aleatë të kampit të madh antifashist, synonin ta përfshinin Shqipërinë në suazën e Republikës Federative Jugosllave. Asnjëherë gjatë këtyre 70 vjetëve penat balliste nuk kanë nxjerrë në shesh ndonjë akt dokumentar që të provojë se gjatë luftës Partia Komuniste Shqiptare propagandonte bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë ose nënshtrimin e Shqipërisë ndaj saj….

Motivi i dytë me të cilin edhe sot vazhdojnë të krenohen ballistët është angazhimi i plotë i Ballit Kombëtar në luftë kundër Partisë Komuniste gjoja për të parandaluar vendosjen e regjimit bolshevik në Shqipëri.

…Nëse lufta e Ballit Kombëtar gjatë okupacionit hitlerian kundër rrezikut komunist, ka qenë ose jo e justifikuar, duhet ta gjykojmë në kuadrin kohor të Luftës së Dytë Botërore dhe jo në situatën e krijuar pas saj. Siç dihet, gjatë Luftës së Dytë Botërore bota u nda në dy kampe. Nga njëra anë, trekëndëshi i agresorëve në të cilin bënin pjesë Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia militariste me pak satelitë – nga ana tjetër, kampi i madh antifashist i kryesuar nga Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët u rreshtuan të gjithë popujt e pushtuar nga agresorët fashistë, ose që rrezikoheshin prej tyre. Për Shqipërinë, parimisht dhe praktikisht e vetmja rrugë për të rifituar lirinë e shkelur dhe pavarësinë e humbur ishte në bazë të Kartës së Atlantikut, të nënshkruar nga Roosvelt-i dhe Churchil-i, rreshtimi i saj në koalicionin e madh antifashist. Rreshtimi i saj në koalicionin e madh anglosovjeto- amerikan nënkuptonte angazhimin e shqiptarëve në luftë të armatosur kundër agresorëve nazifashistë.

W. Churchil-i dhe Fr. Roosvelt-i, krerët e dy fuqive më të mëdha demokratike të botës nga njëra anë dhe J. Stalin përfaqësuesi i Bashkimit Sovjetik dhe i komunizmit botëror nga ana

tjetër, kundërshtarë të papajtueshëm politikë dhe ideologjikë midis tyre, kur u duk rreziku nazifashist që kërcënonte vendet e tyre dhe mbarë njerëzimin, i lanë mënjanë kontradiktat

e thella që kishin me njëri-tjetrin dhe formuan koalicionin e madh antifashist. Pikërisht në sajë të bashkëpunimit midis tre krerëve të kampit të madh dhe të pjesëmarrjes të popujve të

robëruar në këtë koalicion të madh antifashist, u arrit fitorja historike e Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht se pas Luftës së Dytë Botërore filloi epoka e Luftës së Ftohtë midis demokracisë dhe komunizmit, asnjëra palë nuk e ka mohuar rolin e njëra-tjetrës në fitoren historike mbi rrezikun nazifashist Pikërisht në këtë kuadër duhen gjykuar dhe vlerësuar

ngjarjet që ndodhën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka logjikë historike të pranosh se Balli Kombëtar, duke bashkëpunuar me ushtritë hitleriane kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare, e cila kishte fituar respektin si aleate e koalicionit të madh antifashist – paska zhvilluar një luftë patriotike. Ballistët ende nuk duan ta kuptojnë se ishte pikërisht bashkëpunimi i tyre me okupatorin hitlerian faktori që me çlirimin e Shqipërisë i nxori ata jashtë loje.

Pse Balli kombëtar nuk ishte organizatë nacionaliste

Problemi tepër delikat i nacionalizmit, i cili meriton të trajtohet në një takim shkencor të veçantë. Ballistët vazhdojnë edhe sot ta etiketojnë ashtu si dje, Ballin Kombëtar si një organizatë nacionaliste. Kam frikë se ata nuk e dinë ç’do të thotë nacionalizëm. E dinë se vjen nga fjala “natio” (komb), por jo kuptimin politik të apelativit nacionalizëm. Nacionalizmi është një kundërvënie e internacionalizmit. I pari nënkupton para së gjithash prirjen për të grumbulluar gjithë trojet etnike në një shtet të vetëm kombëtar. I dyti, zhdukjen e kufijve midis shteteve nacionalë dhe shkrirjen e tyre në një shtet ndërkombëtar apo super nacional. Nga kjo pikëpamje, nacionalist quhej edhe Mustafa Kruja, po ashtu edhe Mit’hat Frashëri, pse jo edhe Enver Hoxha. Që të tre dëshironin që një ditë të gjithë trojet etnike shqiptare të grumbulloheshin në një shtet të vetëm kombëtar. Por ata ndryshonin njëri nga tjetri përsa i përket rrugës që duhej ndjekur për të realizuar këtë synim madhor. Mustafa Kruja, siç e ka pohuar vetë, shpresonte se nacionalizmi shqiptar, sipas tij, mund të realizohej vetëm duke u futur nën ombrellën e Italisë fashiste, pra duke sakrifikuar pavarësinë. Mit’hat Frashëri kishte bindjen se ëndrra e tij mund të realizohej duke luftuar kundra fqinjëve në një kohë kur Shqipëria ishte e pushtuar nga zgjedha hitleriane, rrugë e cila e komprometonte pavarësinë. Përkundrazi, Enver Hoxha mendonte se bashkimi me Shqipërinë i trojeve shqiptare që në atë kohë bënin pjesë në Republikën Federative Jugosllave, mund të realizohej jo me ndihmën e ndonjë okupatori të huaj, as me ndërhyrjen e Shqipërisë, por me luftën antifashiste që duhej të zhvillonin vetë shqiptarët e Jugosllavisë. Këtë qëndrim

ai mbajti edhe ndaj Çamërisë. Historia provoi se platforma e Mustafa Krujës ishte fund

e krye e dështuar. Platforma e Mit’hat Frashërit dështoi që në vezë për bashkëpunimin absurd të Ballit Kombëtar me forcat ushtarake hitleriane. Sigurisht do të shkaktojë reagim të ashpër

të ballistëve nëse pohoj se platforma e E. Hoxhës triumfoi. Përgjigjen nëse ky pohim është pa vend, ftoj ta japin trimat kosovarë të UÇK-së, që në mos krejtësisht, realizuan gjysmën e

platformës për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe dhe shpalljen e saj Republikë e pavarur, por ende jo bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Për sulmet ndaj meje

Uran Butka më quan “partiaku i vjetër komunist”. Që këtu fillojnë shpifjet, mbasi unë nuk kam qenë komunist. Është e vërtetë se kam qenë anëtar i Partisë Komuniste kur ajo u themelua, por gabimisht vetëm për disa muaj. Jam nga të parët anëtarë të Partisë që u përjashtova prej saj, që në qershorin e vitit 1942. Është gjithashtu e vërtetë se kam marrë pjesë në Luftën Nacional- Çlirimtare. Por jam ndër ata 68 mijë partizanë që nuk kam qenë komunist. Pas Çlirimit, nuk kam patur asnjëherë detyrë shtetërore me përgjegjësi, mbasi nuk kam qenë anëtar i PKSh-së. Madje, jam pare gjithnjë me sy të vëngër si të gjithë ata që kishin në biografi në e tyre jo shënimin “Pa Parti”, por ca më keq: “Përjashtuar nga Partia”. …Jam gëzuar kur shihja se në Shqipëri po ndërtoheshin rrugë dhe hekurudha, po kryheshin bonifikime dhe kanalizime, po ndërtoheshin fabrika dhe kombinate, termocentrale dhe hidrocentrale, çerdhe dhe kopshte, gjimnaze dhe teknikume, institute shkencore dhe universitete, kinema dhe teatro, klube dhe stadiume, mbasi ato shënonin hapa përpara për Shqipërinë… Kam qenë kundra prapësive dhe krimeve të regjimit, internimeve dhe burgimeve për motive politike, gjyqeve të politizuara dhe drejtësisë së manipuluar, mbylljes së kishave dhe xhamive, izolimit të Shqipërisë nga bota e jashtme, shtetëzimit të krahut të punës. Nuk jam i detyruar t’ju them se cilat kanë qenë pikëpamjet e mia politike në kohën e regjimit komunist, as të shprehem për qëndrimin tim ndaj partive të sotme. Vazhdimisht kam menduar se historiani për të qenë objektiv duhet të mos aderojë në asnjërën parti.

E vërteta e Aktit të Pavarësisë

Shpifje është gjithashtu edhe akuza tjetër se unë paskam pohuar se kam ruajtur Aktin origjinal të Pavarësisë. Një pohim i tillë nuk ka dalë asnjëherë nga goja ime. Është tjetërkush dhe jo unë që ka përhapur një njoftim të tillë të pasaktë, të cilin unë e kam përgënjeshtruar që ditën kur ai lajm i pasaktë u përhap. Më akuzon se kam fshirë nga Akti i Pavarësisë firmëtarët dhe delegatët e padëshiruar nga regjimi komunist, duke vënë mbi

emrat e tyre ndërtesën e Kongresit të Lushnjës. Para së gjithash, është për të ardhur keq që Uran Butka është aq i cekët si historian saqë nuk di se ndërtesa e vendosur në Aktin e Pavarësisë nuk është selia e Kongresit të Lushnjës, siç pohon dy herë me radhë ai, por e qeverisë së Ismail Qemalit. Pavarësisht nga kjo gafë, e cila i lejohet një historiani të improvizuar, ai nuk duhet të harrojë se në vitet e regjimit komunist çdo botim kalonte

nëpër censurën partiake. Nëse autori nuk zbatonte urdhrin e censurës, vepra ose nuk botohej ose në bazë të ligjit shtetëzohej dhe botohej me ndryshimin e vendosur nga censura.

Më akuzon se kam trajtuar në mënyrë të njëanshme dhe të manipuluar Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Nuk e di se ku e sheh manipulimin e Shpalljes së Pavarësisë. Unë kam dy botime mbi Shpalljen e Pavarësisë. Që të dyja me titullin “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”. Njërën e kam botuar më 1957, me rastin e 45-vjetorit të ngjarjes historike; tjetrën më të plotë më 2008, të pajisur me aktet themelore të saj. Në qoftë se e ka fjalën për mungesë emrash që ka botimi i parë, ai e di fare mirë ndërhyrjen e censurës partiake. Ai duhet të më gjykojë nga botimi i dytë, prandaj derisa nuk e ka provuar manipulimin që do të thotë sajesa, edhe kjo akuzë mbetet shpifje…

Mihal Luarasi dhe Todi Lubonja

Mihal Luarasi u ul të shkruante kundërpërgjigjen e tij që në vitin 1994, kur disa miq i postuan në Budapest (ku ai jetonte asokohe me familjen) librin memuaristik të Lubonjës me titull “Nën peshën e dhunës”, botim i të cilit trazoi jo pak shpirtra të së kaluarës. Teksa lexonte librin e ish-mikut të dikurshëm, ai mendoi se duhej të replikonte duke dhënë variantin e tij të ngjarjeve. Këtë vit Mihal Luarasi botoi librin “Korbi, korbit nuk ia nxjerr sytë”, që është një përgjigje ndaj librit me kujtime të Todi Lubonjës “Nën peshën e dhunës” (1994).  Mihal Luarasi e shkroi që më 1994-ën, me disa shtesa në vitin 2011. Gjithë këto vite ka qenë i dyzuar për botimin e tij. “Për çka më përket, pas kaq vitesh, kisha vendosur ta lë të flerë dorëshkrimin tim. Sidomos pas vdekjes së Lubonjës, vendimi u bë i prerë për të mos e botuar”- thotë Luarasi në parathënien e librit të tij. Kthimi përfundimisht në Shqipëri në 2002-shin e përballi me një realitet tjetër. Sulmet ndaj tij dhe përpjekja për ta denigruar me tituj sensacional gazetash ia kthyen “zemërimin” dhe ai vendosi të botonte librin e tij.

 

Tanush Frashëri dhe Çatin Saraçi

Edhe kundërthëniet mbi librin me kujtime të Çatin Saraçit, “Zogu i shqiptarëve” janë botuar së fundmi nga historiani Tanush Frashëri në librin “Mbi të ashtuquajturën një histori e jetuar të Çatin Saraçit”. Që nga titulli Frashëri lë të kuptojë se gjithë libri është kryefund një replikë. “E lashë pa e botuar gjer më tani, sepse e gjykova si të panevojshme t’i jepej përgjigje një libri, autori i të cilit vuante nga psikoza e “baronit të Münchhausen-it” (baronit gënjeshtar). Por me kalimin e kohës, libri i Saraçit nisi të shërbejë si bazë për artikuj në shtyp dhe të prezantohet si një ndihmesë me vlerë për historinë e periudhës së Zogut; nisi të citohet madje nga studiues të njohur ose të paraqitet si dëshmi e shkallës së korrupsionit të mbretit Zog. Kështu, unë e pashë të nevojshme ta përgatis për botim në shërbim të atyre studiuesve që dëshirojnë të jenë objektivë, pavarësisht nga prirjet e tyre ideologjike. Në këtë libër ndiqet rrjedha e natyrshme e ngjarjeve mbi bazën e dokumenteve dhe të gazetave të kohës, për të nxjerrë në shesh falsifikimet dhe rrenat e Saraçit”, shkruan Tanush Frashëri në parathënien e librit të tij.

Reklama-Eagle

5 Përgjigjet për "Frashëri kundër butkës; Libri si replikë e dy anëve të historisë"

  1. iliri  06/07/2013 në 6:19 pm

    kristo frasheri ka te drejte, balli kombetar ka qene dhe do te mbetet turpi vendit, si gjate luftes ashtu edhe pas saj, pasi ka bashkepunuar gjithmone me pushtuesit gjate luftes dhe pas saj me amerikanet , anglezet e cdo force tjeter kapitaliste per te permbysur ENVER HOXHEN. Por nuk ja doli. eshte turpi tokes shqiptare.

  2. armir  07/07/2013 në 9:25 am

    Ti nuk ke kene nje historian i paanshem dhe i ke sherby me shpirt atij rregjimi kshtu qe nuk mendoj se duhet flasesh …sepse ti historine e ke shkru tu seleksionu dokumentat simbes interesave te tua…te thuash ne 2013 se partine komuniste nuk e kan kriju jugosllavet kur ka dokumenta te shumta per ket rast tregon su ju nuk jeni nje hitorian i besushem por nje i plak i rrjedhun trush qe asht fiksu ose i asht mbush mendja se vetem ai e din historin e shqiperise por edhe qe kan pengu shkrimin e historise ashtu sic duhesh prandaj shko e haje njat pension ne shpi e mos u fut kot ne kto diskutime sepse ke mbet shume mbrapa me studimet.asht shume qe te kan dhane ket hapsine per me fol per rrenat e tuja dhe te vertetat e tuja te pavlera.historian i deshtum.

  3. defrim  07/07/2013 në 10:16 pm

    po si eshte e mundur te besohet kjo shoku frasheri,kur thoni se tradhetari i shqiperis dhe i popullit tone enver vampiri,mendonte se bashkimi i trojeve te shqiperis mund te realizohej me luften antifashiste qe duhej te realizonin vete shqiptaret ne republiken federative te jugosllavis.
    kur dihet shume mire se vet enveri ia la titos kosoven beri masakren e tivarit.
    ti ende ke nostalgji per te,me fal por duhet ta ndijesh vehten me turp qe i ke sherbyer dhe vazhdon.
    me duket se je si qosja,te paguar.

  4. roni  08/07/2013 në 9:54 am

    Historiane si Frasheri, jo me qe nuk moren e nuk marin akoma parasysh se dokumentat per rolin e Ballit kombetar ne luften antifashiste u seleksionuan sipas oreksit te diktatorit komunist, por edhe nuk u kujtua asnjehere qe te komentoje masakrimin e historise se shpalljes se pamvaresise ku pothuajse gjysma e pjesmaresve u la ne harese te plote duke kaluar ne veprimin barbar te fallsifikimit te fotografive.
    Duket se ne kesi “dokumentash” te fallsifikuara nga komunizmi vazhdon Frasheri te mbeshtetet ne argumentin se “mungojne dokumentat”
    Ashtu eshte z.Frasheri.
    Akoma edhe sot mungojne jo me dokumenta autentike te historise qe u zhduken barbarisht nga komunistet, por nuk ju dihet edhe varri qindra patrioteve shqiptare e kundershtareve te Enverit.
    Akoma ne Shqiperi nuk gjenden dokumente te sakta per listen e krimeve te diktatures e spiuneve te sigurimit.

  5. Lisi  09/07/2013 në 11:43 am

    Balli Kombetar,ka qene dhe ka mbetur,nje organizem me i denje ne historine e shqiptareve.Pikepamjet e tyre se,vetem me shtetet e civilizuar teta brenda kufirit te europes perendimore,shqiptaret mund te jetojne ne paqe dhe liri,tanime u deshmua me shkuarjen perfundimtare te socializmit-komunizmit per ne THEQAFJE,me flijimin,deshiren tone ne vazhdimesi.Sot,egziston letra e Enverit shkruar Titos,per paknaqesine e Enverit ne lidhje me mosperfshirjen e Shqiperise ne federaten jugosllave,pasi Tito kishte llogaritur se edhe Bullgaria do te jete pjese e saj.Deshtimi i Ballit Kombetar,paraqet edhe deshtimin e Shqiperise Etnike.Enveri,jo qe nuk e beri bashkimin por,i izoloi shqiptaret jashte kufirit te Shqiperise me keta te Shqiperise,sikur te mos egzistonin fare.

Komentet janë mbyllur